Nga Roland Qafoku
Zëvendëministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli në një intervistë për emisionin “HARD TALK nga Roland Qafoku”, analizon situatën pandemike në vend në betejen e vazhdueshme prej gati nëntë muajve. Shqipëria bëhet gati për tu përfshirë ndër vendet e para që do e kenë vaksinën, e cila sipas eskpertëve ka një efektivitet të lartë prej 90%. Rakacolli: Kemi bërë parapagimin..
-Sa herë që flasim me ju, ne gazetarët ju pyesim si janë me shëndet tre milionë shqiptarë. Po ju vet zonjë, si jeni?
Unë të falenderoj. Ne nuk na lejohet të sëmuremi. Unë nuk mendoj se më lejohet të sëmurem. E kam të ndaluar me vendim personal.
-Jemi në një situatë që të themi të drejtën nuk është aq optimiste. Kaloi masa e parë, ora policore. Me herën e parë ne nuk mund të themi se çfarë efektesh dha, por a jeni e bindur zonjë se kjo masë që ju keni marrë do ketë efekte pozitive në uljen e numrit të të infektuarve?
Patjetër që po, dhe ky nuk është vetëm mendimi im personal. Është mendimi i gjithë atij grupi të përgjegjshëm që është marrë që nga fillimi i menaxhimit të epidemisë. Asnjë masë nuk merret pa analizuar situatën, asnjë masë nuk merret pa gjetur shkaqet të cilat kanë çuar në këtë situatë, dhe në momentin që gjenden shkaqet është më e lehtë të gjendet dhe a mund të ndalohet dhe si mund të ndalohet.
Sepse ka një shkak i cili është vala e dytë e pandemisë gjatë të stinës së dimrit nuk mund ta ndalosh por ka shkaqe të tjera siç janë grumbullimi të cilat mund t’i dallosh. Arsyeja që Komiteti i ekspertëve arriti në këtë masë ishte pikërisht vlerësimi i situatës me numrat e rritur. U pa që numrat kanë ardhur ditë pas dite duke u rritur, fatmirësisht jo me një trend eksponencial, dhe ekipi ka vënë re se këto raste janë rritur kryesisht në moshat 25-55 vjeç. Duke bërë hetimin rast pas rasti se ku ka qenë mundësia më e madhe që ata të infektohen është evidentuar që kanë qenë baret dhe restorantet, frekuentimi i tyre në orët e vona të natës atëherë kur edhe përpara një gote alkooli me ndjenjën e euforisë që alkooli je, ngrihet zëri, nuk respektohet distanca, kështu që është shumë e madhe mundësia e infektimit.
Nga ana tjetër u vu re që edhe në disa godina administrative kishte një frekuencë të lartë të shpërndarjes së rasteve. Për këtë arsye u propozuan këto masa.
-Zonjë, ne mund të ndërrojmë pushtetin por mjekët nuk i ndërrojmë dot. PD pretendon, dhe dje ishin edhe disa pacientë që thoshin nuk kemi marrë kujdesin e duhur shëndetësor. Si është situata realisht dhe si duhet ta shmangim këtë lloj politizimi që i bëhet situatës?
Shmangia e debatit politik është pjesë e formimit të gjithësecilit. Çdo politikan vendos të politizojë një problem, ose të mos e politizojë atë. Unë për këtë jam pa fjalë. Sepse është diçka që nuk po nddh në asnjë vend dhe një epidemi e cila ndodh një herë në 100 vjet, që ndodh njëkohësisht në të gjithë botën, ta politizosh, nuk gjej dot fjalë.
Përsa i përket kujdesit që marrin qytetarët shqiptarë , nëse do flasim për ato raste që kanë dalë dje, tre nga ata qytetarë i janë drejtuar shërbimit privat dhe është zgjedhja e çdo njeriu për t’iu drejtuar shërbimit privat. Shteti ka siguruar shumë përgjegjësi, ka siguruar një asistencë të shkëlqyer, një organizim të shkëlqyer, të asistencës të të sëmurëve me covid në përputhje me kushtet që ka Shqipëria. Mjeku i familjes është 24 orë në telefon, është i organizuar dhe çdo person ka akses te mjeku i familjes. Mjekët e familjes janë trajnuar që në fillim të epidemisë, iu janë shpërndarë udhëzues të mënyrës se si duhet të menaxhohet pacienti, dhe janë dhënë udhëzimet të shkruara. I pari ka qenë në 26 prill, i rifreskuari ka qenë në qershor, dhe i fundit ka qenë në tetor.
