Komisioni Parlamentar i Ligjeve përfundoi dje draftin që ka të bëjë me kompetencat e kreut të shtetit, ku bie në sy ndryshimi se edhe nëse presidenti nuk dekreton kryeministrin dhe ministrat, kjo e drejtë i kalon Parlamentit. Përse u ndërmorën ndryshimet ligjore dhe nenet e veçanta ku kryeministri ose ministrat kanë të drejtë të konstatojnë “paaftësinë e ushtrimit të detyrës” për kreun e shtetit dhe të kërkojnë ekspertizën me pesë mjekë, që do t’i analizojnë gjendjen psikike dhe fizike…
Komisioni Parlamentar i Ligjeve dorëzoi dje draftin me ndryshime ligjore mbi kompetencat e kreut të shtetit, duke e kufizuar presidentin në disa çështje dhe ia kaluar atributet ligjvënësit. Kjo ka qenë fryma e draftit të ri, i cili është ndërmarrë pas ngërçit të kohëve të fundit mes presidentit dhe qeverisë në lidhje me procedurat e betimit, te emërimet në Gjykatën Kushtetuese apo dekretimin e ministrave të rinj. Gjithçka duket se e paraprin çdo situate të pazakontë pas zgjedhjeve të ardhshme, ku në një nga pikat është përcaktuar se nëse kreu i shtetit nuk dekreton kryeministrin e ri brenda një afati kohor, atëherë këtë të drejtë me ndryshimet e reja do e ketë Parlamenti. Nga deputetë të mazhorancës që hartuan draftin thuhet se nuk është “heqje kompetencash”, por një rregullim procedurial për të mos krijuar ngërç institucional. Deri pasditen e djeshme nuk ka pasur reagime nga presidenca, pasi pritet që drafti të kalojë të gjithë fazat proceduriale deri në depozitimin në Parlament dhe më pas caktimin e datës që do diskutohet në senacë plenare përpara se të votohet.
Pikëpyetjet e dekretimeve
Në nenin 20 të ligjit organik për kompetencat e Presidentit, është parashikuar se në këtë rast, kryeministrin e zgjedh Kuvendi, pavarësisht mungesës së dekretit nga kreu i shtetit. “Në rast se Presidenti i Republikës nuk nxjerr dekretin për emërimin nismëtar të Kryeministrit, ose nuk e nxjerr atë sipas procedurës së përcaktuar në pikat 5, 6 dhe 7 të këtij neni, atëherë Kryeministri zgjidhet drejtpërdrejt nga Kuvendi. Në këtë rast zbatohen gjerësisht procedurat që rregullorja parashikon për zgjedhjen e Kryeministrit me mocion mosbesimi”, thuhet në pikën 9 të nenit 20 të ligjit.
Gjithashtu në draftin e ri ligjor parashikohet se në rast se Presidenti i Republikës nuk nxjerr dekretin për emërimin pasues të Kryeministrit, brenda 10 ditëve nga zgjedhja, atëherë Kryeministri i zgjedhur i paraqet Kuvendit për miratim përbërjen dhe programin e qeverisë, pavarësisht nga mungesa e dekretit për emërim.
“Kryeministri, zëvendeskryeministri dhe ministrat e miratuar sipas kësaj pike bëjnë betimin drejtpërdrejt në Kuvend, pavarësisht nga mungesa e dekretit për emërim”.
Në të njëjtën linjë shkon edhe emërimi i ministrave të rinj të qeverisë. Në ligj parashikohet se në rast se Presidenti i Republikës nuk nxjerr dekretin për emërimin e ministrit të propozuar nga Kryeministri brenda 7 ditëve nga marrja e propozimit, atëherë Kryeministri ia paraqet propozimin Kuvendit për miratim, pavarësisht nga mungesa e dekretit për emërim. Ministri i miratuar sipas kësaj pike bën betimin drejtpërdrejt në Kuvend, pavarësisht nga mungesa e dekretit për emërim.
