Pas dështimit të ligjit “Antimafie”, më 4 shkurt të këtij, viti nisi zbatimi i “Operacionit Forca e Ligjit”, operacion i cili zhvillohet nga Forca e Posaçme OFL në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me SPAK-un. Por çfarë po ndodh në të vërtetë me këtë operacion? Sa nga dosjet e referuara nga Policia e Shtetit ka pranuar SPAK-u?
Gazeta “Fjala” ka marrë në analizë punën 7-mujore të strukturave që drejtojnë këtë operacion, si dhe dosjet që i janë referuar Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion, me qëllim konfiskimin e pasurive që dyshohet se vijnë nga krimi.
Nga Elvis Myrta
Katër shkurti i këtij viti shënoi nisjen e bujshme të “Operacionit Forca e Ligjit”, ku prej më shumë se se 7 muajsh OFL-ja i është vënë pas parasë kriminale në vend. Në nisje të OFL-së, po të njëjtën bujë me operacionin, bëri edhe zëdhënësja bjonde me zyze të errëta që i zinin deri mollëzat e faqeve, e cila lexonte emrat e personave që duhet të plotësonin formularin e vetëdeklarimit të pasurisë. Policia e Shtetit vuri në “rresht” emra të njohur të botës së krimit, të cilëve u kërkohej të vetëdeklaronin burimet e pasurisë. Kjo kërkesë bazohej në aktin normativ, miratuar në 31 janar nga Parlamenti.
Në kryeqytet OFL-ja trokiti në dyert e disa banesave për plotësimin e formularit, që nisën nga Emiljano Shullazi e shkuan deri te Dritan Dajti e Ervis Martinaj. Oficerët e OFL-së shkuan edhe në shtëpitë e disa familjeve tepër të njohura në vend, që janë përfshirë në disa ngjarje të bujshme kriminale. Kështu, policia u kërkoi të vetëdeklaronin pasuritë, Licëve e Bajrave në Shkodër, Çelajve e Çapjave në Elbasan, si dhe ish-kreut të bandës së Durrësit, Lulzim Berishës. Më pas lista vijojon me qindra individë të tjerë, të cilëve iu kërkua llogari për pasuritë që ata zotëronin. Ligji special parashikon shënjestrimin e pasurive të individëve të dënuar për krim të organizuar apo krime të rënda brenda dhe jashtë vendit.
Kur kanë kaluar gati 7 muaj që nga nisja e këtij operacioni, deri më tani formulari për justifikimin e pasurisë u ka shkuar 258 personave të dënuar për vepra të ndryshme penale. Lista e personave të vënë nën lupën e OFL-së, herë-herë është shoqëruar me kuriozitet nga publiku, sidomos në rastet kur janë përfshirë emra të njohur. Ndërsa rastet e tjera kanë kaluar pa vëmendje, duke qenë thjesht një lexim gjeneralitetesh, që shërbejnë vetëm për statistika. Bazuar në parashikimet e para, OFL-ja kishte listuar 250 individë, që do t’u kërkohej të justifikonin pasuritë, por ky numër është tjekaluar, e mund të shkojë më shumë, pasi, edhe pse jemi në sezon pushimesh, “Operacioni Forca e Ligjit” vijon ende punën, kjo pasi numri i personave që kanë probleme me ligjin është shumë i madh.
Megjithatë, puna duket se nuk çalon në identifikimin e rasteve, por në finalizimin e qëllimit të operacionit. Kur ka kaluar më shumë se gjysmë viti ekzistencë e këtij operacioni, gjatë kësaj kohe ka pasur një “luftë të ftohtë”, mes SAPK-ut dhe OFL-së. Tensioni mes institucioneve, ndihet edhe nëse lexon me kujdes shifrat zyrtare, ku SPAK-u, deri më tani, ka pranuar vetëm 1/3 e pasurive të dërguara për vlerësim sekuestro. SPAK-u i ka kthyer disa dosje OFL-së, pasi, sipas hetuesve, ato janë bërë në kundërshtim me kërkesat e aktit normativ. Bazuar mbi këtë argument, kjo strukturë ka vendosur kthimin e materialeve Policisë së Shtetit. Pra, në këtë mënyrë edhe nisja e bujshme e verifikimeve shkon në versionin ping-pong mes institucioneve që duhet të bashkërendonin punën mes tyre.
Megjithatë, suksesi i OFL-së do të matet në fund të këtij viti, kur dhe akti normativ e humb fuqinë, pra, strukturës i përfundon mandati. Rezultatet do të vlerësohen në dy drejtime: së pari, nga numri i pronave që do të konfiskohen e do t’i kalojnë përfundimisht shtetit dhe, së dyti, goditja e pasurive të emrave që përbëjnë kupolën e krimit në Shqipëri.
