Ai njihet si identikiti i klubit të futbollit “Partizani” në kohët e tij më të lavdishme. Ishte padyshim mjeshtri i golit, futbollisti shqiptar më i mirë i shekullit, fenomeni i Ballkanit, mbreti i triblimit, i sprintit dhe aftësisë për të shënuar. Dhe ky ishte Panajot Pano një nga legjendat e futbollit shqiptar….
…Figura e Panajot Panos dhe emri i tij mbetet gjithmonë i paharruar në mendjet dhe zemrat, sidomos të tifozerisë së Partizanit, skuadër me të cilën fitoi gjithçka duke shënuar një dominim absolut të asaj periudhe në futbollin shqiptar. Ai u lind më 7 Mars, 1939 në Durrës, në lagjen e Kodrës ku ngrihej ish-“Vila e Zogut”, nga prindër që kishin ardhur prej Delvinës. Vendosja e familjes Pano në Durrës zgjati pak, sepse shumë shpejt u transferuan në Tiranë. Fati e çoi që familja të merrte shtëpi pikërisht në zonën sportive të qytetit. Këtu Panajoti mori mësime nga profesori i edukimit fizik dhe njohësi i mirë i futbollit, Myftar Marku për të cilin thonë se ka qenë figura kryesore në formimin e tij sportiv.
Panajoti ishte një talent. Një ndër lojtarët më të fortë dhe mbrojtësit më të mëdhenj të historisë së futbollit shqiptar, Skënder Halili, në vitin 1955 dallon të riun Pano dhe e dërgon tek të rinjtë e Tiranës, që atëherë quhej “Spartak Tirana”.
E fillon karrierën e tij sportive 12 vjeç në skuadrën e të rinjve të SK Tirana si portier. “Të gjithë dëshironin të luanin në sulm, unë dëshiroja vetëm të luaja futboll, edhe në portë isha mirë”, ka komentuar në fund të karrierës atë periudhë të adoleshencës së tij vetë Pano. Pikërisht te Tirana njihet me njeriun që do të ndryshojë përfundimisht karrierën e tij, trajnerin e skuadrës së parë Xhavit Demneri.
Demneri atë mëngjes të vitit 1956 në pushimin e miqësores me Partizanin, kur skuadra e Tiranës ishte duke humbur 0-4, i shprehet Panos: “Ti, djalosh, shko në sulm”. Kjo është pikënisja e legjendës futbollistike të lojtarit shqiptar më të mirë të të gjithë kohërave. Pano, jo vetëm fillon të luajë gjithmonë si sulmues, por është edhe qartësisht më i fortë se bashkëmoshatarët e tij.
Në vitin 1957 Tirana merr pjesë në kampionatin kombëtar të të rinjve dhe fiton turneun. Pano është udhëheqësi i skuadrës dhe golashënuesi i kampionatit. Një vit më pas bën debutimin e tij në ndeshje zyrtare me skuadrën e parë, në Kupën e Republikës kundër Besës së Kavajës. Tirana humbi 2-1 dhe Pano shënoi golin e vetëm për skuadrën e tij. Gjithsesi kjo e ktheu atë në kolonën të skuadrës. Ndeshja e tij më e mirë me fanellën bardheblu është, është ajo e humbur 2-4 kundër Partizanit kampion në fuqi. Ishte lojtari që shënoi dy golat kundër Partizanit. Natyrisht event i jashtëzakonshëm për një lojtar vetëm 19-vjeçar. Në fund të vitit aventura e tij te Tirana përfundon.
