Kriza e ekonomisë shqiptare në vitet 1980-1990-të, ndikimi i saj në fundin e sistemit socialist

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Adrian Civici

 

 

-A ishte ekonomia një nga faktorët kryesorë që diktoi rrëzimin e sistemit socialist në Shqipëri në fund të viteve 1980-të?

 

Mendoj se krizat ekonomike e financiare, të dukshme e të fshehura, dhe rezultatet mediokre të ekonomisë socialiste në Shqipëri, ishin faktor themelor i rrëzimit të diktaturës, i cvleftësimit total të saj në sytë e shqiptarëve. Që në vitin 1945, në kuadrin e besimit se ekonomia socialiste do tja ndryshonte njëherë e përgjithmonë “situatën ekonomike dhe nivelit të mirëqënies popullit shqiptar”, qeveria do deklaronte si objektiv primar transforminin e Shqipërisë nga “një vend agrar e gjysëm feudal” drejt  shndërrimit të tij “…në një vend agraro-industrial ”…për të kaluar më vonë drejt një stadi “industrialo-agrar” i cili pritej të konsolidohej në vitet 1980-90.

Sipas kësaj skeme të zhvillimit të vendit, të frymëzuar totalisht nga strategjitë dhe politikat e BRSS të Stalinit, prioritet do ti jepej industrisë në raport me bujqësinë, që gjithsesi konsiderohej si “dega bazë e ekonomisë”, dhe brenda industrisë, prioritet do të kishte industria e rëndë që përbënte thelbin dhe ambicjen kryesore të politikës së “industrializimit socialist” të vendit.

Duhet pranuar se si pasojë e këtyre politikave ekonomike u arritën disa rezultate pozitive: industria arriti të katërfishojë prodhimin e para luftës së II-të botërore; u zhvillua nxjerrjen e naftës dhe mineraleve të tjera; u rikonstruktuan një pjesë e rrugëve dhe urave; u zhvillua industria tekstile dhe ajo ushqimore, etj. Në vitin 60-të, industria kontribonte më shumë se 50% në PBB të vendit dhe Shqipëria shpalli “realizimin e ndërtimit të bazës ekonomike të socializmit”.

Por, këto suksese, në pjesën dërrmuese të tyre u favorizuan nga ndihmat dhe kreditë e shumta që Shqipëria përfitoi nga Bashkimi Sovjetik dhe vendet e tjera të bllokut komunist. Mjaftojnë disa shifra për të kuptuar situatën: në periudhën 1947-1959 midis qeverisë shqiptare dhe asaj sovjetike u nënshkruan 16 marrëveshje kreditimi me një vlerë 244 milionë rubla. BS dhe vendet e tjera të kampit socialist i patën akorduar Shqipërisë 433 milionë rubla kredi, nga të cilat u përdorën 316 milionë rubla ose 73%. Në pesëvjeçarin 1951-1955, kreditë përfaqësonin 90 % të importeve, kurse në pesëvjeçarin e II-të, 1956-1960, rreth 47 %. Ndihmat dhe kreditë e BS dhe vendeve të kampit socialist kanë qenë shumë të rëndësishme për kohën, pasi vendi kishte nevojë për gjithçka, deri edhe për sigurimin e bukës. Ato ndikuan për kthimin nga një vend agrar i prapambetur në një vend agrar-industrial në vitin 1955 dhe ndërtimin e bazës ekonomike të socializmit në vitin 1960.

Prishja e marrëdhënieve të Shqipërisë me BRSS dhe dalja e saj “de facto” nga kampi socialist mbas viteve 60-të, i ridemensionoi së tepërmi ambicjet dhe strategjinë e saj të industrializimit. Në politikat e zhvillimit të vendit hyri gjithnjë e më shumë koncepti dhe praktikat e “mbeshtetjes vetëm në forcat e brendshme”. Megjithatë, në periudhën 1958-1978, vendin e BS dhe kampit socialist e zuri Kina, e cila gjithashtu dha një ndihmë të konsiderueshme për “ndërtimin e socializmit në Shqipëri”.

