Veteranet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë reaguar rreth arrestimeve të fundit nga Gjykata Speciale. Ata theksojnë se veprimet e tilla nuk mund të njollosin kurrsesi përpjekjet heroike të bëra nga djemtë dhe vajzat e Kosovës, të cilët sakrifikuan gjithçka për lirinë dhe pavarësinë.
“Ne ju themi këtyre gjykatave, se me padrejtësi të tilla, kurrë dhe asnjëherë nuk mund ta përdhosin luftën tonë të drejtë për liri, kurrë dhe asnjëherë nuk mund t’i njollosin ata që bënë luftë Çlirimtare dhe i sollën lirinë këtij populli”, theksojnë në reagimet.
Veteranet kanë dënuar arrestimin e kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe nënkryetarit të saj, Nasim Haradinaj.
“Ne veteranet( femra )të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të indinjuara nga ngjarjet e fundit ,që ndodhën në zyrat e shoqatave të dala nga Lufta e fundit në Kosovë, si dhe nga forma e veprimit dhe arrestimit që iu bë luftëtarëve të lirisë si dhe dy udhëheqësve të kësaj shoqate, z.Hysni Gucati dhe z.Nasim Haradinaj, ngremë zërin kundër veprimeve dhe arrestimeve të tilla, nga kushdo qofshin bërë ato”, thuhet në reagim.
Ato shprehen se shqiptarët e Kosovës nuk kanë bërë asnjë mëkat, por thjesht luftuar në të drejtën e tyre legjitime kundër një regjimi barbar, që synonte asimilimin e tyre.
“Ne populli i Kosovës u jemi mirënjohës përjetë SHBA-ve dhe atyre vendeve Europiane, që ndihmuan që ky popull njëherë e përgjithmonë të çlirohet nga barbaria serbe dhe ta gëzojë lirinë.
Gjithçka që pamë në media ishte çdo gjë tjetër vetëm drejtësi jo! Andaj e kemi theksuar dhe po e theksojmë prapë se na bijtë dhe bijat e këtij populli ,nuk kemi bërë asnjë mëkat ,për t’i larë ato nga një gjykatë në tjetrën ,kur t’i teket dhe sa herë t’i teket dikujt për qëllime të tyre politike.
Mëkati ynë i vetëm është që kemi rrokur armët për t’u çliruar nga një regjim barabar pikë”, thuhet në reagimin e tyre.