Plator Nesturi: Momenti që po trokasim në derën e BE nuk është më i përshtatshmi

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ekskluzive

Për të shtatën herë radhazi, Bashkimi Evropian refuzoi hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Cilat janë arsyet dhe përse është rritur euroskepticizmi nga vendet anëtare të BE-së. Sjellja e politikës shqiptare për çështjen e integrimit dhe a do të ndikojë mos hapja e negociatave në zgjedhjet e 25 prillit të vitit të ardhshëm. Flet për gazetën “Fjala” analisti Plator Nesturi.

Refuzimi i Bashkimit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë, a do të ndikojë edhe në rezultatin e zgjedhjeve në vend?

A jemi larguar ne nga Evropa apo është vetë Evropa që e cila ka një qasje tjetër ndaj vendeve që tentojnë të shkojnë drejt saj, si Shqipëria dhe Maqedonia? Përgjigja ndaj kësaj pyetjeje përcakton se çfarë ka ndodhur në këto katër vite, pra që nga viti 2016 kur u vendos që Shqipëria të jetë vend kandidat pa kushte dhe që procesi i negocimit do të niste me ngritjen e Tryezës Ndërqeveritare. Ndërsa e kemi tapinë e vendit kandidat, a mund të quhet refuzim pra nëse po zvarritet ndër vite thërritja e Tryezës nga ana e vendeve të BE? Apo diçka ka ndryshuar tek këto vende që tashmë i kanë kthyer sytë nga problemet e brendshme dhe kanë shumë më pak interes për zgjerimin e familjes së BE. Momentum që po trokasim në derën e BE nuk është më i përshtatshmi. Është si të trokasësh në një derë e të kërkosh mikpritje në kohën kur djemtë e familjes janë duke u grindur me njëri tjetrin dhe kur i zoti i shtëpisë ka halle të tjera. Shqipëria humbi kohë në vitin 2013 me shtyrjen e procesit gjë që po ndikon tashmë në shtyrjen e përfundimeve të pritshme. Deri në 2014 çështja e integrimit në BE ishte më e thjeshtë. Por ndryshimi i raporteve politike, ngritja e partive populiste dhe që janë euroskeptikë, shoqëruar kjo dhe me daljen e Britanisë së Madhe nga BE, natyrshëm që prishi atë klimë favorizuese të zgjerimit.

Kështu nisi të prishej skema e deriatëhershme kur nëse rekomandonte Komisioni Evropian një propozim, ajo aprovohej totalisht nga shtetet anëtare. Rasti i procesit të Shqipërisë dhe Maqedonisë është dhe një nga shembujt se ndërsa Komisioni Evropian raporton se janë përmbushur kushtet dhe të dyja vendet rekomandohen të jenë pjesë e procedurave për union, kjo gjë has pengesë nga vende të caktuara, të cilat më së shumti skepticizmin e kanë si rezultat i presionit të brendshëm politik sesa mbi çështje thelbësore. Dëshmi për këtë është fakti që këto dy vende prej mëse 4 vitesh bëjnë një raportim çdo tremujor, që u përcillet çdo kancelarie të vendeve të BE, dhe realisht nuk ka patur vërejtje mbi këto raportime të kryera. Çështja ndryshon papritur në samitet kur do të vendoset vijimi I procedurave, çka dëshmon se më së shumti janë qëndrime politike për të shmangur procesin e zgjerimit sesa probleme qenësore për pengesë.

Në këto kushte, ndërsa ka përfunduar puna më e vështirë për përafrimin legjislacionit, ndërsa janë ndëramrrë reforma të kërkuara e madje nën monitorim të vetë vendeve të BE e të SHBA, është e qartë se kjo shtyrje nuk është rezultat i mos përmbushjes së angazhimeve, por i shkaqeve të brendshme në BE. Mjafton të kujtojmë se dy ditë më parë, Zëvendës Ndihmës i Sekretarit të Shtetit, Z. Palmer deklaroi se SHBA vlerëson se Shqipëria ka bërë progres në angazhimet e saj dhe në realizimin e reformave dhe madje i bëri thirrje BE që të ndërmarrë një vendim pozitiv për Shqipërinë në thirrjen e Tryezës Ndërqeveritare Brenda periudhës së presidencës gjermane. E parë në këtë kontekst, çfarëdo vendimi do të merret deri në datën 11 dhjetor nga ana e BE, kjo nuk ka të bëjë as me qeverisjen dhe as më çështje reformash, ndaj nuk ka si të ketë ndonjë ndikim për zgjedhjet e 25 prillit. Për më tepër që në këtë çështje vetë opozita nuk ka si t’ia lerë “barrën e fajit” vetëm maxhorancës, kur vetë ajo me braktisjen e parlamentit dhe stimulimin e krizës politike nëpërmjet rrugëve jashtëparlamentare, hapi kapituj shtesë e që mund të shmangeshin nga detyrimet e deriatëhershme.

Lexo edhe :  “Jemi miq, po rrëmoni në vendin e gabuar”/ Balluku rrëfen marrëdhënien me Veliajn

Për një Shqipëri në BE a do të ketë një bashkëpunim politik mes dy forcave të mëdha për të ngritur institucionet e rëndësishme, apo politikës nuk i intereson fare ky integrim?