Nga viti 1954 e deri më 1975, përvec ndihmave dhe granteve të shumta, me RP të Kinës u nënshkruan dhe 17 marrëveshje kredie, në monedha të ndryshme, si: 1320 milion në rubla, 58.4 milion në usd, etj.  Gjatë kësaj periudhe u ndërtuan dhe veprat më të mëdha të industrisë të cilësuara si “ajka e industrisë shqiptare” : kombinati metalurgjik në Elbasan; disa hidrocentrale; një rafineri e madhe nafte; zhvillimi i industrisë nxjerrëse e përpunuese të kromit, hekur nikelit dhe bakrit; disa uzinave për prodhimin e plehrave kimike, bitumit, cimentos, tullave,etj.; uzina të industrisë së lehtë e përpunuese; etj. Në vitet 1960-75, rreth 60-70% e tregëtisë së jashtëme shqiptare zhvillohej vetëm me Kinën.

Në vitet 1970-1980, ekonomia shqiptare pati momentin e vet më pozitiv të rritjes ekonomike nën regjimin totalitar për shkak të përfundimit të veprave të mëdha infrastrukturore si disa akse kryesore të rrugëve nacionale dhe HEC-eve të mëdha mbi lumin Drin. Gjithashtu në këtë periudhë hynë në funksion disa nga fabrikat e mëdha të pasurimit të mineraleve të nëntokës. Mirëpo një dekadë më pas, sidomos në gjysmën e vitit 1980, ekonomia shfaqi qartë ngadalësimin e ritmeve të rritjes, për shkak se potencialet nga burimet e brendshme kishin mbaruar. Me një cikël të ngjashëm, po përballej edhe ekonomia e vendeve të Europës Lindore.

Prishja përfundimtare e marrëdhënieve me Kinën në vitin 1978, në vend që të stimulonte kërkimin e partnerëve të tjerë të vendit, apo ta detyronte qeverinë shqiptare të hidhte sytë nga perëndimi, u transformua në një autarki totale. Duke filluar nga viti 1976, në emër të “ruajtjes së pavarësisë politike e ekonomike” dhe “mbështetjes në forcat tona”, u adoptuan tre kufizime tërësisht ideologjike: në mbashtetje të nenit 28 të Kushtetutës, u ndalua cdo lloj kredie apo borxhi nga jashtë; u kufizuan në mënyrë drastike të gjitha importet, “me përjashtim të atyre që konsideroheshin absolutisht të nevojshme për zhvillimin ekonomik dhe nevojat sociale”; disa nga vendet më të zhvilluara të botës “të cilësuara si kapitaliste, revizioniste apo sioniste” si SHBA, Anglia, Bashkimi Sovjetik, Izraeli, Afrika e Jugut, Gjermania Federale, etj, u përjashtuan nga axhenda e marrëdhënieve tregëtare.

Por vitet 80-të, regjistruan fillimin e rënies me shpejtësi të niveleve të rritjes ekonomike. Rritja ekonomike vjetore që arrinte mesatarisht në 5-6% në vitet 1970-1980, ra në 1% në dekadën 1980-1990. Shqipëria kishte arritur tashmë në fund të mundësive të fazës ekstensive dhe “rrugëve të reja e origjinale të zhvillimit” të eksperimentuara prej saj. E privuar nga kapitalet e huaja të cilat konsideroheshin si “instrumenta skllaverues” dhe ndaloheshin me Kushtetutë, e arritur në limit të rezervave dhe mundësive të saj të brendshme dhe njëkohësisht si pasojë e efekteve të gabimeve të akumuluara në shumë vendime e zgjedhje thelbësore të politikave të saj ekonomike, rritja ekonomike po shkonte afër zeros. Ekuilibrat makro-ekonomikë ishin tronditur rëndë dhe si pasojë e subvencioneve të mëdha që përpiqeshin të mbulonin mungesën e eficencës së sektorit publik, deficiti buxhetor arriti  5.9% në 1988, 9.5% në 1989 dhe 16,6% në 1990. Ekonomia dhe financat shqiptare ranë në kolaps të plotë dhe pa asnjë shpresë rimëkëmbje.

 

–  Si u përjetua rënimi ekonomik në vitet 1980-90 ndërkohë që në vitin 1988, Shqipëria merrte “Cmimin ndërkombëtar të ushqimit” si vend me mirëqenie të lartë e ushqime të garantuara për gjithë popullin ?

