Histori kulturore mesjetare që ja vlen t’i kujtojmë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Ndriçim Kulla

Dihet se në gjithë shtrirjen e historisë sonë, mungesa më e ndjerë e të dhënave dhe dokumentave i përket periudhës së mesjetës. Gjithsesi është e nevojshme të theksohet se Shqipëria, duke qenë vendi ku në çfarëdolloj epoke kanë zbritur në log të betejës Lindja dhe Perëndimi, ka provuar gjithmonë një ndikim të dyfishtë. Megjithatë, do të qe jo vetëm i skajshëm, por deri dhe i gabuar pohimi se ajo që qe greke apo bizantine në Shqipëri, ishte edhe fociane apo anti-romane; nga ana tjetër, ashtu siç nuk duhet mohuar se në periudha të caktuara e në rajone të caktuara kultura konstandinopolitane arriti të mbizotërojë mbi atë romane, po ashtu duhet pohuar se pjesa veriore e Shqipërisë, ajo që i përkiste Prevalitanisë antike ka qenë gjithmonë fortësisht e spikatur nga mbizotërimi latin.

Nga pikëpamja e një këndvështrimi ngushtësisht kulturor dhe letrar, njëri prej monumenteve që në një lloj mënyre ka ngelur i pashembur prej asaj epoke, është gjuha shqipe, trashëgimtarja e të folurës antike të kësaj treve, me thekse ilirikë ose thrako-ilirikë – që i shtrijnë madje rrënjët e tyre deri në gjuhën dhe epokën pellazgjike – por kaq shumë të transformuar nën ndikimin latin, saqë i ka munguar veç një hap – sipas gjykimit të kopetentëve – që të arrinte të përfshihej në gjuhët neolatine siç ndodhi me rumanishten dhe vllahishten.

E vërteta është se një ndikim i tillë i atribuohet në pjesën më të madhe sundimit roman. Aq më tepër që kjo ndihet në po të njëjtën masë edhe në dy dialektet bazë të shqipes, gegërishtes dhe toskërishtes.Madje,përtej gjithë kësaj, gegërishtja që nga fillimi i shekullit XVI gjendej e pasur nga një numër i madh fjalësh e frazash latine me origjinë kishtare, e plotësisht të transformuara sipas fonetikës shqiptare, në një masë të atillë që shpërndarja dhe depërtimi i tyre nuk mund t’u atribuohet shkrimtarëve të shquar të këtij shekulli, por përkundrazi duhet trajtuar si diçka spontane dhe antike.

Se ç’jetë kulturale kishin katedralet e shumta apo monastiret dhe abacitë e shpërndara në të gjithë vendin, në shekujt përpara invazionit turk, nuk na është bërë e mundur të njihet. Nuk dimë as se ç’ndikim patën në këtë jetë ipeshkvit e ditur të rangut Guillelmus Adae apo Giovanni da Pian di Carpine, arqipeshvi i Tivarit; as oborret e princërve të pajisur me një kulturë të rafinuar siç qe ai i Napolit apo ambjentet intelektuale të Venecias (duke pasur parasysh se ajo pat sunduar shumë zona të Shqipërisë gjatë shekujve XIV e XV).

Ndikimi i këtyre qarqeve kësisoj mundet veçse të aludohet dhe të justifikohet logjikisht, ndërkohë që është goxha i dokumentuar nëpër arkiva ndikimi i disa qyteteve të kultivuara latine të asaj kohe, të shndërruara në qendër të vëmendjes për studiozët e rinj shqipëtarë. Të befason e mrekullon njëherësh numri vërtet i madh i klerikëve dhe murgjërve shqiptarë – nga një epokë shumë më e hershme se shekulli i XV – që frekuentonin Universitetin e Padovës (mund të numëroheshin rreth 15 dioqeza latine vetëm në Shqipërinë veriore, në të cilat klerikët nuk mund të mungonin kurrsesi) apo i atyre që dërgoheshin aty për të përsosur formimin e tyre intelektual fetar. Edhe Raguza, njëra nga qëndrat më të kultivuara të kohës, sipas dokumenteve të gjendura në arkivin e qytetit, e të publikuara më vonë edhe te “Hylli i dritës”, duhet të qe frekuentuar nga një numër i madh studentësh shqiptarë. Në një shkallë më të vogël, një frekuentim të tillë e ka patur edhe Venecia.

