Prokurimet publike Rama me “flamur antikorrupsioni”, në një hap me SPAK

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Kryeministri tha se paketa e re adreson qartësisht domosdoshmërinë për të rritur integritetin si dhe për të forcuar mekanizmat monitorues dhe ndëshkues për shkeljet

Nga Fernada Cenko

Abuzimet me tenderat kanë detyruar kryeministrin Edi Rama të marrë masat e nevojshme për të mos vijuar më me abuzimet e frikshme. Vet kreu i Qeverisë prezantoi këtë të martë paketën e re të prokurimit publik, që synon sipas të parit të qeverisë, të kapërcejë sa më parë dhe sa më shpejt hendekun mes politikës dhe të ardhmes. Por jo vetëm kaq, Kryeministri ka bërë për ujë të ftohtë ministrat por edhe drejtues të tjerë institucionesh që në rast abuzimi do i dërgojë vet në SPAK. Në fjalën e tij, kryeministri deklaroi se paketa e re adreson qartësisht domosdoshmërinë për të rritur integritetin dhe përgjegjshmërinë e të gjitha palëve të përfshira në këtë proces, si dhe për të forcuar mekanizmat monitorues dhe ndëshkues për shkeljet. “Duhet të kemi një mobilizim të posaçëm në zbatimin e paketës së re ligjore në fushën e prokurimit publik, pa humbur kohë. Nuk dua të hyj në detaje lidhur me progresin e bërë në këtë fushë, me rezultatet e lexueshme përmes të dhënave, që disponojmë, sepse qëllimi nuk është që të shikojmë pas, për t’u krahasuar me të shkuarën, por të shikojmë përpara për të kapërcyer sa më parë dhe sa më shpejt hendekun e gjerë mes nesh dhe të ardhmes”, është shprehur kryeministri. Ai tha se paketa e re ligjore është bërë për t’i dhënë efikasitet shtetit shqiptar dhe autoriteteve kontraktore. “Paketa e re ligjore synon pikërisht që t’u japë autoriteteve kontraktore dhe shtetit shqiptar mjete të reja efikase, duke ju garantuar një kuadër rregullator të prokurimit publik në Shqipëri të përafruar me legjislacionin evropian, si dhe duke adresuar të gjitha ato gjetje dhe rekomandime të ndryshme të organizatave ndërkombëtare, kërkesat për ndryshim, problematikat e hasura në praktikë gjatë procesit të prokurimit”, tha Rama. Sipas tij, paketa e re adreson qartësisht domosdoshmërinë për të rritur integritetin dhe përgjegjshmërinë e të gjitha palëve të përfshira në këtë proces, si dhe për të forcuar mekanizmat monitorues, por edhe ndëshkues, për shkeljet e konstatuara.

Bilanci i prokurimeve

Ndërsa prezantoi paketën e re të prokurimit publik, kreu i qeverisë bëri një bilanc të institucioneve në raport me procedurat e prokurimit publik. Rama tha se gjatë vitit 2020 dhe gjashtë mujorit të parë të 2021, për të gjitha institucionet rezulton se janë asistuar 936 procedura të publikura në SPE, ndër to 70 % kanë rezultuar problematike në hartimin e kritereve, dhe për këtë arsye institucionet përkatëse i janë dërguar rekomandime. “20 % e institucioneve nuk kanë reaguar dhe ose nuk kanë reflektuar nga rekomandimet e agjencisë së prokurimit publik. Është e padiskutueshme që mos reagimi ndaj tyre me shkrim, për të vënë në diskutim me argumenta një pikë apo njëj tjetër, është cënim flagrant i etikës shtetërore”, tha kryeministri.

