Virusi “pushton Evropën”, Shqipëria shton numrin e testimeve

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Kapacitetet në spitalet Covid 1 dhe 2 janë drejt ezaurimit, për shkak të shifrave të larta të pacientëve të shtruar. Për disa ditë radhazi Shqipëria po përballet me një numër rekord infektimesh, me mbi 300 raste. Ndërsa Evropa po përballet me valën e dytë të virusit, shtetet ndërmarrin masa strikte kufizuese për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Nga Ina Allkanjari

Kurba e të infektuarve me koronavirus në vend vijon të rritet, duke paralajmëruar një valë të dytë të virusit. Shqipëria po përballet me 7621 raste aktive me COVID-19. Ndërsa rastet ditore paraqiten me mbi 300 të infektuar, situata paraqitet e rënduar edhe në spitalet Covid, ku shifrat e të hospitalizuarve vijojnë të rriten. Aktualisht, në Spitalin Infektiv dhe në atë “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 260 pacientë, 15 në terapi intensive, nga të cilët 6 pacientë janë të intubuar.

Ndërsa kapacitetet spitalore të dy spitaleve po ezaurohen, vihet re se që nga fillimi i pandemisë, Spitali Infektiv ka njohur numrin më të lartë të urgjencave në këto 3 ditët e fundit. Numri i lartë i të infektuarve me virus, fatkeqësisht është shoqëruar edhe me fatalitete. Ministria e Shëndetësisë bën me dije se gjatë 24 orëve të fundit kanë humbur betejën me COVID-19, katër qytetarë. Bëhet fjalë për një 21-vjeçar nga Elbasani me disa sëmundje bashkëshoqëruese, i cili po trajtohej në terapi intensive, i intubuar në spitalin Covid 2.

Mësohet se 21-vjeçari po trajtohej në banesën e tij, dhe pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore është dërguar në Spitalin “Shefqet Ndroqi”, ku edhe është vendosur menjëherë në intubim. Por pavarësisht përpjekjeve, i riu nuk mundi ta fitojë betejën me koronavirusin. Gjithashtu, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen edhe prof. Elmaz Elezi, mjeku i njohur 85-vjeçar, ish-drejtues i Klinikës Infektive në QSUT. Nuk ka mundur të mbijetojë në 24 orët e fundit edhe një 49-vjeçar nga Elbasani dhe një 70-vjeçar nga Kurbini, me sëmundje shoqëruese. Prej fillimit të pandemisë deri më tani 469 qytetarë kanë humbur betejën me COVID-19 në Shqipëri.

Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë kryer 1412 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 306 qytetarë të prekur nga virusi SARS-COV2. Rastet pozitive të konfirmuara në 24 orët e fundit janë identifikuar në këto bashki: 179 raste në Tiranë, 25 raste në Korçë dhe Vlorë, 16 raste në Fier, 13 raste në Elbasan, 10 raste në Berat, 6 raste në Mirditë, 5 raste në Durrës, 4 raste në Kavajë, Mallakastër, Pogradec, 2 raste në Mat, Roskovec, Bulqizë, Peqin, 1 rast në Shkodër, Krujë, Lushnjë, Rrogozhinë, Gjirokastër, Shijak, Patos. Fatmirësisht, janë shëruar 71 qytetarë, duke e çuar në 10466 numrin e të shëruarve në vend që prej fillimit të epidemisë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u bën apel qytetarëve ta vënë maskën kudo në ambientet jashtë shtëpisë, të ruhet distanca dhe të tregohet kujdes për higjienën, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka publikuar mesazhin e prof. Silva Balës, nga spitali Covid 2, e cila thekson se këtë kohë pandemie kujdesi për të duhet të jetë i shtuar. Mjekja bën thirrje që të tregohen të kujdesshëm dhe të respektojnë masat e vendosura, për të parandaluar koronavirusin, ndërsa shpjegon se kur një pacient me COVID-19 duhet t’i drejtohet spitalit.

“Nëse ju drejtoheni te mjeku i familjes, nëse ju drejtoheni te mjeku specialist dhe mjeku ju thotë se ju jeni për të vajtur për t’u trajtuar në spital, mos e neglizhoni këtë rekomandim të mjekut. Drejtojuni sa më parë qendrave spitalore në kohën që mjeku mendon se nuk mund të vazhdoni më të mjekoheni në shtëpi. Në shtëpi mjekohet sëmundja e lehtë. Nëse mjeku mendon se sëmundja është e patrajtueshme në shtëpi, është e domosdoshme që trajtimi të bëhet në qendrat spitalore, nën trajtim të kontrolluar me ekzaminime dhe në ndjekje të vazhdueshme të gjendjes suaj. Neglizhenca më e vogël ju kushton jetën. Ju lutem, sa herë që të dilni nga shtëpia, mos e harroni maskën. Maska është pjesë e trupit tuaj tashmë, për t’ju mbrojtur nga ky virus i rrezikshëm”, shprehet Bala.

