COVID-19/Shuhet skulptori Arben Bajo, sëmundja po përhapet frikshëm 

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Pasi luftoi prej disa ditësh me virusin COVID-19, ndërron jetë në moshën 53-vjeçare skulptori i njohur, Arben Bajo. Mes dhimbjes dhe trishtimit kanë reaguar, duke u shprehur ngushëllime familjarëve për largimin e parakohshëm nga jeta të skulptorit, njëkohësisht pedagog në Universitetin e Arteve, politikanë të ndryshëm, miq dhe artistë shqiptarë.

Nga Ina Allkanjari 

COVID-19 i merr jetën në moshën 53-vjeçare skulptorit të njohur, Arben Bajo. Prej ditësh Bajo ishte në luftë me koronavirusin, i shtruar në spital, por mëngjesin e djeshëm u bë i ditur lajmi i hidhur i vdekjes së tij. Lajmin për ndarjen nga jeta e kanë dhënë miqtë e tij në mediat sociale. Bajo ishte i intubuar në Spitalin Infektiv, në gjendje të rëndë.

Më herët kolegë të tij artistë, si Ilir Butka, Ardian Isufi, Vladimir Myrtezai, Merita Selimi, Ilirian Shima dhe studentë të tij, bënë apel përmes postimeve të rrjete sociale, se Arben Bajo kishte nevojë urgjente për gjak të grupit A negativ, nga dikush që ka kaluar koronavirusin. Edhe pse donatorët u gjendën, kjo fatkeqësisht nuk mjaftoi për ta shpëtuar skulptorin, i cili ishte njëkohësisht edhe pedagog tek Universiteti i Arteve.

Bajo ka çelur disa ekspozita personale brenda edhe jashtë vendit. Në një postim në mediat sociale, ka treguar dhimbjen për humbjen e të vëllait, motra e skulptorit, Iris Bajo. Mes rreshtash ajo shkruan se tani ka mbetur pa shokun e ngushtë dhe me një shpirt bosh.  “Ben!!! Më le pa vëllain e vetëm, më le pa shokun e ngushtë, më boshatise shpirtin! Nuk të ndenja dot afër në fund, siç më ndenje ti mua në halle.

Nuk do të jesh më të më ngushëllosh, të më japësh mend, të më tregosh historitë e “sekretet” e familjes, nuk do të qeshim e nuk do të pimë më bashkë, me orë, e nuk do të bëjmë më plane. Thjesht, nuk do të jesh më këtu, deri sa të puqemi sërish atje ku je tani, e t’i vazhdojmë ku i lamë. Do të rri me këtë mendim, deri sa të vijë koha!”, shkruan Iris Bajo. Pas humbjes së jetës së skulptorit të njohur, kanë ardhur reagime të shumta nga politikanë e artistë shqiptarë, duke shprehur ngushëllime për artistin shqiptar.

Reagimi i kryeministrit Edi Rama 

Pas lajmit të hidhur për ndarjen nga jeta të skulptorit Arben Bajo, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama. Duke e konsideruar një humbje të madhe largimin nga jeta të skulptorit, Rama shprehet se tashmë admiruesit e skulpturës nuk do të shohin më krijesa të duarve të tij.

“Beni ishte ende shumë i ri dhe arti i tij ishte ende në zhvillimin e vrullshëm drejt njësimit me vetë artistin, çka vetvetishëm reflektonte akoma influencën e disa mjeshtërve të mëdhenj, në ndërkohën që shëmbëlltyrat e bronzta po merrnin dora-dorës hijen e pangatërrueshme të individualitetit të skulptorit të talentuar. Një humbje e madhe kjo për ata që e njohën djalin fisnik, duarartë e fjalëpakë, po edhe për artin bashkëkohor shqiptar po ashtu, që humbi sot njërin prej bijve të vet më premtues e më të përkushtuar”, shkruan ndër të tjera kryeministri, teksa thekson se kujtimi i artistit Bajo do të pavdekësohet.

“Eh, jeta është kjo, dihet gjithnjë si mbaron, po s’dihet asnjëherë kur mbaron rrugëtimi ynë në këtë botë, ku disa e kanë dhuntinë e fatin të lënë pas diçka që i mbijeton vdekjes, veprën e tyre.

Artistët hyjnë te këta disa dhe, kur janë prej vërteti, siç ishte Ben Bajo, kujtimi i tyre pavdekësohet nga prania pa kohë e veprave të tyre mes njerëzve që vijnë e shkojnë, në ndërkohën pa kufi që veprat mbeten”, shkruan Rama ndërsa u shpreh ngushëllimet të dashurve dhe të afërmve të artistit Arben Bajo.

Reagimi i ish-kryeministrit Sali Berisha

Përmes një statusi në rrjetet sociale, ish-kryeministri Sali Berisha ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të skulptorit Arben Bajo. Berisha akuzon sistemin shëndetësor për humbjen e jetës së artistit, teksa thekson se Bajo u shua, sepse në mjekësinë e vendit tonë mungoi gjaku që mund ta shpëtonte.

