Studiuesi Kujtim Mateli në një intervistë ekskluzive për gazetën FJALA, rrëfen çfarë ka zbuluar dhe shkruar në librin e tij më të ri
Nga Lonard Veizi
Dodona dhe vendndondhja e saj e pazbuluar vazhdon të tërheqi studiuesit. Ku ndodhet ajo, në territorin e Greqisë së Sotme apo brenda kufirit të Republikës së Shqipërisë? Kujtim Mateli është një prej studiuesve i cili i ka kushtuar gjithë energjitë e tij kësaj teme dhe që ka shkruar një seri librash duke pasur në qendër të tyre Dodonën dhe qytetërimin e saj të lashtë. Për së fundi ai vlen me librin “Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit”, i cili është botuar nën siglën e Akademisë Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe Arteve, në Nevv York. Në një intervistë ekskluzive për gazetën FJALA, studiuesi i njohur sqaron:
Teza juaj se Dodona nuk ndodhet në jugperëndim të Janinës, në luginën e Carakovistës, nuk ndodhet as në malin e Tomorit në lindje të Beratit, por në Dëshnicë të Përmetit, tashmë është e mbrojtur prej jush me tre libra (2011, 2016, 2020). Ky është libri i fundit apo nuk e keni përfunduar akoma studimin tuaj?
Dodona nuk mund të përfundojë me tre librat që unë kam shkruar deri tani, por për të do të shkruhet në vazhdimësi, sepse Dodona ka shënuar pikën më kulmore në fillesat e qytetërimit evropian, ngriti në këmbë shoqërinë njerëzore. Ishin banorët e qytetit të Dodonës që me tempullin dhe orakullin kushtuar Hyjnisë, e drejtuan njeriun drejt shoqërisë. Të mbledhur në tempull njerëzit kuptuan se kishin nevojë për njëri-tjetrin dhe se përtej forcës së tyre, ishte një tjetër fuqi hyjnore që i drejtonte drejt së ardhmes. Orakulli i Dodonës parashikonte të ardhmen jo vetëm të individit, por dhe të krejt shoqërisë.
Enzo Gati thotë se në Dodonë vinin nga të gjithë popujt e dheut, që do të thotë se Dodona ishte qendra kryesore edhe përtej kontinentit evropian. Gjërat me vlerë bëhen gjithmonë prehu i lakmitarëve. Fatkeqësisht shqiptarët nuk e mbrojtën dot vlerën e tyre universale me të cilën krenohet e gjithë bota. Kështu që studimet e mia për Dodonën nuk kanë mbaruar. Unë kam përfunduar me këta tre libra vetëm vendndodhjen e Dodonës. Ajo nuk është as në jugperëndim të Janinës, as në malin e Tomorit.
A ka patur para jush dijetarë të tjerë që e kanë kundërshtuar Dodonën pranë Janinës dhe cilët janë këta?
Kundërshtues të vendndodhjes së Dodonës në luginën e Carakovistës ka patur shumë. Po unë do të veçoja dijetarët shqiptarë: Sami Frashërin dhe Perikli Ikonomin. Sami Frashëri, njëri nga dijetarët më të shquar, e ka kundërshtuar vendndodhjen e Dodonës në jugperëndim të Janinës. Kundërshtimi nuk është bërë duke sjellë dëshmitë e secilit autor të antikitetit që kanë jetuar gjatë kohës që Dodona ekzistonte, por dëshminë e përbashkët të këtyre autorëve antikë që thonë se Dodona ndodhej më në veri se qyteti i Janinës duke i orientuar kërkuesit e vendndodhjes së saj drejt malit të Tomorit.
Po Perikli Ikonomi çfarë të reje solli për opinionin publik dhe atë shkencor në lidhje me Dodonën?
Perikli Ikonomi solli disa dëshmi të autorë antikë që e vendosnin Dodonën në veri të Epirit. Sjellja e dëshmive të autorëve antikë, është hapi i parë i kalimit nga opinioni te vërtetimi shkencor që ekzistonte atëherë tek disa shqiptarë. Mirëpo nuk është e rëndësishme vetëm sjellja e provës që Dodona nuk ekzistonte në jugperëndim të Janinës, por duhej të gjendej dhe vendndodhja reale e Dodonës. Pretendimi i Perikli Ikonomit se Dodona gjendej në Tomor mbeti një opinion i tij.
Që Dodona të ishte në Tomor, duhej që qyteti i Dodonës bashkë me tempullin të gjendej në njërin nga shpatet e këtij mali. Këto rrënoja nuk ekzistojnë. Duhej gjithashtu dhe lumi që do të rridhte pranë këtij qyteti, ku do të gjendej orakulli. Topografia që na japin autorët e antikitetit nuk përputhet me malin e Tomorit. Po ajo që e rrëzon ekzistencën në malin e Tomorit është fakti se sipas autorëve antikë, Dodona ndodhej në veri të Epirit, në tokën e Molosisë, kurse rrjedha e lumit Osum, në krahun verior të të cilit gjendet Tomori, është tokë e Ilirisë e banuar nga dasaretët dhe pardhinët ilirë, e dokumentuar mirë nga perandoria romake nga betejat që ajo pati në Iliri.
