Nga 403 kandidatë, testin fizik e kanë kaluar vetëm 103, ndërsa 300 të tjerë nuk janë kualifikuar në garën për hetues të BKH-së. Komisioni i Përzgjedhjes në Byronë Kombëtare të Hetimit njofton se ditën e djeshme mbylli procesin e Testit për Aftësitë Fizike dhe përzgjedhjes së kandidatëve, për fazat e mëtejshme të konkurrimit.
Nga Elvis Myrta
Testet fizikike kanë ngelur në klasë ¾ e kandidatëve që shfaqën interes për t’u bërë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Struktura që pritet të vërë përpara drejtësisë zyrtarët e lartë të korruptuar dhe kokat e krimit, është në prag të ngritjes. Ditën e djeshme ka përfunduar edhe faza e tretë, ajo e testeve fizike. Nga 424 kandidatë që u përballën me testet fizike, vetëm 103 prej tyre mundën të kalojnë në fazën tjetër. Kandidatët u testuan për rezistencën e tyre fizike, duke iu nënshtruar ushtrimeve të ndryshme, si pompa, muskuj, barku, vrapim etj.
Gjatë testeve fizike, të pranishëm përveç komisionerëve që do të monitorojnë të gjitha fazat, ishin edhe përfaqësues të ambasadës amerikane dhe vetë drejtoresha e e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj. Pas mbylljes së kësaj faze BKH-ja, përmes faqes së saj zyrtare, publikoi listën e emrave të 103 kandidatëve që arritën ta kalojnë këtë fazë. Por gara vazhdon ende, pasi të hënën 103 kandidatët për hetues do të paraqiten në Pallatin e Kongreseve për të zhvilluar provimin me shkrim, e më pas për t’u intervistuar nga komisioni i përbërë nga 6 anëtarë, 3 prokurorë të SPAK-ut dhe 3 ekspertë amerikanë, se përse ata duan që të bëhen pjesë e BKH-së, dhe se si ata do të motivohen për ta luftuar krimin dhe korrupsionin në vend.
Ndërsa në fazën e fundit, të gjithë ata që do ta kalojnë këtë fazë, do të përballen me makinën e së vërtetës. Në fund 60 të përzgjedhurve do t’u bëhet një veting për pastërtinë e figurës dhe nëse e justifikojnë apo jo pasurinë. Pas përfundimit të testeve fizike Byroja Kombëtare e hetimit zbardhi listën me 103 emrat që do të jenë akoma në garë për t’u bërë pjesë e kësaj sturkture. Puna për rekrutimin e kandidatëve që aspirojnë për t’u bërë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit, strukturë e cila do të hetojë të korruptuarit dhe bosët e krimit, po zhvillohet me ritme të përshpejtuara.
Sipas informacioneve që gazeta ka siguruar, gjasat janë që në fillim të vitit 2021 Byroja të nisë punën. Për sa i përket strukturës, BKH-ja përveç drejtoreshës, Aida Hajnaj, do të ketë edhe zëvendësdrejtorin e saj, që do të emërohet nga vetë ajo. Zëvendësdrejtori do të ketë një madat 4-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Emri i tij duhet të marrë edhe pëlqimin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. BKH-ja do të ketë edhe një njësi operacionale, si dhe staf administrativ.
Institucionet e drejtësisë mbështetje nga SHBA-ja
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, institucioni që po ngrihet për të hetuar të korruptuarit në nivele të larta, janë dy institucione që kanë mbështetje të fortë nga ana e ndërkombëtarëve. Kjo pasi për përzgjedhjen e hetuesve të kësaj stukture po asistojnë edhe agjentë të FBI-së. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vendosura dhe të bindura që me ngritjen e institucionit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, do të ndëshkohen shumë pushtetarë që janë të korruptuar dhe se do ta luftojë ashpër krimin e organizuar.
Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, është shprehur se hetuesit amerikanë janë pranë SPAK-ut dhe BKH-së për të ofruar asistencë. Gjatë një interviste në emisionin “Opinion”, ajo shprehu edhe një herë mbështetjen e SHBA-së ndaj institucioneve të dala nga reforma në drejtësi. “Kemi ofruar mbështetje shumë të fortë në formën e asistencës teknike, këshillave eksperte, trajnimit, si dhe asistencës materiale, për shembull kompjuterë, duke u siguruar që të kenë pajisjet që u duhen për të bërë punën. Ne i vendosim paratë aty ku themi. Nuk themi thjesht që mbështesim SPAK-un dhe BKH-në apo prokurorinë e posaçme, por kemi vënë edhe investimin për ta treguar mbështetjen tonë.
