“Thuajse” – paplotësia e ndjesive tona

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga mjekësia te poezia, udha poetike e Ailda Mëngjesit

Të enjten në mbrëmje në librarinë Tirana Times u zhvillua takimi poetik me poeten Ailda Mëngjesi, si dhe u prezantua vëllimi i parë me poezi i saj, “Thuajse”, i botuar nga Botimet M&B në vitin 2020. Mes poetësh dhe miqsh u vlerësua poezia e saj dhe u lexuan vargje nga libri.

“Në emër të Botimeve M&B doja t’ju falenderoja të gjithëve që jeni sonte këtu me ne në një mbrëmje poetike dedikuar poezisë, me një vëllim poetik me një titull mjaft intrigues “Thuajse”, të autores Ailda Mëngjesi”, tha në fillim të takimit botuesja e librit, Miranda Goleci.

“Pas afro dy vjetësh, me saktë që nga nëntori i viti 2019, në panairin e librit të fundvitit, aktivitete të tilla letrare na kanë munguar. Më vjen mirë që e hapim siparin e këtyre veprimtarive me një poete të re, e cila ka shkruar që herët, por ditën e botimit e panë vetëm tani me këtë vëllim”.

Autorja Ailda Mëngjesi është mjeke reumatologe në profesion, por letërsia dhe poezia në veçanti janë pjesë e pandarë e saj. Për ata që nuk e njohin, Ailda Mëngjesi mban gradën profesor i Asociuar dhe pedagoge në “Rush University Chicago”. Ka mbaruar Fakultetin e Mjekësisë në vitin 1999, dhe pas një specializimi në Anestezi- Reanimacion, në vitin 2001 ka lëvizur drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Letërsia është një pasion shumë më i hershëm sesa mjekësia vetë, dhe në vitet e fundit poezia është bërë mënyrë të menduari. Ky është libri i parë i botuar, ndërsa veprimtaria kryesore mbeten botimet në revista të ndryshme mjekësore, krahas mësimdhënies dhe ushtrimit të profesionit.

“Të gjithë jemi koshientë të këtyre dy viteve që kaluam. Me këtë rast doja të bëja një falenderim nga zemra për të gjithë mjekët, ashtu si Ida, të cilët kanë qenë në frontin e parë të luftës me pandeminë, të cilën, ashtu si titulli i këtij vëllimi poetik “Thuajse”, edhe këtë betejë me këtë virus thuajse e kemi mundur!

“…retë dhe pak do e mbulojnë qiellin / mbi kokat tona, do bëjnë hije dhe pak, / por nuk do vonojë e do dalë dielli, / siç del e mira nga shpirtrat që durojnë / në emër të jetës – thotë Ida në një nga poezitë e këtij vëllimi poetik”.

Faleminderit Ida Mëngjesi, që, krahas punës tënde si mjeke, vjen me këtë vëllim si mëngjesi, e pastër, e qartë dhe, siç thotë edhe redaktori i këtij vëllimi, shkrimtari i mirënjohur Artan Hasani, “ajo vjen si një fllad që nuk bëhet kurrë erë…”.
Më pas ajo falenderoi redaktorin e librit, poetin e shkrimtarin Artan Gjyzel Hasani, i cili është redaktor i librit, por njëherësh miku i përbashkët, që rekomandoi botimin e këtij vëllimi poetik, si dhe artistin Saimir Strati për realizimin e kopertinës së librit.

