Ndonëse prej disa muajsh tashmë virusi COVID-19 paraqitet me shkallë të lartë rrezikshmërie për jetën, duke u shoqëruar me raste të shumta fataliteti, shoqëria shqiptare ende nuk po adaptohet me ndryshimet dhe kufizimit për të parandaluar përhapjen e tij. Në një intervistë për gazetën “Fjala”, sociologu Gëzim Tushi analizon ndikimet e koronavirusit në shoqëri dhe vështirësinë e qytetarëve për t’u përshtatur me një mënyrë të re jetese.
Nga Ina Allkanjari
“Mendjelehtësia, kokëfortësia për të ngulur këmbë në modulet e vjetra të ndërtimit të jetës sociale është e gabuar, është në kundërshtim me parimet e shëndetit, dhe është e dëmshme për shëndetin individual e për shëndetin publik të shoqërisë”. Kështu u shpreh në një intervistë për gazetën “Fjala”, sociologu Gezim Tushi, teksa analizon ndikimet e COVID-19 në shoqërinë shqiptare dhe vështirësinë e qytetarëve për t’u përshtatur me një mënyrë të re jetese. Sipas tij, shoqëria shqiptare është një shoqëri ballkanike dhe reflekton qëndrueshmëri, rezistencë ndaj ndryshimit.
“Ne lëvizim me ngadalë, ndryshojmë ngadalë, adaptohemi ngadalë, i pranojmë gjërat me rezistencë dhe kjo ka bërë që në një farë mënyre në jetën e përditshme akoma ka shfaqje të caktuara të sjelljes të pakujdesshme”, shprehet Tushi. Sipas sociologut, mbi parimet e shëndetit asgjë nuk mund të ekzistojë, ndaj shoqëria shqiptare do të detyrohet të adaptohet me ndryshimet, ndonëse më ngadalë. Më tej Tushi ndalet te largimet nga vendi, ndonëse në kohë pandemie, sipas tij tendeca e emigrimit vijon të jetë prezente në Shqipëri me shifra të larta. Sociologu shprehet se kohët e fundit, për fat të keq, emigracioni është përqendruar në dy grupe kryesore, siç janë intelektualët, specialistët, ekspertët dhe të rinjtë, dhe kjo është fatale për vendin.
Si ka ndikuar COVID-19 në shoqërinë shqiptare?
Pa diskutim që pandemia COVID-19 ka qenë një ngjarje e papritur me pasoja polivalente në shoqërinë shqiptare, jo vetëm në aspektin mjekësor, por edhe në aspektin social, si dhe në ndikimet e shumanshme që ka pasur në jetën e përgjithshme shoqërore. Ka pasur dhe ka efekte që kanë filluar me frikën, me panikun, me pasiguritë për shkak se ky virus është i rrezikshëm, vdekjeprurës, inteligjent, i paparashikueshëm dhe është shumë e vështirë të mbrohesh prej tij. Në këtë kontekst, shoqëria shqiptare po kalon në ankth dhe pasiguri, për arsye se ende nuk është dominuar si virus dhe njerëzit nuk janë të sigurt se cila do të jetë e tashmja dhe e ardhmja e tyre.
Në këto rrethana kanë ndryshuar shumë gjëra në jetën e përditshme të shoqërisë, sikurse janë disa determinantë të rëndësishëm të ndryshimit të jetës sociale që ka të bëjë që nga marrëdhëniet në familje dhe në shtëpi, e cila në këto kohë të pandemisë ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm, pra nga një institucion i jetës private që ka qenë dikur u bë një institucion i cili mori përsipër të luante dhe role të tjera. Pra, duke u kthyer edhe në qendër pune, edhe në qendër të mbrojtjes së shëndetit, edhe në qendër arsimore, për arsye sepse ndalimi ose kufizimi i dha një peshë më të madhe shtëpisë dhe familjes, për të kryer disa detyra dhe për të luajtur disa role, të cilat nuk mund të luheshin në institucionet publike. Ndërkaq, duhet pranuar që bunkerizimi social, po vazhdon tashmë me nevojat e ruajtjes së distancës sociale dhe kjo ka të bëjë me një ndryshim të rëndësishëm të sistemit të vlerave dhe të mënyrës së sjelljes.
