Dy efektivë të Policisë së Shtetit kanë ndërruar jetë për shkak të Covid 19 në harkun e 24 orëve.
Efektivi i Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, Munir Xhepa, nuk e ka fituar dot betejën me SARS COV 2 dhe pas 5 ditëve intubim në një nga spitalet Covid në Tiranë ka humbur jetën. Ky është rasti i parë që humb jetën nga koronavirusi një efektiv policie në Qarkun Dibër.
Ndërkohë, oficeri i Policisë Kufitare të Drejtorisë së Durrësit, Bibë Dodë Qokaj u soll i pajetë me një avion çarter nga Stambolli, ku kishte shkuar për mjekim të specializuar për shkak të Covid 19.
Lajmi bëhet i ditur nga faqja në Facebook e Nikaj Mertur News, e cila shkruan mes dhimbjes dhe trishtimit: “Dhimbje dhe lot, e pabesueshme por e vërtetë, një avion Çarter sjell nga Stambolli trupin e pajetë të oficerit të policisë Kufitare të Drejtorisë së Durrësit, Bibë Dodë Qokaj. K
jo sëmundje e pabesë e shekullit u tregua e pamëshirë me djalin tonë 55 vjeçar. Sa njerëz prite e përcolle në Portin e Durrësit prej 20 vjetësh me buzëqeshjen tënde fisnike e sonte veshe në zi Rinasin e Durrësin.
Biri i familjes fisnike tē Pal Mark Elezit të Mirashmarkajve Curraj i Epërm Nikaj – Mertur , nipi i Prek Pal Qokaj “që nuk iu ngri manxerrja në dorë në Zeledinë”. Eh more Bibë djali, veshe Curraj e Nikaj – Mertur e Palq në zi, lot e dhimbje për shpirtin tënd të bardhë e të dlirë”, shkruhet në faqen e Nikaj Mertur./Bl.Ba/Fjala.al