Kush e drejton OFL-në
Struktura e emërtuar “Operacioni Forca e Ligjit” drejtohet nga kreu i Departamentit të Policisë Kriminale, post i cili mbahet aktualisht nga Tonin Vocaj. OFL-ja ka të drejtën që t’i kërkojë Prokurorisë së Posaçme, SPAK-ut, një sërë masash kufizuese ndaj personave të dënuar ose të dyshuar; të tilla si kufizimin e perimetrit të lëvizjes, dëbimin deri në një vit nga një zonë e caktuar administrative, bllokimin e pasaportës ose të daljes jashtë vendit për një periudhë 1-vjeçare.
Gjithashtu, subjektet mund të urdhërohen të mos largohen nga banesa ose t’u deklarojnë autoriteteve të policisë oraret dhe vendet ku mund të gjenden çdo ditë. Sipas ligjit, masa të tilla ekstreme mund të ndërmerren në mungesë të një vendimi gjykate edhe nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në rastet e nevojës dhe urgjencës. Në këto raste, ligji parashikon që masat parandaluese t’i komunikohen prokurorit jo më vonë se 24 orë, ndërsa ky i fundit ka afat deri në 72 orë për t’ia paraqitur gjykatës. Ligji përsërit shpesh edhe mundësinë e ngatërrimit të personit.
“Kur del qartë se është ngatërruar personi ose nuk është një nga subjektet e parashikuara në nenin 5 të këtij akti normativ, prokurori me vendim të motivuar urdhëron heqjen e masës parandaluese,” thuhet në ligj.
Masat personale të karakterit parandalues nuk shuhen në rastet kur subjektet po procedohen sipas Kodit të Procedurës apo legjislacionit penal. Sipas ligjit të qeverisë, në rastet kur një individ është duke vuajtur një masë të sigurimit personal, si p.sh burgimin apo arrestin shtëpiak, masa parandaluese mbetet e pezulluar dhe aktivizohet pas përfundimit të masës së parë.
Sekuestrimi i pasurive të paligjshme
Sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurive me burim kriminal konsiderohet si një ndër mënyrat më efikase në luftën kundër krimit të organizuar. Në drejtim të aseteve kriminale, Shqipëria aplikon prej vitesh ligjin Antimafie. Megjithatë, ligji i qeverisë, i miratuar më 31 janar të këtij viti, ngarkon “Operacionin Forca e Ligjit” që t’i verifikojë pasuritë e personave të dënuar me vendim të formës së prerë, ose të personave nën hetim për krim të organizuar dhe krime të rënda, dhe brenda 48 orëve, t’u kërkojë atyre ose familjarëve të tyre që të vetëdeklarojnë burimin e pasurive të dyshuara.
Në kushte normale, kreu i Policisë së Shtetit i referon rastet te prokurori dhe i kërkon këtij të fundit të kërkojë një masë sekuestroje në gjykatë. Por, njësoj si në rastet e masave personale, ligji parashikon që kreu i Policisë së Shtetit të kryejë vetë sekuestrime në rastet e nevojës dhe urgjencës dhe kur ka dyshime të arsyeshme. Urdhri i sekuestros së pasurisë, i lëshuar nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit i komunikohet menjëherë subjektit dhe brenda 72 orëve prokurorit. Pasi ka informuar subjektin, kreu i Policisë merr masa për ekzekutimin e urdhrit përmes kalimit të pronës në Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara. Ligji i jep të drejtë prokurorit që të heqë masën e sekuestros në rastet kur ai e dikton të nevojshme, ose kur del qartë se është ngatërruar personi, ose nuk është një nga subjektet e ligjit dhe në fund çështja i shkon gjykatës.
Megjithatë, ligji i qeverisë nuk parashikon problemet apo penalitetet që mund të shkaktojë ngatërrimi i personave. Gjatë një viti të funksionimit të ligjit, qeveria parashikon përjashtimin e subjekteve të mësipërme nga e drejta për të përfituar leje apo licenca, koncesione apo tenderë publikë.
Nga diskutimet e mëparshme është kufizuar gjithashtu e drejta e stukturave të policisë për të kryer përgjime pa urdhër prokurori apo vendim gjykate. Ligji lë megjithatë një shteg hapur, në rastet kur dyshohet se një subjekt po planifikon, organizon apo po merr pjesë në kryerjen e një krimi. Në këto raste drejtueri i OFL-së mund t’u kërkojë operatorëve të telefonisë celulare apo atyre që ofrojnë shërbime interneti që të identifikojnë në kohë reale një subjekt ose numrin e tij të telefonit, ose komunikimet në internet, duke informuar më pas drejtorin e përgjithshëm të Policisë dhe prokurorin.
