Artan Fuga posaçërisht për ‘Fjala”/Ndikimi i virusit mbi shoqërinë: Çfarë dëshmon historia?

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Përse e trajtojmë këtë temë? Ndofta sepse historia na çliron disi nga ankthet e të sotmes. Nën presionin e rrezikut të COVID-19, qarkullojnë skenarë katastrofikë. Nuk marrim përsipër as t’i mbështesim, as t’i konsiderojmë pa asnjë bazë ata. Mirëpo duke iu referuar disi historisë, mund të dalin disa përfundime që dëshirojmë t’i paraqesim në fund të këtij shkrimi.

Si është sjellë shoqëria kur ajo arriti të kuptonte që një sërë sëmundjesh të rrezikshme infektive, si kolera, tuberkulozi etj., kanë si origjinë trupa mikroskopikë, të padukshëm, të cilët si bacile apo viruse, përhapen duke kaluar nga njeriu te njeriu?

Lidhur me sa më sipër, i referohem një historiani të njohur të marrëdhënieve të trupit të njeriut me shoqërinë, Philippe Perrot, dhe specifikisht librit të tij “Le corps féminin” (Editions du Seuil 1984).

Në librin e tij ai merret specifikisht me ndryshimet që ka pësuar trupi i njeriut dhe pamja e jashtme e tij gjatë historisë. Mirëpo në pjesë të veçanta, natyrshëm, ai nuk i është shmangur edhe problemit të marrëdhënieve reciproke midis shoqërisë dhe sëmundjeve trupore të njeriut. Këtu, ndër të tjera, ai ndalet në atë revolucion të madh që ndodhi gjatë gjysmës të dytë të shekullit të 19-të në Evropë. Deri atëherë, thekson autori i librit, sëmundjet infektive ishin shpjeguar pak a shumë me ndikimin negativ të ajrit dhe mjediseve të tjera të ndotura, si ndotja e ujit, e kalbëzimit të trupave, ushqimeve etj. Ndërkohë, që një sërë mjekësh dhe specialistësh në fushën e kimisë në mesin e shekullin të 19-të dhe më pas, ku dallohet Lui Pastër, arritën të zbulojnë se disa sëmundje, si kolera, murtaja, tuberkulozi, tifoja etj., nuk ishin “miasmatike”, pra nuk vinin nga infektime prej mjedisit të ndotur, por ishin “kontaminuese”, pra transportoheshin nga njeriu te njeriu.

The Oakland Municipal Auditorium is being used as a temporary hospital with volunteer nurses from the American Red Cross tending the sick there during the influenza pandemic of 1918, Oakland, California, 1918. (Photo by Underwood Archives/Getty Images)

Pjesa e dytë e këtij revolucioni ishte se në sajë të mikrobiologjisë u veçua si zbulim edhe që bartësit e këtyre sëmundjeve kishin natyrë mikroskopike, pra kishin madhësi “pafundësisht të vogla” (f. 128).

Autori vë në dukje në librin e tij pra se: ”Pastëri, pastaj Listeri dhe Koshi tashmë paraqitën pa lejuar më diskutime të mundshme se vërtet varfëria prodhon pisllëk, por vetë pisllëku nuk e prodhon sëmundjen, por ai vetëm e transmeton atë.” (f. 127). Pikërisht këtu ndodhi përmbysja e madhe: “Ndërsa epidemiologjia e vjetër vizualizonte dhe lokalizonte mjediset që i përhapnin sëmundjet, duke përcaktuar faktorët më të rëndësishëm të tyre, bakteriologjia në lindje e sipër, duke zbuluar praninë gjithandej të vepruesit infektiv, tanimë nuk studion veçse mënyrat e transmetimit të tij, dhe sjelljet e tij në organizëm.” (f. 127).

Pra, në dekadat e fundit të shekullit të 19-të, njerëzimi evropian tronditet jo aq pse ndonjë virus i ri po e kërcënonte, sikurse bën COVID-19 aktualisht, por sepse në sajë të zbulimeve shkencore dhe arritjeve teknologjike, shoqëria po e kuptonte dhe e shpjegonte ndryshe burimin e shumë sëmundjeve infektive që e kishin kërcënuar dhe marrë jetë njerëzish në shekuj.

