Nga Fernada Cenko
Ndërsa pritet që vaksina anti-Covid të futet masivisht mes janarit dhe marsit të vitit të ardhshëm, shtetet e Bashkimit Evropian kanë nisur që tani rezervimet për qytetarët e tyre. Komisioni Evropian përfshin në “plan” edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, por në një fazë të dytë, pasi të jenë plotësuar kërkesat e bllokut të vendeve që janë pjesë e BE-së.
Vaksina anti-COVID-19 është kthyer në “një humor të zi”. Secili ka një mendim të tijin konspirativ për pranimin e kësaj viroze si grip apo edhe si ‘lojë’ e përmasave politike globale. Nëse do të bëhet një sonadazh te qytetarët shqiptarë, çdokush prej tyre do të japë një mendim ndryshe, pasi rrjetet sociale, por edhe mediat japin nga një version ndryshe për këtë këtë virus.
Po ashtu, edhe statistikat në botë, por edhe në vendin tonë, apo edhe të dhënat që dalin nga institucionet e shëndetësisë që kundërshtohen nga qyetarët e prekur, janë për t’u analizuar. Është herët të flasësh se ku e ka kulmin piramida e ndërtuar për këtë pandemi. Megjithatë, kur masat merren në aspektin global, edhe Shqipëria do të jetë pjesë e zbatimit të tyre.
Tashmë është zyrtare që vaksina kundër COVID-19 do të hidhet në treg në fillim të vitit që vjen. Komisioni Evropian ka miratuar të enjten strategjinë për vaksinimin masiv në BE kundër COVID-19, në pritje të konfirmimit të vaksinave të para që do të marrin lejen e përdorimit nga autoritetet përkatëse. Me këtë strategji Komisioni Evropian dëshiron që të gjitha vendet anëtare të kenë koordinim në procesin e vaksinimit, që ai të jetë në të njëjtën kohë, të përfshijë grupet që do të kenë prioritet dhe të gjitha të kenë sasi të njëjta të vaksinave, sipas numrit të banorëve.
Komisioni Evropian tashmë ka nënshkruar kontrata për qindra miliona doza vaksinash me disa prodhues potencialë të vaksinës, në mënyrë që të sigurojë sasitë e duhura për të gjitha shtetet anëtare. Më pas, shtetet anëtare do të mund të porosisin sasi të vaksinave edhe për shtetet e treta, përfshirë edhe ato të Ballkanit Perëndimor.
Po Shqipëria që nuk është vend anëtar, si do ta ketë fatin? Evropa do të mendojë së pari për vendet anëtare dhe më pas për botën e tretë, edhe pse kjo e fundit është vizitore e këtyre vendeve. Në një pandemi, ku shqetësimi është i njëjtë, do të trajtohen fillimisht “qytetarët e privilegjuar”, që bëjnë pjesë në bllokun e BE-së dhe më pas shtetet e tjera.
Në deklaratën e dalë nga Komisioni Evropian thuhet shprehimisht se “Më pas, shtetet anëtare, do të mund të porosisin sasi të vaksinave edhe për shtetet e treta, përfshirë edhe ato të Ballkanit Perëndimor”, çka kuptohet se ende nuk dihet se ç’do të bëhet më vendin tonë dhe sa cilësore do të jetë ajo, pasi jemi mësuar që për shtetet e treta gjithmonë fuqia e reagimit të një ilaçi bie. Edhe këtë herë fati i qytetarëve tanë do të varet nga vendimet që do të merren në fillim brenda bllokut të BE-së dhe më pas për secalin shtet në veçanti. OBSH-ja (Organizata Botërore e Shëndetësisë), thotë se vaksina do të jetë gati në këta tre muaj, ndërsa Komisioni Evropian thotë se do të jetë gati në fillim të vitit që vjen.
Rama: Jemi gati të blejmë vaksinën
Në datë 25 gusht, kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me mjekët e Spitalit Infektiv, deklaroi se qeveria shqiptare ka bërë rezervim për vaksinën e COVID-19 kur ajo të dalë. “Kemi marrë masat për të rritur kapacitetet vaksinuese për të lehtësuar aspektin e gripit të stinës, sepse një trup më vulnerabël e merr goditjen më të fortë dhe është më i rrezikuar dhe vulnerabiliteti që krijon gripi i stinës e bën më të rrezikshëm edhe Covid-in.
Kemi vendosur një financim të konsiderueshëm plus për vaksinimin falas”, u shpreh Rama. Më tej ai komentoi pikërisht teoritë që publikohen, edhe pse shqiptarët i kanë lexuar edhe në faqe të mediave të huaja. “Është një histori më vete dhe do ta shohim në proces kur të dalë. Pa llogaritur edhe këta kompetentët e facebook-ut, për çipa që do t’u futen njerëzve në trup për t’i përgjuar ku do të shkojnë e çfarë do të bëjnë, që janë pjesë e një fantazie të një kohe të çmendur në këtë aspekt”, u shpreh ai.
