Kryedemokrati Lulzim Basha ka shprehur ngushëllimin e tij familjes së të ndjerit Bashkim Kopliku, ish-zv kryeministër dhe ish-zv ministër i Brendshëm. Përmes një postimi në ‘Twitter’, Basha shkruan se Kopliku ishte një politikan që dha mbështetjen dhe kontributin e pakursyer për krijimin e Partisë Demokratike.
Ndër të tjera kryedemokrati shkruan se angazhimi i Koplikut si ligjvënës do të mbetet i pashlyeshëm në historinë e re të Shqipërisë.
“Me keqardhje mësova për ndarjen nga jeta të Bashkim Koplikut, politikanit që dha mbështetjen dhe kontributin e pakursyer që në ditët e para të krijimit të Partisë Demokratike. Ngushëllimet e mia shkojnë për familjen, miqtë dhe të afërmit e zotit Kopliku. Angazhimi i tij si ligjvënës dhe zëvendëskryeministër gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike pas rënies së komunizmit, do të mbetet i pashlyeshëm në historinë e re të Shqipërisë. U prehtë në paqe!”, shkruan kreu i PD, Lulzim Basha.
Kopliku u nda nga jeta ditën e shtunë në moshën 77-vjeçare pasi ishte prekur nga infektuar me Covid-19 dhe ishte në gjendje të rëndë teksa kurohej në spitalin e Durrësit.
Ai ka qenë një figurë historike e PD, pasi ka qenë zv/kryeministër dhe ministër i Brendshëm në qeverinë e parë të udhëhequr nga PD pas vitit 1992. Gjithashtu ai është zgjedhur dy herë deputet në parlament si dhe ka mbajtur edhe poste të tjera, ndër të cilat edhe kryetar i Bashkisë së Durrësit./r.g/fjala.al