Aty shkruhet se si do menaxhohet sëmundja sipas fazave, thuhet që në shtëpi duhet të trajtohen vetëm ata qytetarë që kanë shenja të lehta ose të mesme pa prekje të theksuara të mushkërive, ndërsa format e rënda dhe tepër të rënda i duhen drejtuar strukturave spitalore. Struktura spitalore ka bërë një përshtatje të shkëlqyer në një kohë rekord për t’iu përshtatur epidemisë. Sepse kush mund të jetë dhe kush ishte si sistem shëndetësor në botë që kishte gati nevojat e një pandemie që bëhet një herë nqa 100 vjet.
-Jemi dëshmitarë që Franca po lajmëron rrezik të kolapsit të sistemit shëndetësor. Polonia po ashtu. Gjermania ka dhënë të drejtën që të shkojnë të sëmurë nga Holanda të shtrohen në Gjermani sepse Holanda po mbush kapacitetet spitalore. Në një kohë që në i kemi bërë gati kapacitetet spitalore në një kohë rekord, me një strukturë të përshtatur nga ajo që ishte ekzistuese dhe ne fatmirësisht kemi të përgatitura kapacitete spitalore.
-A keni patur ju vetë kontakt me mjekë të tjerë, ose përfaqësues të PD janë mjekë? Për shëmbull, nga ata janë shumë kritikë zoti Tritan Shehu i cili ka qenë dhe ministër i Shëndetësisë. Ai pothuajse përditë bën deklarata dhe kritika për ju.
Profesor Tritani është një profesor i nderuar, dhe unë e kam njohur qysh në bankat e Fakultetit të Mjekësisë, dhe kam një respekt të pafund për të. Natyrisht ai ka këndvështrimin e vet, po çdo njeri ka këndvështrimin e vet. Ne jemi përballur dhe në studiot televizive, dhe kemi ndarë këndvështrimet tona.
-Ai përditë çon te celulari im denoncime, kritika, dhe them si ka mundësi që mund të ndahen mjekët kështu në dy llogore.
S’është problemi im. -Kemi një dritë jeshile javën e fundit, daljen e vaksinës. Thuhet se ka një efikasitet prej 90%. Shqipëria e ka pasur qysh në politikat shëndetësore ndjekjen e problemit të vaksinës, por në vëmendje të veçantë që në momentin e parë që flitej për vaksinën. Dhe ne jemi futur menjëherë në atë grupin e madh në atë që quhet Iniciativa e Covax-it dhe pjesë e kësaj iniciative është edhe sigurimi i kësaj vaksine. Dhe ne e kemi blerë. Kemi bërë parapagim.
-Sa është bërë pagesa?
Është bërë 3.9 milionë euro dhe qytetarët shqiptarë e kanë ndjekur edhe aprovimin në Parlament. -Kemi marrë masa, sepse edhe organizimi i bërjes së vaksinës nuk është i lehtë. Nuk mund të bëhet në shtëpi sepse vaksina ka kushte të caktuara se ku duhet ruajtur . Ajo duhet të ruhet në temperatura -80 gradë celcius ndaj do të bëhet nëpër vende të posaçme që në po i identifikojmë. Personeli duhet të trajnohet dhe po trajnohet.
-A i kemi ne mundësitë për të gjithë këtë kapacitet?
Po i përgatisim. Nuk i kemi tani, por në momentin që do jetë vaksina patjetër do jenë gati. Nuk mund ta mendosh sepse asnjë vend i botës nuk ka për ta bërë vaksinimin për një dhe dy ditë. Do fillohet me grupet e rriskuara më shumë. Në fillim do jenë personeli shëndetësor, ato të shërbimeve që hasen më tepër me sëmundjen dhe pastaj grupet e riskura sipas moshave. Ka dhe një gjë që vaksina ka dy doza. Fillimisht bëhet doza e parë dhe pas tre javësh bëhet doza e dytë. Në dozën e parë këkrohet kjo lloj vaksine. E rëndësishme është që qytetarët shqiptarë do kenë në të njëjtën kohë si gjithë qytetarët e botës atë lloj vaksine që do kenë edhe qytetarët e tjerë evropianë.