A ka ndryshuar sjellja e qytetarëve që prej fillimit të pandemisë në vend, deri më sot?
Shoqëria shqiptare është një shoqëri tradicionale, zakonore, vjen nga një shoqëri paternaliste. Përveç efekteve të modernitetit, të ndryshimeve që ka sjellë jeta moderne dhe postmoderne, tani jemi të detyruar të konvertohemi akoma më shumë, për shkak të disa ndikimeve po determinante të COVID-19, ku kërkohet që të rishikojmë të tërë sistemin e vlerave, mënyrën e sjelljes, sistemin e zakoneve tona, të cilat kanë vlerë të rëndësishme në jetën e një populli. Nuk ka popull që nuk ka zakonet e tij, mirëpo rishikimi i zakoneve, ridimensionimi i tyre është i domosdoshëm në emër të parimeve të shëndetit. Pra, kjo do të thotë që ne si shoqëri kemi filluar të mendojmë dhe të ndryshojmë pozitivisht disa zakone, disa marrëdhënie sociale dhe supersociale, disa forma të organizimeve publike, të jetës politike dhe private, të festave të gëzimeve dhe të hidhërimeve, për t’i sjellë ato në kornizat e kohës dhe në përputhje me parimet e shëndetit.
Natyrisht, shumë gjëra kanë fiilluar të ndryshojnë dhe njerëzit po bëhen të ndërgjegjshëm nga “dhuna”, nga detyrimi dhe determinimi i situatës së COVID-19. Unë gjithmonë kam thënë që kjo periudha postcovid do të sjellë një situatë në jetën shoqërore ku asgjë nuk do të jetë më në mënyrë precize, sikurse ka qenë më parë. Shumë gjëra do të ndryshojnë, unë besoj që ndryshimi do të jetë për mirë. Mbase do të shtohen më shumë tendencat e tjetërsimit, të individualizmit, të vetmisë, të asocialitetit por këto janë në përputhje me parimet e shëndetit. Njerëzit do të vazhdojnë të jetojnë, të kenë lidhje sociale, dashurore, miqësore, por gjithmonë brenda kornizës së këtyre parimeve. Pasi mbi parimet e shëndetit asgjë nuk mund të ekzistojë. Unë mendoj se mendjelehtësia, kokëfortësia për të ngulur këmbë në modulet e vjetra të ndërtimit të jetës sociale është i gabuar, është në kundërshtim me parimet e shëndetit, dhe është i dëmshëm për shëndetin individual dhe për shëndetin publik të shoqërisë.
Sa e vështirë është për shoqërinë shqiptare të përshtatet me këto ndryshime?
Sot në botë ka filluar të ketë protesta nga të rinjtë, nga grupe të caktuara të cilat janë kundër distancimit social, kundër kësaj politike izolacioniste. Disa prej tyre janë shoqëruar edhe me legjenda urbane, duke menduar se është i vërtetë apo jo virusi. Mua më duket një lloj mendjelehtësie kjo gjë, për shkak se fakti që janë me mijëra të vdekur, që kanë humbur jetën nga virusi, do të thotë që duhet t’i lëmë legjendat urbane dhe teoritë e konspiracionit, sepse virusi është real. Mund të ketë implikacione, interferenca me interesa të caktuara politike apo ekstra politike, por kjo është një çështje që do ta thotë e ardhmja, ne sot për sot jemi të detyruar të reflektojmë ndryshimet.
Natyrisht, shoqëria shqiptare është një shoqëri ballkanike që ka një lloj inercie sociale, ka një lloj qëndrueshmërie, rezistence ndaj ndryshimit dhe kjo për shkak se ne nuk jemi ekuivalentë me shpejtësinë që sjellin turbolencat e postmodernitetit për të reflektuar ndaj nevojave të ndryshimit. Ne lëvizim me ngadalë, ndryshojmë ngadalë, adoptohemi ngadalë, i pranojmë gjërat me rezistencë dhe kjo ka bërë që në një farë mënyre në jetën e përditshme akoma ka shfaqje të caktuara të sjelljes së pakujdesshme. Unë mendoj se është e nevojshme që në këtë drejtim të ndikojnë shumë institucionet e jetës publike, sepse COVID-19 po sjell një lloj “revolucioni” edhe në institucionet e rëndësishme dhe në marrdhëniet me institucionet publike. P.sh. ne kemi filluar të mësojmë të punojmë nga shtëpia në kushtet kur një sektor i caktuar preket nga virusi. Ne kemi filluar të ndryshojmë parimet e vjetra pedagogjike të marrëdhënieve mësues-nxënës, hapësirat e ridimensionuara midis nxënësve.
