Edi Rama, me Erdoganin si praktikë dhe me Ataturkun si projekt

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Lorenc Vangjeli

Edhe pse vendi do të qeveriset nga Edi Rama, fituesi i këtyre zgjedhjeve është opozita. Socialistët mbeten në të njëjtin nivel votash nga viti 2017, kurse demokratët dhe LSI patën një rritje të pabesueshme nga zeroja absolute e 2019-ës në 63 mandate realë në 2021-shin. Në ngutin e pabesueshëm dhe padurimin tipik ballkanas që ka Shqipëria për garën e zgjedhjeve, të gjithë i kanë sytë vetëm tek ai që do të qeverisë. Me emrin dhe humorin e kryeministrit lidhen pothuaj të gjithë fatet individuale të qytetarëve shqiptarë, të atyre që votojnë, të atyre që refuzojnë të venë në kutinë e votimit, të atyre që e duan apo e urrejnë dhe madje, edhe të atyre që nuk kanë mbushur moshën ligjore për të ushtruar të drejtën e votës.

Kjo është arsyeja se pse pothuaj askush nuk shënjon se vota zgjedh edhe një nga institucionet më të rëndësishme të vendit, opozitën. Në shtator, në parlamentin e ri, mbas dy vjet e gjysmë mungese, Shqipëria do të ketë opozitën reale dhe morale të saj. Ajo do të zëvendësojë atë amalgamë qesharake që rrodhi nga shkallët e fundit të listës së kryetarëve dhe akti i tyre banal politik i dezertimit politik me djegie mandatesh në 2019-ën. Kush kupton këtë të vërtetë të thjeshtë ka një shans më shumë për të kuptuar se pse humbësit e certifikuar me shifra, në fakt janë fituesit realë në zgjedhje. Siç është fitues edhe vetë sistemi që po kthehet në normalitetin formal të një demokracie ende hibride.

Opozita u çlirua nga marrëzia e saj që e ndëshkoi egërsisht dhe e goditi me prapaveprim në kutinë e votimit. Këtë të vërtetë ka kuptuar më mirë se kushdo tjetër Edi Rama. Kryeministri atipik i vendit është i vetmi që ka kuptuar relativitetin e suksesit dhe dështimit në këto zgjedhje që edhe njëherë si përherë pati të vetmin rezultat që ju jepet shqiptarë: fituesi i merr të gjitha, humbësi ankohet se u vodh. Ky është edhe një nga çelësat kryesorë që do të shërbenin për të hapur kasafortën hermetike të propozimit të tij për paqe me PD-në. Aty ku shumica dërmuese i bie daulles së festës, ai po tenton të shohë kambanat që kanë dëshmuar mallkimin tipik ballkanas: dy shqiptarë, tre mendje, tre parti, një sherr pafund. Koherent me projektin e tij të vjetër të bipartitizmit reformator, që e ka nisur së paku që në 2007-ën, kur i propozonte fshehtas Berishës së dikurshëm në pushtet “koalicion për reforma të mëdha”, sot me gurin në dorë, i afron arrën e pushtetit opozitës fituese në zgjedhje.

Lexo edhe :  Rreth 300 mijë banorë me prejardhje familjare bektashiane në Shqipëri

Kush mendon se bëhet fjalë për një aritmetikë të thjeshtë, sa ministra PS-ja e sa drejtorë PD-ja, kush gjykon se Rama është i lodhur dhe do të qeverisë pa opozitë apo kush mendon se është një akt që shkon kundër LSI-së dhe i hap Ramës rrugën drejt presidencës se nesërme, ose është naiv, ose sipërfaqësor, ose nuk arrin të kuptojë, se herët a vonë, koha e çon gjithkënd në ëndrrën fillestare. Dhe betejën mes pushtetit që ka marrë Rama politik dhe artit që ushtronte Edi artist, e fiton gjithmonë pushteti i artit. Sepse pushteti është i përkohshëm dhe arti është i përjetshëm. Kush e ka quajtur të Gjatin me ironi, “ai piktori”, sot ka mundësinë të përdorë penelat e tij për të bërë tattoo në fytyrën e Shqipërisë së nesërme. Sipas shijes së fituesit. Sic ka bërë përherë në 23 pushtet të paprerë në Tiranë.

Luksi i 74 mandateve që i dha dje kodi i Damianit dhe që shërbejnë për të ftuar sot demokratët për “Bashkëpunim pa kufinj”, është një nga arsyet që Rama e sheh mandatin e tij të tretë shumë më shumë se qiramarrje të zyrës së kryeministrit. Hesapi vetjak, do të thoshin cinikët, vizioni i epërm, do të thoshin të vetët, tashmë shkon përtej qeverisjes së “banalitetit” të përditshëm me ndërtim rrugësh e urash, me ujësjellës e kanalizime, me porte dhe aeroporte, buxhet e PPP-ra, me kryesi PS-je si sofër katrore e patronazhistë që rrumbullakosin shifrat. Këto mund t’i bëjë mjaft mirë edhe ndonjë socialiste tjetër e re në vend të tij e nën vullnetin e tij. Gerta, zonja e Vaksinave, Anila, shefja e Parave, Etilda e Drejtësisë apo Belinda e rrugëve, për shembull.

Vetë Rama sheh gjetkë, sheh përtej dhe çelësin e kasafortës së tij e ka lënë në vend të dukshëm, që të mund ta përdorë gjithkush që di dhe do të përdorë çelësat. Falë fitores së opozitës në zgjedhje, duke zgjedhur pa dilemë Perëndimin si të dashur shpirti, Edi Rama ka mundësi të ndjekë Lindjen, si bashkëshorten që i jep fati shqiptarëve. Me modelin e pushtetit pa kufij të Erdoganit në mend, ai ëndërron të jetë si Ataturku reformator për turqit ish-otomanë: të shndërrohet nga drejtues i pjesës së socialistëve, në rithemelues të Shqipërisë moderne të të tërëve. Ndaj kërkon ndihmën e opozitës që fitoi zgjedhjet për veten, duke i humbur ato për Edi Ramën.

/javanews

Të fundit

Robbie Williams barazoi rekordin e Beatles me 15 albume nr. 1 në Mbretërinë e Bashkuar

Robbie Williams ka barazuar rekordin e The Beatles për shumicën e albumeve në vendin e parë në tabelën e...

Kolumbia dërgon avionë të forcave ajrore për të marrë emigrantët e dëbuar nga SHBA

Një avion i Forcave Ajrore Kolumbiane u nis sot nga San Diego me 110 imigrantë kolumbianë të dëbuar. Një avion i dytë u nis...

Studimi/ Prindërit kanë gjithmonë një fëmijë të preferuar!

Një studim i botuar në Psychological Bulletin i jep fund dyshimit shekullor që mundon fëmijët në të gjithë botën: a kanë babi dhe mami një fëmijë të...

A do të na godasë vërtetë një asteroid në vitin 2032?

Asteroidi 2024 YR4 , i zbuluar vitin e kaluar, u klasifikua si niveli 3 në shkallën e Torinos , sistemi që mat rrezikun e...

Përse nuk mund të bëjmë ende telefonata gjatë kohës që udhëtojmë me avion?

Më 24 nëntor 2022, Komisioni Evropian i dha dritën jeshile përdorimit të pajisjeve me lidhje 5G në fluturimet e planifikuara. Ditët e modalitetit të aeroplanit dukej se...

Lajme të tjera

Web TV