Me sigurimin e 100 mijë testeve të shpejta të “Covid-19”, ka nisur aplikimi i tyre në Tiranë, ndërsa pas 20 dhjetorit do të shtrihen edhe në spitalet rajonale. Kush vendos për kryerjen e testit të shpejtë dhe përgjigjet e tamponit. Drejtoresha e ISHP: Do kryhen me rezervim tek mjeku i familjes
Nga Fernada Cenko
Më në fund testet e shpejta për të përcaktuar prezencën e Covidit filluan dje për herë të parë në Tiranë. Aplikimi i testeve të shpejta nuk është se do të bëhet menjëherë, pasi qytetarët duhet të rezervojnë tek mjeku i familjes. Sipas simptomave që do të shfaqen do të vlerësohet nga mjeku nëse duhet të bëhet tamponi apo jo. Pra duhet të prisni sa të vijë rradha e pastaj për 30 minuta pasi të jeni testuar do të merrni përgjigje. Dje nisi për herë të parë aplikimi për testet e shpejta.
Drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico tregoi se si do të procedohet në këtë fazë, si dhe sqaroi rolin e mjekut të familjes në këtë proces. Fico tha se si fillim janë porositur 100 mijë teste, ndërsa qetësoi popullatën se do të porositen të tjera në vijim. Po ashtu Fico shtoi se pavarësisht se rezultati i testit është 100%, ka dhe një përqindje gabimi në mes. Drejtoresha e ISHP-së tha se pas 20 dhjetorit, këto teste do të shpërndahen dhe në spitalet rajonale.
“COVID-19 është një sëmundje që na ka mësuar plot gjera të reja, siç janë dhe testimet. Mos të harrojmë se kur nisi kjo histori, s’kishte bota teste të shpejta. Testet janë të një standardi të një cilësie të lartë, certifikuar nga OBSH. Ajo çka do të bëhet është kjo; nga dita e sotme, deri në datën 20 janë vënë në dispozicion të njësive të kujdesit shëndetësor. Epidemiologët do të vlerësojnë dhe testet e shpejta përveç PRC. Pas datës 20, do të vijohet dhe shpërndarja e testeve dhe në rrethe. Pacientët do të referohen nga mjeku i familjes. Ky rekomandim mban parasysh diferencat; pse teste të shpejta dhe jo PRC. Që nga fillimi i pandemisë është përmirësuar cilësia e testeve. Testet e shpejta funksionojnë shumë mirë në 5-ditëshin e parë ku ngarkesa virale është më e madhe. Edhe kur kemi simptoma, me kalimin e ditëve, fillon e bie virulenca”, tha Fico.
Mjekët e familjes
Kur një person të dyshojë apo të ketë simptomat e Covid-it duhet ti drejtohet mjekut të familjes. Është ky i fundit që do të vendosë nëse do të bëhet tamponi apo jo. Pra mjekët e familjes do të referojnë ata pacientë që do të përmbushin kushtet.
“Mjekët e familjes pas datës 20, do të referojnë një kategori të caktuar pacientësh që përmbushin ato kushte. Janë pacientë mbi 60 vjeç. Do kemi dhe personat që shërbejnë në komunitete të caktuara, në ambiente të mbyllura, në dhënien e shërbimit ndaj të moshuarve. Testimi në vetvete nuk është qëllim, por instrument që të lejon që të detektosh. Nuk ka test që nuk ka përqindje gabimi. Ne themi se kemi 4-fishuar testimet. Por po të mendosh se si nisi ISHP me 150 teste në ditë, sot jemi tek 10-fishi. Kjo është falë punës në radhë të parë të skuadrës së ISHP-së. Harxhimi i këtyre 100 mijë testeve është në varësi të testimeve. Por mos të keni merak se do të porositen të tjerë, s’do jemi pa teste. Janë procedurat e tilla.”,deklaroi Fico.
