Presidenti Ilir Meta, pasi ktheu pas Kodin Zgjedhor të miratuar me 97 vota në Parlament, e nisi çështjen për opinion edhe në Komisionin e Venecies. Përse kreu i shtetit “luajti taktikisht” dhe a ka vlerë jurdike nisma e tij, cili do të jetë oponioni? Në një analizë të thelluar flasin për gazetën “Fjala” oponionistët Frrok Çupi, Spartak Ngjela dhe Alfred Lela.
Nga Fernada Cenko
Presidenti Ilir Meta priti afatin e fundit kohor për t’u shprehur me dekret në lidhje me Kodin Zgjedhor. Të gjithë parashikonin që Meta ta kthente ligjin për rishqyrtim në Parlament, kjo ndodhi, por “surpriza” ishte në tjetër vend… Kreu i shtetit njëkohësisht me kthimin e ligjit i bëri kërkesë Komisionit të Venecies për opinion. Kjo e pështjelloi disi politikën tonë, ku mazhoranca nuk humbi kohë dhe dje në Komisionin Parlamentar të Ligjeve i rrëzoi pretendimet e kreut të shtetit, duke e dërguar të pandryshuar Kodin Zgjedhor për ta rivotuar.
Opozita, nga ana e saj, po e përdor këtë “kauzë” duke sulmuar Ramën që për interesa personale është i gatshëm “t’i hapë luftë Evropës”. Në fakt, çështja më shumë se juridike është tërësisht politike. Të gjitha palët e kanë të qartë se cilido të jetë oponioni i Komisionit të Venecies, ai nuk do ketë asnjë ndikim në thelbin e Kodit Zgjedhor. Megjithatë, qartësisht kjo do të jetë një material i bollshëm politik për t’u shfrytëzuar nga opozita edhe në fushatën elektorale. Dy pikat ku kundërshtohet Kodi Zgjedhor nga kreu i shtetit, por edhe opozita, është moslejimi i koalicioneve parazgjedhore dhe çështja e listave të hapura. Por ky ligj, edhe pse mes shumë debatesh, arriti të miratohet në Parlament me 97 vota, duke marrë edhe një pjesë të mirë të votave të opozitës parlamentare.
Megjithatë, një “zhurmë” në Evropë Kodi Zgjedhor e bëri, pasi njëri pas tjetrit një numër i konsiderueshëm eurodeputetësh i bënë thirrje mazhorancës që të priste oponionin e Komisionit të Venecies për të marrë në konsideratë qëndrimet e tij dhe më pas ta votonte në Parlament. Pavarësisht këtij “sugjerimi”, duket se mazhoranca është e vendosur për ta rrëzuar dekretin e kreut të shtetit dhe lënë në fuqi Kodin Zgjedhor.
Frrok Çupi: Meta ka hallin e partisë së tij, dërgimi në Venecie, një naivitet djallëzor
– Presidenti Ilir Meta dërgoi për opinion në Komisionin e Venecies ligjin për Kodin Zgjedhor. Si e komentoni, si një të drejtë, apo si një pengesë për zgjedhjet?
-Komisioni i Venecies, i thënë në mënyrën më të shkurtër me këtë emër, është njësoj si ‘dyqani’ i hapur që pret çdo indicie për këshillim nga të gjitha shtetet anëtare e ndoshta edhe më gjerë. Në fund të fundit, Komisioni depoziton kërkesa dhe një ditë u jep mendim. Por ky komision jep vetëm opinione. Komisioni është ngritur në vitet ’90, kur ndodhën përmbysjet e mëdha në Evropën Juglindore e ish-komuniste; ai quhet Komisioni Evropian për Demokraci përmes Ligjit. Prej 30 vjetësh Komisioni ka bërë të njëjtën punë ‘monotone’, hajde dikush e kërkon si ‘bëhet demokracia përmes ligjit’. Në fakt, tashmë as politikanët, as juristët, as intelektualët në vendet ish-komuniste, nuk janë më aq budallenj sa të mos kuptojnë si funksionon ligji dhe demokracia; madje në shumë raste e dinë më mirë se ata të Venecies, ndoshta.
Por ky atavizëm ka mbetur aty në vend dhe njerëzit e përdorin si të jenë ‘naivë’: trokasin për këshilla e largohen sikur nuk kishin kuptuar më parë. Në rastin tonë, presidenti Meta sillet si naiv, bën sikur nuk di çfarë gatuan me skemat e tij çdo ditë e çdo orë. Vjen një moment që i drejtohet Komisionit të Venecias duke e pyetur ‘a ka të drejtë qeveria dhe Parlamenti që të bëjnë kod zgjedhor?’. Ky është naiviteti djallëzor. Sepse askush në këtë botë nuk mund t’i thotë Parlamentit ‘mos e voto kodin’. Por presidenti hedh një gur, mbase ‘inshallah’ gjen ndonjë fije në Venecie, e shtyn dhe e përdreq kodin zgjedhor aq sa mundet. Presidenti Meta ka hallin e partisë së tij, LSI-së, që sipas këtij kodi, me sa duket, mund të tkurret edhe më. Këtë shqetësim dërgon ai në fakt, në Venecie.