Ju çfarë provash sillni që Dodona nuk është në luginën e Carakovistës.
Edhe unë si shtysë fillestare kam pasur studimin e Perikli Ikonomit. Në fillim më tërhiqte madhështia e Dodonës në botën antike dhe mbi këtë bazë fillova të njihem me autorët antikë. Kisha krijuar njohuri të mjaftueshme për topografinë e Dodonës. Sipas Strabonit dhe Eustathit ndodhej në shpat të malit (qytet+tempull). Sipas Hesiodit dhe komentuesit të Sofokliut, Dodona që ndodhej në rrëzë të malit kishte para saj një fushë që quhej Hellopia. Autorë të tjerë e vendosnin aty lumin Dodon ku ndodhej orakulli i lisit. Sipas autorëve antikë kemi: qyteti dhe tempulli në shpat të malit, orakulli në distancë nga qyteti dhe fusha Hellopia përballë qytetit. Të tria këto njësi gjeografike ndodheshin në kufijtë e njëra-tjetrës. Këtë kusht nuk e plotësonte lugina e Carakovistës që pretendohet si lugina e Dodonës.
1-Në shpatin e malit Uliçka, i pretenduar si mali Tomar i Dodonës, nuk ekziston as qyteti dhe tempulli. Rrënojat e pretenduar si Dodona ndodhen në krahun e kundërt të luginës, në kodrat e Kozmirasë.
2- Në luginën e Carakovistës nuk ekziston lumi.
3- Autorët antikë thonë se Dodona ndodhet në veri të Epirit, kurse lugina e Carakovistës ndodhet në mes të Epirit. Ishin këto tri dëshmi që më bindën se Dodona nuk ndodhej në jugperëndim të Janinës. Mbi këtë bazë nisa punën për të grumbulluar materialin për librin e parë duke kundërshtuar vendndodhjen e Dodonës në rrethinat e Janinës, por edhe në malin e Tomorit.
Si arritët në përfundimin se Dodona ndodhej në Dëshnicë të Përmetit, apo më saktësisht në perëndim të qytetit të sotëm të Këlcyrës?
Ishte topografia e autorëve antikë, të dhënat e shumta për vendndodhjen e saj. Mendimi se Dodona ndodhej midis Janinës dhe Tomorit ishte i pakundërshtueshëm. Po ku? Duke qënë banor i Shqipërisë së Jugut, këto territore i njihja mirë, madje pjesën më të madhe e kisha shkelur në udhëtime me këmbë, kështu që nuk e kisha të nevojshme t`i vizitoja përsëri. Mjaftonte që unë të përqendrohesha në kërkimin e saj.
Cila është baza shkencore e autorëve modernë që e kanë vendosur Dodonën në jugperëndim të Janinës, në luginën e Carakovistës?
Le ta fillojmë me Konstandin Karapanon. Libri i tij “Dodonw et ses ruins” fillon kështu: “Tempulli i Dodonës, megjithëse i shquar, ishte gjer tani pothuajse i panjohur. Autorët grekë dhe latinë na kanë dhënë njoftime shumë të paplota dhe që nuk mjaftojnë për të dhënë një ide të asaj që ajo ishte, as për të treguar vendin e saktë të vendosjes së saj”. Karapanos e pranon vetë se autorët e antikitetit nuk e kishin dhënë të saktë vendin e Dodonës. Kjo ndodhte sepse Karapanos kishte shkuar në vendin e gabuar, në luginën e Carakovistës, e cila nuk ishte vendndodhja e saj. Megjithatë unë isha i detyruar që të kërkoja te autorët antikë se mos kishte ndonjë që e vendoste Dodonën në mes të Epirit dhe më rezultoi se numri i këtyre autorëve ishte zero.
Libri juaj i dytë i kushtohet Dodonës së pretenduar në Carakovistë. Është një libër i formatit të madh dhe me 256 faqe, botuar në vitin 2016. E quani tani një mundim të kotë për të vërtetuar një gjë që nuk ekzistonte?