Nenet kryesore që ndryshojnë
Neni 20
- Emërimi i Kryeministrit bëhet nga Presidenti i Republikës me dekret. Emërimi i Kryeministrit është nismëtar kur procedura për emërimin e kryeministrit nis nga Presidenti i Republikës dhe është pasues kur procedura nis nga Kuvendi. Kryeministri i emëruar duhet të gëzojë mbështetjen e partisë ose koalicionit të partive që kanë shumicën e vendeve në Kuvend.
- Emërimi nismëtar bëhet në fillim të legjislaturës ose kur posti i Kryeministrit ngelet vakant dhe përfshin emërimin sipas pikave 5, 6 dhe 7 të këtij neni.
- Emërimi pasues i Kryeministrit bëhet në rastet kur Kryeministri zgjidhet nga Kuvendi pas përfundimit pa sukses të procedurave për miratimin e Kryeministrit të emëruar, kur zgjidhet për shkak të mosushtrimit nga Presidenti i Republikës të kompetences për emërim ose të moszbatimit të procedurës së emërimit, si dhe kur zgjidhet me mocion mosbesimi. Emërimi pasues i Kryeministrit bëhet nga Presidenti i Republikës pa zhvilluar procedura konsultimi.
- Presidenti i Republikës nxjerr dekretin për emërimin e Kryeministrit, në rastin e emërimit nismëtar, brenda 10 ditëve nga mbledhja e parë e legjislaturës së re të Kuvendit, brenda 10 ditëve nga përfundimi pa sukses i raundit të parë për miratimin nga Kuvendi të Kryeministrit të emëruar, ose brenda 10 ditëve nga krijimi i vakancës. Për emërimin pasues, Presidenti i Republikës nxjerr dekretin për emërimin e Kryeministrit brenda 10 ditëve nga votimi në Kuvend për Kryeministrin e zgjedhur nga vetë Kuvendi.
- Presidenti i Republikës bën emërimin nismëtar të Kryeministrit, pas konsultimit me kryetarët ose përfaqësuesit e autorizuar të partive që kanë mandate në Kuvend. Konsulta ka qëllim të identifikojë kandidatin që gëzon mbështetjen e shumicës së Kuvendit dhe që mund të marrë miratimin në Kuvend. Kryetarët ose përfaqësuesit e autorizuar të partive që kanë mandate në Kuvend mund t’i paraprijnë konsultës me Presidentin e Republikës me takime eksploruese mids tyre, me qëllim që të lehtësojnë përafrimin drejt kandidaturave të përbashkëta.
- Në rast se përfaqësuesit e partive politike nuk i japin mbështetjen e mjaftueshme asnjë kandidati të mundshëm, atëherë Presidenti i Republikës emëron Kryeministër dhe dërgon për miratim kandidatin e partisë që ka numrin më të madh të vendeve në Kuvend.
- Në rast se kandidati i emëruar nuk miratohet në raundin e parë të votimit, atëherë Presidenti i Republikës rinis konsultën me kryetarët ose përfaqësuesit e autorizuar të partive që kanë mandate në Kuvend. Në rast se përfaqësuesit e partive politike nuk i japin mbështetjen e mjaftueshme asnjë kandidati të mundshëm, atëherë Presidenti i Republikës emëron Kryeministër dhe dërgon për miratim kandidatin e partisë së dytë me numrin më të madh të vendeve në Kuvend.
- Në rast se kandidati i emëruar në raundin e dytë nuk miratohet, atëherë Presidenti i Republikës emëron Kryeministrin e zgjedhur nga Kuvendi, ose shpërndan Kuvendin, kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë vetë Kryeministrin e ri.
