Kina ka tejkaluar Shtetet e Bashkuara si destinacioni më i madh në botë për investime e reja të huaja direkte, sipas shifrave të publikuara nga Kombet e Bashkuara.
Investimet e reja në Amerikë nga kompanitë e huaja ranë me gati gjysmën e vitit të kaluar, duke çuar në humbjen e statusit të saj numër një.
Nga ana tjetër, shifrat e Kombeve të Bashkuara tregojnë se investimet e drejtpërdrejta në firmat kineze u rritën me 4%, duke e renditur Kinën të parën në botë. Renditja tregon ndikimin në rritje të Kinës në skenën ekonomike botërore.
Kina kishte 163 miliardë dollarë investime të huaja direkte vitin e kaluar, ndërsa SHBA kishte tërhequr vetëm 134 miliardë dollarë.
Në vitin 2019, Shtetet e Bashkuara morën 251 miliard dollarë investime të reja të huaja direkte ndërsa Kina mori 140 miliardë dollarë.
Ndërsa Kina mund të jetë numri një për investime të reja të huaja, SHBA ende dominon kur bëhet fjalë për investimet totale të huaja.
Ekspertët thonë se shifrat nënvizojnë lëvizjen e Kinës drejt qendrës së ekonomisë globale e cila ka kohë që dominohet nga Shtetet e Bashkuara, ekonomia më e madhe në botë.
Kina, e përfshirë aktualisht në një luftë tregtare me SHBA, është parashikuar ta kapërcejë atë në pozicionin numër një deri në vitin 2028, sipas Qendrës për Kërkime Ekonomike dhe të Biznesit (CEBR) me bazë në Mbretërinë e Bashkuar.
Rënia e Trump
Investimet e huaja në SHBA arritën kulmin në vitin 2016 me 472 miliardë dollarë, kur investimet e huaja në Kinë ishin 134 miliardë dollarë.
Që atëherë, investimet në Kinë kanë vazhduar të rriten, ndërsa në SHBA kanë rënë çdo vit që nga viti 2017. Administrata Trump inkurajoi kompanitë amerikane të largohen nga Kina dhe të rivendosin operacionet në Amerikë. Ai gjithashtu paralajmëroi kompanitë dhe investitorët kinezë se ata do të përballen me ligj të ri kur investojnë në Amerikë, bazuar në bazat e sigurisë kombëtare.
Ndërsa ekonomia amerikane ka luftuar që nga shpërthimi i Covid-19 vitin e kaluar, ekonomia e Kinës ka rritur shpejtësinë e rikuperimit.
Rritja ekonomike e Kinës, e matur në produktin e brendshëm bruto (PBB), u rrit 2.3% në vitin 2020, treguan të dhënat zyrtare këtë muaj. Kjo e bën Kinën ekonominë e vetme kryesore në botë që arriti të shmangë një tkurrje vitin e kaluar.
Në përgjithësi, investimet e huaja direkte globale (IHD) ranë në mënyrë dramatike në vitin 2020, duke rënë me 42%, sipas raportit të UNCTAD. Britania e Madhe pa një rënie prej më shumë se 100% të investimeve të reja të huaja direkte vitin e kaluar nga 45 miliard dollarë në 2019 në – 1.3 miliard dollarë në 2020-n./BBC