Ekskluzive
Çfarë ndodhi në gjashtë ditë protestë pas vrasjes nga policia të 25-vjeçarit Klodjan Rasha dhe mënyra e sjelljes së mazhorancës dhe opozitës. Taktika e Ramës për t’i djegur në duar Presidentit kartat e dekretimit të ministrit të ri dhe pasojat e protestës që dorëhoqën një ministër dhe dhanë disa mësime për precedentë në të ardhmen. Flet për gazetën “Fjala”, analisti Leonard Karaj.
Vrasja e 25-vjeçarit Klodjan Rasha nga një punonjës policie solli reagime dhe protesta në vend, një protestë që zgjati gjashtë ditë, ku aktet e dhunës nuk munguan. Përse ndali kjo protestë, iu “sos durimi” të rinjve, apo policia mori masa të forta që ndaloi grumbullimet?
Protesta nisi pa një organizim të mirfilltë, dhe kësisoj përfundimi nuk mund të ishte i ndryshëm. Asnjë demostrim i tillë nuk mund të ketë jetëgjatësi nëse në krye nuk ka një program dhe synim të qartë. Protestat e fundit, më shumë i ngjanin një lloj spontaniteti të stisur sesa një ideje qytetare. Nëse ditën e parë u panë më shumë njerëz në protestë për shkak të indinjimit që solli një vrasje krejt e pakumptimtë, degjenerimi më pas në dhunë bëri që një pjesë e mirë e pjesëmarrësve të distancioheshin.
Unë gjykoj se nëse në këtë tubim solidariteti në mbështetje të jete të këputur në mes, nuk do të kishte pasur dhunë, atëherë protesta do të kishte qenë edhe më e madhe në numër. Ndoshta ky ishte edhe gabimi më i madh i atyre që morën përsipër që të ishin “zëri” i protestuesve. Nga ana tjetër, kam qenë dhe jam kategorikisht kundër çdo dhune joproporcionale të përdorur nga policia e shtetit, që për hir të së vërtetës dhe fatkeqësisht, gjatë viteve të fundit ka demostruar se është më shumë një “armë qorre” e pushtetit sesa një institucion në mbrojtje dhe shërbim të qytetarëve të këtij vendi.
Kjo protestë ishte me prapavijë politike që në fillim siç ka ngritur pretendimin qeveria, apo politika filloi ta përdorte në vazhdim?
Në historinë tonë, përjashto protestat e fillimviteve 90-të dhe ajo e 2014-ës kundër armëve kimike, të gjitha të tjerat kanë qenë të organizuar nga partitë politike, ndaj do të ishte hipokrizi që të mendonim se protestat e fundit nuk kishte parapavijë politike. Sigurisht, nuk është një mëkat që opozita dje dhe sot shfrytëzon vijimësisht të tilla ngjarje për konsum politik, paçka se në rastin konkret PD-LSI u munduan të fshijnë duart si ponc Pilati. Protesta kishte sfond politik, ku dukshëm binin në sy të rinjtë që mbështesin LSI-në, por për mendimin tim, nuk është ky problemi.
Nëse opozita mendonte që vrasja e Klodian Rashës kërkonte më shumë ndërgjegjësim për një polici më të përgjegjshme dhe sigurisht në mbrojtje të jetës së qytetarëve, atëherë do kishte qenë edhe më mirë nëse do të kishte dalë vetë në ballë të protestuesve. Kësisoj, të paktën do të kishte frymëzuar dhe mbajtur ende të karikuar elektoratin e vetë. Në rastin konkret, opozita thjesht “hodhi gurin dhe fshehu dorën”, çka për mendimin tim ishte e gabuar.
Ngjarja solli edhe dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, e cila u pranua nga Rama, ndërsa për kreun e Policisë së Shtetit Ardi Veliun kryeministri tregoi këmbëngulje për të mos e “lëshuar”. A mund të konsiderohet gjykim me dy standarte nga ana e Ramës ku politikisht Lleshajt ia pranoi dorëheqjen, ndërsa për kreun e policisë që gjithsesi indirekt mund të ketë përgjegjësi për ngjarjen pasi ndodhi në strukturën që drejton direkt, vendosi të mos e prekë?
Sandër Lleshaj ka pasur 1001 mëkate për mënyrën sesi e ka drejtuar Ministrinë Brendshme gjatë dy viteve të fundit, por për hir të së vërtetës përgjegjësia e tij në këtë ngjarje ishte zero. Ministri, cilido qoftë, është një person politik, dhe mban përgjegjësi vetëm politikisht. Në rastin konkret kemi të bëjmë me një ngajrje të rëndë, ku përgejgjesia më shumë sesa politiko-morale, është administrative.
Ndaj në gjykimin tim, i pari që duhej të ishte shkarkuar (jo të jepte dorëheqjen, por të shkarkohej direkt), duhej të ishte Drejtori i Policisë, Ardi Veliu dhe gjithë zinxhiri komandues-epror i policit të “shqiponjave” që kreu vrasjen. Por, sigurisht për të hequr përgjegjësinë morale dhe politike nga vetja (përpara sesa politikisht të ketë përgjegjësi Lleshaj ka eprori i këtij të fundit, pra Rama), kryeministri zgjodhi rrugën më të leverdishme për atë personalisht: shkarkoi Lleshajn (paçka se u tha që gjoja dha dorëheqjen). Në rast se nuk do ta bënte një gjë të tillë, pra nëse do të kishte shkarkuar gjithë zinxhirin komandues të policisë së shtetit dhe do të kishte lënë ministrin, atëherë apriori, përgjegjësia moralo-politike do të binte direkt mbi vetë Ramën.
Nga dje kemi një emër si Ministër të Brendshëm, ku Bledi Çuçi është propozuar nga kryeministri në atë post. A ishte kjo gjetja më e mirë e Ramës?
Nuk ndryshon asgjë. Madje nga një nënpunës i përulur sikundër ishte Lleshaj, Rama ka sjellë në krye të Ministrisë së Brendshme një besnik të verbër. Kësisoj sërish nuk do të kemi një ministër që të drejtojë sipas personalitetit dhe thagmës së tij, për ti dhënë hije këtij institucioni tejet të rëndësishëm.
Çuçi, në të gjitha pozicionet që ka mbajtur në të shkuarën e afërt dhe të largët ka treguar se është një burokrat i bindur ndaj “urdhërave të shefit” dhe kurrë nuk ka tentuar që të dalë nga kjo lloj suaze për rritur ndoshta edhe personalitetin e tij në skenën politike. Edhe në rastin konkret do të kemi të njëjtën skenë: një ministër që edhe për iniciativën më të vogël në drejtim të këtij institucioni, do të marrë udhëzime të mirëfillta, në mos direkt nga Rama, minimalisht nga Agaçët dhe Fugat që do ta rrethojnë.