Vendimet e trupave të Vettingut qoftë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, apo edhe të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit janë shoqëruar me dosje të tëra për gjyqtarë dhe prokurorë. Jo vetëm për ata që e kanë kaluar verifikimin, por edhe për të përjashtuarit nga drejtësia.
Por, nëse deri më tani, të paktën mediatikisht është thënë se për të dhënat për kontrollin e figurës dhe pasurisë shërbente si “udhërrëfyes” deklarata e subjekteve në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, në lojë është përfshirë vetë Policia me Shërbimin e Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave.
Vettingu i prokurorëve dhe gjyqtarëve, si pjesë e rëndësishme e paketës së Reformës në Drejtësi e ka përfshirë këtë shërbim në proceset thelbësore, në atë të angazhimit me përfaqësues në Grupin e Punës për Kontrollin e Figurës, ngritur dhe me funksionim pranë Drejtorisë së Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar “Sekret Shtetëror”.
Jo vetëm kaq, por edhe në kryerjen e procedurave verifikuese për subjektet e rivlerësimit dhe “personat e lidhur” apo “persona të tjerë të lidhur” me ta. Kështu shumë informacion është dhënë prej tyre, por në vitin 2918 edhe kjo strukturë u përfshi në ligjin për kontroll, sipas asaj që njihet ndryshe si vettingu në Polici.
Ana tjetër e medaljes është përgjegjësia institucionale dhe funksionale që ky ligj i ka dhënë tashmë Shërbimit, si institucioni përgjegjës për “Vettingun kalimtar dhe periodik” për strukturat e Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës.
Në këtë kontekst, janë vlerësuar për përmbajtjen e politikave të sigurisë (CSP) rreth 1780 praktika për subjektet e Shërbimit dhe rreth 739 punonjës të Operatorëve Ekonomikë, apo 1387 punonjës të Institucioneve Shtetërore.
Në përfundim të procedurave verifikuese pranë Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar janë paraqitur 127 raste që përbëjnë rrezik për pajisjen me përmbajtjen e politikave të sigurisë, të në kuadër të aksesit dhe njohjes me informacionin e klasifikuar “Sekret Shtetëror”.
Burimi: Gazeta Shqip