Ja pse, në fund të shekullit të XV, edhe pa kurrfarë lajmi nga epokat paraardhëse, shohim të dalë në skenë një plejadë e tërë humanistësh të shkëlqyer shqiptarë; duke filluar që nga Gjon Gazuli, më i moçmi, matematikan dhe astrolog i shquar, për të vazhduar me dy shkodranët Marin Barleti e Marin Beçikemi dhe për të përfunduar me dy figura, jo shumë të përmendura, si Tomeu, filozof në Universitetin e Padovës, propagandues i madh i filozofisë greke në Itali dhe Masimo D’Arta, i cili pas një formimi kulturor dhe asketik në ambjentin latin, shkoi në Rusi për të kultivuar atje besimin ortodoks. Mund të shtojmë këtu në mënyrë të veçantë edhe poetin stradiot Mikel Maruli, të ardhur nga Moreja e të jetuar gjatë gjithë kohës në Itali, i cili na ka lënë një prodhim të kënaqshëm poetik në një latinishte të shkëlqyer.

Shihet pra, se dy nga figurat më të mëdha të këtij shekulli për shqiptarët i përkasin Shkodrës. Kështu, Marin Barleti, prift shkodran për jetën e të cilit nuk dimë shumë gjëra, është vlerësuar si një prozator latin kaq i përsosur sa të mos ketë asgjë për t’i pasur zili Poxhiojes apo Vallas; aq më tepër që veprat e tij kanë qenë nga më shpesh të ribotuarat në atë periudhë të parë të shtypshkrimit të historisë botërore (përderisa botimi i parë i De obsidione scodrensi daton më 1504 në Venecia kurse ai i De vita et rebus gestis Scanderbegi më 1506 në Romë). Por mbi të gjitha, shpirti thellësisht latin, kristjan, romano-papnor që frymëzojnë veprat e tij, është kaq i ndjerë e kaq fortësisht i shprehur, sa të meritojë lëvdatat e Papa Callisto III, i cili e pat quajtur si “atletin e fortë dhe propoganduesin e vërtetë të besimit kristjan”.

Edhe humanisti tjetër i madh Marin Beçikemi, i lindur rreth vitit 1468, edukuar në Breshia dhe profesor në Raguza, Venecia e më pas në Padova, vazhdoi ta mbajë lart famën letrare të shkodranëve, pavarësisht se laik, por me të njëjtat sentimente thellësisht latine e katolike si dhe bashkëpatrioti i tij i shquar.

Duke përmbledhur, mund të themi se nga përfaqësuesit e kulturës shqiptare në këtë epokë të parë historike, nuk gjen as edhe një që të mos e ketë formuar ose të paktën përsosur formimin e vet në Italinë katolike, edhe pse secili prej tyre e ndjeu ndikimin sipas prirjes së tij: tre veriorët rezultojnë të drejtuar kah prirjes romano-katolike; dy jugorët kah sensit kulturor latino-kristjan, edhe pse jo papnor, kurse i fundit, stradioti poet, e ndjeu këtë ndikim vetëm në fushën letraro-latine.

Edhe nga pikëpamja e artit religjioz, dallohet qartë në këto kohë dualizmi i zakonshëm, ku në jug spikat më shumë bizantinizmi, me kodikët e Beratit nëpër kishëzat e shpërndara atu-këtu në të gjithë zonën dhe me veriun, shumë më të spikatur në kulturën latine, por me monumente shumë më pak të rruajtura, për shkak të furisë më të madhe turke nëpër këto rajone.

Po gjithësesi, mund të ravijëzohen 4 shkolla apo tendenca në zhvillimin e artit të asaj epoke: e para ishte ajo e Dalmacisë latine, që përpara se t’i dhurojë Rilindjes italiane skulptorët e vet të mrekullueshëm, nuk mungoi t’i shpërhapë veprat e saj nëpër gjithë Shqipërinë, duke lënë pas një traditë të gjallë deri dhe tre shekuj më pas. E dyta, ishte një shkollë e lirë e artit romantik, importuar nga mbretëreshat franceze të hyra nëpërmjet martesës në shtëpinë mbretërore të Rashajve apo të feduarëve angjoinë, si Topiajt.