“Të dashur miq, COVID-19 ndërpreu para kohe krijimtarinë dhe jetën e skulptorit të talentuar Arben Bajo, që luftoi për ditë të tëra në spital me sëmundjen e rëndë. Por atij në sistemin e shpartalluar mjekësor i mungoi gjaku që mund të ishte edhe shpëtimtar, dhe ata që lëshojnë sot psherëtima hipokrizie për vdekjen e tij dhe që udhëtojnë për vete me avion në dispozicion me paratë e taksapaguesve, vazhduan vakancat dhe nuk i siguruan gjakun që i nevojitej Arbenit dhe nuk e dërguan në një qendër më të specializuar, me sistem qarkullimi jashtëtrupor që edhe mund t’i shpëtonte jetën”, shkruan Berisha, teksa i shpreh ngushëllimet familjes dhe miqve të të ndjerit. Ish-kryeministri thekson se Arben Bajo ishte pedagog i Universitetit të Arteve dhe njëri prej skulptorëve më të talentuar të gjeneratës së tij.

Reagimi i kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj 

Një tjetër reagim lidhur me humbjen e artistit Bajo, për shkak të COVID-19, ka ardhur prej kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, i cili i ka shprehur ngushëllime familjes së skulptorit.

Duke e cilësuar një artist të rrallë, Veliaj thekson se Shqipëria humbi një nga skulptorët më të mirë dhe Tirana një nga qytetarët më fisnikë. “Pas betejës me virusin e pabesë, Shqipëria humbi një nga skulptorët më të mirë, Akademia një nga profesorët më të përkushtuar, Tirana një nga qytetarët më fisnikë! Ngushëllime familjes së Arben Bajos në ditën më të vështirë – kryelartë për një prind, partner e artist të rrallë!”, shkruan Veliaj.

Reagimi i ministres së Kulturës, Elva Margariti

“Sot është një ditë e trishtë…” Kështu është shprehur ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në rrjetet sociale pas ndarjes nga jeta të Arben Bajos. Margariti shprehet se skulptori ishte në kulmin e krijimtarisë së tij, dhe për të është e pabesueshme, largimi i artistit nga jeta.

“Me shumë gjasë në studio të ka mbetur një punë e papërfunduar. Ishe në kulmin e krijimtarisë tënde dhe është e pabesueshme që nuk do të kthehesh më aty. Një ditë kaq e trishtë sot! Kemi një artist më pak… Arben Bajo, ky mjeshtër i skulpturës, i mprehtë, zbërthyes karakteresh. U nda prej nesh. A mundet të të themi lamtumirë kaq herët!? U prehsh në paqe! Kujtimi dhe vepra jote do të jetë gjithnjë mes nesh!”, shkruan ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Shkrimtari Viron Graci 

Një ndër miqtë e skulptorit, shkrimtari Viron Graci, teksa shpreh trishtimin për largimin nga jeta të mikut të tij, tregon se si e njohu Arben Bajon vite më parë. Graci shkruan se ata janë

njohur në një ditë gushti të vitit ’86, pikërisht si kjo ditë e 9 gushtit, që qe e fundit për të. “Në këtë ditë gushti që paska qenë e fundit për skulptorin e shquar Arben Bajo, kujtoj dhe unë ditët e para të një gushti të largët, kur jam njohur me të; në verën e vitit ’86 shkëmbeheshim mëngjeseve e pasditeve rrugës së pashtruar Votucë-Picar, unë duke shkuar në punë krahu, duke pritur të më dilte e drejta e studimit, ai me një punësim a praktikë të përkohshme në qendrën e atyshme të kulturës, diçka e tillë. Përshëndetjeve inerciale ‘mirëmëngjes’, ‘mirëdita’ iu shtuan buzëqeshjet, kureshtia e pashmangshme, prezantimet, njohjet e ndërsjellta dhe solidariteti, të dy ëndërrimtarë.

Dy vite më vonë në Tiranë, studentë fatlumë e miq të afërt”, shkruan shkrimtari Graci, teksa tregon disa prej momenteve me të ndjerin. Shkrimtari shprehet se miku i tij, me energji, frymëzim e përqendrim vetëmohues, bëri me qindra punime, hapi disa ekspozita, solli në jetë dhjetëra ide të larta estetike, me qindra mishërime e përfytyrime të arrira të së bukurës, të së mirës.

Shkrimtarja Rita Petro 

Shkrimtarja Rita Petro shprehet se skulpturat e pambaruara të artistit Arben Bajo sot s’kanë sy të qajnë, e gojë për të folur. Në një reagim pas humbjes së jetës së skulptorit, shkrimtarja Petro shkruan se kafeja e mëngjesit ishte shumë e hidhur nga ky lajm i trishtë. “Ike kur askush nuk e priste. Shumë… shumë e hidhur kafeja e mëngjesit nga ky lajm i trishtë.

Arben Bajo, ti ishe nga ata artistë që qëndrove në kohëra absurde, krijove mrekullira me forma harresash, dhimbjesh, vetmish, ulërimash të heshtura, dhe ike në një situatë “absurdi”, ike kur askush nuk e priste. Në takimin tek ekspozita e fundit folëm aq gjatë për punët e tua të mbaruara dhe lamë të pinim kafen në studion tënde për të parë edhe skulpturat e pambaruara, që sot s’kanë sy të qajnë për ty e gojë për të folur.”, shkruan Rita Petro.