Lexo edhe :  NËSE NUK MENDON SOT PËR VETEN, NESËR MUND TË JETË VONË!

 Situata në rajon dhe në botë

 Një numër i madh shtetesh gjatë ditëve të fundit po përballet me valën e dytë të COVID-19, duke regjistruar shifra rekord të infektuarish. Kjo situatë e rënduar është shoqëruar me masa të reja kufizuese, të përcaktuara nga qeveri të ndryshme për të përballuar pandeminë dhe për të parandaluar përhapjen e virusit.

Gjatë 24-orëve të fundit në Kosovë kanë ndërruar jetë si pasojë e koronavirusit 2 persona, si dhe janë regjistruar 169 raste pozitive nga 1119 testime të kryera. Numri total i rasteve pozitive është 17591 raste nga 85042 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 659 raste vdekjesh. Ndërkohë në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 85 pacientë, kurse numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 14979 raste, dhe numri i rasteve aktive është 1953.

Mësohet se rastet pozitive janë nga komuna Prishtinë 71 raste, komuna Pejë 20 raste, komuna Gjilan 16 raste, komuna Podujevë 15 raste, komuna Gjakovë 9 raste, komuna Prizren 8 raste, komuna Fushë-Kosovë 6 raste, komuna Obiliq 6 raste, komuna Ferizaj 4 raste, komuna Klinë 4 raste, komuna Deçan 2 raste, komuna Skënderaj 2 raste, komuna Suharekë 2 raste dhe me nga një rast komunat Istog, Lipjan, Shtime dhe Shtërpcë. Në Greqi ditën e sotme hynë në fuqi masat e reja strikte anti-Covid.

Bëhet me dije se do të ndalohet lëvizja me makinë nga ora 00:30 e darkës deri në 05:00 të mëngjesit në zonat e cilësuara si “të kuqe” apo “të verdha”, në raport me numrin e rasteve me koronavirus. Ndërkohë në zonat ku ka një rritje të madhe të rasteve në nivelet 3 dhe 4, pra të konsideruara si “të verdha” apo “të kuqe” do të ketë një ndalim të lëvizjes me makinë në oraret e caktuara. Gjithashtu, maskat do të jenë të detyrueshme në ambiente të brendshme dhe në rrugë për çdo qytetar të Greqisë.

Masat e reja të përdorimit të përgjithshëm të maskës dhe shtetrrethimit natën janë vendosur për banorët e Atikës, Selanikut, Akajës, Zakintosit, Heraklionit, Kretës, Thirës, Janinës, Kardicës, Kea-Kitnosit, Lesbosit, Mikonosit, Pelës, Samosit, Trikallës, Beotisë, Larisës dhe Serresit. Mësohet se edhe Italia prej disa ditësh tashmë ka shtyrë gjendjen e jashtëzakonshme dhe ka vendosur masa të reja shtrënguese. Një tjetrë shtet i cili po përballet me shifra të larta infektimesh, është Gjermania, ku janë raportuar mbi 10000 raste me koronavirus, në ditën e dytë radhazi. Sipas të dhënave nga Instituti Robert Koch për sëmundjet infektive, totali i të infektuarve me virus në Gjermani shkon në 403291. Ndërsa Spanja dhe Franca e kanë tejkaluar tashmë shifrën e 1 milion të infektuarve që nga fillimi i pandemisë./Bl.Ba/Fjala.al

Të fundit

Erdogan mposht kundërshtarin, Oçalan letër nga burgu: PKK të shpërbëhet

Udhëheqësi militant i burgosur në Turqi, Abdullah Ocalan, i bëri thirrje Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) të ndalojë...

Trump prish kontratat e USAID/ Presidenti amerikan nis mbylljen e agjensisë së ndihmave

Administrata e Donald Trump po eliminon më shumë se 90% të kontratave të ndihmës së huaj të USAID dhe 60 miliardë dollarë nga ndihma...

‘Berisha, lutje që ta ndihmojë qeveria greke për vota’!

Avokat Edmond Petraj, komentoi procesin e votimit në shtetin grek. Sipas tij, Berisha bëri një lutje ndaj qeverisë greke që të marrë më shumë...

Arrestimet nuk janë zbavitje për turmat, por fate njerëzore

Dritan Hila Dikur, në kohën e diktaturës, nëse do arrestohej një grup i cili kishte më shumë se 3 persona, duhej të merrte miratimin e...

A mund të lirohej Meta dhe të lihej në shtëpi? Ja pse nuk ndodh sipas Ngjelës

I ftuar në një emision televiziv , avokati Spartak Ngjela analizoi arsyet e vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila la në burg ish-presidentin...

Lajme të tjera

Web TV