Protokollet e spitaleve Covid në Itali. Mjeku shqiptar, Taned Demaj, rrefën për gazetën “Fjala” se si funksionojnë spitalet në shtetin fqinj, si trajtohen pacientët e shtruar me koronavirus, ndihma e marrë prej personelit mbështetës, si dhe si realizohet komunikimi i të sëmurëve me të afërmit e tyre.
Nga Ina Allkanjari
Mjeku shqiptar Taned Demaj, i cili prej muajsh po lufton në vijën e parë të luftës me COVID-19, në Itali, në një intervistë për gazetën “Fjala”, tregon protokollet e ndjekura në spitalet Covid në shtetin fqinj. Mjeku i Emergjencës në spitalin Maggiore della Carità, në Novarë, na rrëfen se si funksionojnë spitalet, si trajtohen pacientët e shtruar me koronavirus, ndihma e marrë prej personelit mbështetës, si dhe sa efikas është komunikimi i të sëmurëve me të afërmit e tyre.
Demaj thekson se psikologët në strukturën spitalore në Itali janë shumë prezentë. Në momentin që mjekët apo infermierët shohin një shenjë nga pacienti, apo nëse shohin simptoma ku është i nevojshëm një suport psikologjik, sinjalizohen psikologët dhe vijnë menjëherë të flasin, si me pacientët, ashtu edhe me personelin. Teksa nënvizon se kjo procedurë, ashtu si dhe komunikimi me familjarët, është shumë i rëndësishëm për gjendjen e pacientëve. “Në të gjitha spitalet Covid pacientëve të shtruar u jepet mundësia që çdo ditë të flasin me familjarët e tyre me anë të një tableti, kontaktojnë me video ku mund të shohin familjarët”, shprehet mjeku, ndërsa thekson se për pacientët që janë të intubuar dhe ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore, u jepet mundësia familjarëve për t’i parë me video dhe për t’iu dhënë lamtumirën.
Si funksionojnë spitalet Covid në Itali, a ka një protokoll për pacientët e hospitalizuar?
Për sa i përket organizimit të spitaleve Covid në Itali, në fillim të pandemisë ka pasur pak konfuzion, sepse nuk ishin të përgatitur për një fluks kaq të madh. Më pas u identifikuan disa struktura, të cilat u bënë vetëm struktura Covid. Duke qenë se numri i personave të hospitalizuar u shtua, gjatë pikut të sëmundjes spitalet u ndanë në dy kategori. Një pjesë e tyre u quajt zona “e pastër” dhe pjesa tjetër zona “e pistë”, ku shtroheshin pacientë pozitivë me COVID-19. Për sa i përket personelit, një pjesë e tij gjysmën e turnit e bënte në repartin Covid, kurse pjesën tjetër të turnit në repartin “e pastër”. Këto kanë qenë protokollet gjatë kësaj periudhe pandemie.
Në fund të qershorit dhe fillim të korrikut u mbyllën repartet e fundit, të paktën në Piemonte. Aktualisht, që kemi shtim të personave që kanë tampon pozitiv, kemi reparte izolimi për personat me Covid. Normalisht, ka rënë jashtë mase fluksi i personave me koronavirus, shumica e pacientëve shkon në spital për një sëmundje tjetër dhe pasi bën tamponin e del pozitiv, spostohet në zonën Covid.
A ka pasur raste vetëvrasjeje të personave të shtruar, të prekur prej COVID-19?
Për sa u përket rasteve të vetëvrasjeve, në spital nuk ka asnjë rast të shënuar. Por ka pasur persona me simptoma depresive, gjithashtu ka pasur raste jashtë spitalit qytetarë të cilët kanë pasur frikë nga virusi, edhe pse nuk kanë qenë pozitivë, dhe kanë kryer vetëvrasje. Ka qenë një alarm në periudhën e parë të Covid-it, jo tani. Në periudhat e para ka pasur raste nga personeli mjekësor që kanë kryer vetëvrasje, disa infermierë. Të gjitha spitalet në Itali kanë mbështetje psikologjike për personelin e, normalisht, edhe për pacientët. Virusi ka pasur një impakt të madh në personelin mjekësor, fakti i stresit, i depresionit, i frikës. Përpos kësaj, gjithmonë ka pasur një numër telefoni aktiv, edhe për personat jashtë spitalit, për çdo moment që kishin vështirësi, kishin ndihmë psikologjike.
A ka personel mbështetës, p.sh. psikologë në spitalet Covid në Itali? Si funksionon, nëse një pacient shfaq nevojën për psikolog?
Psikologët në strukturën spitalore në Itali janë shumë prezentë. Në momentin që mjekët apo infermierët shohin një shenjë nga pacienti, apo nëse shohin simptoma ku është e nevojshme një suport psikologjik, sinjalizohen psikologët dhe vijnë menjëherë të flasin, si me pacientët, ashtu edhe me personelin. Ka qenë prej kohësh, sidomos në dy repartet më të rëndësishme. Edhe përpara pandemisë, ka qenë shumë aktive ndihma psikologjike, sidomos në repartin e onkologjikut dhe pediatrisë. Këto lloj repartesh kanë pasur gjithmonë psikolog që është 24 orë prezent për këto tipologji pacientësh.
Po kur pacienti i prekur me Covid shfaq shqetësime kardiologjike apo sëmundje të tjera?
