Si shihet krijimi i partive të reja politike dhe fraksionet brenda së djathtës që pas tetë vitesh opozitë nuk arrin dot bashkimin.
Sa i favorizon Kodi Elektoral subjekte e reja dhe rreziku që të shërbejnë vetëm si “hambar” për partitë e mëdha.
Ndikimi i katër partive të reja që dolën nga “fronti i djathtë”. Komenton për gazetën “Fjala” analisti Plator Nesturi.
Nga Fernada Cenko
Priten 6 parti të reja politike të garojnë në zgjedhjet e 25 prillit, ku katër prej tyre jane djathtas (vijnë nga PD). Cilin elektorat pritet të tërheqin?
-Bollëku i partive nuk i ka munguar asnjëherë spektrit të politikës shqiptare. Por në kohën kur lëvizjet e viteve të fundit të partive të mëdha kanë synuar që nëpërmjet ndryshimeve në kodin zgjedhor të eleminojnë me sa mundësi të kenë partitë e vogla dhe orekset e tyre zgjedhore, përshfaqja e partive të reja do të përbënte anomali.
Për më tepër kur ky fenomen ndodh në rrafshin e opozitës. Zakonisht përpara zgjedhjeve formacionet e reja politike dalin nga rradhët e maxhorancës si rezultat i pakënaqësive, mosgjetje të hapësirave nga politika e lidershipit apo si rezultat dhe i luftës së brendshme midis radhëve të partisë në pushtet.
Parë në këtë këndvështrim partitë e reja brenda të djathtës shqiptare shpjegojnë amulli dhe fragmentarizim të votës së këtij elektorati. Natyrisht që vota që kërkojnë partitë e reja i drejtohet elektoratit të djathtë, pasi dhe motivi pse janë ngritur është si rezultat i pakënaqësisë dhe akuzave të lidershipit të PD.
Si në rastin e Patozit që ka prej kohësh partinë e tij, por dhe me formacionet e reja të Topallit dhe Murrizit, në deklaratat e tyre i drejtohen pikërisht elektoratit tradicional të PD. Vetë ish-Kryetarja e Parlamentit Topalli shprehet se vetë demokratët ndihen të pa përfaqësuar me Bashën dhe enturazhin e figurave që ka vendosur në krye të partisë dhe vetë partinë e saj e sheh si një mision për ti kthyer përfaqësimin demokratëve.
Në këtë kontekst, pavarësisht opozitarizmit të saj ndaj maxhorancës së Ramës, në vetvete objekti kryesor i luftës së saj mbetet beteja me Bashën dhe thithja e votës së PD. Për të vijuar më tej, kritikat e Topallit dhe të Murrizit i drejtohen edhe LSI si aleate e Bashës në zgjedhjet e 25 prillit.
Vetëm kaq do të mjaftonte që në parashihet e deritanishme të kemi një fragmentarizim të thellë të votës të së djathtës, çka do ta bënte pretendimin e Bashës për të patur sukses zgjedhor, si mjaft të vështirë. Pasi përveç betejes që ka me maxhorancën duhet të llogarisë dhe luftën e brendshme brenda të djathtës dhe shkarjen e votës qëka qenë domen i PD, drejt partive të reja që janë krijuar.
Pas tetë viteve në opozitë me gjithë hapjen e PD, Basha nuk arriti të afronte personazhet e rëndësishëm të PD-së. A do të ndikojë kjo në rezulatatin përfundimtar të PD?
-Vetë ndarja e thellë që po përjeton e djathta vertetton pikërisht pazotësinë e Bashës për të inkuadruar dhe përfshirë të gjithë përbërësit opozitarë e për të arritur fitoren në zgjedhje. Basha nuk arriti të krijojë frymë në rradhët e opozitës dhe njëkohësisht operoi me skema të vjetra të të bërit politikë.
Skema që natyrisht nuk mund të frymëzojnë dhe as të përcjellin idenë e ndryshimit dhe të një partie moderne që është gati të drejtojë vendin e të marrë përgjegjësistë e maxhorancës.
Basha ndoqi të njëjtën politikë të vjetër të eleminimit të elementëve që mund ti rrezikonin lidershipin, nuik rerspektoi vlerën e kontributeve të figurave të ndryshme brenda PD, duke I mbushur korridoret e partisë së tij të re me figura të panjohura e shpesh herë të kontestuara dhe nga baza e demokratëve.
Këtë e dëshmoi dhe vota e anëtarëve të thjeshtë në garën për zgjedhjen për deputetë ku një pjesë e deputetëve të rinj të PD, apo prurje të reja të Bashës e që maheshin si duishepujt e rinj, nuk e kaluan rovën e votëbesimit për të qenë kandidatë për deputetë.
Nayrshëm që çdo veprim lind dhe një kundërveprim, aq më tepër që gabimet dhe squllja e PD në këto vite në betejën me maxhorancën ishte e dukshme. Braktisja e parlamentit, mospjesmarrja në zgjedhjet vendore duke ia lënë fitoren në tavolinë Ramës duhet të kishin sjellë prej kohësh një pranim të mea culpa nga ana e Bashës.
Dhe ndërsa asgjë nga këto nuk u bë, dhe vetë PD pësoi rënie të lirë në besimin e saj në elektorat, natyrshëm do të lindin parti të reja nga ish-përfaqësues të PD, të cilët futen në lojë me axhendë tjetër nga ish-partia e tyre.
Brenda së djathtës pra, kemi një bollëk forcash të ndryshme politike me vektorë të ndryshëm interesash, çka jo vetëm do të sjellë fragmentarizim të rezultatit por dhe që e bën mison të pamundur dhe bashkëpunimin e tyre pas zgjedhjeve të 25 prillit.
Partitë e reja edhe nëse nuk arrijnë të perfaqësohen me deputete, në qarqe të ndryshme ku mandatet lëvizin me pak vota a do të ndikojnë partitë e reja në përllogatitje përfundimtare të rezultatit zgjedhor?
-Me kodin e ri zgjedhor, për partitë e vogla dhe të reja ka vështirësi në maksimalizimin e rezultatit për votat e marra. Për qarqe të ndryshme mund të pretendohet të arrihet marrja e ndonjë mandate, pra aty ku këto parti kanë më mbështetje, ndërsa në qarqe të tjera votat e tyre mund të digjen për moskalim pragu.
Duke marrë parasysh se këto vota do të jenë të spektrit të djathtë, atëherë fragmentarizimi i tyre, dhe ku votat do të digjen e nuk i kalojnë askujt, kjo do të penalizojë siç pritet, rezultatin e opozitës.
Është ende herët të bëhen përllogaritje se ku mund të marrin mandate parti të veçanta dhe në cilat qarqe do të humben vota. Gjithësesi jemi ende në proces dhe do të pritet të shohim jo vetëm listën e kandidatëve por dhe koalicionet që do të formohen ndërkohë.
la.mi/Fjala.al