 

Në dekadën e viteve 80-90 ekonomia shqiptare shfaqi shenjat e një krize totale, mallrat e konsumit të gjerë si mishi, vaji, sheqeri, mielli, gjalpi, qumështi, vezët,etj., filluan të mungonin në masë duke kaluar në sistemin e tallonave ushqimore, eksportet u ulen ndërkohë që kërkesa për importe të nevojës së parë shtoheshin vazhdimisht, rezervat në devizë u pakësuan dhe në tërësinë e tij, prodhimi vendas e në mënyrë të vecantë ai agro-ushqimor, po ulej me rritme shqetësuese. Në fshat dhe në zonat rurale në përgjithësi u cfaqën mjaft elemente të varfërisë ekstreme dhe një krize të vërtetë ushqimore.

Në këtë periudhë, Shqipëria renditej në grupin e 15 vendeve më të varfëra të botës; 300 000 familje konsumonin më pak se 0.5 kg mish në javë; mbi 500 000 familje konsumonin më pak se 250 gram gjalp në javë; etj. Konsumi i mallrave ushqimore bazë ju nënshtrua tërësisht sistemit të “triskave” apo “tallonëve”. Mjafton shëmbulli i një talloni ushqimor një mujor për një familje me 4 apo 5 anëtarë, për të kuptuar përmasat e vërteta të krizës ushqimore dhe standarteve mjerane të ushqimit në Shqipëri në dekadën 1980-1990. Ishte koha kur në Shqipëri, sllogani më frekuent ishte “bar do hamë dhe parimet e marksizëm leninizmit nuk i shkelim”.

Për konkretizim po i referohem një “talloni ushqimor” një mujor të viti 1988, i cili “flet” më shumë se mijëra fjalë. “Talloni” ishte një për familje, pavarësisht se sa e madhe dhe nga sa pjesëtarë përbëhej familja. Çdo familje merrte 1 herë në javë mish sipas kësaj skeme: Javën e parë të muajit 1 kg mish derri i ngrirë dhe 2 pako gjalp nga 100 gr secila; Javën e dytë, 1/2 Kg mish të grirë dhe 1/2 kg sallam, plus 2 pakot 100 gr me gjalp; Javën e tretë një pulë e ngrirë hungareze, thuajse 1 kg plus dy pakot e gjalpit; Javën e fundit, varësisht mundësive përsëritej një nga 3 zgjedhjet e mësipërme. Tallonat jepeshin në këshillin e lagjes dhe ishin me vulë. Talloni nuk tjetërsohej, nuk i jepej dot dikujt tjetër dhe nëse të humbiste nuk zëvendësohej. Tallonat u bënë më të kërkuar dhe më të vlefshëm se paratë, në kohë që edhe sot vazhdon të kujtohet si “koha e tallonave”. Mqs tallonat jepeshin në bazë familjeje, në ato vite në Shqipëri ndodhi një frenezi e paparë për ndarjen e familjeve të mëdha në njësi familjare apo individuale minimale: fëmijët u ndanë nga prindërit, vëllezërit dhe motrat nga njëri-tjetri, të moshuarit u vecuan nga familjet duke deklaruar se jetonin të ndarë, etj.

`          E shprehur me shifra më konkrete, në këtë periudhë, një shqiptar konsumonte në muaj vetëm 750 gr mish e nënprodukte mishi; 25 gr gjalpë; 250 gr djathë; 25 gr kafe; 750 gr sheqer; 500 gr miell; 225 gr sapon rrobash; etj. Vetëm në raste festash, kryesisht për vit të ri apo “8 nëntor” shpërndaheshin nga 1 shishe raki, 2 shishe verë, 2 kq mollë e portokalle. Edhe lodrat e fëmijve shpërndaheshin në mënyrë të planifikuar vetëm një herë në vit, gjatë ditëve të fundit të dhjetorit.

Por, përtej “tallonave”qëndronte dhe një torturë tjetër e jashtëzakonshme që quhej “rradhë”. Për cdo gjë që duhej të blije duhet të rrije në “rradhë”. Rradhat fillonin në orët e para të mëngjesit me qumështin, pastaj vazhdonin me bukën, mishin, vajin, miellin e sheqerin, gjalpin dhe djathin, vajgurin, vezët, etj. Një familje shqiptare harxhonte mbi 3-4 orë në ditë “duke ndejtur në rradhë” me tallona në dorë. Cudia dhe përshtypja më e madhe për shqiptarët në vitet e para të ekonomisë tregut ishte zhdukja e fenomenit “rradhë” nëpër dyqane. Rritja ekonomike modeste 1-2% e periudhës 1980-85 u bë negative gjatë viteve 85-90, në fillim të vitit 1991. Vendi ra në një krizë të thellë ushqimore, ekonomike e financiare dhe sistemi i ekonomisë së centralizuar nuk dispononte më asnjë mjet e mundësi që ta ndalte atë.

