Një shqiptar i arratisur nga burgu ka pushtuar mediat në Greqi, kur pavarësisht se ishte në kërkim nga policia, ka grabitur një bankë.
Gjithsesi, aventura e 42-vjeçarit, së bashku me një grek 58-vjeçar, ka përfunduar pasi të dy janë vënë në pranga ditën e djeshme në Peristeri, Athinë.
Mediat greke kanë publikuar pamjet, ku tregohet momenti kur shqiptari futet brenda në bankë i maskuar dhe armatosur dhe kryen grabitjen.
Nën kërcënimin e armës, ai detyron arkëtarin t’i japë të gjitha paratë që gjendeshin atu dhe më pas arratiset me bashkëpunëtorin e tij grek që po e priste.
Por arratia nuk zgjati shumë dhe dy grabitësit u lokalizuan dhe u prangosën. Shqiptarit iu sekuestruan një pistoletë me mulli, fishekë, një shumë në euro që grabiti dhe veshjet e përdorura, ndërsa grekut një armë, dy hanxharë dhe makina që përdorën për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.
Policia greke thotë se shqiptari ishte arratisur nga burgu në 20 janar të vitit të kaluar, ku po vuante dënimin 28 muaj për vjedhje, rezistencë dhe hyrje ilegale në Greqi.