-Nga ana tjetër, Rama e dërgoi ligjin brenda ditës (dje) në Komisionin Parlamentar të Ligjeve për shqyrtim. Ishte ngutje apo procedurë për të fituar kohë për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 25 prillit?
-Qeveria e çdo kombi, në Evropë apo jashtë Evrope, ka përgjegjësitë e qeverisjes, përgjegjësitë e bërjes dhe zbatimit të ligjit, por… gjithnjë duke mbajtur një orë në dorë! Ora ecën shpejt për qeverinë dhe për qeverisjen e një kombi; për të tjerët ecën më ngadalë. Edhe me qeverinë tonë kështu ndodh. Njësoj si në një sallë operacioni; nëse do t’i mbushej mendja dikujt t’i shkruante Venecias, vallë do të linim pacientët pa oksigjen derisa të kthente përgjigje Venecia? Këto janë burokraci të shumta që e kanë afruar drejt krizës vetë BE-në dhe KiE-në, tashmë fenomen i njohur.
Vetë Demokracia, (jo Komisioni i Demokracisë) ka mekanizmat e vet zhbllokues sa herë krijohen të tilla pengesa. Mekanizmi i pakonkurrueshëm është sovraniteti i Parlamentit dhe vetë sovraniteti i shtetit. Në Kushtetutën e Republikës, Neni 2, përcaktohet shprehimisht:
- Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit.
- Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti…
Mbi këtë ligj nuk ka asnjë komision, asnjë parlament tjetër, asnjë gjykatë tjetër. Këtu shuhen edhe dilemat se dikush nga jashtë apo brenda mund të imponojë vullnetin e tij.
-Po afrohen zgjedhjet.
-Qeveria e Shqipërisë ndodhet në punët për përsosjen e sistemit elektoral, për të cilin kanë kërkuar partitë politike, think-tanket në vend, kancelaritë e aleatëve SHBA dhe BE, etj. A duhet shpejtësi, apo duhet të dorëzojmë ‘sovranitet dhe shpejtësi’ para se të bëjmë kryerjen e punëve? Kjo nuk do të ishte as demokratike, as veneciane – besoj.
–Sa ndikim do të ketë opinioni i Venecies, që me gjasë ndikimi i tyre do të vijë pasi kodi të jetë rivotuar dhe hyrë në fuqi?
-Komisioni i Venecies nuk mund të vendosë sanksione ndaj shteteve përkatëse. Këtë të drejtë nuk e ka kurrë. Ai përbëhet nga ekspertë të pavarur, që po ua kërkove, të japin një këshillë. Mos e mendojmë se Komisioni është vetë Zoti. Përbëhet nga 60 shtete, që në fakt nuk janë vetëm evropiane, por edhe aziatike, amerikane dhe afrikane. Do të vijë një këshillim i Venecies pasi të jetë mbaruar punë me Kodin?, pyesni ju. Nuk e di, nëse do të ishte e nevojshme. Kodi Elektoral u përpilua dhe u miratua në Kuvend, në prani të përfaqësuesit të Këshillit të Evropës, me agrimentin e ambasadores së Shteteve të Bashkuara dhe në prezencë të përfaqësive të tjera diplomatike perëndimore… Të gjithë shprehën lavdërime për ligjin. Atëherë u dashka edhe një gjë nga ekspertët e pavarur të Komisionit të Venecies?… Po mirë, le të vijë. Tani ka mbaruar puna. Kështu funksionojnë shtetet në epokën e demokracisë.
Spartak Ngjela: Venecia nuk mund të jetë kundër frymës së ligjit të dalë nga Parlamenti shqiptar
– Presidenti Ilir Meta dërgoi për opinion në Komisionin e Venecies ligjin “Për Kodin Zgjedhor”, kurse kryeministri shqiptar nuk e pranoi. Si e komentoni, si një të drejtë, apo si një pengesë për zgjedhjet?