Deri më tani marrëdhëniet midis aktorëve politikë shqiptarë kanë qenë thembra e Akilit në imazhin e demokracisë në vend. Jemi dëshmitarë që tensionet midis palëve marrin shpesh trajta ekstreme çka ka treguar një papjekuri të theksuar të klasës politike në Shqipëri. Është dëshmuar se për çdo lloj krize në vend është thirrur apo është dashur ndërhyrja e aktorëve ndërkombëtarë, të BE dhe SHBA, për të ulur gjakrat e për të vendosur paqe. Në këtë mënyrë vetë klasa politike i ka dhënë një imazh të keq vendit. Në këtë kontekst, bashkërendimi e bashkëpunimi për çështje të integrimit ka qenë me hope, i mangët dhe shpesh kur ka qenë dhe i imponuar nga faktori ndërkombëtar. Më kollaj partitë në opozitë ia kanë futur shkopinj nën rrota reformave apo çështjeve të integrimit dhe kjo është përsëritur dhe kur partitë që ishin në pushtet kanë kaluar në opozitë duke përdorur të njëjtat formula pengimi.

Përfaqësues të BE-së e konsiderojnë si tre pika kryesore, kusht për vendin tonë: krijimin e Gjykatës Kushtetuese; luftën kundër korrupsionit dhe marrëveshjet politike për çështjen e zgjedhjeve. A mund ti plotësojë vendi ynë deri në marsin e vitit të ardhshëm kur është lënë vendimi?

Ju keni përmbledhur këtu tre kushte dhe nëse i sheh këto vëren se realizimi i tyre janë jo vetëm të arritshëm por që dëshmon se vendimi në këtë rast është një shtyrje thjesht për të kapur kohë e për të kënaqur momentalisht euroskeptikët. Këtë e them se ndërsa këto kushte janë mëse të realizueshme, natyrshëm mund të veprohej të merrej vendim pozitiv me caktimin e Tryezës Ndërqeveritare dhe të përcaktohej që ndërkohë, pra deri në hapjen e tryezës, Shqipëria të kish realizuar dhe këto tre kërkesa. Pasi duke i marrë me radhë, Gjykata Kushtetuese është afër plotësimit të numrave të anëtarëve për ta bërë funksionale dhe kjo dihet tashmë. Po ashtu për luftën ndaj korrupsionit është vënia në eficëncë e organeve që merren me këtë si SPAK apo BKH dhe në këtë drejtim tashmë pritet thjesht që ato të japin produkt. Ndërkohë çështja e zgjedhjeve tashmë mbetet thjesht për zbatim nga autoritetet që merren me to, pasi në këndvështrimin e BE kanë qenë marrëveshjet politike ato që shpesh herë prishin e dëmtojnë balancat e ligjit.

Nga ana tjetër në Evropë ka një skepticizëm të theksuar kundër zgjerimit. Ne dhe Maqedonia e veriut jemi “peng” i politikave të brendshme të BE-së, apo nuk kemi plotësuar kriteret?

Kriza ekonomike, kriza sociale që e shoqëroi dhe që solli shtimin e peshës së partive populiste e euroskeptikë, por edhe pandemia që ka goditur ekonomitë e vendeve të BE këtë vit, natyrisht nuk është një moment i mirë për të synuar procesin e anëtarësimit. Shumë prej qeverive të vendeve të BE gjenden nën një presion të fortë si ndaj çështjeve të emigracionit e natyrshëm edhe ndaj zgjerimit të mëtejshëm të BE. Po ashtu dhe midis vendeve të BE ka patur kontradikta të ndryshme. Mjafton të kujtojmë debatet e ashpra dhe pakënaqësitë e vendeve të caktuara ndërsa po shpërndaheshin fontet e ndihmave për ekonomitë e vendeve që ishin dëmtuar nga pandemia. Është një perish plot vështirësi dhe kjo e vështirëson dhe një vendim të ftohtë e që shkon thjesht mbi perspektivat e të ardhmes së BE. Qeveritë evropiane më së shumti po mendojnë të tashmen dhe përballimin e saj. Në këtë aspekt dhe ne si vend duhet të kuptojmë situatën çfarë po ndodh në arenën evropiane por gjithsesi kjo nuk ka pse të na stepë të modernizojmë veten dhe demokracinë në vend për të qenë më të denjë për familjen evropiane.

Të fundit

Zgjedhjet në Gjermani, Olaf Scholz zyrtarisht kandidat i socialdemokratëve për kancelar

Kongresi i partisë SPD në Berlin ka emëruar Olaf Scholz si kandidatin e saj për kancelar në zgjedhjet e...

Avioni bën ulje të detyruar në Selanik, shkak gjendja shëndetësore e një pasagjeri

Një ulje e detyruar e një avioni ka ndodhur mëngjesin e së shtunës (11/1) në aeroportin “Macedonia” të Selanikut, për shkak të një problemi shëndetësor të...

Paralajmërim për ngrica dhe shtrëngata, Agjencia e Mbrojtjes Civile apelon bashkitë

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka shpërndarë një njoftim sa i përket kushteve të motit për ditën e nesërme. Në një postim të shpërndarë në...

Biden dhe Trump, “bashkë për paqen”! Propozojnë plan për…

Ndërsa Presidentit Joe Biden i mbaron mandati më 20 janar, ndihmësit e tij po punojnë me ekipin e Presidentit të zgjedhur Donald Trump për...

Vatikani thyen tabutë: Burrat homoseksualë mund të shugurohen priftërinj

Udhëzimet e reja të publikuara nga Konferenca e Peshkopëve Italianë të premten pranojnë shugurimin e burrave homoseksualë në priftërinë katolike. “Kur i referohemi prirjeve homoseksuale,...

Lajme të tjera

Web TV