Interesante është rryma e tretë, ajo që mund të përkufizohet si shpërhapësja e një arti krejtësisht latin, që filloi prej Kotorit e arriti deri në Deçan, në zemër të mbretërisë Rashiane. E së fundi, një shkollë e artit venecian ose të paktën veneto-dalmatian, që duhet të ketë ekzistuar patjetër, pavarësisht se prej saj nuk njihet vepër tjetër përveç një portiku të ringjalljes që ruhet në katedralen antike të Shkodrës.

Kësisoj, epoka e parë, pavarësisht treguesve të ndryshëm e interesantë të ndikimit kulturor romano-katolik, ashtu siç nuk na tregon asgjë mbi një formim kulturor kombëtar, po kështu nuk arrin dot të provojë një mbizotërim të fortë e të shtrirë në të gjithë territorin, të kësaj kulture ndaj asaj bizantine.

Lexo edhe :  2024, viti i rënies së Ilir Metës

Po menjëherë më pas, hapet periudha e dytë e kësaj epoke, në të cilën do të shohim që kultura romano-papnore, do të nisë të hedhë themelet e qëndrueshme të asaj kulture që do të shpjerë më vonë në formimin e kulturës kombëtare shqiptare. E një periudhë e tillë e gjen zanafillën e vet në një moment tragjik të historisë sonë. Veçse këtu është e nevojshme të bëhet një saktësim i rëndësishëm. Epoka e lavdishme e shqiptarëve me në krye Gjergj Kastriotin përkoi në ambjentin evropian me epokën e Venecias, ndaj në raportin midis tyre, lipset të kristalizohet mirë një qëndrim, ai i përcaktimit, në mënyrën më thellësisht të dallueshme, të diferencës radikale të qëndrimit dhe sjelljes së Skënderbeut përballë Turqisë dhe Venecias;

Me turqit, Skënderbeu s’pranoi kurrë një paqe të vërtetë, nuk pranoi kurrë pakte, nuk pranoi kurrë t’u japë atyre ndonjë lloj vendqëndrimi në vendin e tij; gjëja më e madhe që lejoi me ta ishte armëpushimi. Në të kundërtën, me venecianet ai ka pasur vërtet periudha të një lufte të hapur, periudha krize, por edhe periudha të një bashkëpunimi miqësor e të një pranimi të vazhdueshëm e pa ndonjë vërejtje të veçantë të vendqëndrimeve (stabilimenteve) të tyre në territorin shqiptar.

Po si është e mundur diçka e tillë? Sipas të gjitha gjasave, për shkak se ai mendonte se kjo do të qe jeta ideale për kombin shqiptar, kushtet e së cilës mund të respektoheshin nga venecianët, kurse nga turqit jo, asnjëherë. Në këtë analizë, duhet njohur dhe duhet bërë e ditur se Perandoria Turke, shumë më tepër se Perandoria Bizantine lejonte në brendinë e vet forma të ndryshme autonomie të regjimeve dhe kulturave, të cilat edhe në përballje me imperializmat e sotëm të llojeve më modernë, të organizuar në disa lloj forma qeverish të centralizuara apo edhe të ndonjë lidershipi ekonomik e kulturor, do ta bënin të dukej një perandori liberale. E Skënderbeu një gjë të tillë ishte në gjendje ta kuptonte.

Nga ana tjetër, është për t’u nënvizuar se në mes të atyre vlerave ideale që ai mendonte, nuk mungon, por, përkundrazi, shërben si një arsye mëse evidente, koncepti i atdheut shqiptar (pavarësisht shpërndarjes në hapësirë, edhe në Greqi, të njerëzve që i përkisnin këtij kombi). Por, gjithsesi, arsyeja më e madhe e gati kyçe duhet të ketë qenë koncepti i jetës kristjane; të gjitha vlerat e tjera janë të amalgamuara e të fuqizuara nga një kontekst i tillë.
E kjo është një dëshmi pa të cilën nuk mund të bëjmë dot. Rregjimi turk mund ta lejonte, ndoshta liberalisht, zëvendësimin dhe pasimin në një lloj mënyre të njërës apo tjetrës nga këto vlera, por duke i shkundur, dobësuar e ç’integruar këto komunitete! Ja, përse ky regjim u gjykua si i papranueshëm.