-Vaksina do bëhet edhe në Tropojë, edhe në Sarandë. Apo ajo do jetë e përqëndruar nëpër spitalet rajonale?
Do bëhet në një strukturë të posaçme. Vaksinat nuk janë bërë ndonjëherë nëpër shtëpi. Kështu që patjetër do bëhen nëpër qendra vaksinimi. Historikun e vaksinimit Shqipëria e ka një ndër më të mirat në botë. Ne kemi një edukatë dhe zinxhir vaksinimi të ngritur me kohë dhe të mbajtur shumë mirë.
-A jeni të kënaqur me punën që është bërë në këto 9 muaj?
Ne kemi punuar me gjithë forcën tonë fizike, dhe gjithë forcën tonë shpirtërore. E them me përgjegjësi që kemi bërë çfarë kemi menduar ne që bëhet më mirë pa kursyer absolutisht asnjë gjë. Kermi bërë maksimumin. Ne nuk kënaqemi kollaj. Nuk themi që kemi perfeksionin sepse natyrisht që ka edhe të meta, por ne jemi vazhdimisht në punë përkushtuese, nuk na lejohet të sëmuremi, nuk na lejohet të lodhemi. Gjithë sistemi shëndetësor po punon me gjithë shpirt. Më mirë dhe mund të ketë, por ne po bëjmë më të mirën.
-Sa janë kapacitetet e shëndetësisë shqiptare për të trajtuar të sëmurët me Covid?
Me shumë të drejtë qytetarët kërkojnë të kenë njohuri për këtë çështje. Në Tiranë në kemi 4 struktura spitalore për të përballuar të sëmurët me Covid që përkthehen në 550 shtretër. Njëkohësisht nëse këto 550 shtretër, në qarkullimin që ato bëjnë nuk do arrijnë që ta përballojnë fluksin e shtuar të të sëmurëve që shpresojmë kurrë të mos vijë, të fillojnë të funksionojnë dhe spitalet rajonale të cilat gjatë kësaj periudhe kanë përshtatur kapacitetet e tyre. Në total jemi të përgatitur për rreth 1600 shtretër në të gjithë Shqipërinë.
-Si e vlerësoni stafin mjekësor?
E kam të vështirë të gjej një fjalë. Ajo që po mendoj tani me këtë pyetje është: përulem para stafit mjekësor.
-A do veçonit dikë të veçantë aty?
Puna bëhet në grup. Lideri më i mirë është grupi. Edhe pse ka një emër, gjithmonë ka një grup pas atij emri.
-Çfarë duhet të bëjmë që të mos mbyllemi?
Duhet të vlerësojmë masat që janë rekomanduar nga ekspertë shumë të përgjegjshëm me një background shumë të mirë në luftimin e sëmundjeve infektive dhe një përgatitje profesionale të shkëlqyer të marrë nëpër auditorë të Europës dhe Amerikës. Unë kam pasur privilegjin të punoj me ta se unë nuk jam eksperte e fushës dhe të vlerësoj në maksimum aftësitë e tyre profesionale.
-Zonjë, ju keni marrë këtë masë dhe me të drejtë i dhatë gjithë këtë shpjegim shterues dhe shumë të qartë. Me atë që ju parashikoni, pas tre javësh si do shkojë Shqipëria, drejt një trendi rritës apo e kundërta?
Varet se si do shkojë.
-Po si e parashikoni ju?
Përderisa ne kemi marrë këto masa, ne kemi lënë një vlerësim dhe nuk e dimë se di do shkojë. Shpresojmë të shkojë mirë. Duam të shkojë mirë, shpresojmë të shkojë mirë, por jo pa bashkëpunimin me qytetarët. Nëse qytetarët bashkëpunojnë patjetër që do shkojë mirë. Nëse ata vazhdojnë të dalin në rrugë me maskën te mjekra, me hundën e zbuluar, atëherë nuk ka të bëjë vetëm ora. Nuk është një gjë që zgjidhet vetëm me të shkuar në bar dhe restorante. Është një gjë që zgjidhet me një ndryshim të stilit të jetesës. Dhe ne duhet ta kuptojmë që të mundohemi të bëjmë atë jetë për të cilën kemi nevojë, por në një mënyrë tashmë të ndryshuar.