Ironia më e madhe për shqiptarët e varfër dhe të kequshqyer në ato vite ishte “Cmimi ndërkombëtar për ushqimin” akorduar nga UNDP (Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin) në vitin 1988, cmim që u propagandua me shumë bujë nga Presidenti i asaj kohe Ramiz Alia si “sukses evident i rrugës sonë të vendosur për konsolidimin e socializmit”, megjithëse në fakt, nuk bëhej fjalë për një cmim të dhënë nga UNDP apo FAO, sic e serviri propaganda e kohës, por për një cmim që mbante emrin “Enriques Dias Balestros” një funksionari të administratës meksikane të ushqimit që shquhej për kontributet e tij në sigurimin e ushqimeve për shtresat e varfëra. Cmimi ju akordua Shqipërisë në kuadrin e marrëdhënieve të mira Meksikë – Shqipëri të asaj kohe, sidomos si mirënjohje për votën e Shqipërisë pro kandidaturës së ish Presidentit meksikan Luis Echeverria Alvarez për sekretar të përgjithshëm të OKB-së.

Përtej propagandës zyrtare, ky cmim ndërkombëtar për ushqimin shkaktoi habi dhe humor në Shqipëri. Historia më pikante është një mbledhje e organizatës së partisë në një ndërrmarje në qytetin e Shkodrës, kur sekretari i partisë po fliste me entuziazëm për cmimin, i drejtohet një punëtori që kishte pamje mjaft të ngrysur e të dëshpëruar në fytyrë: përse nuk je i gëzuar për këtë vend të parë të Shqipërisë për ushqimin? … më vjen keq dhe jam shumë i mërzitur se nuk po e imagjinoj dot se në cfarë gjendje të tmerrshme duhet të jetë vendi që ka dalë në vendin e e dytë mbas Shqipërisë!

Por cfarë ndodhi konkretisht që shkaktoi këtë krizë ushqimore, ndërkohë që shifrat dhe statistikat zyrtare, deri në vitet 1989-90-të, vazhdonin të pasqyronin rritje të vazhdueshme të prodhimeve bujqësore e ushqimore?

Arsyeja e këtij “misteri” është e thjeshtë: kooperativizimi ekstrem dhe sistemi i fermave shtetërore rezultoi një dështim, shenjat e para të të cilit u dukën që në vitet 1970-74. Nga ana tjetër, politikat e “zvogëlimit të oborreve personale dhe parcelave private në emër të forcimit të ekonomisë kolektive socialiste” të shoqëruar me vendimin absurd të “tufëzimit”, rezultuan vetëvrasëse në fushën e bujqësisë dhe ushqimit duke u bërë simbol i zhdukjes nga dyqanet dhe nga tavolinat e gjithë produkteve bazë ushqimore. Ndërkohë që statistikat zyrtare pasqyronin vetëm prodhimet e kooperativave dhe fermave shtetërore, thelbi i dështimit qëndron te eleminimi total i parcelave bujqësore dhe blegtorisë private me prodhimet e të cilave ushqeheshin familjet fshatare që përbënin rreth 60-70% të popullsisë shqiptare. Zhdukja e tyre, në fak eleminoi mbi 50% të prodhimeve bujqësore e blegtorale, ndërkohë që prodhimi kolektiv socialist nuk e mbushi dot kurrë këtë boshllëk. Fshatarët, nga prodhues dhe shitës të produkteve bujqësore e blegtorale u bënë kërkues e konsumatorë të tyre.

Lexo edhe :  Nuk lëvizin monedhat e huaja/ Kursi i këmbimit, 6 Maj 2024

Në një kuptim të gjerë, megjithë disa tentativa për modifikimin e politikës ekonomike dhe lejimin e disa elementeve « të ekonomise kapitaliste », kjo ishte një krizë e vetë sistemit socialist dhe për pasojë nuk mund të zgjidhej pa e ndryshuar radikalisht atë. Në kërkim të shpëtimit nga kjo situatë dramatike në fund të vitit 1988, në Shqipëri, u fol për herë të parë „hapur“ për nevojën e disa reformave pragmatike që „nuk preknin karakterin socialist të pronësisë dhe rolin udhëheqës të Partisë“, por që do fusnin „elemente të administrimit kapitalist“ sipas shembullit të „Perestrojkës“ të filluar që në vitin 1985 në Bashkimin Sovjetik.