Një sërë sëmundjesh infektive nuk shihen më tani si të shkaktuara dhe të përhapura nga mjedisi te njeriu, por si pasojë e kontaminimit të njeriut nga njeriu. Ky u quajt edhe parimi i Pastërit, këtij kimisti që bota i njeh një kontribut të pashoq në konceptimin, realizimin dhe prodhimin e vaksinës, veçanërisht kundër tërbimit. Jo më kot këto zbulime të mëdha u arritën në këtë kohë.

Të mos harrojmë se shekulli i 19-të është ai i zmadhimit të qyteteve dhe i dendësimit të paparë demografik të tyre. Epidemitë tanimë bëhen edhe më të rrezikshme dhe përhapen më shpejt, pikërisht se masa të mëdha njerëzish jetojnë dhe punojnë në mjedise urbane, relativisht të ngushta dhe të populluara me një numër shumë të madh njerëzish. Nuk jemi më në kohën kur njeriu jetonte më shumë në hapësirat rurale dhe ku ekonomikisht ishte disi i izoluar brenda ekonomisë së vet familjare rurale. Kur i kthehet jetës dhe karrierës personale të Lui Pastërit, autori i librit shpjegon se ai ishte një kimist, pastaj mikrobiolog, që krijoi dhe përdori pasi themeloi laboratorë mikrobiologjie në universitete dhe shkolla të famshme të Francës të asaj kohe, dhe se përpara sesa të merrej me përdorimin e zbulimeve të mikrobiologjisë në mjekësi, kishte punuar në lëmin e fermentimit, në industrinë e birrës. Nga kjo pikëpamje na dalin para syve kushtet e kohës. Nga njëra anë, si kuadër global urbanizimi i shpejtë dhe me densitet të lartë demografik i vendeve të Evropës së asaj kohe. Pastaj edhe tre faktorë të tjerë që sigurisht çuan në zbulimet e reja të Pastërit, që e revolucionarizuan mjekësinë e kohës dhe epidemiologjinë, duke arritur më pas rezultate të mëdha.

Nga njëra anë kemi aplikimin e mikrobiologjisë në teknologji, në rastin konkret, në studimin e proceseve fermentuese në industrinë e prodhimit të birrës. Shkenca dhe industria kishin nisur të kooperonin duke ndikuar në evoluimin e shpejtë të të dyjave njëherësh. Pastaj, kemi faktorin e dytë, që shprehet te fakti se Pastëri dhe një numër gjithnjë e më i madh kolegësh të tij, punonin në laboratorët që kishin themeluar vetë. Përdorimi i mikroskopit tanimë si teknologji e rëndësishme bazë pati një rol të madh në njohjen dhe studimin e bacileve dhe viruseve për të cilat bëhet fjalë. Së treti, kemi bashkëveprimin e shkencave të reja ose të shkencave që nisën ta revolucionarizojnë bazën e tyre konceptuale, sikurse ishte integrimi i kimisë me mikrobiologjinë dhe aplikimi i tyre në epidemiologji, që nisi të punonte me koncepte të reja.

+++

Sigurisht që ka qenë tronditës fakti që, sipas paradigmës pastëriane një sërë sëmundjesh infektive tanimë, si tuberkulozi, tifoja, kolera etj., shiheshin si të transmetueshme nga njeriu te njeriu. Sepse ky zbulim bëhej në kushtet kur me urbanizimin e përshpejtuar kemi një sërë procesesh bashkëshoqëruese, si puna zinxhir ose në grup, përhapja e fabrikave, minierave, uzinave, qendrave tregtare etj., pra të një kontakti të rritur të njeriut me njeriun, dendësimin demografik në hapësira relativisht më të ngushta sesa më parë, dhe mbi të gjitha, me ndërtesat kolektive të banimit, grumbullimin e një numri të madh njerëzish në hapësira banimi të përqendruara.

Pyetja që shtron dhe i jep përgjigje autori i librit, Philippe Perrot, është: Cilat ishin reagimet e shoqërisë së kohës përpara këtyre realiteteve mikroskopike dhe të padukshme me sy të lirë që i kërcënonin? Nuk ishte se këto viruse apo bacile nuk kishin ekzistuar edhe më parë. Sikundër e theksuam, ato veçse ishin shpjeguar tashmë ndryshe se si përhapeshin. Por, kjo gjë, ishte njësoj sikur të kishim të bënim me sëmundje të reja infektimi me përhapje të lartë.