Për sa u takon personave që shfaqin probleme kardiologjike, ose nëse kanë nevojë për çdo lloj ndërhyrjeje tjetër, spostohet personeli mjekësor dhe bën ndërhyrjen. Nëse pacienti ka nevojë për konsulencë, p.sh. kardiologjike, shkon specialisti në repartin ku ndodhet pacienti. Të gjitha konsulencat specialisti i bën gjithmonë në repartin dhe në vendin ku pacienti është i shtruar. Nëse ka nevojë për ndërhyrje specifike, atëherë krijohen kushtet që pacienti të spostohet në repartin e duhur. Por nëse ka nevojë thjesht për konsulencë, ajo bëhet gjithmonë në repartin ku është i shtruar, kjo ndodh për çfarëdolloj sëmundjeje. Nëse pacienti ka nevojë për një ndërhyrje kirurgjikale, pasi ka probleme kardiologjike, atëherë spostohet në sallën ku duhet bërë ndërhyrja dhe më pas mund të shtrohet në repartin e kardiologjisë, në zonën që është e dedikuar për pacientët Covid pozitivë.
Pacientët pozitivë me koronavirus të shtruar në spital, a kanë komunikim me familjarët e tyre?
Për sa i përket komunikimit, të gjithë pacientët kanë pasur komunikim me famljarët e tyre. Në të gjitha spitalet Covid pacientëve të shtruar u jepet mundësia që çdo ditë të flasin me familjarët e tyre, me anë të një tableti, kontaktojnë me video, ku mund të shohin familjarët, gjithashtu të mund të shikojnë të afërmin e tyre i cili ndodhet i shtruar. Gjithashtu, edhe në momentet kur pacientët janë në çastet e fundit dhe përkeqësohen, gjithmonë kontaktohen familjarët që të bisedojnë me të afërmin e tyre, për t’i dhënë edhe lamtumirën. Për pacientët të cilët janë në gjendje të rënduar dhe nuk kanë mundësi të bisedojnë me të afërmit, çdo ditë njoftohen dhe vihen në dijeni për gjendjen e të sëmurit. Për ata pacientë që janë të intubuar, u jepet mundësia për t’i parë me video dhe për t’iu dhënë lamtumirën.
Po komunikimi i familjarëve me mjekët për gjendjen e të afërmve, si funksionon?
Të gjithë personat që shtrohen në spital, shërbimi i emergjencës territoriale i merr gjithmonë kontaktet e të afërmëve, gjithashtu edhe repartet kanë numrat e kontaktit të të afërmve të pacientëve dhe u bëhet çdo ditë e ditur gjendja e pacientit, çfarë terapie po ndjekin, çfarë ndryshimi ka pasur pacienti. Absolutisht është e detyrueshme kjo procedurë, që familjarët të jenë në dijeni të gjendjes së të afërmit të tyre. Ka pasur edhe momente shumë të vështira edhe për personelin mjekësor, sepse mund të ndodhë që pacientët të jepnin lamtumirën me anë të një kontakti me videotelefonatë. Ka qenë mjaft stres për personelin, sepse nuk ishin mësuar me këtë situatë. Ishte shumë e vështirë për të gjithë.
Si funksionon procedura e mjekimit të personave të shtruar, çfarë medikamentesh marrin? A ndryshojnë medikamentet në bazë të nivelit të sëmundjes?
Në lidhje me mjekimet, që nga fillimi i pandemisë deri më tani, protokollet e trajtimit të COVID-19 kanë ndryshuar, sepse të gjitha protokollet nuk kanë qenë të kodifikuara, por në bazë të supozimit që një trajtim mund të funksiononte. Normalisht, edhe sot nuk ka një kurë definitive për të thënë që është e duhura për të luftuar virusin. Më tepër kanë qenë terapitë që i jepnin suportin pacientit për ta kaluar këtë fazë. Por kjo ndodh për çfarëdo lloj sëmundje virale që është e rëndë. Normalisht, ka disa prej terapive që japin pak më shumë shpresë për personat që janë në terapi intensive. Terapia e suportit ka qenë me kortizon me doza të ulëta, pavarësisht se nuk ka edhe sot një terapi që të jetë 100% e sigurt që është efektive.
Në sa faza sëmundjeje ndahen personat e shtruar me COVID-19?
Normalisht ka pasur tre grupe personash që kanë qenë të shtruar në spitale. Tri ndarjet janë: të intubuar, terapi subintensive (nënintensive) dhe terapitë me oksigjen. Personat në terapi intensive, apo të intubuar, të cilët janë pacientë që kanë nevojë për një terapi më agresive. Pastaj janë terapitë subintensive, apo në repartet e mjekësisë së urgjencës. Këtu janë personat të cilët janë të ventiluar, por jo të intubuar, dhe janë personat që bëjnë një ventilacion joinvaziv. Dhe kategoria tjetër janë personat që janë shtruar në spital dhe kanë vetëm oksigjenoterapi. Nuk kanë nevojë për kasko, për të bërë terapinë joinvazive, apo intubimin, por është kategoria e tretë që e kalonte më shpejt këtë lloj sëmundjeje. Këto janë tri tipologjitë e pacientëve për sa i përket COVID-19.
Sa të hospitalizuar ka zakonisht në një dhomë në spitalet Covid?
Për sa u përket ndarjeve, në një dhomë nuk ka më shumë se dy pacientë, dhomat janë pothuajse gjithmonë me dy shtretër. Ndërsa për sa u përket terapive intensive, shpeshherë ndodh që janë të ndara për çdo pacient dhe varen nga niveli i sëmundjes. Për pacientët që kanë një rrezik infektimi shumë të lartë, janë dhomat me një person, i cili është i izoluar në mënyrë që të mos infektojë të tjerët. Normalisht, kjo është një pandemi që i gjeti sistemet shëndetësore të papërgatitura. Sistemi shëndetësor në Itali ka pasur shumë vështirësi dhe nga terapia intensive janë shtuar jashtë mase vendet. Ka pasur një riorganizim total të të gjitha strukturave. /Ra.My.Fjala.al/