Por, asnjë nga këto tentativa të mekura nuk mund ta shpëtonte më ekonominë shqiptare. PPSH dhe qeveria shqiptare u dorëzuan. Shembja e rregjimit, nën shembullin e vendeve të tjera të Europës qëndrore e lindore ishte thjesht cështje kohe dhe „momenti të përshtatshëm“. Mbas përmbysjes së rregjimit të Causheskut në Rumani, Shqipëria kishte mbetur gruri i fundit i dominosë ish-socialiste.

Udhëheqja komuniste dhe Presidenti Ramiz Alia u trëmbën edhe nga fundi tragjik i Causheskut dhe mundësisë që situata të përfundonte në mënyrë të tillë edhe në Shqipëri dhe filluan menjëherë në panik të jepnin shenja tërheqja e lëshimesh të mëdha ideologjike, politike e sociale. U shpall një amnisti për të burgosurit politikë, u deklarua se shqiptarët do pajiseshin me pashaporta për të dalë jashtë shtetit, u lejua ndjekja e fesë, u ulën dënimet për tentativë arratisje, u hoqën pengesat kushtetuese për marrjen e kredive dhe huave nga jashtë, u propozua ripërcaktimi i rolit udhëheqës të Partisë dhe vendosja e një sistemi shumëpartiak, nga Byroja Politike u hoqën disa anëtarë që konsideroheshin si mbështetës së vijës së ashpër.

Por, koha e vjetër tashmë kishte mbaruar. Përmbysja e madhe filloi në nëndor – dhjetor 1990.

 

–  Në Shqipëri është folur për reforma ekonomike e financiare. Çfarë ishin në thelb këto reforma? A kishin ngjashmëri me reformat apo tentativat për reforma në vendet e bllokut lindor dhe Bashkimin Sovjetik?

 

Tentativat për reforma ekonomike e financiare, nën diktatin dhe “frymën” që vinte nga qëndra, dmth nga Moska, ishin prezente në gjithë vendet e bllokut lindor sovjetik. Në Bashkimin Sovjetik dhe disa vende të tjera të Europës qëndrore e lindore u tentuan disa reforma të rëndësishme në emër të “përmirësimit të sistemit socialist dhe rritjes së eficencës ekonomike” të tij, por pjesa dërrmuese e tyre u cilësuan revizioniste, duke ndëshkuar rëndë propozuesit dhe ideatorët e tyre.

Nga ana tjetër, në kontekstin e luftës së ftohtë dhe ndarjes së botës në dy blloqe, “Kapitaliste perëndimore” dhe “socialiste sovjetike”, vecanërisht mbas viteve 1960-të, u krijua dhe një bllok i tretë i quajtur “vende të botës së tretë” ose “vende në zhvillim”, grup shumë heterogjen që përbëhej nga vendet e “pa-ngazhuara”, vendet socialiste nën influencën kineze e jugosllave, etj. Edhe në këtë grup vendesh u zhvillua një debat i gjerë mbi reformat, strategjitë dhe politikat e zhvillimit që ato duhej të ndiqnin në kuadrin e përpjekjeve për shkëputjen nga tutela perëndimore e sovjetike.

Besoj se këndvështrimi më i saktë për të gjykuar për reformat e ndërrmara gjatë periudhës 1946-1989, është analiza e tyre nën këtë prizëm të dyfishtë: ndikimi apo “kopjimi” i reformave të Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të tjera të bllokut socialist lindor; dhe ndikimi nga reformat e propozuara në emër të “zhvillimit ekonomiko-social” në grupin e vendeve të botës së tretë.