-Është pengesë. Presidenti Meta kërkon të pengojë reformën, kërkon të çorientojë zgjedhjet, sepse ka hallin e tij, i cili dihet. Nuk gjen zbatim në këto momente “Venecia”, sepse Parlamenti shqiptar e ka marrë vendimin. Meta as nuk është jurist, dhe as nuk pyet ekspertët përkatës për këtë rast. Pyetja që ngrihet këtu është kjo: çfarë ndodh në rast se opinoni i Komisionit të Venecies është kundër vendimit të Parlamentit shqiptar, për ligjin në fjalë? Opinioni i Komisionit të Venecies që mund të jetë kundër frymës së ligjit të dalë nga Parlamenti shqiptar, nuk rrëzon ligjin; sepse nuk ka mundësi juridike. Me opinionin e Komisionit të Venecies nuk bëhet dot as padi në Gjykatën Kushtetuese, se është opinion, nuk është vendim i Gjykatës për të Drejtat e Njeriut, megjithatë presidenti Meta mund ta çojë ligjin në Gjykatë Kushtetuese me opinionin e Komisionit të Venecies, por nuk do të arrijë dot gjë, me përjashtim të faktit që do të bëhet edhe më qesharak se ç’është. Një gjë duhet mbajtur parasysh: Opinioni i Komisionit të Venecies nuk rrëzon dot një ligj shqiptar, të dalë nga Parlamenti shqiptar.
-Nga ana tjetër, Rama e dërgoi ligjin brenda ditës (dje) në Komisionin Parlamentar të Ligjeve për rishqyrtim. Ishte ngutje, apo procedurë për të fituar kohë për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 25 Prillit?
-Nuk ka asnjë shkelje procedurale, prandaj nuk kam asnjë opinion tjetër veç këtij: nuk ka shkelje ligjore.
-Sa ndikim do të ketë opinioni i Venecias, që me gjasë qëndrimi i tyre do të vijë, pasi Kodi Zgjedhor të jetë rivotuar dhe hyrë në fuqi?
-Atë që ju thashë më sipër, madje Venecia nuk duhet të mbajë qëndrim në funksion të ligjit, sepse ngelet e fyer. Ligji në çdo shtet demokratik ka filtrat e vet, dhe Venecia ka tepër gjasë që të përgjigjet kështu: “Zoti president kur ta kesh hedhur në kundërshtim ligjin në një gjykatë të specializuar që quhet Gjykatë Kushtetuese, atëherë do të jemi ne të gatshëm të japin opinionin tonë, por opinionin tonë duhet të na e kërkojë Gjykata Kushtetuese, dhe jo ju”.
Alfred Lela: Opinioni i Venecies, një armë e mirë për t’u përdorur nga opozita dhe një telash më shumë për Ramën
–Presidenti Ilir Meta dergoi për opinion në Komisionin e Venecies ligjin për Kodin Zgjedhor. Si e komentoni, si një të drejtë, apo si një pengesë për zgjedhjet?
-Presidenti e ka artikuluar me dhjetëra faqe kundërshtimin e zyrës së tij, juristëve të Presidencës, ligjin për Kodin e ri Zgjedhor. Do të thotë se ai ka ndeshur në të, sipas tij, mospajtime me Kushtetutën apo frymën e ligjeve të Republikës. Duke ditur këtë dhe vënë re deklaratat e kryeministrit për të ecur përpara me votimin për herë të dytë të ligjit, besoj se Presidenca ka bërë gjënë e duhur, duke ia dërguar ligjin për opinion Venecies.
Nuk më duket si pengesë për zgjedhjet, sepse Shqipëria nuk është në proces implementimi të një infrastrukture të re zgjedhore, që lidhet me votimin elektronik, votën e emigrantëve apo ndërhyrje të tjera teknologjike e infrastrukturore që kërkojnë kohë të gjatë.
-Nga ana tjetër, Rama e dërgoi ligjin brenda ditës (dje) në Komisionin Parlamentar të Ligjeve për rishqyrtim. Ishte ngutje apo procedurë për të fituar kohë për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 25 prillit?
-Nuk është as njëra, as tjetra. Është vazhdim i ngulmimit për të shkuar përpara me çdo kusht me një Kod të njëanshëm, që nuk gjeti as pajtimin e ndërkombëtarëve as të opozitës zyrtare dhe as të opozitës së re. Ngutje mund ta quajmë vetëm në kuptimin që nuk dëgjoi as këshillat e të huajve që i thanë të presë opinionin e Venecies.
Ngutje ndoshta edhe për faktin se ka frikë nga përfundimet e Venecies.
– Sa ndikim do të ketë opinioni i Venecies, që me gjasë qëndrimi i tyre do të vijë pasi Kodi të jetë rivotuar dhe hyrë ne fuqi?
-Ndikim simbolik. Do të jetë një armë e mirë për t’u përdorur nga opozita gjatë betejës politike dhe një telash më shumë për Ramën për sa i takon imazhit. Do të krijojë perceptimin se Rama po shkon kundër këshillave të të huajve.
Nuk është hera e parë që Vencia jep opinione kundër Ramës. Kjo do të jetë e treta, nëse opinioni për Kodin do të jetë negativ, sigurisht.