Sot më shumë se sa kurrë vëmendje është fokusuar në atë çka do të ndodhë në fushatën elektorale dhe pas saj, gjithëkush me të drejtë pyet se sa janë realizuar objektivat e një tranzicioni, kush janë faktorët dhe aktorët që do të ndikojë në përmirësimin e gjendjes social–ekonomike. Të gjithë së bashku qytetarë, të papunë dhe pensionistë kuptojnë sot se sa janë rritur pagat dhe çmimet, se si është niveli i varfërisë, se sa rrugë është shtruar, se ku do të shkohet, për kë duhet të votohet, përse dhe si?!. Përpos zhargonit politik dhe mediatik, pritet se kush do të jetë përfaqësuesi i ri në parlament. Partitë prej shumë vitesh janë kujtuar vetëm në fushata dhe vetëm për fushata, për të kërkuar votën si e si të fitojnë besimin e qytetarëve të tradhëtuar për vite me radhë. Në skenën politike përsëri dominojnë njerëz të vjetër dhe të rinj, me pasione të vjetra dhe të reja që përpiqen të bëjnë leksionin e radhë dhe demagogjisë, për të fituar sa më shumë në këtë treg të trazuar, ku askush nuk e ka të qartë se për cilin voton dhe përse duhet të votojë!.
Me të vërtetë gjen mes tyre kapacitete që i duhen vendit dhe kjo, Shqipëria jonë e dashur i ka kërkuar dhe më në fund ka shansin e madh për t’i provuar. Por, me keqardheje konstatohet se figura të vjetra dhe pa identitet që e kanë kthyer vendin disa vite prapa për hir të influencave të tyre klanore dhe farefisnore, kanë gjasa të zgjidhen për të na mësuar më në fund se tashmë koha e tyre e përmbysur mund të zgjohet, falë profanëve në politikë dhe atyre që nuk janë të orientuar saktë dhe drejt. Listës së gjatë i shtohen dhe njerëzit karrigedashës të cilët kanë vetëm një objektiv, të ndërtojnë lumturinë e tyre, pavarësisht se kush vuan. Politika e re me “xhaketa të vjetra” thënë dikur, po hedh rrënjët e një stanjacioni që për ironi të fatit nuk dihet se kur do të përfundojë. Me mburrje të gjitha partitë politike deklarojnë njerëz me “Master” dhe të formuar në perëndim, kërkojnë ndihmën e militantëve, i përbuzin ato dhe në fund kartonët e “të mbledhurve jo rastësisht në politikë” do të jenë dominantët përballë realitetit. Gjatë gjithë periudhës së tranzicionit kemi parë njerëz pa influencë, por me shumë influencë në botën e biznesit, thyerës të të gjitha ligjeve morale shoqërore, megallomanë dhe kartonxjerrës sa herë që interesat e tyre nuk prishen, pushtetmbajtës dhe opozitarë të cilët bashkohen dhe ndahen për interesa të ngushta. E gjitha kjo, ka vetëm një arsye; të mbyllë gojën e atyre që duan të thonë një të vërtetë që për fatin e keq ajo vonon, por nuk harrohet. Sot dhe nesër ne do të përballemi me një realitet jo fort të këndshëm. Do të bëjnë ligjin ata që nuk e kanë parë dhe që nuk e njohin, do të ngrejnë kartonin pikërisht ata që nuk dihet se nga vijnë dhe ku po shkojnë, do të përbalten dhe injorohen të aftit, do të “persekutohen” ata që thonë një mendim ndryshe. E gjitha kjo, vetëm e vetëm për një karrige të munguar që cilido intelektual shpirtgjërë nuk do ta kishte pranuar, sepse politika e cila mbetet larg interesave të qytetarëve nuk është aq e aftë dhe e përgatitur që t’i shërbejë problemeve më madhore. Fushata sapo ka filluar.