Dy skuadrat e qytetit, Mançester Junajtid dhe Mançester Siti, korrin fitore identike, 3-0. Pasi ka njohur të martën çerekfinalisten e parë të saj, Totenhemin, që eliminoi pas goditjes së 11-metërshve, Kupa e Ligës Angleze ka vijuar të mërkurën takimet e turit të saj të 16-shes, dhe Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt dhe njëkohësisht ndeshjet e dy ekipeve të Mançesterit.
Kështu, në kanalin RTSH 2 ka ardhur më herët takimi midis Mançester Sitit dhe Bërnlit. Skuadra e trajnerit Pep Guardiola e ka mbyllur me një epërsi minimale pjesën e parë, pas golit të realizuar nga Rahim Stërling. Ndonëse rrezikoi të gjente edhe një gol tjetër në fund të 45 minutave të para, Mançester Siti e ka bërë këtë në fillimin e atyre të dytave, kur Stërling nënshkruan dygolëshin e tij personal në këtë takim.
Ferran Torres do të gjejë edhe golin e 3-të të Mançester Sitit në minutën e 65-të, duke vulosur fitoren dhe kualifikimin e skuadrës të tij për në çerekfinale. Në çerekfinale do të jetë edhe skuadra tjetër e qytetit, Mançester Junajtid, e cila ka fituar me shifrat 3-0 në fushën e Brajton dhe Hauv Albionit, në takimin e transmetuar drejtpërdrejt në kanalin RTSH Sport.
Skuadra mike, e drejtuar nga trajneri Ole Gunar Solksjar e ka gjetur golin e parë vetëm në fundin e pjesës së parë, me anë të Skot MekTominej. Në pjesën e dytë, “Djajtë e kuq” do të gjejnë edhe dy gola të tjerë, fillimisht me Huan Matën, që realizon në minutën e 73-të. Fitorja e Mançester Junajtid dhe bashkë me të edhe vendi në çerekfinale të Kupës së rregullt u vulos 10 minuta para fundit të kohës së rregullt, me një goditje të lirë të ekzekutuar mjeshtërisht nga Pol Pogba.