Tirana do të luajë sot ndaj ekipit serb të Cërvena Zvezdës, jo vetëm në aspektin futbollistik. Sytë e përqendruar në kryeqytet dhe ndezja e një sfide që kapërcen kufijtë e sportit. Policia i druhet përdorimit të dronëve. Gazeta “Fjala” zbulon planin që është parashikuar për mbarëvajtjen e takimit dhe shtimin e agjentëve civilë.
Me çfarëdo ngjyre qoftë edhe një provokim i vogël, përgjegjësia bie mbi palën shqiptare, si vendi pritës i një takimi futbollistik mes Tiranës dhe Cërvena Zvezdës, që për dy vendet ballkanase nuk po merret me aq sportivitet. Policia i druhet përdorimit të ndonjë droni me mbishkrime fyese, apo disi nacionaliste dhe cilado të jetë simbolika, diçka e tillë nuk duhet të ndodhë, ndaj në Tiranë nga dita e djeshme ka më shumë agjentë civilë sesa nga ata me uniformë të dukshme.
Tensioni ndihet në ajër, kur nga Serbia disa deklarata nuk kanë qenë aq sportive, sigurisht asesi miqësore. Mediat, por edhe drejtues të klubit, flisnin për një atmosferë armiqësore në Tiranë, por deri në mbrëmjen e djeshme ekipi serb u prit normalisht, si në çdo takim ndërkombëtar e, madje, u shoqërua me forca sigurie pa më të voglin incident. Skuadra e futbollit të ekipit të kryeqytetit serb ka mbërritur të martën pasdreke, ora 14:00, në aeroportin “Nënë Tereza”, duke vijuar të akomodohet në hotel “Plaza” në qendër të kryeqytetit. Stafi i plotë i Cërvenës përbëhet nga 50 persona dhe nuk ka pasur policë shoqërues me vete.
Mësohet se klubi serb ka marrë me vete dhe një kuzhinier, apo më saktë, një dietolog, i cili do të kontrollojë bashkë me mjekët gatimet për lojtarët, stafin dhe klubin. Natyrisht, nuk përjashtohet mundësia që, në grupin prej 50 vetësh, të ketë 2-3 punonjës të sigurisë, të cilët do të shërbejnë si ndërlidhës me policinë vendase, pra, atë shqiptare, sikundër e kërkon edhe procedura. Për arsye sigurie, edhe për ta pasur më të lehtë për të garantuar paprekshmërinë e tyre, i gjithë delegacioni serb, është izoluar në një kat të veçantë të hotelit.
Megjithatë, klubi serb ka kërkuar më herët nga autoritetet shqiptare që të testohen dhe shoferët shqiptarë që i transportojnë në hotel. Ndërkaq, Tirana ka njoftuar Policinë e Shtetit duke iu frikësuar ndonjë ndodhie të papritur gjatë sfidës së nesërme. Sipas asaj që ka mësuar gazeta “Fjala”, klubi bardheblu ka marrë informacione se ekziston mundësia që disa persona mund të shpalosin një mesazh politik me dron kundër Serbisë gjatë sfidës së nesërme.
Një akt i tillë do ta penalizonte klubin bardheblu përderisa UEFA i ndalon kategorikisht shpërndarjen e mesazheve të urrejtjes me natyrë politike apo raciste. Nisur nga këto të dhëna, 25-herë kampionët e Shqipërisë i kanë bërë thirrje Policisë së Shtetit të marrë masat e nevojshme për parandalimin e çdo të papriture. Natyrisht, duhen pasur parasysh ngjarjet e ndodhura në stadiumin e Beogradit, më 14 tetor të 2014-s, gjithmonë është përfolur mundësia e përsëritjes së episodeve me dron, kur skuadrat shqiptare dhe serbe ndeshen me njëra-tjetrën.
Sport, politikë, por edhe para…
Përtej ngjyrimeve politike që mbart përballja midis kampiones aktuale të Shqipërisë, Tiranës, dhe asaj të Serbisë, Cërvena Zvezdës, kjo ndeshje është një tablo me dy kontaste për sa i përket aspektit financiar. Kjo është një përballje me një takim, për shkak të rrethanave të krijuara nga epidemia e virusit korona, ndryshe nga dy takimet vajtje-ardhje, që jemi mësuar të shohim zakonisht. Dhe, nëse në shortin e turit të parë goglat “nuk i mbajtën me hatër” bardheblutë, duke i degdisur ta luajnë ndeshjen e parë në kryeqytetin gjeorgjian, Tbilis, në të dytin, Tirana buzëqeshi, teksa një sfidë të vështirë, siç është ajo me “Yllin e kuq” të Beogradit, ata do ta kenë luksin ta luajnë në kryeqytetin shqiptar, pra, në shtëpi. Por Tirana humb pa fund nga ndeshja pa tifozë.
Nëse Cërvena Zvezda do të vinte në kryeqytet në një kohë tjetër, stadiumi 22000-vendësh “Arena Kombëtare” do të ishte plot. Me një llogari të thjeshtë, ku bileta është mesatarisht 500 lekë, Tirana do të fitonte 110 milionë lekë vetëm nga biletat. Po nëse vendoseshin çmimet e derbit, është e sigurt që bardheblutë do të arkëtonin jo pak, por plot një çerek miliardi, 250 milionë lekë, nga biletat. Në një vendim të papritur, teksa ndeshja e parë në Tbilis përballë Dinamos vendase, ku Tirana fitoi 2-0 dhe u kualifikua, e takimi u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, nuk do të ndodhë e njëjta gjë për ndeshjen e kthimit. Tirana ia ka shitur të drejtën televizive në mënyrë të papritur televizionit “Syri TV”.
