TIRANË-Duke marrë shkas nga një debat në opinionin publik shqiptar pas vendimit për të kërkuar opinionin e Komisionit të Venecias për zgjedhjet lokale të vitit 2019, Gjykata Kushtetuese është detyruar të japë një sqarim. Vendimi për tia deleguar vendimin a interpretimin Komisionit të Venezias për çështjen e zgjedhjeve të kaluara vendore, nuk la shije të mirë në opinion publik në pritshmëritë nga Gjykata Kushtetuese. Jo pak e kanë konsideruar këtë vendim si shmangie të përgjegjësive nga ana e gjykatësve kushtetues.
Përmes një deklarate të posaçme, Kushtetuesja shprehet se kjo ështje është e një natyre unike dhe se këshillimi me organe të specializuara u konsiderua i nevojshëm nga kjo gjykatë.
“Gjykata Kushtetuese ka ndjekur diskutimet që ka ngjallur vendimmarrja e saj e datës 23.06.2021 për të kërkuar amicus curia nga Komisioni i Venecies për shqyrtimin e çështjes mbi procesin zgjedhor të datës 30.06.2019. Gjykata Kushtetuese, duke shprehur shqetësimin e saj rreth keqinterpretimeve dhe keqinformimit në lidhje me këtë vendimmarrje, ndjen për detyrë institucionale të informojë sa më poshtë vijon. Ky vendim është i ndërmjetëm dhe mbështetet në nenin 44/b të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i shtuar në kuadër të ndryshimeve të reformës në drejtësi. Objekti dhe çështjet për të cilat u vendos të kërkohet ky opinion janë të ndryshme nga çështjet e trajtuara në opinionet e mëparshme të Komisionit të Venecies, të cilat Gjykata Kushtetuese pa dyshim i mban gjithmonë në konsideratë. Për më tepër, në morinë e çështjeve të trajtuara që nga rifunksionimi i Gjykatës Kushtetuese, ky është rasti i vetëm që ajo po e përdor këtë instrument. Gjykata Kushtetuese i është drejtuar edhe më parë Komisionit të Venecies, si një organ i specializuar i Këshillit të Evropës me ekspertizë të thelluar në të drejtën kushtetuese dhe me një kontribut të çmuar në veprimtarinë e kësaj Gjykate në çështjet me rëndësi të veçantë. Çështja mbi procesin zgjedhor të datës 30.06.2019 është e një natyre unike dhe këshillimi me organe të specializuara u konsiderua i nevojshëm nga kjo Gjykatë”, sqaron Gjykata Kushtetuese.
Debatin mbi këtë çështje Gjykata Kushtetuese e konsideron jokonstruktiv dhe se mund të perceptohet si një si përpjekje për ta përfshirë atë në debate me ngjyrime politike, për të paragjykuar vendimmarrjen e saj.
“Gjykata Kushtetuese, në deklaratën e saj të fundit për mediet, ka theksuar rëndësinë e respektimit të pakushtëzuar të vendimeve të saj dhe ka shprehur besimin se ushtrimi i veprimtarisë të kësaj Gjykate në një klimë besimi nga kushdo do t’i shërbente forcimit të autoritetit të saj si organ kushtetues i pavarur. Gjykata konstaton se debati jokonstruktiv i ditëve të fundit jo vetëm që nuk i shërben kësaj klime besimi, por, përkundrazi, mund të perceptohet si përpjekje për ta përfshirë atë në debate me ngjyrime politike, të veshura nën petkun e diskurseve juridike për të paragjykuar vendimmarrjen e saj në lidhje me themelin e çështjes dhe si ndërhyrje në pavarësinë e saj“, thuhet në reagim.
Pak ditë më parë, Gjykata Kushtetuese vendosi të pezullojë gjykimin për legjitimitetin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit të 2019 dhe t’i drejtohet Komisionit të Venecias për një opinion.
Më 18 korrik 2019, kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi në emër të shoqatës së bashkive ankimoi në Gjykatën Kushtetuese zgjedhjet lokale të 30 qershorit, ku kërkon që ky proces zgjedhor të mos njihet. Ademi kërkoi se kërkesa e dorëzuar nuk ka të bëjë vetëm me ankimimin e procesit zgjedhor por edhe me verifikimin e regjistrimit të Bindjes Demokratike. Ademi paraqiti në Gjykatën Kushtetuese një padi në emër të bashkive të Shqipërisë, e cila sot është ish kryetare pasi pak javë më parë në krye të shoqatës së Bashkive u vendos Pjerin Ndreu.