Fakt i rrallë në historinë e fuqive të tjera të mëdha, por jo për Venecian, qe dhe akti i “zhvatjes” nga duart e armikut e transportimi nga qytetet e mundura i të gjithë popullësisë së mbijetuar, edhe pse jo e racës së saj, për ta sistemuar, madje, në mënyrën më bujare dhe të nderuar nëpër shtetet e veta. Edhe në këtë rast lulëzojnë përsëri dëshmitë e bukura e mallëngjyese të zellit të shfaqur për mërgimtarët, nga ana e Venecias dhe të mirënjohjes së devotshme nga ana e mërgimtarëve për të.

Më tej, pavarësisht nga dekadenca, nga luftërat e shpeshta në tokë dhe braktisja e fuqive të mëdha evropiane, ajo përsëri vazhdoi t’i mbante gjallë shpresat e kristjanëve të Lindjes, me 11 luftëra kundër turqve për plot 64 vjet, nga 318 që u zhvilluan gjithsej që nga humbja e Shkodrës deri në rënien e Republikës Venete, pa llogaritur këtu betejat e shpeshta detare me piratët, ku një herë në çdo 5 vjet, ajo hapte luftë me turqit, e ku në shumë ekspedita më të dalluarit ishin shqiptarët, veçanërisht himariotët.

Por më emblematikja në këtë epokë është edhe ajo periudhe e veçantë e luftës së famshme të Qipros; ajo që duhej ta kishte kulmin në Lepanto e që arriti t’i zgjonte shpresat e shqiptarëve për plot 60 vjet (1570 – 1631). Të ndihmuar nga Papa dhe Venediku ata u përpoqën të rringjallnin përsëri Mbretërinë antike Shqiptare të shuar nga vdekja e Skënderbeut. Madje fiset e ndryshme malësore nga Kelmendi e deri në Himarë, por edhe në More, lidhën besën dhe propozuan si mbajtës të denjë të kurorës së shqipëtarëve, asokohe të krishterë, një hero legjendar për të gjithë Evropën në luftën kundra turqve, triumfatorin e Lepantit, Don Huanin e Austrisë. Mirëpo edhe pse Papa Gregori XIII bëri çmos që të çohej në vend dëshira e Shqiptarëve, politika dredhuese e Filipit II të Spanjës i çoi dëm këto përpjekje.
Shihet,pra, nga të gjitha këto fakte e dëshmi konkrete e të përhershme, se populli shqiptar e konsideronte Venecian si “një mike të vjetër dhe mbrojtësen e Shqipërisë, e cila mbeti gjithmonë porti ku ankoroheshin shpresat e tyre, e prej të cilit niseshin pareshtur, ndikime të pamatshme, por thellësisht të gjalla të frymës perëndimore kundrejt këtij kombi historik evropian, mbi të cilin kish rënë nata. E një besim kaq i rrënjosur në një popull nuk lind kurrë nga hiçi e nuk ushqehet kurrë për plot 3 shekuj thjesht me aluzione dhe zhgënjime. Atëherë, shtrohet pyetja: Në këtë afsh të përjetshëm kryengritjesh në sytë e shqiptarëve, Venecia vallë konkurronte vetëm si sunduesja antike?

Qytetërimi, kultura, përsosuria e industrisë dhe financat e forta, të konkretizuara në një monedhë të sigurt, kishin arritur të linin në shekuj, një kujtim të shkëlqyer të Venecias në Shqipëri, njëlloj si të një ideali. Në gjuhën popullore shqiptare malli i përsosur, njeriu i mirë e i ndershëm, etiketoheshin si “venecianë”. Edhe pse i humbi vend–qendrimet e saj politike në Shqipëri, Venecia përsëri vazhdoi t’i dërgonte, bashkë me konsujt e vet, edhe mallrat e tregtarët e saj. E për këtë flasin jo pak komemorialët, letrat e proveditorëve dhe rektorëve të Dalmacisë dhe Shqipërisë, po ashtu si dhe kronikat lokale.