- Në rast se Presidenti i Republikës nuk nxjerr dekretin për emërimin nismëtar të Kryeministrit, ose nuk e nxjerr atë sipas procedurës së përcaktuar në pikat 5, 6 dhe 7 të këtij neni, atëherë Kryeministri zgjidhet drejtpërdrejt nga Kuvendi. Në këtë rast zbatohen gjegjësisht procedurat që rregullorja parashikon për zgjedhjen e Kryeministrit me mocion mosbesimi.
- Në rast se Presidenti i Republikës nuk nxjerr dekretin për emërimin pasues të Kryeministrit, brenda 10 ditëve nga zgjedhja, atëherë Kryeministri i zgjedhur i paraqet Kuvendit për miratim përbërjen dhe programin e qeverisë, pavarësisht nga mungesa e dekretit për emërim. Kryeministri, zëvendeskryeministri dhe ministrat e miratuar sipas kësaj pike bëjnë betimin drejtpërdrejt në Kuvend, pavarësisht nga mungesa e dekretit për emërim.
Neni 21
Emërimi i ministrave
- Ministrat emërohen nga Presidenti i Republikës me dekret, sipas propozimit të Kryeministrit. Dekreti kundërfirmohet nga Kryeministri.
- Në rast se Presidenti i Republikës konstaton përpara emërimit, se ministri i propozuar nuk plotëson ndonjë nga kushtet për të qenë deputet, nuk ka shtetësinë apo moshën e kërkuar, ose nuk ka dhënë dorëheqjen nga detyra e gjyqtarit, prokurorit, ushtarakut të shërbimit aktiv, punonjësit të policisë apo të sigurimit kombëtar, përfaqësuesit diplomatik, apo të kryetarit të bashkisë apo prefektit, përpara momentit të propozimit, atëherë Presidenti i Republikës informon me shkrim Kryeministrin për pengesën për emërim, duke i kërkuar tërheqjen e propozimit dhe zëvendesimin me një kandidaturë tjetër, brenda 7 ditëve nga marrja e propozimit.
- Presidenti i Republikës nuk mund të vonojë apo pengojë emërimin e ministrit të propozuar për asnjë motiv apo shkak tjetër, përveç atyre të pikës 2 të këtij neni.
- Në rast se Presidenti i Republikës nuk nxjerr dekretin për emërimin e ministrit të propozuar nga Kryeministri brenda 7 ditëve nga marrja e propozimit, atëherë Kryeministri ia paraqet propozimin Kuvendit për miratim, pavarësisht nga mungesa e dekretit për emërim. Ministri i miratuar sipas kësaj pike bën betimin drejtpërdrejt në Kuvend, pavarësisht nga mungesa e dekretit për emërim.
Kryeministri dhe ministrat “konstatojnë” paaftësinë e presidentit
Në projektligjin e maxhorancës për kompetencat e Presidentit të Republikës, përveç humbjes së të drejtës së dekretimit të kryeministrit dhe ministrave, është future edhe një klauzolë e veçantë që ka të bëjë me “pamundësinë e ushtrimit të detyrës” nga ana e kreut të shtetit. Neni 9 i projektligjit të propozuar nga deputetët e maxhorancës i jep kompetencë, kryeministrit, ministrit të Brendshëm, ministrit të Shëndetësisë apo çdo Kryetareve të Grupeve Parlamentare për të vënë në lëvizje Kuvendin në shpalljen e pamundësisë së Presidentit për të ushtruar detyrën.
Për të shpallur paaftësinë e Presidentit, Kuvendi ngre një Komisioni Hetimor merr një grup prej 5 mjekësh specialistë, të cilët konstatojnë gjendjen e Presidentit dhe përcaktojnë paaftësinë afatgjatë apo afatshkurtër të tij. “Presidenti i Republikës ndodhet në pamundësinë e ushtrimit të detyrës në rastet kur për motive shëndetësore, e ka të pamundur perceptimin e mjedisit rrethues ose kur për çfarëdo lloj rrethane tjetër e ka të pamundur komunikimin e lirë e të vullnetshëm. Pamundësia fizike për të ndjekur agjendën e punëve nuk përbën në vetvete shkak për vërtetimin e rastit të pamundësisë”-thuhet në këtë nen. Në të përcaktohet qartësisht se “pamundësia” lidhet me aspektin psikologjik dhe fizik.
