Lerini taksat të bëjnë punën e tyre…

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Eduart Gjokutaj

Mendimi parësor për tu thënë politikanëve të ditës është pikërisht ai i titullit:

– Lerini taksat rehat, pasi nuk ja u kanë fajin dhe nuk ja u zgjidhin problemet tuaja loja e kungulleshkave me taksat!

Miratimi i mekanizmit të taksimit nëpërmjet tatimit të të ardhurave personale me një shkallë tatimore nuk pritet të çojë në rritje të ndjeshme të të ardhurave nga taksat në kushtet e një ekonomie të zhvilluar dhe me një buxhet të konsoliduar. Por, nëse ekonomia është e rrënuar nga informaliteti dhe sistemi fiskal cenohet nga evazioni i kudondodhur, atëherë kjo qasje mund të çojë në të ardhura më të mëdha pasi është më e thjeshtë dhe e lirë për tu administruar, por edhe për tu llogaritur. Por, gjithsesi edhe sikur ky skenar të jetë 100% i vërtetë, pyetja që shtrohet është nëse ky është problemi më i madh që duhet adresuar për sistemin tonë fiskal dhe për të efektivizuar ekonominë nëpërmjet ndikimit që kanë taksat me forcën e tyre?

Në plan të parë, (ky diskutim është parimor dhe nuk ka lidhje me realitetin e taksimit në Shqipëri), kur bëhen programet elektorale, dhe konkretisht ata që përfshijnë edhe llogaritjen e taksës së sheshtë/progresive, në fakt prezantohen me shembuj më së shumti duke ju referuar një burimi të ardhurash, atij nga puna. Ndërkohë, tatimi mbi të ardhurat personale duhet të taksojë atë që nuk është taksuar deri më sot, kapitalin dhe mirëqenien. Këtë rol taksa e sheshtë nuk e kryen dot, pasi ajo aplikohet vetëm me gradimin me një shkallë, atë që është në sipërfaqen e të ardhurave dhe jo ato që ndodhen poshtë saj. Pra, taksës së sheshtë nuk i intereson sa është shuma e të ardhurave që takson, pasi gradimi i saj me një shkallë nuk e lejon. Ndërsa, progresiviteti ka një gradim me disa shkallë duke taksuar proporcionalisht dhe parimisht të ardhurën personale. Shtetet e zhvilluara industriale dhe ato me ekonomi solide dhe konkuruese nuk munden ta pranojnë këtë model tatimi me vetëm një shkallë, pasi nuk përshtatet më me modelin e tyre të mirëqenies.

Diskutimi për mekanizmin e tatimit mbi të ardhurat individuale gjithsesi nuk ka vlerë të shtuar për vendin tonë, pasi të ardhurat më të mëdha vijnë nga konsumi, madje edhe këto të fundit vijnë nga importi. Kështu, që tatimi mbi individin është ende i papërfillshëm në peshën që mban për tu bërë subjekt për diskutim politik. Në fakt, ndërsa mund të kemi një lehtësim nga tatimi mbi pagën e punonjësve, ajo që vlen për një sistem të shëndetshëm tatimor nuk është kush fiton më shumë apo më pak, por kush taksohet në mënyrë proporcionale njësoj për të ardhurat që ai përfiton.

Për ta bërë këtë llogaritje nevojitet që të identifikohen të gjitha të ardhurat e të gjithë individëve. Por, edhe sot diskutimi mes palëve politike vijon me një qasje ekonomike (më vjen turp ta quaj politikë) që ndan njerëzit në llogoret politike. Kush përkrah idenë e taksës së sheshtë rreshtohet te llogorja e djathtë dhe kush përkrah idenë e taksës progresive rreshtohet te llogorja e majtë.

Partitë që i shpallin qasjet nuk kanë shumë ndrojë, nëse kjo quhet përsëritje apo politikë bajate. Logjika e tyre nuk lidhet me taksat dhe sistemin tatimor, se kjo nuk u ka interesuar dhe u intereson pak ose aspak. Në fakt, nëpërmjet rreshtimit në dy llogore është shumë më interesante për to të identifikojnë simpatizantët e tyre. Ndërkohë, për taksat le të flasë kush të dojë, pak interes ka për secilën nga palët politike. Barra fiskale e taksave mund të ulet pasi asnjehere nuk eshte debatuar per te, pasi në buxhet taksat janë rritur me gramë nga viti në vit. Me aq pak sa peshon buxheti i shtetit tonë mund ta zgjidhin shumë më shpejt dhe pastër, secila nga qeveritë tani që mësuan rrugën e marrjes së borxheve dhe daljes në tregje me eurobond. Mund të thuash shumë mirë se tashmë politikanët kanë filluar ta ngjyejnë “bukën thatë” të buxhetit në tregjet financiare të huaja dhe kjo justifikon për deficitin e buxhetint çdo premtim që bëhet për të ulur taksat.