Po kështu, televizionet serbe paguajnë pak dhe atë të drejtë, në vendin e saj, e shet skuadra serbe, duke qenë se përballjet janë me një duel të vetëm. Ndërkaq, ndonëse klubi humbet shumëçka në këtë mes, janë lojtarët që përfitojnë. Tirana ka shpërndarë këto dy ditë shpërblimin që dha presidenti Refik Halili për kualifikimin në Gjeorgji. Mësohet se edhe për sfidën me Cërvena Zvezdën do të ketë një shpërblim, por sikundër ndodhi me takimin e shkuar, ai do t’u bëhet i ditur lojtarëve vetëm dy orë para ndeshjes me serbët.
Një gjë e tillë nënkupton se bardheblutë do të ketë shtysë financiare shtesë, të cilin kreu i klubit kryeqytetas e ka dhënë gjithmonë këtë sezon, si në kampionat, ashtu edhe në Evropë. Vetëm në kampionat, lojtarët kanë marrë nga 14 milionë lekë të vjetër shpërblim, ndërsa në Evropë janë ndarë më shumë se 120 milionë lekë të vjetër, një shumë e madhe në krahasim me atë që shpërblejnë skuadrat e tjera. Nëse vëmendja është përqendruar shumë jashtë fushës së lojës, për futbollistët dhe trajnerët e të dyja ekipeve rëndësia më e madhe i mbetet fushës së blertë.
Tirana vjen me moral të lartë, por edhe me blerje cilësore që e treguan veten në takimin e parë me Dinamon e Tbilisit. Ekipi ynë kryeqytetas shpreson kalimin e Cërvena Zvezdës, që do të ishte sukses i madh me dy ture të kaluara. Përveç prestigjit do të vinte edhe ana ekonomike, por në raport me kundërshtarin që ka përballë, asgjë nuk vlen më shumë se një fitore ndaj ekipit ballkanik.
Tirana-Cërvena Zvezda, derbi i gjeopolitikës ballkanike në fushën e blertë
Të dy trajnerët kanë përsëritur, deri në dhimbje, se, për ta, kjo është një ndeshje futbolli. Por, të dy e dinë se, që nga ajo minutë e 43-të e përballjes së 14 tetorit 2014, në Beograd, midis kombëtares kuqezi dhe përfaqësueses vendase, asgjë nuk mund të jetë më si më pare, kur ndeshen skuadrat sportive të Shqipërisë dhe të Serbisë. “Unë kam ardhur të luaj futboll dhe asgjë tjetër, gjërat e tjera nuk më interesojnë, – ka deklaruar trajneri i Cërvena Zvezdës dhe ish-lojtari i famshëm i Interit, Dejan Stankoviç, duke folur para seancës së fundit stërvitore, të zhvilluar të hënën në mbrëmje. “Me aq mundësi sa pata, që dola nëpër rrugët e Tiranës, mora vesh që kishte shumë tifozë të Interit që donin të më flisnin dhe të bënin foto, – rrëfeu ai, duke kërkuar ta ulë sadopak ngarkesën emocionale të përballjes të së martës. – Nuk kam ndier asnjë presion në Shqipëri. Ne jemi përgatitur për çdo lloj skenari në fushën e lojës.
Nuk e njoh shumë futbollin shqiptar. Në qoftë se unë do ta mendoj që bota do të ndalojë po ta humbas këtë ndeshje, atëherë do ta quaja të humbur. Por futboll është luajtur edhe para kësaj ndeshje dhe do të vazhdojë të luhet.” Edhe më i i prerë ka qenë homologu i tij, trajneri i Tiranës, Emanuel Egbo, i cili, madje është pyetur edhe për mundësinë e ndërhyrjes në distancë të tifozëve me ndonjë dron a mjet tjetër. “Nuk mund t’i përgjigjem unë kësaj pyetjeje, – ka këmbëngulur nigeriani i stolit bardheblu. – Unë merrem me gjërat brenda fushe.
Nuk ndikon presioni në fushë. Ne fokusohemi te fusha. Thjesht duhet të japim maksimumin. Të luajturit në shtëpi mund të jetë epërsi, po edhe mund të mos jetë. Kundërshtari është ekip me shumë vlerë. Është si ndeshje Kupe, që çdo gjë mund të ndodhë.” Në fakt, luhet pa tifozë dhe trajneri serb nuk e fsheh keqardhjen. “Më vjen keq për të gjithë që nuk kemi tifozë, – thotë ai. – Janë pjesë e madhe e futbollit. Shpresoj që sa më shpejt t’i rikthehemi normalitetit. Fakti që është një ndeshje, ka ndikim. Ne kemi studiuar kundërshtarin, përgatitemi emocionalisht. Shpresoj që jemi përgatitur në momentin e duhur.” E ndërkohë që Stankoviç bën diplomatin dhe pranon se skuadra vendase është favorite, Egbo beson te skuadra e tij. “Shpresoj të marrim rezultatin e duhur ndaj Cërvena Zvezdës.” /Ra.My. Fjala.al/