Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Athina, kanë bërë të mundur arrestimin e një shqiptari me rrezikshmëri të lartë shoqërore i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Pas informacioneve të grumbulluara për vendndodhjen e tij, u bë i mundur arrestimi në Greqi i shtetasit shqiptar Jorgo Leku i shpallur në kërkim për vrasjen e dy personave.
Shtetasi shqiptar Jorgo Leku, 41 vjeç lindur në Elbasan dhe banues në Gjirokastër është i njohur me 4 emra: Jorgo Leku, Olsi Leka, Giorgo Lekou dhe Jorgo Lekou.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan, më datë 12.06.2020 i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
41-vjeçari shqiptar në datë 15.08.2012, në lagjen “Çlirimi”, Elbasan, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka vrarë me armë zjarri shtetasin Aridan Meta alias Gentian Beqiri, i cili ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi” dhe të atin e tij Nezir Beqiri. /Ra.My.Fjala.al/