Gjatë periudhës 1950-1989, në bllokun socialist, projektet reformuese u përballën me dy pikëpyetje të mëdha: duhej perfeksionuar apo duhej ndryshuar sistemi ekonomik? A ishte e mundur një reformë ekonomike pa ndryshime të thella politike? I ashtuquajturi “kurs i ri reformist” filloi që në vitin 1957, por objektivat e tij kishin të bënin vetëm me “axhustime modeste të sistemit stalinist” që synonin “rritjen e pjesës së të ardhurave kombëtare të destinuar për konsum”, “shpërndarje të re të investimeve ndërmjet degëve të ndryshme të ekonomisë duke mos privilegjuar më industrinë mekanike e bujqësinë, por infrastrukturat, banesat, industrinë e lehtë, etj.”, “orientimi drejt prodhimit të senseve të konsumit”, “ulja e presionit ndaj fshatarëve në kuadër të kolektivizimit të sforcuar”, “shtimin modest të numrit të ndërmarrjeve të vogla private”, rritja e “decentralizimit administrativ të disa prej treguesve kryesorë të planit”, “rritja e autonomisë së ndërmarrjeve”,etj.

Gjatë viteve 1960-1970-të, u ndërmor një seri tjetër reformash që synonin “reagimin ndaj ngadalësimit të rritjes ekonomike”, “rritjen e shpejtë të nivelit të jetesës së popullsisë” dhe “perfeksionimit të metodave të planifikimit”. Duhej të vinin vitet 1980-të që në vendet lindore të bllokut socialist, të flitej për “largimin përfundimtar nga konservatorizmi marksist-leninist e stalinist”, të mos flitej më për “reforma rregullatore e përmirësuese të sistemit socialist”, por, për “nevojën e shkatërrimit të këtij sistemi dhe për kalimin në sistemin e ekonomisë tregut të lirë”.

Një evolucion i tillë shpjegohet nga një seri faktorësh që e përgatitën dhe shpërthyen këtë transformim drastik. Rolin deciziv e luajti kriza e thellë strukturore që po kalonte Bashkimi Sovjetik dhe vendet e tjera të bllokut lindor në vitet 1980-të. Kjo krizë, e cila tregoi se sistemi socialist i ekonomisë e kishte humbur përfundimisht betejën me rivalët kapitalistë, se ky sistem nuk kishte më forca ekonomike e financiare për t’u përballur me SHBA-në dhe perëndimin kapitalist.

Optimizmit dhe besimit të verbër e tërësisht ideologjik, që kishte karakterizuar mendimin reformator që “megjithëse kërkonin reforma të thella për ekonominë socialiste, vazhdonin të ishin kritikë ndaj sistemit kapitalist” i kishte ardhur fundi. I famshmi “optimizëm sistemik”, që duhej të mbretëronte në vendet socialiste u zëvendësua plotësisht nga “pesimizmi sistemik”, dhe nga ideja që “socializmi ishte tashmë i tejkaluar nga historia”.

Mikhail Gorbachev, i zgjedhur Sekretar i Parë i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, lancoi “Perestrojka-n” ose “reformat e thella strukturore që do të shpëtonin sistemin e ekonomisë socialiste nga kriza”. Por, edhe kjo tentativë e fundit, megjithëse mjaft radikale në përmbajtjen dhe synimet e saj, dështoi dhe nuk arriti të realizonte pothuajse asnjë nga objektivat e saj. Me gjithë pretendimet për një reformë “radikale”, Perestrojka e Gorbachev-it ishte që në konceptim e destinuar të dështonte, pasi kërkohej vetëm përmirësimi i efiçencës së sistemit socialist sovjetik dhe jo ndryshimi thelbësor apo eliminimi i saj. Në fakt, Perestrojka ishte një reformë e pjesshme dhe e segmentizuar shumë më pak radikale sesa pretendohej.

Cfarë bëri Shqipëria gjatë kësaj periudhe dhe këtyre tentativave për reforma në vendet e Europës qëndrore e lindore? Mendoj se Shqipëria dhe PPSH, deri në vitin 1985, përpara vdekjes së Enver Hoxhës, bëri thjesht dhe vetëm reforma “tipike staliniste”. Vetëm në vitet 1986-1988, u tentua të ndërtohej një paketë reformash të cilësuara si “mekanizmi i ri ekonomik”, por edhe në këtë rast, masat dhe politikat e propozuara thjesht tentuan të zbutnin efektet e planifikimit të centralizuar dhe të rrisnin autonominë e ndërrmarjeve, por pa vënë në dyshim asnjë nga parimet e ekonomisë socialiste staliniste.