Lexo edhe :  “Eiffel”, ikona gjermane e arkitekturës franceze

Me qasjen e uljes së taksave partitë duan të margjinalizojnë votat për llogoret e tyre politike. Votuesit mund të besojnë edhe për 4 vite të ardhme se janë ulur taksat për ta. Në fakt, ulja e taksave është borxhi që politikanët e sotëm po u lënë fëmijëve të gjithsecilit nga ne dhe bashkë me ne brenda për dekada të ardhme. Por, shumë pak nga ne do të jenë në gjendje tu kërkojnë në të ardhmen llogari politikanëve për borxhet që na krijojnë kohë pas kohe. Ne po e lëmë veten të pranojmë këtë qasje, tani dhe përsëri. Secili nëse e pranon edhe më tej diskutimin se kush është më e mirë (më e sheqerosur), taksa e sheshtë apo progresive, le të kujtojë se çfarë ka përfituar secili nga ky konsum kohe dhe energjish pozitive. Ky debat i stisur për modelin e taksës me një shkallë, me dy apo me disa është privilegj për ato shtete që kanë zgjidhur problemin e informalitetit, si dhe kanë lufutuar evazionin duke e çuar deri në atë nivel që ai tashmë nuk pengon dot ecjen përpara të ekonomisë. Ndërkohë, sistemi nuk ka vetëm këtë taksë, por edhe shumë të tjera. Edhe sikur kjo taksë të hiqej fare, ajo nuk zgjidh problemin e madh të administrimit, evazionit dhe korrupsionit.

Ndërkohë, evazioni dhe bashkë me të edhe korrupsioni po e ha si një sëmundje kronike ekonominë tonë, që edhe pas 30 vitesh nuk ka mundur të dalë përtej kufijve të Shqipërisë, por ka mbetur e mbyllur në madh/sinë e “ekonomisë sa një kavanoz” që u  trashëgua nga periudha komuniste. Por, të dalësh në tregjet e huaja të duhet një ekonomi formale, konkuruese dhe jo e fshehur pas “potureve” të informalitetit. Një ekonomi e mbajtur peng nga informaliteti nuk mund të rritet, pasi të gjithë e kuptojnë këtë nga jeta e përditshme, që nëse i fsheh të ardhurat, atëherë ke shanse më të pakta për të përfituar shërbime, kredi, legalizime etj. Koha që kalon duke vijuar me këtë ritëm nuk na ka kursyer sot dhe nuk kursen askënd që mendon se do të bëhet biznes i madh pa paratë publike.

Kush do të na e kthejë borxhin për kohën e humbur?

Kjo është pyetja që duhet tu bëhet atyre që thonë se ulja e taksave është për të mirën e njerëzve.

Jo!

Ulja e taksave i shërben status quo së kaosit ekonomik dhe dobësimit të buxhetit duke cënuar sigurinë dhe integritetin e vendit dhe duke na kthyer në lypsarë “për pak borxh” në magjen e pambushur asnjëherë të buxhetit. Deri sa evazioni dhe korrupsioni nuk janë zvogëluar, ulja e taksave është në dëm të konsolidimit të buxhetit dhe… rritjes së pensioneve.

Buxheti nuk mbushet me taksa, por me ekonomi konkuruese, që i paguan taksat për të vazhduar përpara.

Të fundit

Një vit që ikën dhe një tjetër që vjen

Ilir Yzeiri Nesër është dita e fundit e vitit 2024. Zakonisht ndërrimi i viteve shoqërohet me ritualin e zakonshëm të...

Vendimi i Qeverisë/ Çdo punonjës i Policisë së Shtetit 10 mijë lekë shpërblim për fundvit

Çdo punonjës i Policisë së Shtetit i rolit zbatues do të përfitojë një shpërblim prej 10 mijë lekësh. Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit...

‘Skifterët’ në PD, ‘babi i Zenit’ dhe tundja e belit në K’cimin e ‘Berishës’

Jakin Marena Nëse kërkohet të bëhet një bilanc për opozitarizmin në Shqipëri, mjafton të shohësh ‘parabolën’ e zhvillimeve politike brenda PD, në harkun kohor të...

Fluks lëvizjesh në Pikën e Kalimit Kufitar të Qafë Thanës, rradhë kilometrike automjetesh

Mbrëmjen e sotme në pikën e Kalimit Kuftiar të Qafë Thanës është rritur përsëri fluksi i lëvizjes së automjeteve. Dhjetra shtetas shqiptarë dhe të huaj...

Në cilin qark do të kandidojë në 11 maj, Edi Rama?

I pyetur nga gazetarët në konferencën e fundvitit se në cilin nga qarqet do të kandidojë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, kryeministri...

Lajme të tjera

Web TV