“Vatra kryesore e infektimit është familja”, epidemiologu Alimehmeti: Antitrupat zgjasin të paktën 10 muaj
Epidemiologu Ilir Alimehmeti është një nga personat e prekur nga COVID-19, por fatmirësisht me simptoma të lehta. Ndërkohë ai ka folur dhe për situatën në vend nga pandemia. Alimehmeti deklaroi se shifrat më të larta në Tiranë, krahasuar me rrethet e tjera vijnë për shkak të dendësisë së popullsisë. Sipas tij, vatra kryesore e infektimit në mbi 2/3 e rasteve është familja. Sa i përket masave, ai deklaroi se ato aktuale nuk kanë dhënë rezultat dhe se duhet të jenë afër popullatës target, që janë të rinjtë. Alimehmeti thotë se një bllokim total do të ulte numrat, por nëse nuk ka mbështetje nga shteti do të jepte të tjera efekte negative.
“Situata është absolutisht jo e mirë. Numrat janë në rritje. Spitalet kanë një ngarkesë tejet të madhe. Sa më shumë të shtohen pacientë aq më i vështirë bëhet menaxhimi i tyre. Na presin muaj të vështirë, dimri është para nesh. Ruajmë veten, ruajmë masat. Pika kyçe me shfaqjen e çfarëdolloj simptome të parë apo ndjesie që nuk jeni mirë, siguroni të tjerët. Alimeheti është për një testim masiv. Sipas tij është testim më efikas. “Këto pak teste që kemi ne aktualisht në një situatë kaq të gjerë komunitare do bëjnë një punë por do kishin pasur sukses më të madh nëse do kishim një testim masiv” u shpreh ai.
Thyerje karantine, maskat dhe shkelja e orës policore, gjobiten 2106 qytetarë
Teksa vendi po përballet me shifra të larta të rasteve me COVID-19, jo të gjithë qytetarët gjejnë mirëkuptimin për të zbatuar protokollin e vendosur për frenimin e këtij virusi të rrezikshëm. Mësohet se gjatë fundjavës, strukturat e Policisë kanë vendosur 2106 masa administrative në të gjithë vendin, për shkelje të masave anticovid, konkretisht: 2005 masa për mosvendosjen e maskës mbrojtëse; 7 masa për shkeljen e vetëkarantinimit të detyrueshëm; 9 masa për subjektet që nuk kanë respektuar protokollet e sigurisë dhe orarin e mbylljes; 85 masa për këmbësorët që janë konstatuar duke lëvizur pas orës 22:00. Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë fundjavës, në të gjithë vendin, Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 2005 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse.
Piku i të infektuarve, ndërrojnë jetë 17 pacientë me koronavirus, infektohen 695
Silva Bino: Maskat po i mbajnë që mos marrin gjoba, nuk ka efikasitet
Kjo ka qenë java me numrin më të lartë të të infektuarve të deklaruar në numrin e urgjencës kombëtare dhe të testuar nga ISHP. Edhe pse ky nuk shihet si kulmi nga mjekët, këto janë shifrat më të larta të kapura gjatë gjithë kohës së pandemisë. Ministria e Shëndetësisë raporton se gjatë 24 orëve të fundit kanë ndërruar jetë nga koronavirusi 17 pacientë, si dhe janë regjistruar 695 raste të reja infektimi.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë 24 orëve të fundit e kanë fituar betejën me virusin e rrezikshëm 563 persona të infektuar, duke e çuar numrin e të shëruarve në 22.180 që nga fillimi i epidemisë. Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto qytete: 281 raste në Tiranë, 65 në Elbasan, 59 në Fier, 51 në Lushnje, 36 në Lezhë, 35 në Durrës, 32 në Gjirokastër, 23 raste në Përmet, 18 në Pukë, 15 në Korçë, nga 12 raste në Vlorë, Berat, 9 në Mat, nga 6 raste në Has, Mallakastër, nga 5 raste në Krujë, Kukës, Delvinë, nga 4 raste në Dibër, Malësi e Madhe, nga 3 raste në Devoll, Gramsh, Kuçovë, nga 1 rast në Shkodër, Tepelënë, Kolonjë. Aktualisht në 4 spitalet COVID, po trajtohen 463 pacientë, 37 në terapi intensive, 9 pacientë janë të intubuar.
