Në vorbullën epike të programeve televizive

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Po e filloj këtë shkrim me dy sentenca urbane që qarkullojnë prej kohësh, por që nuk kanë arritur të marrin të drejtën e titullit si “fjalë të urta popullore”.

E para: “Kur s’ke punë tund derën”. Por që i përshtatet edhe shprehja tjetër: “Hyr e dil e tund peshqirë”.

E dyta: “Prandaj nuk bëhet ky vend”. Kjo e dyta nuk ka përshtatës, është unike.

Po pse pikërisht këto të dyja, do pyesni ju?! E ka dhe kjo një shpjegim.

E nisim me të parën.

Meqë më qëlloi që një ditë isha pa punë, po krejt pa punë ama, e meqenëse nuk kisha ç’të bëja, u rehatova në minder e nuk e luajta kanalin e televizorit nga një program, për të cilin kisha dëgjuar se kishte një audiencë të pazakontë. Nja dy milionë shikues, më kishin thënë. Ja, kësaj i them audiencë unë. “Shiko kush luan”. Se shkon dhe me “luajtjen e derës”, jo për gjë. Luaj ata, luaj dhe unë. Prezantuese ishte një bionde, po yll fare. Epo ndjekësit shqiptarë nuk ia fusnin kot, se çoç do kishte ky program. Për më tepër që, të ndarë në dy ekipe ishin përfshirë dhe ca fytyra të njohura nga të ekranit. Spektakli vazhdonte. Skuadrat nisën luftën me njëra-tjetrën. Te keqen e zborit. Atëherë të paktën na gënjente mendja se stërviteshim që të mbronim Atdheun. Dikur plasi e ngrëna në kusi e garuzhde, me kusht… Plasën dhe dënimet, kush nuk e mbaronte racionin. Çfarë nuk shpik truri njerëzor. Aktorë e këngëtarë që zhgërryheshin e shlyheshin dënimet. Nam i zi.

“E paske ul pazarin, ke filluar të ndjekësh këto trapllëqet”, – ma pat çuni pa e ngritur kokën nga celulari i tij. Vajza ishte dhe më indiferente kur pyetjes time se pse nuk e ndiqte këtë lloj programi iu përgjigj shkurt: idiotësira.

-Ke të drejt moj bab, se ja dhe unë se si u ndodha,… bosh.

Vazhdoj të jem pa punë, dhe të mos i gjej vetes një mënyrë për ta shkëputur nga televizori. “Qenkam budallallepsur”, – mendova. Futem në  youtube, ku gjej deklaratën e prezantueses që thoshte se spektakli në fjalë kishte kapur dy milion shikime. Dyfish i parashikimeve. Unë si i vonuar duhet të futesha tek milionëshi i tretë. “Pyteee…”. “Të jetë katandisur kështu dhe Shabani ynë”?

Isha në pikëpyetje me veten. Vërtet njerëzit shohin nga këto trapllëqe? Bashkë me mua, kuptohet. Se të thuash se kemi dy milion shqiptarë budallenj, kjo është ca si e rëndë. Ne gjithë-gjithë, me ata që janë tej kufirit dhe në diasporë bëhemi a s’bëhemi nja 8 milionë frymë. E në 8 milionë të kesh 2 milion budallenj duhet marrë seriozisht çështja. Nuk kemi bërë as vaksinën antiCovid, që t’ia hidhnim fajet asaj të paktën.

Epo këto janë risitë e kohës.

Dikur risia e kishte emrin “Big Brother”. Emisione për shpëlarje truri. Paketa të gatshme. U evidentua edhe LGBT-ja aty brenda. Se kishim mbetur prapa ne shqiptarët me deklarimin zyrtar të homoseksualitetit. Kështu që nisëm të ecnim me hapa gjigantë. Gjynah që nuk na pranojnë në BE. Kushtet po i plotësojmë.

Sot ka ecur edhe më përpara. P.sh: kur dy motra vihen në rivalitet për t’u zgjedhur nga i njëjti burrë. Hajde rivalitet hajde. Ta merr tjetra burrin nga dora. Natyrisht kjo nuk është ndonjë gjë e panjohur se ka ndodhur edhe më parë. Kësaj radhe e kam fjalën për një program me emrin tejet të konsumuar “Love Story”. Sentenca e emisionit është bazuar mbi një mashkull, që rri si gjeli majë plehut, dhe nja 20 femra në garë kush të jetë ajo që do t’i fitojë zemrën. Kulmi. Edhe sulltanit të Osmanëve i duhej luftë për të pasuruar haremin. Këtij shqiptarit haremin ia bëjnë qyl. Njëra nga vajzat  që u dogj një nga seancat tha se kishte shumë karakter dhe se ishte e lumtur që po largohej nga loja. Ja për këtë lloj kurajoje kemi nevojë. Bravo i qoftë për karakterin dhe që u largua nga loja pas një muaji jargavitjesh pasi nuk u përzgjodh nga “gjeli”.

Lexo edhe :  Prag fushate, Rama mbledh shtabin elektoral në selinë e PS-së

O Zot!

Hap facebook-un nga celulari. Vazhdoj të mos kem punë, por merrem me thashetheme virtuale. “Iksi i jep një përgjigje epike Ypsilonit: Ik or debil”. M’u fut llapa brenda. Kërkoj në google fjalën “epike”. Më dalin “vargjet epike”… Jo, jo, jo, jo, se çka këtu që nuk më shkon. “Përgjigje epike…”. S’ma rrokte dot truri. “Është lojë e produksionit”, shkruhej andej-këtej nëpër rrjetet sociale. Jo more. Po qenka “Produksioni” për të shkuar e për të marrë çmimin Nobel në Stokholm, jo Ismail Kadareja. Hajde Produksion, hajde. Çfarë të bëka Produksioni s’ta bëka Perëndia.

