Opozita e dënuar të bashkohet, Berisha më parë bën pakt me Ramën sesa me grupimin Basha

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

I intervistuar- Leonard Karaj

Jemi rreth 6 muaj para zgjedhjeve lokale dhe duket se kemi një konfigurim të qartë të  opozitës me në krye Berishën, i cili deri tani po luan kartën e “bashkimit të plotë”. Ai e ka pasur më të lehtë mirëkuptimin me Metën dhe çdo parti tjetër opozitare, parlamentare dhe jo parlamentare, por duket i vendosur se me të “tijët e dikurshëm”, që janë në grupimin “Basha” të mos ketë asnjë shenjë afrimi. A e pengon kjo opozitën dhe sidomos vendimin që mund të japë Gjykata e Apelit se kujt i takon logo dhe vula e PD-së?

Opozita është e dënuar që në zgjedhjet lokale të 2023-it, të dalë me një kandidat të vetëm. E kundërta thjesht do na sjellë një “6 Mars” të dytë. Asgjë më shumë, asgjë më pak. Në këtë kontekst, për Partinë Demokratike, mjafton që të jesh kundër Ramës, kundër kësaj mazhorance, dhe je mëse i mirëpritur në këtë “kartë bashkimi”. Madje, me pakëz hile, duke futur në mes edhe “primaret”, PD-ja po anashkalon disi edhe çdo negociatë të mundshme, të parashikueshme me partitë e tjera opozitare, qoftë kjo edhe PL-ja e Metës, për ndarje pushteti apo zona të lira kandidimi. Ndaj nuk është një deklaratë dosido ajo e Metës, kur më shumë se një herë është shprehur se është i gatshëm që ti lërë Berishës kandidimin në 61 bashki, thjesht duke e mbështetur, pa pretenduar kandidat të tij. Dhe që të kuptohemi: nuk po ia “fal” Meta, fakt është se për këtë gjë nuk ka ndërmend që të negociojë Berisha. Është e qartë si në dritë të diellit që PD-ja në këto zgjedhje dëshiron të vendosë diktatin, të paktën brenda opozitës, dhe me këtë lëvizje u ka dërguar sinjale të qarta edhe grupimit “Basha”. Po, është e vërtetë se në PD, sidomos në grupin parlamentar, më shumë se gjysma e deputetëve nuk janë shprehur pro Berishës. Por as pro totalisht Bashës. Këta të fundit prej kohësh yshten drejt një negociate me Berishën, me shpresën e një karriere më të gjatë politike sesa pranvera e 2025-ës. Nga ana tjetër Berisha, si një politikan jo thjesht me eksperiecë, por me një pragmatizëm të theksuar, çka i mungonte jashtëzakonisht shumë Bashës, po mundohet të luajë fort me durimin e deputetëve “rebelë”, duke mos pranuar që të ulet në një tavolinë me ta, për të ndarë zona influence brenda PD-së. Lëvizja e fundit e disa deputetëve që u rrekën drejt dyerve të Gjykatës së Apelit për të kërkuar vendimin në lidhje me logon dhe vulën, tregon qartazi kufirin e durimit të tyre. Por, kush mendon, beson dhe pret se Berisha do të ndryshojë strategji, apo do të lëshojë pe, duke negociuar me ta, për hir të bashkimit të partisë, gabohet. Lideri i PD-së, më kollaj bën një pakt të fshehtë me Ramën, sesa të pranojë negociata me atë grupim që prej gati një viti e ka shantazhuar, duke i tunduar herë pas herë “kartën amerikane” të “non-grata”-s. Në këtë pikë, Berisha nuk di të falë. Ndaj, unë shikoj një PD që do vijojë me këtë linjë opozitarizmi, duke shpalosur herëherës sa për publik thirrje të tipit: “partia aty është, ejani dhe kontribuoni”!

Ndërsa opozita po tenton të dalë me kandidat të përbashkët për të maksimalizuar votat, mazhoranca ka një tjetër problem, atë të zgjedhjeve të kandidatëve brenda saj. Deri më tani kemi një konfirmim, Erion Veliaj për Tiranën dhe një largim, Dritan Leli në Vlorë. Rama do të jetë vetë dirigjenti duke shkuar në çdo bashki dhe i trajtuar lokalet si politike, apo do u japë hapësirë kandidatëve?

Nëse ka diçka për të cilën unë e vlerësoj Ramën, është pikërisht fakti se si vendimet dhe përgjegjësitë, kur vjen puna te zgjedhjet, i merr mbi vehte. Shikoni, përderisa që prej 2008-ës, ne si shtet kryetarokracinë e kemi vendosur gati në Kushtetutë, duke ndryshuar në atë lloj mënyre ligjin zgjedhor, për mua është paradoksale dhe gati-gati fyese që tanimë të bësh gjoja sikur po bën primare, sikur po i jep më shumë fuqi anëtarit të partisë. Kjo është të tallesh me inteligjencën e njerëzve, qofshin këtë edhe me “IQ” modeste. Në këtë pikë unë, PS-në e Ramës e shikoj shumë herë më të organizuar në mënyrë vertikale dhe përderisa kjo strukturë, paçka se për shumë mund të mos jetë demokratike, funskionon, atëherë nuk shikoj asnjë problem. Kuptohet që Rama do bëjë sikur do të pyesë edhe degët e partisë si dhe të deleguerit në to, por në fund do të piketojë ata kandidatë që sipas tij i japin më shumë garanci për fitoren. A do ti trajtojë si zgjedhje politike? Këtë gjë as mos e vini në diskutim. Rama nuk neglizhon asgjë, në favor të konsolidimit të pushtetit të tij dhe fitorja në zgjedhjet e 2023-it, janë një hap i sigurt drejt mandatit të katërt në 2025-ën.