Manastirliu Bashës: Lëri planet e pikat, duhet të bëhemi të gjithë bashkë për të fituar betejën
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, falënderoi të gjithë qytetarët, që zbatuan vendimin e qeverisë dhe vendosën maskat ditën e djeshme, ndërsa theksoi që nëse kjo masë zbatohet, do të shihet në ditët në vijim se si do të menaxhohet situata e pandemisë së koronavirusit. Nga foltorja e Kuvendit ministrja Manastirliu iu drejtua me një thirrje opozitës jashtëparlamentare, duke i thënë t’i lërë planet e pikat, por të bashkohen, pasi kjo është një sfidë e të gjithëve dhe jo vetëm e qeverisë.
“Nëse ne duam të fitojmë betejën shëndetësore, që është beteja e parë ku detyrohemi të zbatojmë rregullat për ta fituar, nuk duhet të lëmë pa zbatuar masat. Janë ndryshime ligjore shumë të mirëpritura në këtë kohë pandemie, pasi vendosin disa baza të mira për forcimin e instrumenteve ligjore për mbrojtjen e grave. Nëse do të ketë problematika nëpër gjykata, është policia që ndërhyn për çdo rast të dhunës.
Vendosja e maskave jashtë shtëpisë është një hap drejt reduktimit të infeksioneve të virusit. Duhet të jemi bashkë, ta shohim me racionalitet situatën. Kjo nuk është një luftë e qeverisë, por e të gjithë qytetarëve shqiptarë, të cilët duhet të vijojnë zbatimin e këtyre rregullave, që do të shmangim të gjitha ato pasoja që mund të kishte një mbyllje. Shpresoj fort që maska të vijojë të zbatohet edhe në ditët e ardhshme, pasi ne do të shohim se si do ta menaxhojmë”, deklaroi Manastirliu.
OBSH: Vaksina gati në këta tre muaj
Organizata Botërore e Shëndetësisë jep shpresë se vaksina anti-Covid mund të jetë gati brenda këtyre tre muajve. “Ka shpresë se në fund të këtij viti ne mund të kemi një vaksinë”, tha drejtuesi i OBSH-së. Deklaratën, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së e bëri në përfundim të takimit dyditor me pjesëtarët e bordit drejtues të organizatës, ku konfirmoi së po bëhen përpjekje të mëdha për ta nxjerrë sa më shpejt vaksinën.
Aktualisht, nismës COVAX të OBSH-së i janë bashkuar 9 kompani nga e gjithë bota, që po zhvillojnë vaksinën. Kjo nismë synon lehtësimin e shpërndarjes së mbi 2 miliardë dozave të vaksinës deri në fund të 2021-shit në 168 vende të botës, kryesisht për ato që kanë më shumë nevojë. Në pritje të një vaksine, shumë vende të botës po përpiqen t’i frenojnë infektimet me ashpërsim masash anti-Covid.
Nga e enjtja, italianët do të mbajnë maska edhe në ambientet e jashtme. Parashikohen gjoba deri në 1 mijë euro për shkelësit. Në Berlin u urdhërua mbyllja e bareve dhe restoranteve nga ora 23 e natës deri në 06 të mëngjesit. Autoritetet franceze japin alarmin se deri në fund të tetorit nuk do të ketë më shtretër bosh në terapinë intensive, për shkak dyndjes masive nëpër spitale. Çekia shënoi rekordin absolut me mbi 4 mijë infektime ditore.
Shqipëria “zgjohet” me maska, nga ndërgjegjësimi te frika e ndëshkimit
Pjesa më e madhe e qytetarëve kanë mbajtur maska edhe në ambientet e jashtme, si masë për vetëmbrojtje nga koronavirusi, por edhe nga frika e ndëshkimeve. Reagimet e kryeministrit Edi Rama dhe falënderimi për qytetarët.
Dita e djeshme ishte ndryshe në rrugët e Shqipërisë, ku u panë shumë qytetarë që “rikthyen” me detyrim maskën. Si ditë e parë në zbatim të vendimit të qeverisë për mbajtjen me detyrim edhe në ambientet e jashtme të maskës, pati vetëm disa këshillime nga ana e policisë dhe jo ndëshkime. Edhe pse vijon të jetë ende pa përgjigjje pyetja nëse maskat në zonat e hapura janë ose jo efektive në parandalimin e infektimit nga COVID-19, përsëri nga vëzhgimet e bëra në kryeqytet rezultoi se pjesa më e madhe e qytetarëve ishin me maska.
Në vendimin e marrë nga qeveria thuhet se gjobat për çdo qytetar që nuk mban maskë variojnë nga 3-5 mijë lekë të rinj dhe masa administrative do të lëshohet nga Policia e Shtetit dhe ajo Bashkiake. Kreu i qeverisë theksoi se “kjo është një betejë jashtëzakonisht e komplikuar, pavarësisht se disave nuk u pëlqen”. “Është një luftë e gjatë, e vështirë, luftë nervash që duhet ta përballojmë të gjithë së bashku.
