Nga Ina Allkanjari
Teksa universitetet pritet të hapin dyert në muajin nëntor për të mirëpritur mijëra studentë, ende nuk ka një udhëzim nga Ministria e Arsimit rreth protokolleve që do të zbatohen. Në një intervistë për gazetën “Fjala”, rektori i Universitetit të Tiranës, prof. Artan Hoxha, dhe zëvendësdekani i Fakultetit Ekonomik, Alban Korbi, tregojnë masat e marra deri më tani për mbarvajtjen e procesit mësimor. Hoxha sqaron se këtë vit mësimi pritet të jetë me turne, ndërsa do të ketë një kombinim mes mësimit fizik dhe atij on line.
Universitetet pritet të hapin dyert për mijëra studentë në fillim të muajit nëntor. Pandemia COVID-19 goditi sistemin arsimor në mbarë vendin, ku viti akademik që lamë pas, prej muajit mars kur u evidentua rasti i parë me virus, u zhvillua on line. Studentë, pedagogë dhe figura të ndryshme në vend, nuk e përqafuan këtë formë mësimi online, duke u shprehur se pati ndikim në formimin e studetëve, sidomos të atyre të familjeve të shtresave të varfra, të cilët praktikisht nuk kishin mundësi mësimi on line.
Në një intervistë për gazetën “Fjala”, rektori i Universitetit të Tiranës, prof. Artan Hoxha, shprehet se viti i ri akademik pritet të nisë në fillim të muajit nëntor, ndërsa aktualisht studentët po përmbyllin konsultat dhe provimet për vitin që lamë pas. Hoxha deklaron se ende janë duke diskutuar me strukturat përkatëse për koordinimin, ndërsa të gjitha fakultetet po bëjnë një planifikim paraprak se sa orë mësimi do të zhvillohen nëpër auditorë dhe sa orë mësimore do të zhvillohen on line.
Rektori i UT-së thekson se ende nuk ka një vendimmarrje përfundimtare se si do të zhvillohet mësimi, pasi gjithçka varet nga përhapja e virusit në vend, nëse situata do të normalizohet, apo nëse do të kemi një shtim të rasteve me Covid.
Më tej Hoxha shprehet se deri më tani Universiteti i Tiranës ka ndjekur udhëzimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shëndetësisë për zbatimin e protokolleve anti-Covid, që konsistojnë në sigurimin e distancës fizike, mbajtjen e maskave, përdorimin e dezinfektantëve, një udhëzim i cili nisi të zbatohej në momentin kur studentët që do të diplomoheshin, u rikthyen për konsulta dhe provime në muajin qershor. Ndërkohë, për sa i përket një udhëzimi për vitin e ri akademik, drejtuesit e rinj të universiteteve publike ende janë në pritje të protokolleve përkatëse.
Kur pritet të nisë viti i ri akademik në Universitetin e Tiranës dhe a dispononi një udhëzim rreth protokolleve që do të zbatohen?
Viti i ri akademik në universitetet e vendit pritet të nisë në fillim të muajit nëntor. Në situatën që ndodhemi sot, kur virusi është ende në qarkullim, ne jemi duke diskutuar me strukturat tona se si do të bëhet koordinimi.
Kanë marrë detyra të gjitha fakultetet që të bëjnë një planifikim paraprak se sa orë mësimi do të zhvillohen në auditorë dhe sa orë mësimore do të zhvillohen on line. Ndërkohë po përgatisim një platformë të përbashët për të gjithë Universitetin e Tiranës. Pra, jo më me platforma individuale, në mënyrë që të jetë e lehtë për komunikim dhe të ketë më shumë informacione ndihmuese e orientuese për studentët dhe për predagogët.
Si mendohet të zhvillohen orët mësimore, a është përgatitur një plan konkret?
Në nëntor fillon viti i ri akademik, që do të thotë se do të ketë shumë më tepër studentë se ç’kemi sot, sepse sot i përballojmë. Por kur të fillojë mësimi në tërësi, atëherë studentët do të jenë më të shumtë në numër, në krahasim me ata që ndjekin sot konsultimet .
Për fillimin e vitit të ri akademik, kemi planet dhe masat, strategjitë tona se si do të zhvillohet, sepse numri i studentëve do të jetë i plotë. Pra duhen marrë masa shtesë. Po presim nëse do të kemi orientime nga strukturat qeveritare, për zhvillimin e sëmundjes apo lehtësimin e situatës. Besoj se do të jetë një konfigurim i përgjithshëm, por pavarësisht të gjithave, ne po marrim masa në varësi të situatës ku ndodhemi aktualisht.
Mendoni se mund të kemi një rikthim në mësimin on line dhe a janë marrë masat e duhura që të jetë efektiv?
Vendimmarrja do të realizohet në ecuri e sipër, sepse duhet të konstatohet situata në vend, nëse do të ulet numri i të prekurve me COVID-19, apo nëse do të kemi rritje. Por, paraprakisht, është menduar që aty ku ka masivizim, ku ka shumë studentë, sikurse janë leksionet, mësimi mund të zhvillohet on line, ose studentët mund të ndahen në shumë grupe.
Kjo gjë kërkon hapësira më tepër, kurse seminaret dhe praktikat mësimore do të bëhen në auditorë dhe në laboratorë. Por një vendimmarrje përfundimtare se si do të zhvillohen orët mësimore ende nuk ka, sepse ne jemi në ndjekje të situatës epidemiologjike në vend dhe po eksplorojmë mundësitë më të mira që mësimi të jetë sa më afër studentit, por edhe të jemi sa më të mbrojtur nga COVID-19.
Muaji tetor, periudha kur duhej të niste viti i ri akademik, është rezervuar për dhënien e provimeve të vitit të shkuar akademik. A është bërë i mundur respektimi i masave anti-Covid në UT, gjatë kësaj periudhe?
Ne aktualisht po zhvillojmë procese konsultimesh, sikurse janë zhvilluar edhe përpara pushimeve. Është e njëjta metodologji, janë të njëjtat rregulla, të cilat nuk kanë ndryshuar.
Edhe protokolli i Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Shëndetësisë, edhe vendimmarrjet e fakulteteve, dekanateve, pra ne sot punojmë me rregullat e përcaktuara paraprakisht për konsultimet dhe provimet, për përfundimin e vitit akademik aktual. Sot po zhvillojmë konsultime me studentë të cilët nuk kanë mundur t’i ndjekin on line mësimet në përfundim të vitit akademik që lamë pas.
Pra, jemi në fazën që studentët bëjnë konsulta dhe mbyllin provimet për vitin 2019-2020. Gjithçka është e planifikuar deri në fund të muajit tetor. Deri më tani kemi ndjekur udhëzimin e Ministrisë së Arsimit dhe të Shëndetësisë për zbatimin e protokolleve anti-Covid, që konsistojnë në sigurimin e distancës fizike, mbajtjen e maskave, përdorimin e dezinfektantëve etj. Çdo strukturë e universitetit ka marrë masa, dhe kjo gjë është zbatuar që në momentin kur filloi të përhapej Covid-i. Fillimisht u zbatua për studentët që përfunduan ciklin e studimeve
bachelor ose master, dhe tani po zbatohet me studentët që janë në vitet e ndërmjetme, pra viti i parë dhe i dytë bachelor dhe viti i parë master./Jo.Be/Fjala.al