Reforma më e madhe dhe më radikale në bujqësi u përkufizua si “domosdoshmëri e transformimit socialist të bujqësisë, bazuar në kolektivizimin e prodhuesve të vegjël dhe krijimin e fermave të mëdha shtetërore”. Kolektivizimi i bujqësisë duhet të shërbente dhe për të aplikuar teorinë e planifikimit të centralizuar në bujqësi. Ndërkohë, që në vitin 1966, PPSH “mbështeti inisiativën” e disa kooperativave bujqësore “për zvogëlimin e oborreve personale dhe parcelave private “në emër të forcimit të ekonomisë kolektive socialiste” ndërkohë që në vitin 1981 u ndalua cdo metër katror tokë private dhe cdo lloj blegtorie. Fjala “tufëzim” që rezultoi dhe si një nga politikat më vetëvrasëse në fushën e bujqësisë dhe ushqimit u bë simboli i zhdukjes nga dyqanet dhe tavolinat e produkteve bazë si mishi, qumështi, frutat, perimet, etj. Në vitin 1979, në Shqipëri nuk kishte më asnjë fermë individuale private.

E njëjta llogjikë staliniste u përdor dhe në projektimin e reformave apo strategjisë së zhvillimit industrial të vendit. Në nëndor 1944, u deklarua si objektiv primar transformi i Shqipërisë nga “një vend agrar e gjysëm feudal (1945)” drejt  shnderrimit te tij “…ne nje vend agraro-industrial (1955)”…për të kaluar më vonë drejt një stadi “industrialo-agrar” i cili pritej të konsolidohej në vitet 1980-90. Sipas kësaj skeme zhvillim të frymëzuar nga strategjitë dhe politikat e BRSS të Stalinit, prioritet do ti jepej industrisë në raport me bujqësinë, që konsiderohej si “dega bazë e ekonomisë”, dhe brenda industrisë, prioritet do të kishte industria e rëndë që përbënte thelbin dhe ambicjen kryesore te politikes se “industrializimit socialist” të vendit.

Ndërkohë, në vitet 1970-të, në politikat e zhvillimit të Shqipërisë hyri koncepti dhe praktikat e “mbeshtetjes vetëm në forcat e brendshme”. “Rritja e nivelit të autonomisë ekonomike, konsolidimi i sistemit socialist, ngritja e nivelit të jetesës dhe zhdukja e dallimeve fshat-qytet,etj.” përbënin thelbin e reformave të zhvillimit ekonomik në vitet 1971 – 1985.

Duke filluar nga viti 1976 e deri në vitin 1988, në emër të “ruajtjes së pavarësisë politike e ekonomike”, thelbi i gjithë “reformave” formulohej nën slloganin e “mbështetjes në forcat tona” duke e izoluar tërësisht Shqipërinë nga cdo bashkëpunim ekonomik, financiar e tregëtar me jashtë, sidomos me vende që cilësoheshin si kapitaliste, revizioniste ose sioniste”, si SHBA, Anglia, Bashkimi Sovjetik, Izraeli, Afrika e Jugut, Gjermania Federale, Franca, Italia, Greqia, etj. Shqipëria kishte arritur tashmë në fund të mundësive të fazës ekstensive dhe “rrugëve të reja e origjinale të zhvillimit”, të eksperimentuara prej saj.

Nga debatet në kuadrin e “vendeve të paangazhuara”, vendeve në zhvillim apo atyre të cilësuara si “botë e tretë”, në reformat e saj, Shqipëria adoptoi vetëm konceptet e “domosdoshmërisë së industrializimit”, “ndërprerjen e marrëdhënieve me vendet e zhvilluara kapitaliste dhe zhvillimin me forcat e veta”, “politikat e zëvendësimit të importeve me prodhimet e brendshme”, “refuzimin e cdo lloj investimi apo borxhi nga jashtë”, etj.

Në Shqipëri nuk u fol kurrë për rrugë të reja zhvillimi, për reforma të vërteta transformuese ekonomike e financiare, por vetëm për “besnikëri absolute ndaj socializmit”, për “zhvillim krijues të marksizëm leninizmit”, ndërkohë që Ramiz Alia formuloi tezën se Shqipëria nuk është as lindje dhe as perëndim”, pra, do ndjekë rrugën e saj origjinale të reformave dhe zhvillimit. Por, e gjithë kjo rezultoi thjesht një fjasko politike e ideologjike, aq më tepër që edhe në vitin 1990, kur gjithshka dukej e përmbysur dhe e pamundur për reformat dhe socializmin, në takimin me intelektualët, Ramis Alia vazhdonte të deklaronte se “nuk ka kthim mbrapa në rrugën tonë drejt socializmit”.

