Ministria e Financave njoftoi realizimin e planit në masën 102 për qind dhe rritjen e të ardhurave në 7-mujorin e parë të këtij viti me 47.7 miliardë lek, ose rreth 390 milionë euro.
Pjesën dërrmuese të këtyre të ardhurave e zënë taksat e mbledhura nga importi i karburanteve, automjeteve të përdorura, metaleve bazë dhe artikujve të tyre, cigaret, veshjet dhe materialet e ndërtimit. Në total, këto grupe janë rritur me 11.3 miliardë lek, ose rreth 90 milionë euro në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020.
Të ardhurat nga TVSH në import për 7-mujorin rezultojnë 68.3 miliardë lekë, 14.3 miliardë lekë ose 26.4% më shumë se një vit më parë. Me rënie të lehtë u regjistruan të ardhurat nga eksporti i energjisë elektrike dhe fruta –perimeve dhe importi i miellit e grurit, sheqerit dhe telefonave celularë.
Të ardhurat tatimore për 7- mujorin 2021 u realizuan në masën 141.5 miliardë lekë, 19.7 miliardë duke u rritur me 16.2% më shumë se 7-mujori i vitit të kaluar ,ndërsa të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (bruto) u rritën me 29.1% më shumë se 7-mujori 2020.
Sektorët me kontributin më të madh në rritjen e të ardhurave krahasuar me 7-mujorin e vitit 2020 janë sektori i tregtisë, ndërtimit dhe sektori i prodhimit.
Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore u realizuan në masën 61.9 miliardë lekë, 7.6 miliardë lekë ose 14.1% më shumë se 7-mujori 2020. Kjo është reflektuar edhe në tregun e punës, ku sipas të dhënave, numri i të punësuarve në qershor 2021 arriti në 710,464 persona, nga 667,761 persona që ishte në qershor 2020.
Nga analiza e numrit të të punësuarve të deklaruar për muajin qershor të këtij viti rezulton rritje me 30,314 vende pune ose 4.7% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
Shpenzimet e përgjithshme publike, në 7-mujorin e vitit 2021, arritën në rreth 311.3 miliard, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 ky zë ka rezultuar 10 për qind më i lartë. Niveli i deficitit për periudhën 7-mujore të vitit 2021 rezultoi në rreth 29.9 miliardë lekë, ose rreth 19.5 miliardë lekë më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë.