Nga Blerina Gjoka
Negociatat e mbetura pezull mes Shqipërisë dhe Greqisë, për caktimin e kufirit detar, janë rihapur sërish gjatë një darke pune mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut grek, Qirjakos Micotaqis. Takimi vjen pas një vizite që Rama bëri në rezidencën e presidentit turk, Erdogan, ndërsa Turqia dhe Greqia po përjetojnë momente konflikti ushtarak për ujërat detare që lidhin dy vendet. Detaje nga takimi prej dy orësh Rama-Micotaqis, 65 kilometra larg Athinës.
Një konflikt mes Greqisë dhe Turqisë për zonat ekskluzive ekonomike në detin Egje e ka vendosur Shqipërinë në qendër të vëmendjes së rajonit, pasi Greqia kërkoi rihapjen e bisedimeve për kufirin detar. Këto bisedime ishin drejt fininishit dy vite më parë, por mbetën pezull dhe grupi negociator mes dy palëve që nga ajo periudhë nuk avancoi më tej.
Çështja është rikthyer, por më shumë se një “imponim” nga Greqia, e cila kërkon të kryhet sa më parë delimitimi i detit me Shqipërinë, çështjet që mbeten pezull nga të dyja vendet janë edhe më shumë se kaq. Në takimin prej 2 orësh mes kryeministrit Edi Rama dhe Qirjakos Micotaqis të mbajtur mbrëmjen e djeshme mësohet se janë dikutuar marrëdhëniet mes vendeve, por edhe një frymë mirëkuptimi për të vijuar më tej me avancimin e diskutimeve të dy viteve më parë. “Mendoj se të dyja palët duan dhe kanë qëllime të mira për të rinisur dialogun e lënë përgjysmë dy vite më parë.
Krahas çështjes së detit do të diskutohet edhe ligji i luftës dhe probleme të tjera, me karakter bashkëpunimi mes dy vendeve, por duke përjashtuar “çështjen çame”, pasi nuk është pranuar për diskutim më parë nga pala greke”. Kështu shprehet në një reagim për gazetën “Fjala” gazetari shqiptar që jeton në Greqi, Robert Goro.
Sipas tij, takimi i djeshëm mes Ramës dhe Micotaqisit është një shenjë se përfaqësuesit e lartë politikë të të dyja vendeve e kanë kuptuar se janë të vonuar për ta mbyllur pozitivisht një kapitull mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke gjetur zgjidhjen më të mirë. “Ajo që do të dalë nga takimi, është fryma dhe vullneti i mirë për t’i vijuar negociatat në një paketë të plotë, jo duke veçuar vetëm çështjen e detit.” – shtoi Goro.
Megjithatë, sërish vendi ynë është vendosur mes dy zjarresh, ndërsa kryeministri Edi Rama po synon të ruajë marrëdhëniet diplomatike me të dyja palët, Greqi dhe Turqi, që sot janë në zgrip të një konflikti të armatosur. Vetëm dy ditë pas një vizite në rezidencën verore të presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan, që ngjante shumë familjare në fotot e postuara nga vetë Rama, ai është ulur për një darkë pune me homologun grek, Qirjakos Micotaqis, në Athinë. Takimi zgjati një orë e gjysmë dhe, sipas mediave greke është zhvilluar në një ambient rreth 65 kilometra larg Athinës, dhe konsiderohet një “darkë pune” mes dy kryeministrave, Edi Rama dhe Qirjakos Micotaqis.
Kreu i qeverisë shqiptare ndodhet në kryeqytetin grek për të marrë pjesë në konferencën e përvitshme, të organizuar nga qeveria greke dhe revista The Economist. Por pas këtij “sebepi takimi” duket se ka një dakordësi për nisjen e bisedimeve për çështjen e ndarjes së detit mes dy vendeve. Të parat që lajmëruan këtë objekt kryesor të bisdës ishin mediat greke, që nuk hezituan të dalin me tituj të dukshëm: Takimi mes Ramës dhe Micotaqisit si hapi i parë drejt rinisjes së negociatave.
Takimi i djeshëm me kryeministrin Micotaqis, vjen në një moment kur Greqia ka deklaruar se synon t’i zgjerojë ujërat e saj territoriale në detin Jon deri në 12 milje. Edhe pse e drejta për t’u zgjeruar me 12 milje njihet nga konventa ndërkombëtare e detit, të dy kryeministrat mendohet se kanë folur për rihapjen e bisedimeve, pasi duhet një marrëveshje mes dy vendeve për përcaktimin e kufirit detar, për shkak se largësia detare mes tyre është më e vogël se 24 milje.