Masat parandaluese
Megjithëse se qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë ka bërë thirrje për mbajtjen e masakave, duket se ajo nuk është efektive në parandalimin e Covid. Të paktën Shefja e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino tregoi se masat e marra për mbajtjen e maskave nuk ka qenë shumë efektive.
Sipas Binos, respektimi i masave është një vendim individual i qytetarëve dhe se nuk është mbajtur siç duhet, ndërkohë që ka shtuar se është e paqartë se sa do të zgjasë kjo situatë pandemike.
”Shqipëria nuk ka arritur imunitetin e tufës, ndaj jemi në këtë gjendje. Nuk është e qartë se sa zgjat Covidi. Asnjë sëmundje infektive nuk është zhdukur nga imuniteti i tufës. Shmangia e sëmundjeve infektive bëhet nëpërmjet metodave të kontrollit, pra metoda si vaksinimi. Në këtë rast duhet të respektohen masat si distanca sociale apo mbajtja e maskave. Maskat nuk kanë pasur efektin e pritshëm, se nuk janë mbajtur siç duhet. Mbajtja e tyre në gushë të mbron nga gjoba por jo nga covidi. Maska mbron të infektuarin dhe të tjerët. Është një përgjegjshmëri individuale”, u shpreh Bino.
COVID-19 – Statistika (07 Dhjetor 2020)
Raste të reja ditore 695
Të shëruar ne 24 orë 563
Të shtruar në spitale 463
Humbje jete në 24 orë 17
Testime ditore 1.963
Testime totale 205.971
Raste pozitive 43.683
Raste të shëruara 22.180
Raste Aktive 20.581
Humbje jete 922
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 11041
Fier 1612
Durrës 1349
Korçë 1122
Vlorë 1037
Shkodër 903
Elbasan 872
Lezhë 740
Berat 701
Gjirokastër 518
Kukës 434
Dibër 252
Dom Gjergj Meta: Pandemia po sjell ndryshim, të rritemi dhe të dalim më të mirë pas saj
Ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, Dom Gjergj Meta kërkon nga gjithë qytetarët solidaritet me njëri-tjetrin dhe besueshmëri sa i përket mjekëve, infermierëve dhe atyre që po përpiqen për vaksinën ndaj COVID-19. Sipas ipeshkvit, njerëzit nuk mund të presin të kthehen në një normalitet siç kanë qenë, pasi do jetë e pamundur. Për Dom Gjergj Metën kjo pandemi tashmë ka shkaktuar ndryshime që do ndihen edhe pasi të përfundojë, dhe qytetarët kanë në dorë vetëm të rriten prej kësaj fatkeqësie dhe ta dalin më të mirë pas saj. “Nuk është e lehtë të thuash, diçka. Nuk është e lehtë t’u japësh kurajo njerëzve. Nuk është e lehtë, edhe për arsye sepse kjo situatë pandemie ka shkaktuar edhe shumë probleme sociale, në institucione, familje, shkolla. Po mundohemi të gjejmë motive për të ecur përpara. Besimi në zot nuk mund ta mas, nuk kam elementë për ta matur apo për të bërë ndonjë konkluzion. Nuk di ëtë them. Nuk të bën një pandemi më shumë apo më pak besimtar. Besimi është diçka që vjen nëpërmjet zgjedhjeve ekzistenciale. Jemi apo nuk jemi solidarë. Kam parë edhe papërgjegjësi që nuk kanë kujdes. Të rinjtë nuk kanë kujdes ndaj njëri-tjetrit apo më të moshuarve”, tha Dom Gjergji.