Këshilli Politik në sfidën e një pakti të ri

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Shtatori do të rikthejë debatin politik për reformën zgjedhore në Këshillin Politik, pasi ndryshimet Kushtetuese që hyjnë në fuqi në 8 shtator, i detyrojnë palët të rikthejnë në tryezë Kodin Zgjedhor, i cili hyri në fuqi në 20 gusht.

Një pakt i ri politik dhe ndërhyrja ndërkombëtare do të nevojiten në vjeshtë, për të zhbllokuar ngërçin, pasi opozita kundërshton ndryshimet kushtetuese, të bëra në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca. Çfarë do të ndodhë me Kodin Zgjedhor dhe cilat janë çështjet juridike me të cilat do të përballet politika, analizojnë për gazetën “Fjala” juristi Ledio Braho dhe eksperti i zgjedhjeve, Premto Gogo.

Nga Blerina Gjoka

Politika shqiptare do të përballet këtë vjeshtë me një konflikt të ri politik dhe juridik, pasi në muajin korrik dy votime të njëpasnjëshme në Parlament krijuan një kontradiktë mes Kodit Zgjedhor dhe Kushtetutës. Kodi Zgjedhor u hartua pas një marrëveshjeje të gjerë politike mes palëve, me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, ndërsa ndryshimi i dy neneve të Kushtetutës u votua nga mazhoranca pa pëlqimin e opozitës jashtëparlamentare.

Por, këto dy nene të riformuluara, për mënyrën se si do të kandidojnë subjektet zgjedhore në zgjedhjet e reja, imponojnë rikthimin e Kodit Zgjedhor në tryezën e diskutimit për ndryshimin e disa neneve të tij. Ky konflikt që mbeti pezull në muajin gusht, gjatë të cilit Kodi Zgjedhor mori fuqi juridike (në datën 20 gusht), do të rikthehet me gjithë debatet e mundshme në tryezën e Këshillit Politik në shtator. Në 8 shtator pritet të hyjnë në fuqi edhe ndryshimet kushtetuese, sipas afateve juridike, dhe ky Këshill do ta nisë punën pikërisht me zgjidhjen e kontradiktës që krijohet me formulimet në Kodin Zgjedhor.

Paraprakisht është bërë e qartë kundërshtia e opozitës jashtëparlamentare për t’i pranuar këto ndryshime kushtetuese, të cilat u bënë pa pëlqimin e saj. Kjo opozitë ka dy përfaqësues në këtë tryezë, ku është dhe mazhoranca qeverisëse dhe opozita e re parlamentare, me nga një përfaqësues secila. Çdo vendim që do të rrjedhë prej kësaj tryeze politike të ngritur që në janar të këtij viti, për t’i dhënë zgjidhje krizës politike të zgjatur, do të duhet të jetë me konsensus politik.

Sipas gjitha gjasave, vjeshta do të sjellë domosdoshmërinë e një pakti të ri politik, si ai i 5 qershorit, ku ndërkombëtarëve do t’u duhet të rikthehen fuqishëm në skenë. Ky pakt do të jetë i domosdoshëm dhe i imponuar nga faktori kohë, pasi zgjedhjet e reja do të mbahen pas 8 muajsh.

Lexo edhe :  Mira Murati sfidon industrinë e teknologjisë me kompaninë e re të AI

“Këto ndryshime kushtetuese diktojnë ndryshime të reja në Kodin Zgjedhor, të cilat, sipas praktikës politike dhe parlamentare të vendosur, dhe angazhimit më të fundit të mazhorancës socialiste, do të duhet të bëhen nëpërmjet një konsensusi të gjerë politik, paçka se një gjë e tillë, në mënyrë absurde, nuk u pa e nevojshme për ndryshimet kushtetuese. Bazuar në këtë angazhim politik dhe institucional të deklaruar, ndryshimet e reja të Kodit Zgjedhor do të duhet të miratohen prej katër palëve të përfshira në Këshillin Politik.” – shprehet për gazetën “Fjala”, eksperti i zgjedhjeve, Premto Gogo.