Autori i librit veçon disa drejtime, sipas të cilave nis të reagojë shoqëria. Sigurisht, ndryshimet që pasuan nuk ndodhën as brenda disa muajsh dhe ndofta as brenda disa vitesh. Ato përfshinë mbase dhjetëvjeçarë të tërë. Ndryshime u bënë gradualisht dhe në funksion të kushteve ekonomike, financiare dhe teknologjike të kohës. Nuk u bënë pa rezistenca, dhe as pa konflikte dhe pasoja sociale shumë të theksuara.

Një gjë thekson autori i librit me kujdes të veçantë. Sipas tij, një sërë normash të reja morale, etika e kohës, madje edhe estetika e arkitekturës, e urbanistikës, e veshjeve, e zbukurimeve të habitatit etj., nuk mund të kuptohen në këtë kohë pa pasur në mendje rolin përcaktues të mikrobiologjisë dhe epidemiologjisë të saporevolucionarizuar. Sikurse thekson në mënyrë shumë të përmbledhur vetë autori i librit: ”Idealisht u zhdukën kufijtë midis higjienës dhe etikës, mes të higjienës dhe estetikës.” (f. 131)

Se si bashkëveproi higjiena e re me etikën dhe estetikën, autori na e tregon në detaje në faqet e librit të tij. Por, ajo që është interesante për ta ditur ka të bëjë me faktin që nëse sot ne shohim qytete të ndërtuara në një mënyrë të caktuar, arkitekturë godinash të strukturuar me një estetikë të caktuar, veshje dhe zbukurime të epokës, nuk mund t’i shpjegojmë kurrsesi ato, nëse nuk marrim parasysh faktin që në atë kohë njeriu pikërisht zbuloi si përhapet dhe si sillet virusi apo bacili i padukshëm, me madhësi “pafundësisht të vogël”. E madhërishmja, gjigantja, makrosocialja, arti, kultura, arkitektura, sjellja e njeriut, ndërtimi dhe menaxhimi i territorit dhe i hapësirave urbane nuk mund të shpjegohen pra në atë kohë dhe më pas pa kuptuar botën e mikrobiologjisë dhe zbulimet e saj në atë kohë. Duket si e çuditshme, por ajo që duket përcaktohet në këtë rast nga ajo që nuk duket, madhështorja përcaktohet nga pafundësisht e vogla, hapësira e ndërtuar dhe e menaxhuar urbane përcaktohet nga mënyra si transmetohen sëmundjet infektive nga njeriu te njeriu. E shëndetshmja përcaktohet nga teknikat dhe strategjitë e evitimit të sëmundjeve.

Lexo edhe :  Berisha dhe Meta bashkojnë forcat kundër SPAK, Rama “zbutet”

Mbi këtë bazë shpjegimi sociologjik i asaj shoqërie nuk mund të arrihet pa pasur mendjen edhe tek arritjet e mikrobiologjisë të kohës dhe epidemiologjisë të re që po lindte.

Çfarë po ndodhte në shoqëri, si pasojë e revolucionit mikrobiologjik pastërian?

Philippe Perrot thekson më së pari që nisi të ndryshojë kuptimi i pastërtisë urbane.

Deri atëherë ishin bërë shumë hapa përpara në higjienizimin e qyteteve dhe lagjeve të tëra. Por, mënyra si përhapeshin viruset, e kuptuar më së fundi, bëri që pastërtia të përfshinte me prioritet intimitetin individual të njeriut. Duhej mbajtur pastër trupi i njeriut, veshjet e tij, të brendshmet e tij, tualeti i tij, lëkura e tij, krevati i tij. Higjiena e qytetit nuk mjaftonte aspak, sado që edhe ajo kishte nevojë të evoluonte, sidomos për sa i përket evakuimit të mbetjeve organike të jetës të njeriut, të grumbulluara në sasi shumë të mëdha, tashmë që qytetet ishin rritur. Autori thekson: ”Fillimisht revolucioni i Pastërit duket se ndikoi mbi mjedisin e shtëpisë… Pastërtia tanimë do të shtrihej mbi gjithçka që përbënte mjedisin njerëzor. Ajo do të mbretëronte gjithandej: në ushqime, në banesë, në veshje, te kjo banesë intime, në shtrat, te kjo veshje e njeriut në gjumë apo të sëmurë.” (f. 130).

