Jo vetëm Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, por edhe Presidenti shqiptar, Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama, mund të garantojnë për lirimin me kusht të ish-presidentit Hashim Thaçi nga Haga.
Kështu është shprehur për “arbresh.info” drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj.
Miftaraj tha se nëse një garanci e tillë nuk bëhet nga presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti, ajo mund të bëhet edhe nga Meta e Rama.
“Nëse kjo nuk garantohet nga Kosova, e njëjta mund të garantohet nga Shqipëria, respektivisht nga Presidenti Meta apo Kryeministri Rama, por që nuk e kanë peshën dhe rëndësinë e njëjtë sikur kjo të vinte nga Kosova”, u shpreh Miftaraj.
Ai, pohon se para se të japin një garanci të tillë para Dhomave të Specializuara, qoftë institucionet e Kosovës, apo ato të Shqipërisë, duhet të marrin edhe ato një siguri nga të akuzuarit dhe avokatet e tyre se do të respektojnë masat e caktuara nga gjykata.
“Duke marrë për bazë se një garanci e tillë do të mund të zbatohet edhe për të akuzuarit e tjerë, institucionet në Kosovë si Presidenca, por edhe Zyra e Kryeministrit para se të marrin një vendim të tillë për të garantuar, sigurisht do të duhej të merrnin garanci ose siguri nga vetë të akuzuarit dhe avokatët e tyre se do të respektojnë masat e caktuara nga gjykata nëse do të liheshin për t’u mbrojtur në liri. Në raste të tilla fjala dhe premtimi i Presidentit dhe Kryeministrit kanë peshë andaj edhe merren si të mirëqena nga gjykata speciale”, thotë Miftaraj.
Një ditë më parë, Gjykata e Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës publikoi vendimet refuzuese në lidhje me aplikimet e ish-presidentit, Hashim Thaçit, ish-kreut të PDK-së, Kadri Veseli dhe ish-deputetit të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi për lirim me kusht apo të përkohshëm.
Megjithatë, paneli i kësaj gjykate ka lënë një mundësi të hapur. Paneli i Gjykatës së Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë shprehur qëndrimin se ekzistenca e një Shteti të Tretë mund të shihet si “ofertë” vendimtare brenda kornizës së lirimit me kusht.