Nga Sebi Alla/ Të mos besosh në votën tënde 

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Sebi Alla

Vjedhje, blerje, shitje, tjetërsim! Kobure të zbrazura, jetë të humbura, burra të gjakosur nga grushte të forta, gra të lëvyera nga çjerrjet e thonjve të gjatë! Ulërima, akuza, kërcënime, hakërrime dhe mallkime! Të fortë që shkrehin armët, intelektualë që s’i besojnë rivalit, që në vend të librave shpenzojnë kohën për të mbushur dosje me denocime penale për sho-shoqin, drejtues shoqatash që përleshen.

Nuk është film triller dhe aksion bashkë, as produksion sureal, është historia jonë, e shkruar edhe me gjak dhe vdekje pranë qendrave të votimit, për të “jetuar” një klasë e tërë politike, dhe jo vetëm. Në fund fiton “luani” që të shqyen, mbreti i kafshëve, në “safarin” shqiptar. Paradoks më të madh zor se gjendet, kur të fundit zgjedhje politike të pranuara nga të gjithë dhe pa asnjë copëz akuze, për vjedhje e tjetërsim, i përkasin 22 marsit 1992. Sistemi komunist i organizoi duke ua lënë në duar stafetën “demokratëve” të së ardhmes. Historia më pas është trishtim dhe absurd.

Kemi humbur tri dekada nën moton “vota të vjedhura”; “sistem i deformuar”; “pushtet i grabitur”. Me gjasë mund të humbin edhe vite të tjera, po në kërkim të votës së lirë, që në fakt është themeli i demokracisë. Mburremi çartshëm se jemi popull i vjetër, klithim me të drejtë nën flamur për të shfaqur atdhetarizmin, ngjirremi në këngë patriotike, por në fund japim shembullin më të keq që për “fare pak”, shembim gjithçka. Mosbesimi, shikimi i rivalit si armik, tendenca për të siguruar pushtet me çdo mjet, e bashkë me të kamje, qenkan “armiku i padukshëm” që fshihet në kutinë e votimit, qoftë edhe ajo e tejdukshme në iluzion, por tërësisht hermetike në përbërje.

Shembuj të mbuluar me turp 

Është fillim gushti, si saç i nxehtë mbi krye. Kokat janë nxehur ku paralelisht të paktën kemi dy fronte që secili më vete, por ngjashëm në sjellje, kanë nisur fushatën e zgjedhjeve, e disa sapo e përfunduan. Zgjedhje në politikë dhe zgjedhje në elitën e fakulteteve dhe Universitetit të Tiranës. Politika dominon. Paralajmërimi është më se i qartë, na pret një vit i vështirë. Në një anë pandemia po ha jetë, ka kapluar nën frikë të gjithë qytetarët e, megjithatë, të tjera halle dalin.

Marrëveshjet mes palëve shkelen e tjetërsohen, por duke lënë gjithnjë një frëngji hapur, nga ku jo vetëm qëllohet me deklarata, por mund të jetë e vlefshme sa për t’u futur një draft ndërkombëtar i orëve të fundit. Sezoni prill-maj i vitit të ardhshëm me gjasë do të fiksojë një të dielë zgjedhjesh të përgjithshme parlamentare. Kaosi është i sigurt dhe shenjat po jepen çdo ditë. Vota është kryefjala. Ajo ka dalë në treg, me një çmim të shtrenjtë, (fatura e së cilës në fund shkruan: pasiguri, përplasje, akuza), dhe në çdo rast, ajo përfundon si haraç i pakërkuar në xhepin e qytetarëve.

Në Parlament britet për votën e lirë, me koalicione parazgjedhore apo pa to, lista të hapura apo të mbyllura, tërsisht të hapura apao treçerek të hapura, por pa hapur më parë mendjen se për kë bëhen zgjedhjet. Populli voton, një pjesë në bindje të thella e militantizëm esktrem, që për parti “të vret”, po aq sa kur i lëviz me pak milimetra gardhin e një ngastre që kurrë s’e punon. Ligjet dhe ligësitë që vijnë nga pushtetet, në mazhorancë apo opozitë, i rreshtojnë votuesit në një vathë të madhe dhe më pas si xhelati në portëzën e vogël, nisin dhe numërojnë; “vota ime – vota jote”, e blerë apo e shitur. Harrojnë qytetarin të cilin e mbajnë si “dele nën këmbë”, e gatshme për t’u qethur nga gërshërë të ndryshkura, që shpesherë copëtojnë deri nën lëkurë. Koha ecën, ne mbetëm pas! Të gjitha në emër të votës.

Lexo edhe :  Si ka ndikuar deri tani, “fushata” e opozitës?

Për t’i dhënë kuptimin fjalës demokraci duhet të huash një perifrazim nga kuptimi i vetë kësaj fjale të madhe. “Grekët shtruan të parët rrugën e demokracisë politike të drejtpërdrejtë, në të cilën qytetarët i marrin vetë vendimet lidhur me qytetin (polis). Por kjo formë e demokracisë qëndroi e kufizuar; femrat, skllevërit dhe metekët (banorët e huaj të Athinës) nuk konsideroheshin si qytetarë” – ky është përkufizimi i nisjes së demokracisë, këtu e tre mijë vjet më parë. Te ne votojnë femrat, “skllevërit” apo “metekët”, por mbetëm skllevër të një kaste politike e cila votën e merr, e numëron keq, e tjetërson, e ble, e përçudnon dhe në fund bret me të madhe: “Populli votoi, faleminderit për besimin”! Diku festohet, në një tjetër kaplon mërzia e madhe.