Së dyti, nisi të ndryshojë i gjithë organizimi i brendshëm i banesës borgjeze.

Deri atëherë ajo ishte plot me zbukurime, perde, shtresa divanesh, dantellash, qilimash të rëndë gjithfarësh, pufkash etj. Mirëpo, tani u kuptua që pikërisht aty mund të fshiheshin dhe të grumbulloheshin viruset infektuese në rrugë ajrore ose në rrugë të tjera. Nga kjo pikëpamje, i gjithë mobilimi i shtëpisë nisi të ndryshojë, të thjeshtohet, banesa kishte nevojë për ajrosje, dhe të gjitha dhomat e saj të ishin të hapura ndaj procedurave sa më të mira e të përshtatshme të pastrimit të tyre. Sipërfaqet e dyshemeve sa më të lëmuara. Perrot vë në dukje, sipas dëshmive të kohës, që: ”Rregullimi i dhomave bëhet në funksion të pastrimit të tyre. Tani njerëzit heqin zbukurimet e tepërta, çlirojnë hapësirat e banesës, hedhin tej objekte, për t’i dhënë pamjes dhe fshesës një relief të sheshtë, më të gjerë, më të shndritshëm, më të rehatshëm.” (f. 130).

Distancimi social nisi qysh atëherë të shënojë hapat e parë të mëdhenj në jetën urbane. Atë që ndodhi atëherë, ne sot nuk e konsiderojmë si distancim social, meqë ai është bërë pjesë e zakoneve dhe e kulturës sonë. Por, atëherë, njerëzit e kohës e konsideronin sjelljen e re kundër viruseve si distancim social. Meqë më parë kishin jetuar ndryshe, më në lidhje, më në kontakt me njëri-tjetrin. Pra, nëse ne sot themi si mund të rrimë pa u puthur me njëri-tjetrin, pa u përqafuar me njëri-tjetrin, pa i dhënë dorën njëri-tjetrit, ata ndofta kanë pyetur si mundemi tanimë të hamë në pjata të veçanta, si mund të vemi në banjo e wc duke u “fshehur” nga njëri-tjetri?

Njeriu urban nisi të konsiderojë sehapësira e tij më e sigurt ishte familja dhe banesa.

Kjo e fundit u bë hapësira e sigurisë dhe e intimitetit, duke i ikur rrugës, shesheve, pijetoreve etj. Banesa u bë gjithnjë e më shumë një vend argëtimi, socializimi, mbrojtjeje nga sëmundjet, një hapësirë private e mbrojtur nga aksesi i pakontrolluar i të tjerëve. Perrot thekson: ”Për të luftuar plagët sociale, vdekshmërinë foshnjore, alkoolizmin, tuberkulozin, këto të këqija të lidhura me grumbullimin e pashoq të njerëzve, nuk kishte mjekim më të mirë sesa pastërtia e banesës dhe bashkimi në familje i anëtarëve të saj, sikurse edhe lumturia intime.” (f. 131).

Ndryshuan edhe infrastrukturat e menaxhimit të materieve që qarkullonin në zonën urbane.

Tanimë nuk mjaftonte që të ndaheshin zonat e pasura të qytetit nga zonat e varfra, sikurse ishin projektet e mëparshme e urbanizimit të qendrave të qyteteve. Pastërtia nuk ishte më një çështje që lidhej vetëm me hapësirën, sesa një çështje që kishte të bënte edhe me vetë njeriun. Borgjezi i pasur nuk ishte i sigurt sa kohë që mund ta infektonte shërbyesi i tij, roja e tij, pastruesja e tij, të cilët vinin për t’i shërbyer nga zonat e varfra dhe shtresat jo të pasura të qytetit. Perrot e quan këtë efekt demokratizues të mikrobiologjisë të re, efekt barazimtar të epidemive të kuptuara sipas koncepteve mikrobiologjike të Pastërit. Demokratizimi i fundit të shekullit të 19-të në Evropë nuk mund të kuptohet aspak pa arritjet dhe zbulimet e mikrobiologjisë. Sikurse shkruante dr. Langlois, i njohur në atë kohë dhe me reputacion: ”Mikrobi, bacili, kërcënojnë gjithandej, sepse ato janë gjithandej të mundshme… Epidemia barazimtare kur shpërthen godet borgjezin dhe punëtorin njëherësh.” (f. 128). Që borgjezi dhe sundimtari të jetonin të shëndetshëm dhe në siguri për jetën, nuk mjaftonte pra vetëm pasuria e tyre, nuk mjaftonte të ruheshin nga kamerierët, nuk mjaftonte të ushqeheshin mirë, por duhej që edhe i varfri të mos prekej nga sëmundje infektive. Këtu nis një përkujdesje për spitalet, shkollat, lagjet e varfra.

