Intervista/ Presidenti:Alban Xhaferi rrëfen projektin e Vllaznisë së re

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Alban Xhaferi ka kaluar nga Vllaznia e basketbollit, tek ajo e futbollit dhe për presidentin kuqeblu, sfida është monumentale. Në intervistën për gazetën “Fjala”, Xhaferi tregon mbi planet e Vllaznisë për sezonin e ri futbollistik dhe përqendrimin në prurjet e reja.

“Në qoftë se e mas me numër, mund të them se është mbi 10 herë apo 10-fish më e ndryshme sesa Vllaznia e basketbollit, – thotë ai, duke mos e fshehur buzëqeshjen që i endet në fytyrë pas pyetjes së gazetës “Fjala”.

– Gjithmonë në kontekstin e angazhimeve, në kontekstin e interesit, në të gjitha kontekstet.” Në një intervistë të posaçme të zgjeruar për “Fjalën”, biznesmeni i njohur rrëfen edhe prapaskenat e riorganizimit të klubit shkodran, që kanë marrë rrugë gjatë këtyre javëve të fundit. “Menjëherë pasi u sigurua qëndrimi në Kategorinë Superiore, ne bëmë një riorganizim të shpejtë, sepse koha nuk pret dhe, mbi bazën e vlerësimit të disa kandidaturave, bashkë me stafin teknik, por edhe me grupin e punës që kemi ngritur, vendosëm për Matko Djarmatin si drejtor teknik, sepse, duke pasur parasysh marrëveshjen e bashkëpunimit që kemi me klubin e Rijekës në Kroaci, si dhe duke vlerësuar që ai është një personazh që e njeh gjuhën shqipe, çka i jep atij më tepër vlerë, por edhe vjen nga bota e futbollit dhe e njeh mirë Kategorinë Superiore, të gjitha këto ishin treguesit kryesorë që na bindën të marrim vendimin për të emëruar atë në këtë post”, – thotë Xhaferi.

“Gjithashtu, edhe ardhja e trajnerit gjerman ishte përsëri në bashkëpunim me grupin e punës, ishin disa kandidatura, të huaja apo vendase, por, për disa arsye, zgjodhëm që kandidatura të jetë e huaj dhe patëm vlerësuar disa figura që u afruan tek ekipi, – vijon 41-vjeçari. – Ardhja e gjermanit ishte një vendim i shpejtë, por jam optimist që është vendimi më i mirë që është marrë ndonjëherë, ardhja e një trajneri të huaj te Klubi i futbollit “Vllaznia”.” Po sa e vështirë është të punosh me një personazh ndërkombëtar, siç është ish-futbollisti i përfaqësueses gjermane, Tomas Brdariç? “Të them të drejtën, është pak e vështirë”, – pohon kreu i klubit kuqeblu.

“Sepse ai është gjerman dhe në përgjithësi ata si komb janë shumë striktë, por edhe duke pasur parasysh përvojën e mjaftueshme që ai ka si ish-lojtar i njohur, te një klub si Bajer Leverkuseni, por edhe si trajner, edhe pse në nivelet e Bundesligës 3 dhe 4, ai kishte disa kërkesa që unë, stafi im, por edhe kryetarja e Bashkisë, Voltana Ademi, po bëjmë përpjekje maksimale për t’ia përmbushur në maksimum, – vijon presidenti shkodran. – Edhe sepse ai ka një plan pune, mbase të ndryshëm nga trajnerët shqiptarë që kanë qenë tek Vllaznia, ka një skemë krejt tjetër dhe ofron, për mendimin tim, një model shumë profesional.” “Ai mund të ketë disa kërkesa, ndoshta, mbi atë që ne mund t’ia realizojmë, por kemi një dakordësi të plotë që ne do të bëjmë më të mirën e mundshme brenda mundësive që ofron Shkodra, qyteti, infrastruktura e të tjera”, – shton Xhaferi.

Kreu i klubit kuqeblu sqaron edhe përpjekjet që po bëhen për të ndërtuar skuadrën e re. “Menjëherë pasi u bë edhe ringritja e stafit teknik, pra, duke nisur nga drejtori teknik, trajneri, zv.trajneri Elvis Plori, i cili ka një përvojë shumë të gjerë në Kategorinë Superiore, por edhe kur ka drejtuar disa ekipe në Kategorinë e Parë, por edhe me ndihmësit, Safet Osja, i cili ishte pjesë e stafit aktual, por edhe trajneri i portierëve, Ideal Lekiqi, të gjithë këta janë mbledhur dhe po punojnë 24 orë pa ndërprerje”, – rrëfen biznesmeni.

“Po punojnë për të bërë vlerësimin e lojtarëve aktualë, por edhe perspektivën e ardhjes së lojtarëve të rinj, gjithmonë për të arritur atë objektivin që unë kam paracaktuar më përpara, që ka lidhje me pjesëmarrjen e Vllaznisë në Kupat e Evropës, – vijon ai. – Kështu që fjala është e tyre tani dhe ata kanë studiuar shumë kandidatura, kanë parë dhe shqyrtuar shumë lojtarë, studiojnë gjithë pjesën e vëzhgimit të lojtarëve dhe talenteve, por edhe pjesën që ka të bëjë me anën teknike dhe, në finale, pasi bëjnë edhe negociatat, çojnë propozimin te pjesa e grupit të punës. Deri më tani, janë konfirmuar 4 lojtarë që do të vazhdojnë të jenë pjesë e skuadrës për sezonin e ardhshëm.”