Ai parashikon se puna në Këshillin Politik do të jetë jo e vogël, ndërkohë që duket se problematik mbetet konvergimi i palëve lidhur me hapjen tërësore apo pjesore të listave. Por Gogo shton se, pavarësisht tensionit politik, ndryshimet që do të bëhen në kod janë teknike, si rregullim e saktësim terminologjie e të tjera të kësaj natyre. Juristi Ledio Braho thekson se debati kryesor do të shtrohet për çështjen e formulimit për koalicionet parazgjedhore, një pikë thelbësore ku opozita kundërshtoi, duke e akuzuar mazhorancën se po përpiqej t’i ndalonte koalicionet parazgjedhore me Kushtetutë.

“Ndryshimet kushtetuese, sipas formulimit aktual që kanë marrë nenet 64 dhe 68 të Kushtetutës, nuk nënkuptojnë ndalimin e koalicioneve parazgjedhore, pasi ndryshimi që i është bërë pikës 1 të nenit 68 të Kushtetutës, që ka marrë trajtën si vijon “Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike ose nga zgjedhësit”, nuk do të thotë që ndalohen koalicionet, pasi edhe sipas Kodit Zgjedhor, pa ndryshimet e kryera, pavarësisht faktit se partitë politike bashkoheshin në koalicione parazgjedhore, sërish listat e kandidatëve propozoheshin nga secila parti politike pjesë e koalicionit.” – thotë Braho.

Sipas tij, çështja e koalicioneve do të shtrohet sërish për diskutim në Këshillin Politik, në mënyrë që t’i jepet zgjidhje në Kodin Zgjedhor, pasi Kushtetuta nuk ka përcaktuar kriter ndalues apo lejues në lidhje me to. Sado teknike të jetë ndërhyrja që imponojnë ndryshimet kushtetuese në kodin zgjedhor, ato do të përkthehen në një lojë politike të fortë dhe të gjatë mes palëve, duke na rikthyer në kujtesë negociatat e orëve të gjata në ambasadën amerikane, për të përfunduar në një marrëveshje politike shqiptare të shkruar në anglishte, si ajo e natës së 5 qershorit./Bl.Ba/Fjala.al

Ledio Braho: Këshilli Politik do të vendosë për fatin e koalicioneve

Premto Gogo: Duhet një vendim unanim politik për disa ndryshime teknike

Të fundit

Vota e Diasporës/ Balla takim në Ferrara: Nuk bëhet fjalë vetëm për fitoren

Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, vazhdoi turneun e tij mes shqiptarëve në Itali duke u...

“Express”: Britanikët vërshojnë drejt Shqipërisë, vendit evropian me plazhe mahnitëse

Një numër në rritje turistësh britanikë po vërshojnë drejt Shqipërisë falë çmimeve të lira, maleve dhe plazheve mahnitëse, shkruan Lauren O’Toole në të përditshmen...

Gati Diella në e-Albania, Rama: Ndihmësja zadrimore sapo ka dalë nga inkubatori i AI

Për disa muaj e-Albania do të ketë edhe një asistente virtuale që do të ndihmojë përdoruesit përmes zërit. Lajmin e jep kryeministri Edi Rama,...

“Na vjen keq”, TikTok “fiket” në SHBA!

TikTok nuk priti ditën e përcaktuar, por disa orë para se ligji që e ndalon në SHBA të hynte në fuqi, mbylli funksionin e...

Kthjellime dhe temperatura të ngrohta/ Parashikimi i motit për sot

Edhe të dielën vendi ynë do të mbizotërohet nga moti i kthjellët dhe relativisht i ngrohtë, si pasojë e masave ajrore me origjinë perëndimore...

Lajme të tjera

Web TV