Sociologu Gëzim Tushi, në një intervistë për gazetën “Fjala”, analizon temën e nxehtë të hapjes ose jo të shtëpive publike. Fenomenet sociale të marrëdhënieve në çift dhe shoqëria shqiptare që, edhe pse “konsumatore” e raporteve seksuale, sërish bën moralistin…
Nga Aurela Xhika
Seksi mbetet ende një tabu në ditët e sotme, aq më tepër kur flitet për atë ilegal, jashtëmartesor. Ndonëse prostitucioni është një ndër profesionet më të vjetra, sot njerëzit ngurrojnë të flasin hapur për të e, aq më tepër, ta pranojnë publikisht, gjë që ka penguar disi edhe hapjen e vendeve të dedikuara për kryerjen e marrëdhënieve seksuale, shtëpitë publike.
Ndonëse një temë e diskutuar gjatë, Shqipëria renditet një nga vendet që ende nuk e gëzon të drejtën e kryerjes së aktivitetit seksual në të quajturat shtëpi publike. Cili është qëndrimi juaj në lidhje me hapjen e tyre në vendin tonë?
Unë kam qenë partizan me argumentimet e mia që hapja e shtëpive publike do të ndihmojë në sistemimin ose në rregullimin e sistemit të jetës seksuale të shoqërisë. Çdo shoqëri ka një sistem të jetës seksuale, një sistem rregullacioni, që rregullon pikërisht këto marrëdhënie intime të individit, që kanë të bëjnë me seksin dhe seksualitetin e tij.
Ne duhet ta pranojmë dhe duhet të jemi të vërtetë, në kohët e sotme do të ishte paradoksale të besosh që njeriu e realizon seksin vetëm në marrëdhënie martesore, ose që martesa është i vetmi institucion i marrëdhënieve intime, nuk është kështu.
Sikurse po e shikojmë, sistemi seksual ka pësuar një lloj kaotizmi, shthurjeje, një lloj prishjeje, për arsye sepse nga njëra anë kemi një hipokrizi të sistemuar, duke mos folur për këtë, ose kur diskutojmë për problemet e seksualitetit në shoqëri, flasim ndryshe nga ç’mendojmë dhe mendojmë ndryshe nga ç’flasim.
Kjo hipokrizi e shoqërisë sonë ka bërë që të jemi në një rreth vicioz, pa i dhënë një zgjidhjeje këtij problemi. Çfarë duhet të bëjmë? Duhet ta legalizojmë apo jo prostitucionin? Kjo tabu, kjo shenjtëri e seksualitetit martesor, është rrëzuar, shoqëria është kthyer në një lloj supermarket-i të seksit, ku njeriu e konsideron kënaqësinë seksuale, jo vetëm në martesë, edhe jashtë martesës, edhe paralel me martesën.
A mund t’u vijë në ndihmë hapja e shtëpive publike personave që primare nuk kanë martesën, por që natyrisht kanë të drejtën të zhvillojnë seksualitetin e tyre?
Unë mendoj që për ata njerëz që nuk duan të martohen, që kanë qejf jetën në vetmi, ju mendoni që ata duhet ta mbyllin vetëm një proces masturbimesh të përjetshme, dhe s’duhet të kenë kurrë marrëdhënie seksuale me një partner të kundërt? Kjo është e papranueshme, kjo nuk është njerëzore, kjo nuk është humane.
Ne kemi një shoqëri që po i shton vetmitarët, monofamiljet, vajza që bëjnë shumë shkolla dhe nuk duan të martohen, për shkak se nuk u pëlqen martesa, për shkak se martesa ka aciditetet e saj gërryese, dhunën, xhelozinë, dembelizimin e meshkujve dhe në një farë mënyre ato nuk duan t’i hyjnë jetës në këtë institucion, duan të shikojnë karrierën, suksesin, paranë, famën, por a nuk duan edhe këto të gëzojnë një të drejtë të marrëdhënieve të jetës seksuale?