Lexo edhe :  Ndeshje e jashtëzakonshme, Real Madrid përmbys Cityn në minutën e fundit të sfidë

“Është Ardit Krymi, është Herald Marku, është futbollisti Ardit Hoxhaj, që sezonin që u mbyll luajti te Flamurtari, por edhe një futbollist maqedonas, Aleksandar Isaevski, që ka luajtur në Bullgari, – vijon Xhaferi. – Kështu që, po ecim drejt finalizimit dhe drejt rindërtimit të ekipit të ri, duke harmonizuar gjithmonë elementin që ka qenë te Vllaznia, me elementin e ri apo prurjet e reja, që të gjejmë lojtarët më të mirë të mundshëm, në mënyrë që Vllaznia të ketë një fytyrë tjetër sezonin e ardhshëm.” Presidenti i klubit shkodran pohon se po mendohet për një fazë stërvitore para sezonit të ri. “Patjetër, – siguron ai. – Besoj se këtë javë do të kemi lajme të reja për plotësimin e kontingjentit të lojtarëve që do të përbëjnë ekipin e ri. Brenda javës që vjen jemi në diskutim për të organizuar një fazë përgatitore, por kjo çështja e COVID-19-s ndoshta na kufizon në zgjedhjet tona dhe, në këtë rast, Ulqini, si destinacion i zakonshëm, është pak i pamundur, duke pasur parasysh situatën. Por po shohim mundësinë e një faze përgatitore brenda Shqipërisë, por ende nuk kemi vendosur për destinacionin, teksa janë disa mundësi zgjedhjeje.” “Sigurisht, ideja është që skuadra të organizojë një fazë stërvitore, por të ketë edhe disa ndeshje miqësore, për të provuar veten, prandaj mendoj që javën që vjen, do të kemi lëvizje konkrete në këtë drejtim”, – shton Xhaferi, i cili, në fund të intervistës së tij të posaçme për “Fjalën”, ka edhe një apel për tifozerinë dhe opinionin sportiv në Shkodër. “Ne duhet të besojmë të gjithë te rikthimi i Vllaznisë, sepse ky është edhe motivi që unë jam rikthyer tek ekipi, – thotë ai. – Duhet të theksoj këtu që edhe kryetarja e Bashkisë ka një përkushtim maksimal në drejtim të arritjes së këtij objektivi. Rruga është e vështirë, ka shumë pengesa, ka shumë vështirësi, të cilat po i hasim për ditë.” “Por të gjithë duhet të na mirëkuptojnë, sepse ne po bëjmë më të mirën, për ta rikthyer Vllazninë aty ku duhet, – vijon kreu i klubit kuqeblu. – Kjo është një përgjegjësi, për të thënë të drejtën, dhe është një sfidë më vete, por unë jam i gatshëm, e kam marrë këtë sfidë përsipër dhe, me grupin që është krijuar, me stafin teknik, me grupin e punës, me angazhimin e kryetares së Bashkisë, unë mendoj që Vllaznia do të ketë rezultate krejt të tjera sezonin që vjen. U bëj thirrje tifozëve që të na mbështesin. Normalisht që ka kritika, por unë dëshiroj që të mos na paragjykojnë në kuptimin negativ të fjalës.” – “Sepse po punojmë ditë e natë, maksimalisht, që të ndërtojmë një skuadër sa më dinjitoze dhe që të përfaqësojë sa më mirë fanellën e Vllaznisë, e cila është një emblemë e qytetit dhe duhet të kthehet patjetër në ato nivele që të gjithë presim”, – ka përfunduar presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi./Bl.Ba/Fjala.al

Të fundit

Gjyqi për “Gërdecin”/ Mediu: Pretendojnë se rrita kalibrat e municioneve

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, pas daljes nga GJKKO ku u zhvillua seanca për dosjen Gërdeci, u shpreh se...

Arrestimi i kryebashkiakut Veliaj/ Reagon sërish Rama: PS s’është zyrë avokatie e Erionit

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili u vendos në pranga me urdhër të SPAK...

Shqipëria del në tregun ndërkombëtar/ Emëton eurobondin e ri prej 650 milionë euro

Shqipëria do të marë një Eurobond në vlerën e 650 milion eurove. Qeveria ka dalë zyrtarisht në tregjet ndërkombëtare, ku synon që të marrë...

Hëna e Dëborës 2025/ Kur dhe si ta shihni këtë spektakël qiellor

Hëna e plotë e dytë e vitit, e njohur si Hëna e Dëborës, do të shfaqet në kohën e duhur për Ditën e Shën...

Egli në debat me Gjestin: “Kam faj unë që të jap mundësinë ty…”!

Gjesti dhe Egli pas Prime-t të djeshëm kanë diskutuar në oborrin e shtëpisë të mërzitur me njëri tjetrin. Gjesti bëri disa deklarata që e...

Lajme të tjera

Web TV