90 minutat e kohës së rregullt mes Bayern Munich dhe Sevilla janë mbyllur në barazim 1-1. Sfida mes tyre është e denjë për të qenë një finale e Superkupës së Europës, ku nuk ka munguar loja dinamike, golat dhe rastet e njëpasnjëshme për gol nga të dyja skuadrat. Bavarezët janë favoritët për të triumfuar në këtë përballje por nëse ka një skuadër që ka surprizuar gjithmonë në mbrëmjet europiane, ajo është Sevilla.
Andaluzianët befasuan Kampionët e Europës në minutën e 13’ ku Oscampos realizoi golin e avantazhit falë penalltisë së shkaktuar nga Alaba. Rreth 20 minuta më vonë erdhi kundërpërgjigjia e skuadrës së Flick, ku pas një aksioni model mes Muller dhe Lewandowski, Goretzka tundi rrjetën duke rikthyer barazpeshën. Megjithatë pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat dhe po kështu edhe e dyta. Bayern kaloi në avantazh në minutën e 51’ por Sistemi VAR e konsideroi të parregullt golin e Lewandowskit.
Vlen të theksohet forma shumë e mirë e portierit të Sevillas, i cili i ka mohuar disa herë golin bavarezëve. Koha e rregullt u mbyll në barazim dhe tani u takon minutave shtesë, ndoshta edhe penalltive, të vendosin fituesin e Superkupës.
Pa.Va/Fjala.al