Te një tjetër emision ndoqa ca të rinj e të reja që përlesheshin me njëri-tjetrin. Edhe këta në luftë për të gjetur njeriun e jetës. Sherr jo shaka. Edhe emisioni quhej “Përputhen”. Fiks ia kishin gjetur. Patentë ndërkombëtare. Kush e di që kur nuk aplikohet më dhe shkuam ne shqiptarët ta nxjerrim nga harresa. Se nuk na mjaftojnë rrjetet sociale për të gjetur gjysmën e bashkëshortësisë.

Dikur njeriu i jetës gjendej në frontin e prodhimit, duke punuar në ara, fabrika, kantiere… Tanimë kanë ndryshuar kohët, nuk vlejnë më as lajmërimet në gazetë. Duhet bërë “live” në televizion.

U përqendrova nja 40 minuta të merrja vesh se për çfarë bëhej debati por s’thithja gjë. Se aty ta merrnin fjalën nga goja. S’binte gjë në tokë. Kakofoni. Pastaj i dhashë drejtim: “Ik o Nard futi ndonjë gastare rakie, merr edhe ca turshi që mos të të marrë flakë stomaku, se këto janë emisione trendy e s’i kap dot”, i thashë vetes.

E drejtë.

Kemi qenë trendy dikur, por sot jemi në bisht. Çdo brez ka të tijat. Nuk po mundohem të bëj moral dhe as të them se nuk më pëlqejnë emisionet argëtuese, por… Në fakt po vendose ‘por”-in, mund t’i hedhësh të gjitha poshtë në argumentim.

Argëtues apo të dobishëm, emisionet televizive tanimë po prodhojnë personazhe nga hiçi që më pas shiten si VIP-a dhe zënë vend në faqet rozë që i mbushin ca gazetarë të cilët për djall na duhet t’i quamë kolegë meqenëse punojmë në të njëjtën gjatësi vale. VIP-a të stimuluar. Nga ata që harrohen sapo bie sipari i emisionit. Sepse të jesh VIP e të mos kesh bërë asgjë në jetë, kjo nuk është vlerë!

Po ec e t’i mbushësh mendjen. Si një herë e një kohë “njëri” që kur doli nga “kafazi” tha: E arrita qëllimin, u bëra i famshëm. Sot asnjeri nuk e di nga bëhet ai farë djali.

Mos po e teproj gjë?

Se janë dy milion shqiptarë që i ndjekin këto emisione. Shumë prej tyre i adhurojnë. Shumë të tjerë duan të jenë pjesëmarrës por nuk munden dot. Se s’të lë njeri të kapërcesh gardhin.

Sërish pa punë unë: “Hyr e dil e tund peshqirë”. Merrem me hallet e të tjerëve kur ata vetë janë në kokër të qejfit.

Këto patentat që blejmë ne shqiptarët me shumë gjasa bota i ka nxjerrë jashtë sistemit. Gjende mirë. Njerëzit duhet të shtyjnë kohën para televizorit, o me telenovela turke, o me emisione shqiptare.

U pa puna, mendova, do t’u kthehesha telenovelave indiane, që na zëvendësuan ato të Amerikës Latine. Mbase del ndonjë “Sarasvatiçandra” e re e shtyjmë ca kohë.

Se kot nuk e ka thënë i moçmi: Kur s’ke punë do tundësh derën.

Prandaj s’bëhet ky vend…

Se desh harrova. Kjo ishte sentenca e dytë që nuk na kishte rastisur ta qëmtonim deri tani. Ajo unikja.

 

Të fundit

I dënuar për shfrytëzim prostitucioni në Itali, arrestohet 42-vjeçari shqiptar (EMRI)

Policia ka arrestuar me qëllim ekstradimi në Itali Eduart Dushaj, 42 vjeç banues në Durrës. Eduart Dushaj është dënuar në...

Ekskluzive/ “Moj k…ë, ti nuk do pjellësh këtu”, zbardhet sherri që çoi 5 muaj burg Violeta Gurrajn

Zbardhet konflikti në familje, që çoi për një periudhë 5 mujore në burg, Violeta Gurraj, nga zona e Malësisë së Madhe. Duke ju referuar vendimit...

Flet mjekja që trajtoi ‘tezen’ e Tires: Fenomen individual! Keqardhje për pacienten që vdiq…

“E dashur, të falënderojmë me gjithë shpirt, jo vetëm për punën e përkryer, por mbi të gjitha për mirësinë, bujarinë që keni. Nga paciente...

Video ku gatuan në kuzhinë me këpucë, Rama shpreh admirimin për Bashën

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një deklaratë për mediat. Ai u pyet nga gazetarët se çfarë mendon për videon e kreut të PD-së, Lulzim Basha,...

Manastirliu për arrestimet tek ‘’Shefqet Ndroqi’’: I shkojmë deri në fund çrrënjosjes së korrupsionit

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka komentuar valën e arrestimeve tek ‘’Shefqet Ndroqi’’ pas zbulimit të skandalit me sanitaren Tire Alldervishi. Manastirliu në një apel...

Lajme të tjera

Web TV