Lexo edhe :  Përpjekje për ta kthyer në normalitet “krizën” me Greqinë

Gjithashtu qeveria është në një situatë jo komode përsa i përket krizës energjitike, rritjes së çmimeve, akuzave për korrupsion dhe së fundmi edhe nën deklarime të forta të ndërkombëtarëve që u shprehën kundër amnistisë fiskale. A do të paqyrohen këto problematika edhe në rezultatin e zgjedhjeve lokale?

Nëse ka pasur një gjë që kjo mazhorancë ka ditur më së miri që ta shfrytëzojë është propoganda. Rama me vasalët e tij (sidomos në kryeministri), janë aq propagandues të fortë mund t’u sheshin akull eskimezëve. Shitja e një imazhi të rremë ka qenë dhe mbetet pika më e fortë e “Rilindjes”, aqsa edhe më i varfri në këtë vend, të harrojë mjerimin që e ka pllakosur dhe t’i rivotojë. Ndaj mos prisni që problematikat e shumta që, nga rritja galopante e çmimeve, pasiguria, korrupsioni, etj, të ndikojnë në zgjedhjet vendore. Jo, harrojeni! Madje, deri në majin e 2023-it, për këtë mazhorancë ne do të “bëhemi” një nga vendet më të lumtura në botë, ndaj mos prisni që të tilla debate, që prekin realisht jetën e shqiptarëve, të zënë vend në arenën e fushatës elektorale.

Vetëm pak orë para se të hynte në fuqi vendimi për rritjen e çmimit të energjisë, Rama u tërhoq. Kishte frikën e reagimit qytetar; nga protestat e opozitës që do kishin në duar kauzën e rritjes së çmimit, apo ishte një vendim për të ulur tempin e pakënaqësisë qytetare; apo një lojë e fortë që Rama të quhej “i keq” kur tha për rritjen e çmimit dhe “i mirë që mendon për qytetarët” kur u tha se do e anulojë vendimin dhe çmimi energjisë do mbesë i pandryshuar?

Ndryshimi në momentin e fundit tregon edhe njëherë arrogancën e jashtëzakonshme të këtij kryeministri. Me atë xhest, që në pamje të parë duket si babaxhanllëk, Rama tregoi se është i vetmi që vendos për jetën tona. Që mund të bëjë çtë dojë, pa pyetur askënd për kërrkënd. Për sqarim, shtyrja e hyrjes në fuqi të fashës prej 800kë nuk është anullim total. Jo, ore jo. Nga nëntori shqiptarët, e sigurt që do ta paguajnë energjinë shumë më shtrenjtë, pavarësisht se jemi vendi me 1001 hidrocentrale dhe na ka falur Zoti më shumë se 300 ditë diell në vit. Me këto parametra do duhej, jo vetëm që të siguronim energinë pa pikë problemi, por edhe të ishim një superfuqi rajonale energjitike. Por ja që në këtë vend vidhet aq shumë sa 40% e energjisë së prodhuar ne vend, të paktën sipas KLSH-së humbet gjatë rrugës. Ndaj, kuptojeni: Rama thjesht shtyu edhe me 1 muaj hyrjen në fuqi të vendimit, kjo dhe për shkak të rreshjeve të shumta që patëm në fund të shtatorit, por jo se u tërhoq totalisht nga ai vendim. Prisni, se nuk kemi parë gjë akoma…..!!!

 

Të fundit

Gjobë kush nuk voton

Në propozimet e grupimit të opozitës për ndryshimin e Kodit Zgjedhor aktual, është edhe pika e “votimit të detyruar”....

Horoskopi për ditën e sotme, ja çfarë parashikojnë yjet për ju

Dashi Gabime të vogla mund të zgjidhen lehtësisht, ndaj mos u përfshini nga paniku në vendin e punës. Tregohuni sa më të sigurtë në veten...

Nuk ka befasi, Manchester City shkatërron Brightonin dhe merr kryesimin e Premier League

Manchester City me shpejtësi maksimale në sprintin final të sezon. Kampionët në fuqi të Premier League-s fituan thellë 4-0 në fushë e Brightonin dhe...

FOTO/ Çfarë ka ndodhur? Jetmir Salaj në zi, humb personin e afërm

"Zoti merr pranë vetes gjithmonë më të mirët"– kështu shkruan Jetmir Salaj në ‘instastory’ bashkangjitur me një foto me disa qirinj. Kjo është fotoja tipike...

Lajme të tjera

Web TV