SPAK-u i ka kthyer OFL-së 1/3 e dosjeve
Sekuestrimet e kryera nga Policia e Shtetit në emër të ligjit Antimafie, por edhe Forca e Ligjit, kanë dështuar në shumicën e rasteve gjatë trajtimit në prokurori dhe në gjykata. Më shumë se 80 kërkesa të dërguara nga OFL-ja janë refuzuar në rrugë gjyqësore, me motivacionin se kanë qenë të paplota ose të pabazuara në ligj.
Që nga nisja e Operacionit Forca e Ligjit, nga 243 pasuri që janë kërkuar deri më tani për sekuestro nga ana e OFL-së, SPAK-u ka miratuar vetëm 102 prej tyre. Parashikimet e zymta të komunitetit të juristëve, për rrezikun e shkeljes së të drejtave të njeriut nga “Operacioni Forca e Ligjit” dhe sekuestrimet policore, duket se po rezultojnë reale. Të paktën një e treta e sekuestrimeve të kryera nga ana e policisë janë rrëzuar nga SPAK-u ose nga gjykata, duke rezultuar jo vetëm të pabazuara në prova e në ligj, por edhe në kundërshtim me aktin normativ të qeverisë që i dha policisë kompetencat e gjykatës dhe prokurorisë.
Pra, kur kanë kaluar gati 7 muaj nga nisja e Operacionit Forca e Ligjit për sekuestrimin e pasurive, të cilat dyshohen se janë përfituar nga burime jo të ligjshme, Prokuroria Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka kthyer OFL-së gati 1/3 e dosjeve. Më konkretisht, janë plot 80 kërkesa për sekuestro të hartuara nga ana e agjentëve të Operacionit Forca e Ligjit, të cilat janë refuzuar nga ana e SPAK-ut. Kërkesat e rrëzuara kanë të bëjnë me 37 pasuri të paluajtshme dhe 43 automjete, të cilat SPAK-u i ka refuzuar me argumentimin se janë bërë në kundërshtim me aktin normativ.
Gjatë këtyre 7 muajve punë të OFL-së, në SPAK janë dërguar për vendim sekuestroje 243 pasuri, por SPAK-u ka pranuar vetëm 102 prej tyre. Këto pasuri janë 31 prona të paluajtshme dhe 71 raste automjetesh. SPAK-u ka shqyrtuar deri më tani vetëm 25 raste, të cilat kanë të bëjnë me vendosjen e sekuestros së 37 pasurive, nga të cilat 8 të paluajtshme dhe 29 të luajtshme (automjete). SPAK-u kërkon në GJKKO konfiskimin e 5 pasurive të sekuestruara nga OFL-ja. Për 5 të tjera është kërkuar zgjatje e afatit, pasi i ka kaluar afati 4-mujor, i parashikuar nga akti normativ për përfundimin e gjykimit.
Sekuestrimi i pasurive të bandave kriminale duket se mbetet “thembra e Akilit” për drejtësinë shqiptare, edhe pse aksione të tilla reklamohen me bujë nga policia e prokuroria. Prej vitit 2011, kur ka nisur zbatimi i ligjit Antimafie, vetëm 2,5% e pasurive të sekuestruara konfiskohen pasi provohen si të paligjshme, ndërsa pjesa tjetër u rikthehet pronarëve të mëparshëm. Për këtë problematikë autoritetet shprehen se të paktën 70% e rasteve të cilat kërkohen për konfiskim rrëzohen nga gjykata. Prej vitit 2011, kur ka nisur dhe zbatimi i ligjit Antimafie, janë rreth 1300 raste të verifikimeve dhe kërkesave për sekuestrim të pasurive, ku nga ana e gjykatës janë miratuar vetëm 67 prej tyre.
Ja cilat janë disa nga pasuritë e “të fortëve” që ka kërkuar të sekuestrojë SPAK-u
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përveç refuzimeve ka pranuar edhe disa nga kërkesat e OFL-së, duke i kërkuar Gjykatës së Posaçme konfiskimin e disa pasurive të sekuestruara në sajë të “Operacionit Forca e Ligjit”.