Vendimi i Greqisë për t’i zgjeruar ujërat e saj territoriale, që deri më tani arrijnë 6 milje, i ka rihapur debatet e vjetra mbi një marrëvveshje mes Greqisë dhe Shqipërisë për përcaktimin e kufijve detarë dhe zonave ekonomike ekskluzive. Një marrëveshje e firmosur nga ish-kryeministri Sali Berisha në vitin 2009, u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese në Tiranë, ndërsa një marrëveshje që po shkonte drejt finalizimit nga qeveria e Ramës u pezullua në vitin 2018, ku u aludua për shkak të ndërhyrjes së Turqisë.
Bisedimet nisin aty ku u ndërprenë
Prej disa javësh opinioni publik në Athinë dhe në Tiranë vlon nga deklaratat dhe parashikimet se çfarë do të ndodhë me negociatat e reja shqiptaro-greke. Nuk kanë munguar as qëndrimet nacionaliste, pasi çështjet e kufijve me fqinjët marrin një rëndësi të veçantë, sidomos në rajonin e Ballkanit, të mbingarkuar me historinë e gjatë të konflikteve.
Kryeministri Rama u mundua ta trajtonte si një çështje teknike, duke thënë fillimisht se shtrirja e kufirit detar është një e drejtë që Greqisë i njihet nga konventat ndërkombëtare, duke saktësuar se ajo nuk ka lidhje me përcaktimin e kufirit detar mes dy vendeve.
Më tej Rama ka deklaruar se bisedimet për çështjen e detit janë ndërprerë, pas ardhjes në pushtet të qeverisë së kryeministrit Micotaqis. Një gjë të tillë e konfirmoi pak ditë më parë dhe vetë kreu i qeverisë greke, ndërsa njoftoi se çështja e detit do të jetë temë e bisedimeve të darkës së punës mes tij dhe Ramës.
Por, para se të shkonte në darkën greke, kreu i qeverisë shqiptare u mirëprit në fundjavë në Turqi nga presidenti turk Erdogan, vendi i të cilit është përfshirë në një përplasje të hapur me Greqinë, pikërisht për ujërat detare që dy vendet ndajnë me njëri tjetrin. Nuk dihet se çfarë qëndrimi ka mbajtur Erdogani për rihapjen e bisedimeve mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe a ka tentuar ai të ndikojë në këtë marrëdhënie mes dy fqinjëve.
Në Athinë po flitet për një pakt mes dy kryeministrave, por qeveria dhe kryeministri Edi Rama e kanë mohuar ekzistencën e një marrëveshjeje të re. Qeveria shqiptare ka mbajtur një qëndrim zyrtar në raport me çështjen, duke u shprehur se Greqia ka të drejtën e vet për t’u zgjeruar me 12 milje hapësirë detare, të drejtë të cilën Shqipëria e ka ushtruar në vitin 1990. Në ditën e dytë të qëndrimit në Greqi, kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në forumin ekonomik për Ballkanin Perëndimor, ku folës do të jenë edhe dy kryeministra të tjerë të Ballkanit, ai maqedonas Zoran Zaev, dhe bullgari Bojko Borisov.
Perceptimi grek për takimin
Në Athinë pritshmëria është e lartë për një marrëveshje që do të lindë gjatë këtij takimi dhe do të ravijëzohet në detaje në javët në vijim. Mediat greke raportojnë se pritet të hidhen themelet për marrëveshjen e re të detit. Qeveria greke po shpejton procedurat për një marrëveshje për përcaktimin e zonës ekskluzive ekonomike me Shqipërinë, duke vazhduar kundërsulmin diplomatik që ka çuar tashmë në krijimin e zonave detare të Greqisë me Italinë dhe Egjiptin.
Media greke “Tovima.gr” shkruan se ministri i Jashtëm, Nikos Dendias, së shpejti do të vizitojë Tiranën për bisedime, por ende nuk është caktuar ndonjë datë. “Kanalet me qeverinë shqiptare, megjithatë, janë të hapura dhe ka shumë të ngjarë që vizita në Tiranë që do të lançojë zhvillimet, do të nisë me kthimin e Nikos Dendias nga Nju-Jorku, ku të premten ai është planifikuar të takohet me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.
Por, sipas Shpëtim Zinxhirisë, gazetar shqiptar që jeton në Athinë, bisedimet vijojnë të jenë të vështira që prej vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi paktin e parë detar. “Anulimi i caktimit të kufirit detar më 2009, e ka ndërlikuar situatën mes dy vendeve Greqi-Shqipëri, të cilat, nga ana e tyre, nëpërmjet nënkryetarit të qeverisë Evangjelios Venizellos, kanë ftuar në Athinë kryeministrin e porsazgjedhur Edi Rama, para se ky të marrë drejtimin e qeverisë. Gjate kësaj kohe ka pasur marrëdhënie të ngrira midis politikanëve shqiptarë gjatë vizitave të tyre në Greqi.
E themi këtë se nuk janë më ato marrëdhënie që kemi parë më parë ndërmjet PASOK-ut dhe Partisë Socialiste. Një ngrirje që erdhi menjëherë pas kërkesës së PS-së në Gjykatën Kushtetuese për anulimin e marrëveshjes të kufirit detar.
