Tre persona janë arrestuar në flagrancë dhe tre të tjerë janë shpallur në kërkim në Durrës për vepra të ndryshme penale.
Burimet zyrtare bëjnë me dije se është arrestuar në flagrancë Edmond Koçi, 42-vjeç banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj këtij shtetasi në çantën e dorës, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës material një armë zjarri pistoletë ‘Lugar’.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë arrestuan në flagrancë shtetasin Sadik Leka, 58 vjeç, si dhe u shpallën në kërkim policor djemtë e tij, shtetasit T. (E.) L., 35 vjeç, D.(Y.) L., 37 vjeç dhe E. L., 26 vjeç, banues në Thumanë. Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Sadik Leka, në një magazinë të cilën e kishte përshtatur me llamba për kultivim të bimëve narkotike, u konstatuan kubikë të kultivuar me fara të dyshuara cannabis sativa, 1 kallashnikov, municion luftarak, 1 armë gjahu dhe një sasi e vogël lënde narkotike.
Nga specialistët për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve u arrestua në flagrancë shtetasi Petrit Lazeri, 34 vjeç, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit në mjetin me të cilin po lëvizte (të cilin e kishte marrë me qira), iu gjetën 2 palë çelësa mjetesh, ku njëri prej tyre i përkiste një mjeti të vjedhur, i cili rezultoi se ishte i vjedhur në Lushnjë më datë 09.09.2020 dhe u gjend i parkuar në afërsi të banesës së këtij shtetasi. Gjithashtu gjatë kontrollit në banesë iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale rreth 1 kg lëndë narkotike cannabis sativa.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.