“Pamundësia e ushtrimit të detyrës është e përkohshme ose afatgjatë. Pamundësia është afatgjatë në rastet kur Presidenti nuk mund të ushtrojë detyrën për më shumë se 60 ditë. Pamundësia është e përkohshme kur zgjat nga 24 orë deri në 60 ditë”, thuhet në nenin 9. Pas këtij qëndrimi, kompetencat e Presidentit i kalojnë Kryetarit të Kuvendit deri në zgjedhjen e një Presidenti të ri.
Kush e konstaton pamundësinë…?
Sipas pikës 3 të këtij neni konstatimi i pamundësisë bëhet sipas rastit dhe rrethanave nga Zonja e Parë, drejtori i kabinetit të Presidentit ose sekretari i përgjithshëm i Presidencës, Kryeministri, Ministri i Brendshëm ose i Shëndetësisë, si dhe nga çdo kryetar grupi parlamentar, të cilët vënë në dijeni Kuvendin menjëherë. Komision hetimor për pamundësinë e ushtrimit të detyrës.
Në pikën 4 të nenit thuhet se “për deklarimin e pamundësisë së përkohshme apo afatgjatë, Kuvendi ngre komision hetimor me detyrën për të shqyrtuar dhe vërtetuar rrethanat e rastit të pamundësisë. Kur pamundësia konstatohet për motive shëndetësore, atëherë komisioni hetimor cakton jo më pak se 5 mjekë, specialistë në fushën përkatëse mjekësore, për t’u shprehur për gjendjen shëndetësore të Presidentit të Republikës.
Ekspertiza mjekësore duhet të shprehet, përveç diagnozës dhe protokollit të trajtimit mjekësor edhe për prognozën e sëmundjes dhe ndikimin e saj mbi ushtrimin e detyrës. Ndërsa pika 5 e nenit thotë se “Komisioni hetimor mund të deklarojë pamundësinë afatgjatë të ushtrimit të detyrës vetëm në rast se rrethanat e rastit krijojnë bindjen, jashtë çdo dyshimi, se Presidentit i Republikës nuk mund t’i kthehet ushtrimit të detyrës brenda 60 ditëve nga konstatimit i pamundësisë. Përndryshe deklarimi i pamundësisë bëhet vetëm me efekt të përkohëshëm”.
Kur detyra e Presidentit i kalon Kryetarit të Kuvendit
Në pikën 6 të nenit theksohet se “Kur komisioni hetimor konstaton pamundësinë e përkohshme të ushtrimit të detyrës, çështja i kalon për vendimmarrje Kuvendit, i cili vendos me shumicën e votave të të gjithë deputetëve që ushtrimi i përkohshëm i detyrës së Presidentit të Republikës të bëhet nga Kryetari i Kuvendit.
Kryetari i Kuvendit ushtron detyrën e Presidentit të Republikës deri në rikthimin në detyrë të tij. Ndërsa në pikën tjetër të ligjit, sqarohet më tej se “Kur komisioni hetimor konstaton pamundësinë afatgjatë të ushtrimit të detyrës ose kur pamundesia e përkohëshme sipas pikës 6 të këtij neni ka zgjatur 60 ditë, Kuvendi, me dy të tretat e të gjithë anëtarëve, vendos dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila vërteton përfundimisht faktin e pamundësisë. Në rast të vërtetimit të pamundësisë afatgjatë, vendi i Presidentit mbetet vakant dhe zgjedhja e Presidentit të ri fillon brenda 10 ditëve nga data e vërtetimit të pamundësisë. Kryetari i Kuvendit ushtron detyrën e Presidentit të Republikës deri në fillimin e detyrës nga presidenti i ri”.
r.g/fjala.al