Por, nga ana tjetër, edhe Turqia nuk e pa me sy të mirë marrëveshjen e kufirit detar mes Greqisë dhe Shqipërisë. Kjo pasi turqit kanë vetë probleme me Greqinë dhe nuk luajnë nga vendimet e tyre, edhe pse në mes tyre janë bërë 74 takime speciale lidhur me këtë problem.” – shkruan ai. Pavarësisht konfliktit me Turqinë, Greqia po arrin ndërkohë të zgjidhë me marrëveshje çështjen e detit me të gjitha vendet e tjera, ndër të cilat synon të jetë edhe vendi ynë.
Në debatin e fundit në Parlament mbi ratifikimin e marrëveshjeve për zonat detare me Italinë dhe Egjiptin, kryeministri dhe ministri i Jashtëm grek informuan delegacionin kombëtar se plani i Athinës është të rinisë bisedimet me qeverinë shqiptare për një zgjidhje përfundimtare: shënjimi në pritje i zonave detare.
Nikos Dendias kishte pasur një bisedë telefonike me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, me të cilin u ra dakord për të përsëritur ‘bisedimet së shpejti, pas zgjerimit të ujërave territoriale greke në Jon, për të zgjidhur çështjen e zonave tona detare me Shqipërinë’, tregues i klimës që po formohet dhe reagimi pozitiv i ministrit të Jashtëm shqiptar ndaj njoftimit paraprak të Qirjakoss Micotaqisit për shtrirjen e ujërave territoriale në Jon nga 6 në 12 milje”, shkruan Tovima.
Mediat greke shkruajnë gjithashtu se bisedimet me Tiranën do të nisnin që në muajin gusht, por u vunuan për shkk të përparësisë që mori kriza me Turqinë dhe marrëveshjet me Italinë dhe Egjiptin. Megjithatë, qëllimi i qeverisë greke nuk është të vonojë dialogun me Shqipërinë për çështjen e zonave ekskluzive ekonomike në ujërat detare, por të arrijë sa më shpejt një marrëveshje për këtë gjë.
Pak ditë më parë në parlamentin grek, gjatë seancës së ratifikimit të marrëveshjeve detare të Greqisë me Italinë dhe Egjiptin, media ka raportuar për një deklaratë të kryeministrit të Greqisë z. Micotaqis, sipas së cilës ai ka komunikuar qëndrimin e qeverisë greke lidhur me vendimin për zgjerimin e ujërave territoriale të Greqisë me 12 milje detare.
Konflikti i brendshëm
Rinisja e bisedimeve me Greqinë është shoqëruar me rritjen e tensioneve të brendshme politike dhe konfliktin politik edhe mes institucioneve kryesore të vendit. Ndërsa opozita kërkon transparencë për bisedimet me palën greke, presidenti Ilir Meta, me anë të një letre dërguar kryemnistrit Edi Rama, kërkon prej tij që ta trajtojë çështjen si një çështje me rëndësi të jashtëzakonshme kombëtare, shtetërore, gjeostrategjike dhe ekonomike.
Ai i kërkoi Ramës informacion mbi “komunikimin që keni zhvilluar me kryeministrin e Greqisë dhe/ose me zyrtarë të lartë të Greqisë mbi këtë çështje; qëndrimin zyrtar të qeverisë shqiptare ndaj një vendimi të tillë dhe pasojave, përfshirë edhe ato ndërkombëtare; si dhe veprimet që planifikohen të ndërmerren nga qeveria shqiptare ndaj pasojave që mund të vijnë prej një akti të tillë të njëanshëm të Greqisë”.
Por Rama në një përgjigje publike, bëri ironi me Metën, por pranoi se po punohej për një marrëveshje me Greqinë. ““Deklaratat e kryeministrit grek për zgjerimin e ujërave të Greqisë nuk kanë lidhje me ujërat tona dhe me marrëveshjen për të cilën po punojmë dhe nuk e kemi arritur akoma me palën greke, nuk ka lidhje me asgjë nga ato që janë thënë në mënyrë të qëllimshme.
Shtrirja në 12 milje është një e drejtë e çdo vendi, Shqipëria e ka ushtruar, ne jemi shtrirë në ujërat tona me 12 milje që në vitin 1990. Mes ujërave territoriale ka ujëra ndërkombëtare, njëlloj siç ka rrugë mes vendbanimeve dhe shteteve për të kaluar, ka edhe rrugë për të kaluar në det që janë të përbashkëta dhe marrja nga kjo rrugë e përbashkët në mënyrë simetrike të përcaktuar nga konventa, është e drejtë e cdo shteti.” – u shpreh ai. Rama theksoi se hartat që dalin janë spekulime që nuk kanë lidhje me realitetin dhe se një marrëveshje ndërshtetërore nuk bëhet dot fshehurazi./Jo.Be/Fjala.al