Dekani i Fakultetit të Arteve 

Ardian Isufi, dekani i Fakultetit të Arteve, ka shprehur dhimbjen për ndarjen nga jeta të skulptorit të njohur Arben Bajo. Në një postim në mediat sociale, Isufi shkruan se dhimbja për ikjen e Bajos nuk ka fjalë, por sot ka vetëm trishtim. “RIP Arben Bajo. Mik, dhimbja për ty nuk ka fjalë. Vetëm Trishtim! Pedagog dhe Artist: Parajsa qoftë për ty si udhëtim i fundit, sepse për ty, Arti në çdo çast e moment ka qenë Parajsa jote shpirtërore!”, shkruan Isufi. 

Aktori Petrit Malaj  

“Vepra e tij krijuese do të flasë përjetësisht”, kështu shkruan aktori Petrit Malaj, pas lajmit të hidhur për ndarjen nga jeta të skulptorit Bajo. Ai e përshkruan Bajon një  djalë të shkëlqyer dhe profesionist të rrallë. “Vepra e tij krijuese do të flasë përjetësisht. Trishtim i madh. Humbja e kolegut dhe mikut tim, Arben Bajo, ishte e papritur dhe shumë e trishtë. Ishte i ri, ende nuk mund ta besoj.

Vepra e tij krijuese do të flasë përjetësisht. Ai talentin e ka përcjellë te studentët dhe e ndeshim në veprat e tij kudo nëpër Shqipëri. Beni ishte një djalë i shkëlqyer dhe profesionist i rrallë, ndaj ndihem krenar që pata një koleg, një mik dhe bashkëpunëtor të tillë në Universitetin e Arteve! Ngushëllimet më të sinqerta familjes! U prehsh në paqe i dashur Beni!”, shkruan Malaj.

Skulptori Alem Toska 

Përmes një postimi, skulptori Alem Toska shpreh dhimbjen që e ka pushtuar nga lajmi i hidhur i vdekjes së Arben Bajos.Toska shprehet se humbëm  një njeri me vizion për të bukurën dhe jetën. “Humbëm një njeri me vizion për të bukurën dhe jetën. Sot ka shumë dhimbje, shumë fjalë, e shumë dëshirë për të kthyer pas, qoftë sa për ta përshëndetur mikun dhe profesorin tim, Arben Bajo.

E kam të pamundur të shpreh në fjalë dhimbjen time, por mundem të tregoj mirënjohjen time të thellë për profesor Arbenin, si udhëheqësin tim në art e, pa dyshim, dhe në jetë”, shkruan skulptori. Ai kujton momentet e bukura me profesorin, studion me muzikë, duart me allçi dhe batutat me të.

“Nëse i mbyll sytë tani, e kam të thjeshtë të shfaqem tek e njëjta studio me muzikë, në duart me allçi, dhe me batutat e profesorit, të cilat ende më shoqërojnë në kujtime. Në katër vite, kjo rutinë ka qenë një ambient paqeje për të dy ne, sepse dashuria për artin nuk e llogariste lodhjen.

Shqipëria humbi sot një artist të madh, unë humba një mentor të shkëlqyer, një njeri me vizion për të bukurën dhe jetën, të cilën përpiqej ta transmetonte tek unë dhe tek të gjithë. Të pushoftë shpirti në paqe profesor!”, shkruan ai.

la.mi/Fjala.al

 

Të fundit

Filmi i dekadës? “Sinners” trondit kinematë, filmi i Ryan Coogler dominon fitimet

Një film i ri horror po “pushton” kinematë dhe po merr vlerësime të larta nga kritikat. “Sinners”, i regjisorit...

U dëmtua kundër Milanit, kapiteni Gjimshiti më në fund rikuperohet!

Mbrojtësi i Kombëtares dhe Atalantës, Berat Gjimshiti, ka lënë pas problemet dhe po rikuperohet nga dëmtimi që pësoi në ndeshjen e fituar kundër Milanit. Shtatëlarti...

Turizmi në mars ra me 2.7%, shumica e vizitorëve erdhën nga Europa Jugore

Pas disa muajve në rritje, duket se marsi nuk ka tërhequr aq shumë turist këtë vit. Individual apo dhe me grupe të organizuara, ndonëse mbi...

“Inspektorët me një tas me akullore”, Rama tregon mesazhin e pronares së pastiçerisë

Gjatë një bashkëbisedimi me përfaqësues të bizneseve të vogla në Shkodër, kryeministri Edi Rama sot theksoi se me anë të teknologjisë do largohen inspektorët...

Historia e spiunit në zyrën e Hitlerit, si e zbuloi planin e sulmit të Bashkimit Sovjetik

Një libër i ri zbulon historinë e patreguar të një agjenti që kaloi vite pranë nazistëve, duke siguruar inteligjencë kyçe që e ndihmoi Britaninë...

Lajme të tjera

Web TV