Ata janë aty për të ofruar asistencë teknike dhe këshilla eksperte. Kam një ish-agjent të FBI-së që është pjesë e personelit në ambasadë, që ofron një pjesë të kësaj asistence. Por të jeni të sigurt, jemi aty për të mbështetur në maksimumin e mundshëm”, u shpreh ambasadorja. Ndër të tjera, Kim theksoi se ata që nuk e duan reformën në drejtësi paraqesin rrezikshmëri të lartë. Byroja shihet si organi më i rëndësishëm, pasi falë saj pritet të goditen pushtetarët e korruptuar e, për këtë arsye, amerikanët i kanë kushtuar vëmendje. BKH-ja është një institucion që ka akses të hetojë zyrtarë të lartë, duke filluar nga presidenti, kryeministri, kryetari i Kuvendit, si dhe anëtarët e KLGJ-së, apo të KLP-së.
Trajnimi në SHBA
Pas seleksionimit të 60 hetuesve të së ashtuquajturës FBI-ja shqiptare, të përzgjedhurit do të nisen drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për t’u trajnuar nga amerikanët. Akademia e Trajnimeve, ku do të shkojnë hetuesit e BKH-së, ndodhet në Uashington dhe është një strukturë kombëtare me shërbime të plota, ku përfshihen salla konferencash dhe klasa, dhoma për të fjetur, vende për të pushuar, palestër, pishinë, bibliotekë dhe një sallë ngrënieje. Hetuesit e BKH-së do të trajnohen atje për të identifikuar dhe luftuar tendencat e politikës, ekonomisë a faktorëve të tjerë të jashtëm që ndërhyjnë në punët e brendshme të policisë.
Trajnime do të ketë, po ashtu, edhe për të shmangur ndikimin e organizatave kriminale në radhët e policisë dhe të hetuesve. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo vetëm do t’i trajnojnë hetuesit e BKH-së me metodat që përdor FBI-ja, por njëkohësisht do ta mbështesin strukturën e re edhe në anën logjistike. Byroja Kombëtare e Hetimit do të zëvendësojë Policinë Gjyqësore të Krimeve të Rënda. Ky organ do të shërbejë vetëm pranë SPAK-ut dhe do të ketë në fokus krimin e organizuar dhe korrupsionin. Do të ketë akses në përgjime, në sistemet elektronike dhe në çdo gjë tjetër që konsiderohet e vlefshme për hetimet. Po ashtu, ky organ do t’i monitorojë anëtarët e SPAK-ut, duke u përgjuar telefonat dhe duke u kontrolluar llogaritë bankare.
BKH-ja do të ketë në përbërje 60 hetues. Aplikantët për pozicionin e hetuesit të BKH-së duhet të dinë që procesi i përzgjedhjes do të jetë shumë rigoroz dhe sfidues. Ai është përcaktuar në ligjin për SPAK-un. Gjithashtu, në ligj është bërë e qartë se pas ngritjes për 2 vite amerikanët do kenë një zyrë të tyre pranë BKH-së, për t’i ndihmuar dhe për t’u dhënë eksperiencën e tyre hetuesve të kësaj strukture. Përveç një eksperti që do të asistojë edhe në hetime, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të japin edhe pajisje speciale që do të ndihmojnë në hetime.
Disa muaj më parë SHBA-ja miratoi një fond prej 1,5 milionë dollarësh, për blerjen e këtyre pajisjeve të sofistikuara, si dhe rregullimin e ambienteve të reja të institucionit më të ri të drejtësisë. Byroja Kombëtare e Hetimit do të luajë rolin e policisë gjyqësore për SPAK-un dhe do të jetë ajo që do të zbulojë aferat e pushtetarëve të korruptuar. SPAK-u do të ketë në përbërje gjyqtarë e prokurorë, ndërkohë në varësi të Prokurorisë Speciale do të jetë Byroja e Hetimit. Por BKH-ja shihet si çelësi i luftës antikorrupsion, pasi vëmendja e saj do të jetë vetëm te pushtetarët e korruptuar dhe objekt i hetimit janë që nga presidenti e kryeministri, te gjyqtarët dhe prokurorët apo anëtarët e KLGJ-së dhe KLP-së./Bl.Ba/Fjala.al