Ministrat në SPAK

Kryeministri paralajmëroi ministrat se nëse nuk ka asnjë reagim nga ana e tyre pas rekomandimeve të Agjencisë së Prokurimeve Publike për tendera me probleme, ai vetë do i çojë në SPAK. “Në një kohë të shkurtër, jo të gjatë, ky shtet të kalojë në një nivel tjetër të nivelit të Prokurimeve Publike, në radhë të parë duke garantuar që çdo institucion funksionon si hallkë, jo si bajrak, dhe duke funksionuar kështu, funksionon si pjesë e një zinxhiri ku komunikim duhet të jetë 100% i garantuar. Rekomandimet e APP nuk janë as në Bibël e as në Kuran, edhe pse këto përsëri hanë diskutimet e tyre mes besimtarëve, por ama sikur në një rast të vetëm rekomandimet të bien në një vesh aq të shurdhët sa të mos ketë fare përgjigje, a thua se kjo APP mbyll letra në shishe dhe i hedh në det, çdo rast i tillë do të shkojë në SPAK nga kryeministria, nga kjo godinë këtu, pastaj a është i qëllimshëm apo injorancë këtë çështje pastaj hane hetimet”, tha kryeministri. Rama tha se armiku kryesor i prokurimeve mbeten kriteret e qepura keq. “Të gjithë e dimë që në problematikën e prokurimeve armiku kryesor janë kriteret e qepura me dorë për kualifikim që ndikojmë në uljen e pjesëmarrjes. Nga shqyrtimi i të dhënave në lidhje me numrin e ofertave, janë asistuar nga APP, përgjatë 2020 dhe janar qershor të këtij viti,936 procedura dhe mesatarja e ofertave të kualifikuara është 2. 56”, nënvizoi kryeministri. Nga analiza rezulton se nga 24 institucione 21 prej tyre 30-50 të procedurave i kanë vetëm me një operator ekonomik. Pavarësisht se procedura është e hapur. “Janë hetuar 57 procedura prokurimi ajo që ka rëndësi është se janë konstatuar probleme në përllogaritjen e fondit limit, kritere kualifikimi pa lidhje me objektin e kontratës, fitues që nuk plotësojnë kriteret”, tha Rama. Sipas të dhënave të ofruara nga kryeministri janë dënuar me gjobë 41 punonjës dhe masë 91 punonjës. “Shifrat mund të duken të vogla, por nëse e shohim perceptimin publik për tenderat pamja është madhështore për nga negativiteti i saj. Sidoqoftë, në këtë moment është shumë e rëndësishme të bëhet një analizë serioze e kapaciteteve të burimeve njerëzore. Bie në sy niveli i ulët i kuptimit të vetë procesit, që më pas krijon një efekt zinxhir dhe degradon procesin në rezultate të shëmtuara. Qëllimi madhor i kësaj përpjekjeje është që në këtë vend mos i hahet haku askujt dhe kush e ka me hak të marrë hakun kush nuk e ka të mos marrë hakun e dikujt tjetër”, tha kryeministri. Ai tha se nga “të thuhet” në “të bëhet” është larg ndaj kërkoi kohë për përsosjen, duke shtuar se edhe BE është duke kërkuar rrugë në mjete ligjore. “Është shumë më e lehtë të thuhet se të bëhet se procesi është në vetvete i ndërlikuar, për të cilin edhe vetë BE vijon të kërkojë rrugë në mjete ligjore për ta përsosur por është plotësisht e mundur që në një kohë të shkurtër ky shtet të kalojë në një nivel tjetër në fushën e prokurimeve publike.” u shpreh Rama.

Lexo edhe :  Tym i bardhë në Vatikan, zgjidhet Papa i 267-të i Kishës Katolike Romake

Rama niset për Greqi, dy herë në një kohë të shkurtër

Kryeministri Edi Rama u nis këtë të martë drejt Greqisë për një vizitë pune. Nuk dihet ende axhenda e takimit të kreut të qeverisë shqiptare në shtetin helen. Kujtojmë se kjo është vizita e dytë në një kohë të shkurtër e kryeministrit Rama në vendin fqinj. Vetëm një muaj më parë Rama pas një vizite dy ditore në Turqi u nis menjëherë për në Greqi për një takim me homologun e tij në Athinë.

Fati i kryebashkiakëve, Komisioni i Venecias shqyrton më 14 tetor kërkesën e Kushtetueses

Komisioni i Venecias ka administruar kërkesën e Gjykatës Kushtetuese për vlefshmërinë e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019. Komisioni njofton se kjo kërkesë do të shqyrtohet në seancën e radhës plenare, e cila është parashikuar të zhvillohet më 14 tetor. Gjykata Kushtetuese në datën 23 qershor dëgjoi pretendimet e palëve për sa i përket procesit për zgjedhjet vendore dhe vendosi që përpara vendimmarrjes, të marrë edhe një ekspertizë ndërkombëtare. Gjykata Kushtetutese nuk u nxitua që të vendoste vet, ndaj e nisi për interpretim në Komisionin e Venecias.

Të fundit

Fajet i ka politika dhe jo populli!

Alban Daci Asnjëherë një popull nuk është fajtorë edhe kur ai sundohet nga një diktaturë. Populli shpesh është viktimë e...

Përfundon numërimi i votave brenda vendit, nis përllogaritja e votave nga jashtë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se ka përfunduar procesi i numërimit dhe vlerësimit të votave për votimin brenda territorit të Shqipërisë, në përputhje me...

Parashikimi i motit për sot, 14 maj 2025

Orët e paradites do të paraqiten nën ndikimin e kthjellimeve dhe vranësirave të lehta e kalimtare në të gjithë territorin, ku më të theksuara...

Shqipëria, “Zjerm” në Eurovision! Kualifikohet për natën finale

Shqipëria është kualifikuar në natën finale të "Eurovision 2025". “Shkodra Elektronike” me këngën “Zjerm” u kualifikua mes 10 shteteve fituese të natës së parë gjysmëfinale. Ky...

Lajme të tjera

Web TV