Për hir të së vërtetës, sjellja e shumicës dërrmuese të shqiptarëve ka qenë pozitive, mbresëlënëse”, theksoi ai. Në fjalën e tij, gjatë prezantimit të platformës “Deputeti që duam”, Rama tha se “kam vënë re që mbajtja e maskave sot është 99% me një sy të parë”. Rama shpjegoi edhe faljen e gjobave të mëparshme. “Në faljen që bëmë, kemi vlerësuar edhe një fakt tjetër.
Ata që nuk kishin paguar ende, apo ata që kishin ende makina të bllokuara, si rezultat i shkeljes së rregullave në atë kohë, meritonin një mirëkuptim”, tha ai. “Ju e dini që unë me gjobën nuk kam një raport shumë strikt. Për mua në Shqipëri gjobat janë të ulëta, duhet të jenë më të larta, se gjoba nuk është taksë, është ndëshkim për një shkelje që ti e ke në dorë të mos e bësh. Gjobat që janë vënë janë amnistuar në një moment të caktuar, për të dhënë edhe një mesazh tjetër. Këtu nuk është çështja e frikës, e ndonjë dëshire apo nevoje që ne të fusim duart në arkën e familjeve dhe të marrim përmes gjobave para që hyjnë në shtëpi nga një punë që në këto kushte është edhe më e vështirë sesa është zakonisht”, shpjegoi kryeministri.
Kreu i qeverisë bëri të ditur se “i kam kërkuar Policisë së Shtetit, që të jetë shumë e vëmendshme dhe vëmendjen ta ketë duke filluar nga Parlamenti i Shqipërisë, nga institucionet qendrore”. Kryeministri tha se maskat do t’i mbajmë pak si gjatë, për shkak të dimrit, të rrezikut të shtuar që vjen nga përzierja e gripit të stinës.
Rama: Njerëzit maskën e vunë nga frika e gjobave
“Por në rastin e gjobave për shkeljen e rregullave në këtë situatë duhet ta shohim në mënyrë më komplekse. Unë besoj se kjo që ndodh sot është rezultat i efektit që kanë bërë edhe gjobat e vëna, pavarësisht se ne kemi zgjedhur që të jemi tolerantë me njerëzit. Nuk shikoj arsye se kush ka zbatuar rregullin duhet të ndihet keq, sepse dikush tjetër nuk është ndëshkuar deri në fund për moszbatim të rregullit”.
257 të infektuar nga COVID-19, numri më i lartë i regjistruar në vend
Kanë kapërcyer shifrat e COVID-19 në 24 orët e fundit në vendin tonë. Janë 257 raste të reja duke shënuar numrin më të lartë të regjistruar ndonjëherë. Ndërkohë 5 persona e kanë humbur jetën në spitalet Covid, duke e çuar numrin e viktimave në 439 që nga fillimi i pandemisë.
Në njoftimin e përditshëm të Ministrisë thuhet¸”Ju informojmë lidhur me situatën epidemiologjike në 24 orët e fundit të COVID-19 në Shqipëri: Janë kryer 1398 testime në 24 orët e fundit, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 257 qytetarë të prekur nga virusi SARS-COV2.
Janë shëruar 102 qytetarë, duke e çuar në 9864 numrin e të shëruarve në vend që prej fillimit të epidemisë. Rastet pozitive të konfirmuara në 24 orët e fundit janë identifikuar në këto bashki: 83 raste në Tiranë, 29 në Fier, 27 në Durrës, 20 në Shkodër, 14 në Korçë, 12 në Berat, 11 në Elbasan, 8 në Mirditë, 7 në Lushnjë, 6 në Tropojë, nga 4 raste në Lezhë, Librazhd, Kuçovë, 3 në Kukës, Kavajë nga 2 raste në Has, Vlorë, Gjirokastër, Pogradec, Ura-Vajgurore, Divjakë, nga 1 rast në Krujë, Devoll, Kamëz, Mat, Tepelenë, Dibër, Përrenjas, Roskovec, Memaliaj, Gramsh. Aktualisht në Spitalin Infektiv dhe në atë “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 249 pacientë, 21 në terapi intensive, nga të cilët 5 pacientë janë të intubuar. Në 24 orët e fundit, me gjithë përpjekjet e mjekëve, fatkeqësisht, e kanë humbur betejën me COVID-19, një 65-vjeçar nga Kavaja, një 75-vjeçar nga Elbasani dhe 3 qytetarë nga Tirana: një 70-vjeçare, një 71-vjeçar, një 77-vjeçare. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon qytetarët për ta mbajtur detyrimisht maskën edhe në ambientet e hapura jashtë shtëpisë, në mënyrë që të minimizohet përhapja e infeksionit./Jo.Be/Fjala.al