SPAK-u ka kërkuar të konfiskojë prona, troje, automjete, si edhe një motor, disa nga të cilat janë në emër të personazheve të njohura të botës së krimit. Kërkesa e parë që u dërgua nga ana e SPAK-ut, për konfiskimin e pasurive, ishte ajo e dy vëllezërve Altin dhe Leonard Hajri, për sekuestimin e pasurive të tyre. Sekuestrot e pasurisë ndaj dy vëllezërve, të njohur për publikun si pjesë e rrëmbimit dhe vrasjes së Jan Prengës, u bënë në kushtet e emergjencës, me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, dhe ishin të parat që përfunduan në “rrjetën” e OFL-së. Më konkretisht prokuroria i kërkoi gjykatës konfiskimin e kompleksit “Golden Resort”; karburantin “ALT-OIL 2018” me adresë Xhafzotaj, Durrës dhe një vilë dykatëshe, e cila ndodhet në fshatin Pjezë të Shijakut. Të tria këto pasuri janë në pronësi të Altin Hajrit.
Gjithashtu, në atë kohë SPAK-u kërkoi edhe sekuestrimin e një vile 4-katëshe në fshatin Pjezë, në pronësi të Leonard Hajrit. Kujtojmë se kompleksi “Golden” në Shijak u kthye në skenën e krimit për Jan Prengën, i cili u rrëmbye më 17 janar 2020. Policia, me anë të pamjeve filmike, provoi praninë e trupit të tij dhe vuri pas hekurave Leonard Hajrin, Bajram Hajrin, Elton Hajrin, Festim Bexhdilin, Olsi Turjen, si dhe Ardian Docajn nga Shkodra, i cili u vetëdorëzua, pasi iu sekuestrua pasuria në Shkodër, ndërsa Altin Hajri është ende në kërkim nga autoritetet.
Në atë kohë Prokuroria e Posaçme kërkoi edhe sekuestrimin e disa pronave në Shkodër, pronarë të të cilave janë personat që bashkëpunuan në rrëmbimin e Prengës në Kamëz, më 17 janar. Mes kërkesave për konfiskim pasurie është edhe BMW-ja e blinduar e Lulzim Berishës. Rreth një muaj më parë Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pranoi edhe kërkesën e OFL-së për sekuestrimin e pasurive të Emiliano Shullazit. SPAK-u ka bërë kërkesë në gjykatë për sekuestrimin e hotel “Vollgës” në Durrës, pronë e Emiliano Shullazit. Bëhet fjalë për 749,6 m2 truall dhe 1129,39 m2 ndërtesë. Gjithashtu, është kërkuar sekuestro edhe për për një makinë tip “Benz AMG 65” që është në pronësi të Shullazit. Përveç personave të lartpërmendur, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka dërguar Gjykatës së Posaçme dhjetëra kërkesa për konfiskimin e disa pasurive të sekuestruara nga OFL-ja të personave që janë dënuar apo hetuar për veprimtari kriminale.
Sipas informacioneve që gazeta “Fjala” ka siguruar nga burimet e saj nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasuritë për të cilat është kërkuar konfiskimi nuk justifikohen si të ligjshme, dhe se në shumicën e rasteve proanarët kanë rezultuar të moshuar ose të papunë.
Ja cilat janë veprat penale që preken nga akti normativ
-Neni 77; Vrasje me dashje në lidhje me një krim tjetër;
-Neni 78; Vrasje me paramendim;
-Neni 78/a; Vrasje për gjakmarrje;
-Neni 79; Vrasje në rrethana të tjera cilësuese;
-Neni 79/a; Vrasja e funksionarëve publikë;
-Neni 79/b; vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit;
-Neni 79/c; Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare;
-Neni 109; rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit;
-Neni 109/b; shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë;
-Neni 110/a; Trafikimi i personave të rritur;
-Neni 114; Shfrytëzimi i prostitucionit;
-Neni 117; Pornografia;
-Neni 128/ b; Trafikimi i të miturve;
-Neni 134; Vjedhje me pasoja të rënda;
-Neni 136; Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit;
-Neni 138/a; Trafikimi i veprave të artit;
-Neni 139; Vjedhje me dhunë;
-Neni 140; Vjedhje me armë;
-Neni 141; Vjedhje me pasojë vdekjen;
-Neni 151; Shkatërrimi i pronës me zjarr;
-Neni 152; Shkatërrimi i pronës me eksploziv;
-Neni 278/a; Trafikimi i armëve dhe municioneve;
-Neni 282/a; Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive;
-Neni 283; Prodhimi dhe shitja e narkotikëve;
-Neni 283/a; Trafikimi i narkotikëve;
-Neni 284; Kultivimi i bimëve narkotike;
-Neni 284/a; Organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale.
/En.Br./Fjala.al