Muaji gusht i dedikohet fotografisë nga Ministria e Kulturës. Këtë muaj shënohet dhe Dita Botërore e Fotografisë, ku nga institucionet tona vjen dhe historia e fotografisë shqiptare ndër vite.
Ministrja e Kulturës prej disa ditësh po vijon të publikojë herë pas here fotografi, që janë bërë ndër vite, ku nuk mungojnë dhe ato historike.
Disa prej tyre janë edhe foto e realizuara nga piktori, fotografi dhe arkitekti Kolë Idromeno si shenjë përkujtimi për ditëlindjen e këtij krijuesi të madh të postuara nga ministrja e Kulturës Elva Margariti.
“Piktor, fotograf dhe arkitekt, Kolë Idromeno (1860-1939) është ndoshta një nga figurat më të spikatura shqiptare.
Me këto fotografi nga arkiva e Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” në muajin e fotografisë̈, përkujtojmë ditëlindjen e këtij krijuesi të madh”, shkruan Margariti.
Fotografia i ka fillimet te shpikja e Dagerrotipit (Daguerreotype), një proces fotografik i zhvilluar nga Joseph Nicephore Niepce dhe Louis Daguerre në vitin 1837, që më vonë u patentua nga qeveria franceze dhe shpikja u prezantua si “dhuratë për botën”, më 19 gusht të 1839, ndaj kjo ditë sot njihet si Dita Botërore e Fotografisë.
Në historinë shqiptare vlen të përmendet fototeka “Marubi”, e cila përfshinë fotografi të vjetra 150 vjet, e të cilat ruhen në Shkodër.
Dikur fototekë, sot muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi” mban në arkivin e tij rreth 400,000 negativë në pllaka xhami, të organizuar në mënyrë të përkryer dhe të klasifikuar sipas vitit të shkrepjes dhe përmbajtjes së fotografisë./Bl.Ba/fjala.al