Nëse Shqipëria do të kishte vërtet institucione shkencore që të interesoheshin për Dodonën, mund edhe të mos shkruhej. Libri i parë ishte i mjaftueshëm për të nisur një kërkim shkencor nga këto institucione dhe atëherë unë do ta quaja të përfunduar detyrën time për sjelljen e Dodonës në vendndodhjen e saj të vërtetë. Kjo nuk ndodhi nga institucionet shkencore shqiptare, Atëherë unë i shkova punës së nisur deri në fund. Përktheva nga frëngjishtja librin e Karapanos dhe të tre recezentëve të këtij punimi të konsideruar shkencor. Pashë se jo vetëm numri i autorëve antikë që e vendosnin Dodonës në Carakovistë ishte zero, por edhe numri i gjetjeve arkeologjike për ta vërtetuar Dodonën atje ishte zero. Me një fjalë, çështja e vendndodhjes së Dodonës në Carakovistë është një kapitull i mbyllur dhe unë ndjehem mirë që e kam shkruar këtë libër të dytë.
Le të kthehemi tek libri juaj i tretë. Ky libër sjell prova dhe dëshmi të reja apo është një përmbledhje e dy librave të parë, sepse duket që në dy librat e parë e keni mbyllur në mënyrë shteruese mos ekzistencën e Dodonës në Carakovistë. Po kështu keni sjellë dëshmi të shumta për vendndodhjen e saj në perëndim të qytetit të sotëm të Këlcyrës.
Libri i tretë është material plotësisht i ri. Libri është i ndarë në katër pjesë. Pjesa e parë e këtij libri të tretë, është një përmbledhje e dy librave të mëparshëm: 2011 dhe 2016. E bëra këtë përmbledhje si hyrje për t`u futur në librin e tretë, sepse libri i parë ka mbaruar dhe nuk gjendet më në librari. Gjithashtu dhe libri i dytë është afër fundit. Libri i tretë, duke patur një përmbledhje të dy librave të mëparshëm, mund të lexohet dhe të kuptohet si një libër i pavarur nga dy të parët.
Shkurtimisht, mund të na thoni se çfarë përmban ky libër?
Libri i tretë sjell si dëshmi ata autorë që duke u nisur nga Apollonia e kanë vendosur Dodonën në kufijtë e Atintanisë ilire. Këtyre autorëve u shtohet edhe dëshmia që vjen nga Perandoria romake e kohës së perandorit Theodosi I. Është gjeografia fizike e kësaj perandorie: malet, lumenjtë, detet, gjiret etj. Rrjedhën e lumit të Vjosës (Aos) e jep si lumë të Ilirisë, por edhe të Epirit. Kur jep Ilirinë, konkretisht Atintaninë ilire, kufijtë e saj shënohen me malin Tomar të Dodonës. Kur jep Epirin, përsëri mali Tomar i Dodonës, shënonte kufirin verior të Molosisë së Epirit.
Pra, Atintania ilire që shtrihej në të djathtë të Vjosës kufizohej në veriperëndim me Apoloninë, kurse në juglindje me Molosinë. Atintania dhe Molosia kishin si kufi malin Tomar, konkretisht malin e sotëm të Trebeshinës. Pra gjeografia fizike e perandorisë romake e jep Dodonën dhe malin Tomar në rrjedhën e lumit Vjosë (Aos). Po kështu një kapitull i veçantë janë 6 hartat ku mali i sotëm Trebeshinë është dhënë me ndryshim e emrit që ai ka pësuar në kohë të ndryshme: Tomar-Tomer-Tremer-Trebeten-Trebeshinë.
Ky libër mban si nëntitull: “Hyjnia e malit Tomor”. E keni fjalin për malin e Tomorit në lindje të Beratit i cili edhe sot konsiderohet si mal i shenjtë?
Gjithnjë mali i Tomorit më ka tërhequr për shenjtërinë e tij. Pse quhet baba Tomor? Që nga cila kohë thirret në togfjalësh: baba Tomor? Duke lexuar në anglisht librin për Dodonën nga Herbert William Parke, gjeta këto dy vargje te Odisea e Homerit: “No winged thing even passes by that way,/ not even the timorous doves which bear ambrosia to father Zeus.”
Togfjalëshi i anglishtes “father Zeus” në shqip do të thotë: ”baba Zeusi”. Pra Hyjnia ishte thirrur me emrin baba. Në Epir dhe Iliri hyjnia thirrej me emrin Di. Kështu e gjeta dhe në greqishten e vjetër: “Διὶ πατρὶ” dhe në greqishten e kohëve të mëvonshme: “πατέρα Δία”. Në kërkimet e mëtejshme arrita në përfundimin se bëhej fjalë për malin e Tomorit dhe që ky mal ishte thirruar “baba” që nga kohët homerike, çfarë vërteton se shqiptarët janë autokton në këto troje me histori e kulturë që ka qenë e mbetet e tyrja. Pas gjetjes së vendndodhjes së Dodonës, gjetja e origjinës së fjalës ‘baba’ është për mua gjetja e dytë më e rëndësishme që provon ekzistencën e shqiptarëve në këto troje që nga Lufta e Trojës, në një hark kohor që i kapërcen tre mijëvjeçarët.