Përveç kësaj, Venecia qe dhe vatra më e gjallë e kulturës shqiptare, madje e kulturës më të vërtetë e më autentike shqiptare.

Antike është edhe dyndja e studentëve shqiptarë, veçanërisht atyre kishtarë, në universitetin venecian të studimeve në Padova; Çdo shqiptar në Veri, që kërkonte t’u jepte një formim kulturor fëmijëve të vet, madje deri gjatë fillimit të shekullit së shkuar, i dërgonte ata në Venecia, gjer kur brenda në Shkodër arriti të ngrihej një qendër e tillë kulturore, i famshmi kolegj saverian, i themeluar nga jezuitët venetë.

Ndaj, do të qe fortësisht i dokumentuar interesimi i venecianëve për kulturën shqiptare, nëpërmjet skicimit të një bibliografie të veprave të botuara përgjatë sundimit venecian në shekuj, madje në periudha të tilla ku një libër i kulturës shqiptare ishte diçka e rrallë.
Atëherë, kush mund ta rrëfejë vallë se sa shumë vlente për fortësimin e shpirtit të qëndresës dhe atij kryengritës të studentit apo tregtarit shqiptar kredhja e herëpashershme në atë ambient të pavarësisë krenare, në ato çerdhe e strehim të kujtimeve antike të shqiptarëve, në atë barrierë të rezistencës shekullore të dyndjes turke, në atë formë të një kulture të shkëlqyer perëndimore, por të pranueshme për shijen e tij piktoreske prej evropiani të Lindjes?

Kush mund ta rrëfejë vallë, se sa vlente në “qelën” e priftit katolik, në shtëpinë e papait ortodoks, në shkollat jo kristjane, në vetë familjet e Shkodrës, Moskopojës (Voskopojës së sotme) apo Korçës, libri i jetës së Skëndërbeut, libri i jetës shqiptare, aq xhelozisht e rrezikshmërisht ruajtur nga ipeshkvi Bogdani dhe Protopapas Kavaljoti?

Kujtime të vjetra, histori e gjatë dhe antike e një miqësie besnike, që sot ia vlen ta kujtojmë, për të rringjallur në jetë atë çka ajo ka më të bukur e më bujare nga të dyja anët./Gazeta Shqiptare

Të fundit

Ekspertët e sigurisë paralajmerojnë: NATO nuk eshtë gati për nje luftë

NATO nuk është gati për një luftë brutale në Arktik me Vladimir Putin, kanë paralajmëruar analistët. Pavarësisht stërvitjeve masive të...

Meloni me ‘mision sekret’ në SHBA: Do të takojë Trump, por nuk dihet pse

Mision sekret për Giorgia Melonin në SHBA. Kryeministrja italiane u nis drejt Shteteve të Bashkuara për të takuar presidentin e zgjedhur Donald Trump. Një takim...

SHBA, funerali shtetëror gjashtëditor i ish-presidentit Jimmy Carter

Gjashtë ditët e funeralit për ish-Presidentin Jimmy Carter filluan të shtunën në Xhorxhia. Jimmy Carter vdiq më 29 dhjetor në moshën 100-vjeçare. Ceremonitë e transmetuara drejtpërdrejt...

“Në fillim jam trembur…”, Eno Popi tregon raportin e veçantë me të bijën

Prej vitesh, Eno Popi jeton mes Kanadasë dhe Shqipërisë. Bashkëshortja dhe e bija 6-vjeçare jetojnë atje, ndërsa Eno, për shkak të punës së tij,...

Përfshihen nga flakët dy banesa në Pogradec

Dy banesa janë përfshirë nga flakët. Ngjarja ka ndodhur në lagjen numër 4 në Pogradec. Dy banesat janë përfshirë nga zjarri pasi mësohet se...

Lajme të tjera

Web TV