Ramiz Alia që erdhi në pushtet mbas vdekjes së Enver Hoxhës, në postet e Sekretarit të parë të Komitetit Qëndror të PPSH dhe njëkohësisht President i vendit, fillimisht ngjalli një farë shprese dhe besimi për ndryshime thelbësore në shoqërinë shqiptare të cfilitur nga 40 vite socializëm stalinist, ose më saktë, ne projektonim te figura e tij “reformatore” shpresa për ndryshime, ndonjëherë dhe besonim se Ramiz Alinë e “pengojnë elementët konservatorë në krye të shtetit e të Partisë” për të bërë reforma, por në realitet, Ai nuk ndryshoi shumë nga mentori dhe idhulli i tij.

Ramiz Alia, nuk u bë dot një  “ndryshues kursi dhe reformator guximtar” si Nikita Hrushov që të kishte guximin të dënonte paraardhësin e tij diktator gjakatar, por përkundrazi, në ceremoninë e varrimit të tij deklaroi se “Enver Hoxha nuk ka datë vdekje, por vetëm ditëlindje”; i vuri emrin “Enver Hoxha gjithshkaje që mundi: “Universiteti i Tiranës Enver Hoxha”, “Porti i Durrësit Enver Hoxha”, “Organizata Pionierët e Enverit”, etj; nuk u bë dot një Václav Havel apo Mihail Gorbacov; nuk u bë dot një reformator esencial e eficent si Ten Hsia Pin në Kinë për të shpëtuar ekonominë me reforma liberale, ndërkohë që refuzoi dhe rastin e vetëm të bashkëpunimit me perëndimin, ofertën e Gjermanisë nëpërmjet Kryeministrit të Bavarisë, Shtraus, për lidhje ekonomike e bashkëpunim; u përpëlit në sllogane të cuditshme e amorfe të tipit “Shqipëria as hapet dhe as mbyllet”, “Shqipëria nuk është as lindje dhe as perëndim”, se “nuk tundet Taraboshi nga era”, etj. Ramiz Alia u mor me probleme të vogla sipërfaqësore, shpesh edhe komike, të tipit se “sa pula, dele apo derra duhet të mbante një familje fshatare”, “sa metra katrorë duhej të ishin arrëzat në përdorim personal të fshatarëve”, “sa përqind të objektivave të planit apo cmimeve mund ti përcaktonin vetë ndërrmarjet apo kooperativat bujqësore”, etj.

*Pjesë nga libri “Udhëtim në tre kohë – dialog me Alda Bardhyli”

Të fundit

Crystal Palace turpëron Manchester United në “Selhurst Park”, Ten Hag drejt shkarkimit

Manchester United turpërohet nga Crystal Palace në javën e 36-të të Premier League-s. “Djajtë e Kuq”, të cilët udhëtonin...

Napoli humbet “rrugën” e fitores, Udinese merr një pikë të artë në fundin e sfidës

Napoli nuk di më si të fitojë. Në ndeshjen që mbylli javën e 35-të të Serisë A, skuadra e drejtuar nga Calzona nuk shkoi...

Flet fqinji i babit të Alma Arrazit: I kishte kërkuar ndihmë të atit pak ditë më parë

Azem Bushati babai i Alma Arrazit, 39-vjeçares e cila u vetëmbyt në lumin Buna së bashku me tre fëmijët e saj të mitur, banon...

“Vajza e brishtë e martuar me të fortin e lagjes”, gazetari i njohur zbulon detajet

Gazetari Ferdinant Xhaferri ka treguar në një emision televiziv shkaqet e mundshme të ngjarjes tragjike të ndodhur tre ditë më parë në Shkodër, ku...

Tragjedia në lumin Buna/ Reagon Fevziu: Fëmijës nuk ka të drejtë t’ja marrë jetën askush

Qyteti mikpritës e bujar i Shkodrës u zgjua nën kujën e lotëve, ku një nënë e re i dha fund jetës së saj dhe...

Lajme të tjera

Web TV