Ne kemi filluar të ndryshojmë institucionet që kanë të bejnë me marrëdhëniet personale, me profesionet që quhen profesione të lëkurës njerëzore, sikurse është mjekësia. Pra jemi përballë një ndryshimi shumë të rëndësishëm konceptual, ndaj jam i bindur që në periudhën postcovid, kur virusi të kalojë, sepse unë kam besim të patundur që pandemitë që shoqërinë njerëzore kanë ardhur shumë, por gjithmonë njerëzimi ka triumfuar mbi to dhe kjo gjë do të ndodhë sërish. Por ndryshimet me shumë gjasë do të ndodhin. Shumë prej tyre do të bëhen të qëndrueshme dhe besoj se dhe shqiptarët do të binden për t’i zbatuar ato.
Prej vitesh tashmë mbetet një problem i vazhdueshëm, largimi i shqiptarëve nga vendi. Gjatë këtij viti si paraqitet kjo situatë?
Largimi i shqiptarëve në këto momente nga Shqipëria nuk besoj që është i lidhur në mënyrë determinante me praninë e virusit, sepse Covid-i është prezent në pothuajse të gjitha shtetet. Largimi i shqiptarëve nga Shqipëria lidhet me faktorë të tjerë të rëndësishëm. Ka shumë arsye që e ka bërë jetën në Shqipëri të vështirë, tranzicioni i zgjatur është një nga shkaqet kryesore, kemi 30 vjet që bëjmë sikur progresojmë dhe duket sikur kemi mbetur në vend. Kjo ka sjellë një dëshpërim, një pakënaqësi, një ndjenjë padurimi. Shqiptarët janë popull evropian, jo vetëm të rinjtë, por edhe njerëzit e moshës së mesme, dhe nuk mund t’i durojmë dot më këto nivele të korrupsionit që ka shoqëria shqiptare.
Nuk mund të durojmë dot më që sistemi i vlerave, i konkurrencës janë të deformuara, nuk janë të sakta. Pra, vendi ka ardhur në një situatë që duket sikur jeta këtu është e pajetueshme, ndaj mbetet e vetmja alternativë për t’u larguar. Ikja e njerëzve, ky largim është një emigracion i vonuar, në një farë mënyre është i pajustifikuar. Nëse në vitet ‘90 emigracioni ishte i justifikuar pas një periudhe 50-vjeçare të një izolacionizmi komunist, ushtarak, emigracioni i cili ishte gri nga pikëpamja demografike, u larguan të rinj, të moshuar, të persekutuar, ish të burgosur, ndërsa kohët e fundit, për fat të keq, emigracioni është i përqendruar në dy grupe kryesore. Siç janë intelektualët, specialistët, ekspertët dhe të rinjtë, dhe kjo është fatale.
Cilat do të jenë pasojat e këtij largimi në masë?
Ky emigracion do të japë dy pasoja të rëndësishme. E para, do të ndikojë negativisht në plakjen e popullsisë, në shndërrimin e shoqërisë shqiptare në shoqëri me flokë të bardhë dhe të thinjur, që do të thotë që pjesa demografike e të moshuarve do të vazhdojë të rritet, si rezultat i largimit të të rinjve. Së dyti, do të krijohen vakume ekzistenciale, profesionale shumë të frikshme, për arsye se në largimet e fundit, po ikin intelektualë të shquar, artisë, specialistë, mjekë, infermierë, inxhinierë që janë figura për të cilat është investuar jashtzakonisht shumë dhe për të cilat shoqëria shqiptare do të ketë shumë nevojë. Vakumet intelektuale krijohen, por nuk mbushen lehtë. /Ra.My.Fjala.al/