Tani ndërtuesit dhe pronarët e ndërtesave të banimit duhet të pranonin detyrimin publik që banesat duhej të kishin ujë të bollshëm.

Jo vetëm pa pisllëqe, pa aroma të këqija, por, mbi të gjitha të pastra nga mikrobet dhe viruset. “Gjithçka në tuba” – ky ishte përkthimi arkitekturor dhe teknologjik urban i parimeve të mikrobiologjisë të re. Uji duhej të ngjitej në katet e larta të ndërtesave, me anë të teknologjisë mekanike, bollshëm, të gjitha materialet e fekaleve njerëzore duhej të kanalizoheshin nga katet e larta të banesave në kanalet e qytetit, sepse aty strehohen viruset, njeriu nis të izolohet nga të tjerët në kabinetin e tij të tualetit, duke u izoluar prej të tjerëve në wc. Perrot thekson: ”Zbulimet e mikrobiologjisë sigurisht u shfaqën me bujë në luftën që u quajt “lufta për ta futur gjithçka në kanalizime”.

+++

Pa u ndalur edhe në detaje të tjera të rëndësishme që Philippe Perrot nxjerr në pah në librin e tij, theksojmë pra që epidemitë e kanë rrezikuar njerëzimin jo vetëm tani. Nuk kemi të bëjmë me një histori pa precedentë të tjerë historikë. Shoqëria i është përgjigjur me shkencë, me teknologji, si edhe me ndryshime në mënyrën e organizimit të saj.

Distancimi social nuk ka nisur sot. Ne distancohemi nga ana sociale duke u mbështetur në distancime sociale të mëparshme, të kthyera tashmë në zakone që janë kuptuar si gjendje normale e marrëdhënieve njerëzore. Varet nga ecuria e mëtejshme se drejt cilit model do të shkojnë marrëdhëniet njerëzore, por historia ka provuar deri tani se njeriu i ka përvetësuar, i ka brendësuar, i ka bërë të vetat ndryshimet përballë epidemive, duke vazhduar rrugën e tij nga shekulli në shekull.

Të fundit

Ja sa kushton një shtëpi në Vlorë

Të huajt dominojnë blerësit vendas në tregun imobiliar. Gjatë fillimvitit të 2024-ës çmimet e apartamenteve në Vlorë u rritën ndjeshëm,...

“Në Big Brother gjeta njeriun e jetës”, Bardhi: Mendova të lë muzikën se nuk po fitoja më

Bardhi ishte i ftuar në “A je bre normal?” nga Meriton Mjekiqi, ku tregoi për vështirësitë e tij si ‘baba i ri’, në karrierë...

Zgjedhjet në Gjermani/ Merz dhe Scholz hedhin votën e tyre: Çdo gjë do të shkojë mirë!

Qytetarët gjermanë vijojnë ti drejtohen kutive të votimit këtë të diel teksa po mbahen zgjedhjet parlamentare. Pak më parë kanë hedhur votën e tyre...

Rama u përgjigjet komentuesve: Ndërtimet pa leje peshqesh i trashëguar nga këneta

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj pyetjeve të qytetarëve në rrjete sociale lidhur me panairin e parë të punës që do të mbahet në 2...

“Pensionet europiane nuk bëhen kollaj”/Rama: Kur erdhëm në detyrë, nuk kishte marrëveshje

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj “Sy m’Sy” pyetjeve të qytetarëve në rrjete sociale lidhur me panairin e parë të punës që do të mbahet...

Lajme të tjera

Web TV