Naim Zoto: mendimi poetik përcillet me elegancë dhe shije

Naim Zoto, poet dhe botues, tha mes të tjerash se “ne kemi mes nesh një poete dhe një libër të mirë me poezi”.
“Kur mora përsipër që të thosha dy fjalë për librin me poezi të Ildës nuk dija asgjë përveç titullit: “Thuajse”; një titull intrigues në kufijtë mes provokimit dhe modestisë. Për më tepër; nuk kisha asnjë info për autoren dhe, për fat të keq, as rasti të lexoja më përpara diçka nga poezia e saj. Kështu që, duke mos e patur ende librin e botuar ndër duar, po e vërtisja në mendje titullin e tij, duke hamendësuar: “thuajse”, “pothuajse”, “mbase”, “kush-e-di-se” e të tjera kombinime e lojëra fjalësh. E, kur mbarova së lexuari librin sot paradite, mezi po prisja të vija këtu e të them:
Urime, Ilda: Ti ke një poezi që e titullon “Unë nuk jam poete”. Ju jeni, tashmë!
Urime edhe për Bujarin e Mirandën për këtë botim! Urime edhe per redaktorin e librit, z. Artan Gjyzel Hasani.
Nuk kem të bëjmë me një “thuajse” libër apo poezi e të tjera kombinacione me këtë fjalë të shqipes. Pra, kemi mes nesh një poete dhe një libër me poezi.
Poezitë e Ailda Mëngjesit ngjizen gjithmonë si një bisedë: Libri fillon me poezinë me titull “A të kam thënë…” , pastaj kemi poezitë: “Unë nuk të kam thënë…”, “Si ia bën të më thuash…”, “Po si ike ashtu…”, “Dua të të flas…”, “Të të them diçka…”, “Sikur të të thoja….”, “Mund të të thoja…”, “Mos më pyet pse shkruaj”, “Dua të flas me ty pa pushim, o njeri”…, “Dua të të flas…”, dhe përfundon me poezinë “Të të them diçka…”.
Në pamje të parë teknika e krijimit, më saktë titujt e tyre duken të thjeshtë, por gjetjet, mendimi poetik, ndjenja përcillet me elegancë dhe shije. Nuk gjen në poezinë e Ildës trajtime e klishe të tipit romantik apo vargëzime e përbetime si të huazuara nga telenovelat. Fryma e poezive është realiste, moderne:
…por ti e di. Sa do kisha dashur / të dilja nga kjo kohë kibernetike,/ të zbrisja një mbrëmje nga taksia, / të hyja drejt e në një rrugë të mbushur/ me karroca me kuaj./ Të ngrija jakat e peliçes së ngrohtë/ dhe me duart delikate nën doreza/ të ndalja më të parën prej tyre./ T’i kërkoja të më shpinte në një adresë/ të vërtetë, në vend të njëmijë e një/aplikacioneve moderne, me dyer/të sofistikuara e të tejdukshme/si në novelat e vjetra.” (UNË NUK TË KAM THËNË…)
Ashtu më flet dhe ti. / Me atë gjuhën e harruar të perëndive./ Nga një Olimp i rrëzuar brenda ca honeve të thella/ të shpirtit. Ku hyn vetëm drita. (SI IA BËN TË MË THUASH AQ SHUMË, PA MË THËNË NJË FJALË)
Por, eja, merre vështrimin tim për dore /dhe nisemi fluturojmë përsëri, /ndoshta do kemi mësuar /një gjë a dy. /Se nuk është dita / e gurëve të përgjakur të Haymarket, / është thjesht një ditë si të tjerat / në kalendarin tonë të ëndrrave / të një bote të mbyllur / të etur për liri… / të cilën sapo e gjetëm / na ra nga duart u thye copë… (DITA E PARË E MAJIT)

Lexo edhe :  Këngëtarja Teuta Selimi kallëzon për dhunë bashkëshortin dhe vëllanë