Ekzaltimi bie shpejt, pasi diskutimi për votën zgjat dhe zgjat pafundësisht, deri në zgjedhjet e ardhshme, duke iu drejtuar sërish popullit, ku më i forti dhe jo më bindësi në program dhe ide fiton. Në këto beteja nuk ka as humbës, pasi opozitat në një lloj forme janë në pushtet ekonomik, politik, apo të nginjur nga benefitet. Humbësi duhet parë te qytetarët që u përdorën edhe një herë si shumë e shumë herë, për tri dekada pa pushim.

Elita dhe vota! 

Me pa të drejtë keqqeverisjet po ia atribuojnë a priori popullit, duke marrë “copy-paste” një shprehje sa vetë jeta moderne: “Çdo popull meriton qeverinë që ka”. Sërish haraçin e rëndë qytetarët e mbajnë mbi supe! Po elitat, ato që duhet të tregonin udhën nga duhet shkuar, ku janë sot? Për nga numri i popullsisë, futemi statistikisht në “popujt e ditur”, me shumë doktorantë në fusha të ndryshme, apo profesorë, lektorë e madje edhe akademikë me shumicë. Edhe ata sot janë të grindur. Zgjedhjet në Universitetin e Tiranës u zhvilluan, por në një frymë akuze dhe konfliktesh. Fitues dolën, por në anatemim se mungoi gara, që fituesit ishin të paracaktuar. Dikush të tregon ligjin, tjetri moralin.

Të dyja bashkë as po ngjisin fare në këtë vend, duke ofruar si muzikë kakofoninë që u përngjan turturave naziste. Tragjikomedi edhe në sport. Komiteti Olipmpik, shoqatat e mundjes, peshëngritjes e çdo lloji tjetër kanë si “sport” të tyrin akuzat për votën. Për shpërdorimin e fondeve, për tjetërsimin e dietave, për udhëtimet jashtë vendit, ku edhe në evenimentet ndërkombëtare bëhemi qesharakë. Shkon një sportist pa mjek, por me një lukuni drejtuesish nga pas, të cilët harbohen në hollet e hoteleve dhe klithin si patriotë të mirë kur dikush i ri apo e re me djersë arrin një rezultat.

E qoftë edhe për këtë benefit me dieta, shpërblime, rroga të majme drejtuesit grinden, aq sa pak vite më parë në Federatën e Mundjes burrat trupmëdhenj shkelmonin kutitë e votimit. Të gjithë rendje pas një posti ku vota është ajo që i nxjerr në krye, por po vota është ajo që nuk është e lirë, e pastër e, pa dyshim nuk sjell pushtetin e ndershëm. Vota tjetërsohet, por sot ka një “shpresë të madhe” për t’i plasur në qeli keqbërësit.

Kemi SPAK-un e famshëm që aq shumë besuam tek ai, që gjeti “manipulatorët e mëdhenj”, janë nëntë fshatarë të Shijakut që për parti po bëjnë ca kohë burg, pa e ditur se çfarë kanë bërë. Po aq i rëndë ishte reagimi i elitë-politikës që i shiti këta “manipulatorë” të një grushti votash, që një dreq e di se nga shkuan. Ai fshatari që në në vitin 2017 ishte komisioner në votime që rri në çadër, se tërmeti i prishi shtëpinë dhe shiste duhan të dredhur për të mbajtur familjen, sot është në burg dhe mban mbi supe një dosje të rëndë, si ajo me numër 339.

Të fundit

Aktorja e njohur zyrtarizon lidhjen me ish-banorin e BBV (Foto)

Aktorja e njohur, Ana Lika prej disa kohësh është përfolur për një lidhje me ish-banorin e Big Brother Vip,...

Nisma e Ramës/ Avokati zbulon çfarë do sjellë: Do të na bëjë anëtar të BE-së

Avokat Idajet Beqiri zbuloi se çfarë funksioni do të ketë rezoluta e propozuar nga Rama duke shtrirë edhe dorën ndaj opozitës për të çuar...

Moti i keq godet juglindjen, breshëri shkakton dëme në pemëtari

Moti i keq ka përfshirë juglindjen në orët e pasdites. Reshje të dendura breshëri kanë goditur njësinë administrative të Leskovikut. Goditjet nga breshëri i fortë kanë...

Përzgjidhen 10 finalistët e parë të Eurovizion, ja shtetet pretendente

10 vendet e para që kaluan në finalen e Eurovisionit, një nga garat më të mëdha të këngës në botë, janë përzgjedhur, pas zhvillimit...

Nuk ndalen hakerat prorusë, bie faqja e kryeministres italiane Giorgia Meloni

Një grup i njohur i hakerëve pro rusë kanë vënë në shënjestër faqen e internetit të kryeministres italiane, Giorgia Meloni. Agjencia italiane e lajmeve, ANSA...

Lajme të tjera

Web TV