Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka sjell sot një panoramë të situatës në vend që prej muajit mars kur u vendosën masat e para kundër përhapjes së COVID-19 në vend si dhe vendimet e qeverisë.
Nga të dhënat e deritanishme, 646 persona e kanë humbur betejën me koronavirusin, ndërsa java e 46 ka shënuar edhe rekordin më të zi.
Manastirliu tha se aktualisht janë 29 837 raste me koronavirus në vend, ndërsa incidenca është 1042 raste për 100 mijë banorë.
Ajo u bëri thirrje edhe njëherë qytetarëve që të respektojnë masat, në mënyrë që të kufizohet përhapja e virusit.
“Në këtë komunikim tashmë të përjavshëm me ju dua të ndalem shumë shkurt në situatën epidemiologjike në vend, në prezantimin e masave të ndërmarra deri tani në raport me masat kufizuese shtrënguese dhe masat në kuadër të strategjisë së rihapjes dhe vjeshtë-dimrit për të bërë një panoramë të plotë dhe gjithashtu të ndalemi në çfarë është aktualisht duke ndodhur në strukturat tona të kujdesit shëndetësor në programet për mbështetjen e popullatës dhe për të sqaruar ato pika kyçe për të cilat të gjithë qytetarët janë të interesuar për t’u njohur.
Aktualisht kemi të konfirmuara me diagnozën COVID-19, 29 837 raste në total, duke prodhuar një incidencë prej 1042 rastesh për 100 mijë banorë. Duke e krahasuar me rajonin dhe mesataren e Europës është më e ulët. Shtimi i rasteve të konfirmuara ka shkaktuar një rritje të mesataresh javore, prej 429 raste në javën e 45 të pandemisë prej mbi 500 raste në javën e 46.
52% e rasteve janë femra, 48% janë meshkuj. Rritje e lehtë e rasteve aktive, në 526 raste për 100 mijë banorë. Për fatalitetet, aktualisht kemi 646 humbje jete. Mortaliteti më i ulët se mesatarja e vendeve të rajonit. Java e 46 me një numër më të lartë fatalitetesh. Situata në spitale, në të 3 strukturat e dedikuara për rastet COVID, aktualisht kemi të zëna 420 shtretër. 15-20% shtretër të lirë.
Struktura e katërt është gati në momentin që do të kemi një zënie të shtretërve në tre strukturat e para. Vlerësoj gjithë punën e madhe që po bëjnë mjekët. Kemi ndërmarrë 13 masa ose ndërhyrje përgjatë gjithë kësaj periudhe 9-mujore duke filluar nga marsi me vendosjen e masave të izolimit, më pas dhe ashtu sikurse e pamë Shqipëria arriti të kufizonte marrjen e virusit. na dha kohë të përgatiteshim. Kemi tre dokumente të përgatitura nga ekspertët”, deklaroi Manastirliu./Bl.Ba/Fjala.al