Këtu është fjala për ata që nuk kanë të dashur, sepse, natyrisht, shoqëria sot ka edhe një sistem tjetër, e pranisë së të dashurve, të dashur që mund të jenë edhe në lidhje paralele, mund të jenë edhe në lidhje jashtëmartesore dhe ne duhet t’i pranojmë të gjitha gjërat që ndodhin te ne, nëse nuk duam të jemi hipokritë.
Ka edhe një kategori të meshkujve që mund të jenë të dështuar, nga pikëpamja erotike, që mund të kenë pësuar disfata në shoqëri, që kanë mbetur të vetmuar, që jetojnë në kështjellën e tyre të betontë, në një shtëpi të vetme, por a mund të thotë njeri që përveç gjumit dhe ushqimit, ata nuk kanë ndjenja seksuale?
Janë të shumta rastet e përdhunimeve që ndodhin në vendin tonë, mendoni se hapja e ketyre ambienteve të dedikuara për seksin do të sillte një ulje të numrit të tyre?
Nëse ne duhet të vazhdojmë të pranojmë, që në shoqërinë shqiptare do të kemi akte të vazhdueshme përdhunimesh, krimesh seksuale, një pjesë prej të cilave vijnë sepse nuk kanë realizuar seksualitetin. Atëherë do të thotë që shoqëria njërëzore ka një lloj institucioni, sikurse është seksi me pagesë ose shtëpitë publike, të cilat janë institucione të qytetërimit, nuk janë institucione të degjenerimit…
Si do të ndikonte hapja e shtëpive publike në lidhjet martesore? Do të sillte kjo një “prishje” të tyre?
Shumë sociologë, psikologë thonë që shtëpitë publike ndihmojnë edhe në konsolidimin, në mbajtjen e martesës, sepse, natyrisht, ka njerëz që në një moment të caktuar mund të kenë një “lajthithje” dhe e realizojnë pa e prishur martesën, sepse të jemi të vërtetë, një pjesë e divorceve janë të krizave të seksualitetit, një pjesë e konflikteve janë të lidhura edhe me këtë faktor dhe ne nuk duhet të bëhemi gënjeshtarë.
Ne themi që shkaqet e divorcit janë varfëria, alkooli, droga, sigurisht këto janë, por një tjetër faktor i rëndësishëm është edhe jeta seksuale. Në këtë pikëpamje, unë doja të thosha që duhet të jemi pak më fleksibël, unë gjykoj që hapja e intitucioneve legale publike, e shtëpive publike, e seksit me pagesë, nuk besoj se cenon moralin.
Prostitutat apo zhigolotë, sikurse njihen në zhargonin e përditshmëm, janë një ndër kategoritë më të paragjykuara në shoqërinë shqiptare, e cila historikisht e ka njohur martesën si institucionin e vetëm që lejon lirshmërinë e kryerjes së marrëdhënieve seksuale. Si e mendoni ju reagimin e qytetarëve shqiptarë, nëse shtëpitë publike do të hapeshin?
Trupi është pronë private dhe në një farë mënyre edhe ata kanë të drejtën e tyre të sigurojnë jetesën dhe mbijetesën, duke ushtruar një profesion. Pra, shoqëria gjen ekuilibrat, rregullohet ai raporti midis kërkesës dhe ofertës, po përdor një term tregtar, por që është i vërtetë në jetën e sotme shoqërore.
Edhe ajo siguron jetesën e vet nëpërmjet këtij profesioni, i mirë apo i keq, kjo është në të drejtën e saj, kjo është një zgjedhje e saj dhe ne, ‘moralistët e mëdhenj’ të kësaj shoqërie, që gjykojmë për sjelljet dhe veprimet individuale të njeriut duhet të heqim dorë. Morali është individual, t’i lëmë këto koncepte butaforike, ontologjike, ideologjizante për një moral që qëndron mbi shoqërinë dhe që duhet të na imponojë.
Në kohën e sotme, neve na duhen rregullat sociale, koncepti në ka apo jo moral është i diskuteshëm, përkundrazi ka një sasi rregullash sociale që duhet t’i zbatojmë si qytetarë, ka edhe një sasi rregullash morale që duhet t’i zbatojmë si individë, përputhja e tyre është ajo që kërkohet sot në shoqëri.
la.mi/Fjala.al