Më tej Pano, shkon ushtar, por pavarësisht kësaj nuk braktis ëndrrën e tij dhe pasionin për të luajtur futboll. Rekrutohet nga ekipi i Partizanit. Në sezonin e tij të parë me të Kuqtë realizon 12 gola, dhe shpallet kryegolashënuesi i turneut. Nga ai sezon e në vazhdim do të ketë një karrierë me suksese dhe gola fenomenalë. Kupat e Shqipërisë, kampionatet, titujt e golashënuesit shkojnë një pas një në dorën e klubit të Partizanit dhe të Panajot Panos. Lojërat e tij çmendin Shqipërinë dhe shumë skuadra në Evropë. Në dhjetor të vitit 1961, Dinamo do të marrë pjesë në turneun e radhës së Kupës Ballkanike së bashku me Levskin (Sofje), Dinamon (Bukuresht) dhe Fenerbahçen (Stamboll). Para fillimit të aktivitetit, opinioni sportiv shqiptar informohet se me Dinamon në këtë turne do të luajnë Panajot Pano dhe mesfushori Miço Ndini po i Partizanit, si edhe T. Baçi, A. Mema e F. Frashëri, B. Ishka të 17 Nëntorit. Sigurisht, surprizë ishte marrja e Panos, i shpallur kampion me Partizanin disa muaj më parë pikërisht pas sfidave të paharruara ndaj Dinamos, ku ai është autor i golit historik ndëshkues dhe fitores 1-0 të Partizanit shënuar në pjesën e tretë të finales së dytë. Në këtë aktivitet nuk do harrohet fakti, kur Myslim Bej, atëherë presidenti Fenerbahçe, u mrekullua personalisht nga Pano dhe në përfundim të një ndeshjeje ndërmjet Fenerbahçe dhe Partizanit e zhvilluar në Stamboll shprehet: “Pele dhe Eusebio janë lojtarët më të fortë në botë, por Pano është lojtari më i fortë që ka luajtur ndonjëherë në këtë fushë”. Gazetarët e kohës shkruanin gjithçka për të dhe vendosnim shumë emra. “I shpejtë si era”, “forcë e pandalshme’, ‘Pushkashi i vogël shqiptar’ kanë qenë disa emrat që i janë vendosur Panos. Por të gjithë këto dukeshin sikur nuk përshkruanin plotësisht klasin e lojtarit shqiptar. Panajot Pano nuk mund të përshkruhej nëpërmjet një fraze të vetme. Ishte diçka e papërshkrueshme, ai lloj lojtari që lind në një komb njëherë në 200 vite. Në fushën e lojës ishte talent dhe art, duke treguar se ishte më i forti nga ndeshja në ndeshje dhe duke dhënë atë prekje estetike që impresiononte këdo më lëvizjet e tij.
Vlerësimet
Panajot Pano ka zhvilluar 210 ndeshje me fanelën e Partizanit në 18 vjet të karrierës së tij teksa ka shënuar 136 gola, ndërkohë që ka qenë edhe pjesë e Kombëtares Shqiptare me të cilën ka luajtur 24 ndeshje duke shënuar 4 gola. Me Partizanin, Panajot Pano ka fituar 4 tituj kampionë të vendit dhe 5 Kupa të Shqipërisë.
Aktivizimi mes viteve 1957-1960 me FK “17 Nëntori” – luajti 28 ndeshje shënoi 8 gola.
Nga viti 1960-1975 aktivizohet me FK “Partizani” – luajti 210 ndeshje shënoi 136 gola
Në 238 ndeshje të zhvilluara në 18 vjet shënoi 144 gola me një mesatare në vit prej 8 golash në vit, ose 0,6 gola në ndeshje.
Historia e madhe sportive e Panajot Panos është e lidhur me fanellën e Partizanit, me të cilën luajti deri në fund. Por, gjatë karrierës së tij janë edhe dy momente të veçanta kur ai veshi bluzat e dy klubeve të tjera, madje kryeqytetase dhe rivale të përjetshme: Dinamo dhe 17 Nëntori. Me të parën në Kupën Ballkanike, ndërsa me të dytën në Kupën e Kampioneve.
I pajisur me një teknikë të përsosur driblimi, ai ishte një nga lojtarët më të mirë të kombëtares së futbollit. Pano shquhej si sulmues me një sprint të fuqishëm, finalizues me aftësi të rralla fizike.
Në vitin 2003 me rastin e jubileut të UEFA-s u zgjodh si lojtari më i mirë i të gjitha kohërave nga Federata Shqiptare e Futbollit
Më 27 prill 2005 merr titullin “Mjeshtër i Madh i Punës”, akorduar nga Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu.
Karriera e shkëlqyer e Panajot Panos është shoqëruar padyshim edhe me çmime të shumta individualë ku përfshihen çmimi ‘Mjeshtër i Merituar i Sportit’, ‘Lojtari më i mirë i të gjitha kohërave’ i dhënë në 2003 nga FSHF, Lojtari i Shekullit” i akorduar nga Uefa/Fifa, ‘Nderi i Kombit’ i dhënë nga ish presidenti republikës Bamir Topi në 2009 dhe “Simboli Qytetit të Tiranës” titull i dhënë në 2017 nga kryetari Bashkisë Erion Veliaj.
Ai vdiq me 19 janar të vitit 2010 në Jacksonville, Florida, SHBA nga një atak kardiak në moshën 71 vjeçare.