Artan Gjyzel Hasani: Thuajse – paplotësia e ndjesive tona

“Jo rrallë në librin e parë të tyre, pra nën kompleksin e të qenurit ende të panjohur, përmes vargjeve, autorët kërkojnë t’i imponohen lexuesit me mënyrat me të shpejta, vargje të forta në dukje, por jo në përmbajtje, deklamacione narcistike dhe arrogante ndonjëherë, përpjekje imitiacioni të autorëve të famshëm. Nuk ndodh kjo gjë me vargjet e librit të parë të autores Ailda Mëngjesi”, tha në përshëndetjen e tij të drejtëpërdrejtë nga Kanadaja, poeti dhe shkrimtari Artan Gjyzel Hasani, njëherësh edhe redaktor i librit.
“Ajo e shpalos vetveten në mënyrën më të thjeshtë të mundshme, mbuluar nga mirësi, butësi dhe mall. Janë vargje fisnike vargjet e saj edhe kur shkruan për zhgënjime apo pamundësi që shënjojnë përditshmërinë e jetës sonë. Një çiltërsi prej fëmije dhe maturi prej të rrituri i përshkon vargjet e saj. Uji që rrjedh në mënyrë të natyrshme e gjen udhën sado pengesa të ketë, duke u mbështetur në vetinë më të pashmangshme, gravitetin. Ashtu si uji, edhe poezia e Idës ka gravitetin e vet të natyrshëm dhe jo të stisur në mënyra artificial, të sofistikuara dhe prandaj kur arrin te ne është aq e freskët sa akoma ia dëgjojme atë shushurimën ndjellëse të tingujve të shpirtit”.
Hasani vuri në dukje edhe një cilësi të autores Ailda Mëngjesi, atë të përkthimit.
“Kur lexoja përkthimet që ajo postonte herë pas here, nga anglishtja apo shqipja, nga njëra gjuhë te tjetra, më çudiste lehtësia me të cilën ajo gjente nuancën e duhur, përkthyese të fjalëve poetike të origjinalit. Nëse do shprehesha me gjuhën e mjekësisë, një sy i mprehte klinik për të pikasur fjalën e duhur për vendin e duhur”.
Duke folur rreth metaforës që përcjell titulli “Thuajse”, Artan. Gj. Hasani tha se “Të paplota janë edhe ndjesitë tona, dashuritë, urrejtjet, ëndrrat, pritshmëritë, ato çka kemi bërë e ato që akoma nuk kanë ndodhur, asgje nuk është përfundimtare, asgjë nuk merr formën e plotë në mënyrë përfundimtare. Është pikërisht kjo paplotësi që i jep kuptimin jo vetëm jetës sonë, por edhe përpjekjes së vazhdueshme për të arritur Itakën edhe kur ajo nuk ekziston. Mosmbrritja në Itakë duhet konsideruar sukses. Mbërritja në Itakë do të ishte fatale si çdo fund udhëtimi pas përmbushjes së të cilit ti nuk pret më asgjë… Prej këtej merr edhe kuptimin titull modest i librit “Thuajse”.

***
Poetja dhe kritikja Emrije Krosi, gjatë përshëndetjes së saj, vuri në dukje të poezia e Ailda Mëngjesit dimensionin e unit femëror në poezi. Dashuria, familja, natyra, jeta sociale vijnë në poezinë e Mëngjesit shumë thjeshtë por me plot kuptim.” Krosi ka shkruar një studim rreth poezisë në këtë vëllim dhe e ka botuar atë në radiandradi.com.

***
“Nuk kisha menduar kurrë se do të shkruaj poezi, megjithëse që fëmijë nuk e kam ndarë librin nga dora. Por fati e solli të studioja për mjekësi dhe pak nga pak poezia u bë e largët, për tu rikthyer vitet e fundit në një dritare ku përcjell emicionet e mia”, tha në fjalën e saj poetja Ailda Mëngjesi. “Fillova të rilexoja poezi dhe patën shumë ndikim tek unë poezitë e Artan Gjyzel Hasanit, Alban Balës, Leonard Cohen e shumë të tjerë. Pastaj fillova ti hidhja ato në dritaren time të Facebookut, dhe pak nga pak fillova të merrja reagime nga lexuesit. Poezia filloi kështu që kthehej në një mënyrë komunikimi dhe një vend ku mund ti shprehja emocionet e mia”.
Ajo tha se ishte shumë e emocionuar për përshtypjet që kishte marrë pas botimit të librit, dhe për këtë falenderoi redaktorin e saj, Artan Gj. Hasani si dhe botuesit Miranda Goleci dhe Bujar Karoshi për botimin e librit.

Të fundit

Grabitën turistët italianë, Vlora Marina mbulon vlerën e vjedhur

Vlora Marina është ofruar vullnetarisht që të mbulojë vlerën prej 2 500 € që i janë vjedhur turistëve italianë...

Analiza/ 2.3 miliardë euro nga Diaspora tek ne?

Nga Fatos Çoçoli  Sot, të 5 mijë e 141 vendet e uljes në Stadiumin Olimpik “Galatsi” në Athinë ishin mbushur si kurrë më parë, me...

A shkakton ankthi ëndrra të këqija? Ja ç’thonë psikologët

Ndodh që ëndrrat e këqija pasqyrojnë gjërat që keni përjetuar gjatë ditës apo ngjarje në botën reale. Por, duket se këto ëndrrat mund të...

Dita Ndërkombëtare e Infermierëve/ Koçiu: Rritëm pagat mbi 70%, ja kur do ti çojmë 100%

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu mori pjesë në aktivitetin e organizuar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Infermierëve gjatë së cilës...

Nuk ka surpriza në “Old Trafford”, Arsenali mposht minimalisht Manchester United

Gara për titullin kampion të Premier League-s mes Manchester City-t dhe Arsenalit mbetet e ethshme deri në javën e fundit. “Topçinjtë” triumfuan 1-0 këtë...

Lajme të tjera

Web TV