Pjesa më e madhe e qytetarëve kanë mbajtur maska edhe në ambientet e jashtme, si masë për vetëmbrojtje nga koronavirusi, por edhe nga frika e ndëshkimeve. Reagimet e kryeministrit Edi Rama dhe falënderimi për qytetarët.
Dita e djeshme ishte ndryshe në rrugët e Shqipërisë, ku u panë shumë qytetarë që “rikthyen” me detyrim maskën. Si ditë e parë në zbatim të vendimit të qeverisë për mbajtjen me detyrim edhe në ambientet e jashtme të maskës, pati vetëm disa këshillime nga ana e policisë dhe jo ndëshkime. Edhe pse vijon të jetë ende pa përgjigjje pyetja nëse maskat në zonat e hapura janë ose jo efektive në parandalimin e infektimit nga COVID-19, përsëri nga vëzhgimet e bëra në kryeqytet rezultoi se pjesa më e madhe e qytetarëve ishin me maska.
Në vendimin e marrë nga qeveria thuhet se gjobat për çdo qytetar që nuk mban maskë variojnë nga 3-5 mijë lekë të rinj dhe masa administrative do të lëshohet nga Policia e Shtetit dhe ajo Bashkiake. Kreu i qeverisë theksoi se “kjo është një betejë jashtëzakonisht e komplikuar, pavarësisht se disave nuk u pëlqen”. “Është një luftë e gjatë, e vështirë, luftë nervash që duhet ta përballojmë të gjithë së bashku. Për hir të së vërtetës, sjellja e shumicës dërrmuese të shqiptarëve ka qenë pozitive, mbresëlënëse”, theksoi ai.
Në fjalën e tij, gjatë prezantimit të platformës “Deputeti që duam”, Rama tha se “kam vënë re që mbajtja e maskave sot është 99% me një sy të parë”. Rama shpjegoi edhe faljen e gjobave të mëparshme. “Në faljen që bëmë, kemi vlerësuar edhe një fakt tjetër. Ata që nuk kishin paguar ende, apo ata që kishin ende makina të bllokuara, si rezultat i shkeljes së rregullave në atë kohë, meritonin një mirëkuptim”, tha ai. “Ju e dini që unë me gjobën nuk kam një raport shumë strikt.
Për mua në Shqipëri gjobat janë të ulëta, duhet të jenë më të larta, se gjoba nuk është taksë, është ndëshkim për një shkelje që ti e ke në dorë të mos e bësh. Gjobat që janë vënë janë amnistuar në një moment të caktuar, për të dhënë edhe një mesazh tjetër. Këtu nuk është çështja e frikës, e ndonjë dëshire apo nevoje që ne të fusim duart në arkën e familjeve dhe të marrim përmes gjobave para që hyjnë në shtëpi nga një punë që në këto kushte është edhe më e vështirë sesa është zakonisht”, shpjegoi kryeministri.
Kreu i qeverisë bëri të ditur se “i kam kërkuar Policisë së Shtetit, që të jetë shumë e vëmendshme dhe vëmendjen ta ketë duke filluar nga Parlamenti i Shqipërisë, nga institucionet qendrore”. Kryeministri tha se maskat do t’i mbajmë pak si gjatë, për shkak të dimrit, të rrezikut të shtuar që vjen nga përzierja e gripit të stinës.
Rama: Njerëzit maskën e vunë nga frika e gjobave
“Por në rastin e gjobave për shkeljen e rregullave në këtë situatë duhet ta shohim në mënyrë më komplekse. Unë besoj se kjo që ndodh sot është rezultat i efektit që kanë bërë edhe gjobat e vëna, pavarësisht se ne kemi zgjedhur që të jemi tolerantë me njerëzit. Nuk shikoj arsye se kush ka zbatuar rregullin duhet të ndihet keq, sepse dikush tjetër nuk është ndëshkuar deri në fund për moszbatim të rregullit”.
257 të infektuar nga COVID-19, numri më i lartë i regjistruar në vend
Kanë kapërcyer shifrat e COVID-19 në 24 orët e fundit në vendin tonë. Janë 257 raste të reja duke shënuar numrin më të lartë të regjistruar ndonjëherë. Ndërkohë 5 persona e kanë humbur jetën në spitalet Covid, duke e çuar numrin e viktimave në 439 që nga fillimi i pandemisë.
Në njoftimin e përditshëm të Ministrisë thuhet¸”Ju informojmë lidhur me situatën epidemiologjike në 24 orët e fundit të COVID-19 në Shqipëri: Janë kryer 1398 testime në 24 orët e fundit, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 257 qytetarë të prekur nga virusi SARS-COV2. Janë shëruar 102 qytetarë, duke e çuar në 9864 numrin e të shëruarve në vend që prej fillimit të epidemisë.
Rastet pozitive të konfirmuara në 24 orët e fundit janë identifikuar në këto bashki: 83 raste në Tiranë, 29 në Fier, 27 në Durrës, 20 në Shkodër, 14 në Korçë, 12 në Berat, 11 në Elbasan, 8 në Mirditë, 7 në Lushnjë, 6 në Tropojë, nga 4 raste në Lezhë, Librazhd, Kuçovë, 3 në Kukës, Kavajë nga 2 raste në Has, Vlorë, Gjirokastër, Pogradec, Ura-Vajgurore, Divjakë, nga 1 rast në Krujë, Devoll, Kamëz, Mat, Tepelenë, Dibër, Përrenjas, Roskovec, Memaliaj, Gramsh. Aktualisht në Spitalin Infektiv dhe në atë “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 249 pacientë, 21 në terapi intensive, nga të cilët 5 pacientë janë të intubuar. Në 24 orët e fundit, me gjithë përpjekjet e mjekëve, fatkeqësisht, e kanë humbur betejën me COVID-19, një 65-vjeçar nga Kavaja, një 75-vjeçar nga Elbasani dhe 3 qytetarë nga Tirana: një 70-vjeçare, një 71-vjeçar, një 77-vjeçare. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon qytetarët për ta mbajtur detyrimisht maskën edhe në ambientet e hapura jashtë shtëpisë, në mënyrë që të minimizohet përhapja e infeksionit./Jo.Be/Fjala.al