Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, me Përfaqësuesin e Lartë të BE për Politikën e Jashtme Josep Borrell në një deklaratë të përbashkët i bëjnë thirrje BE-së që të nisin bisdemet për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian do të forcojnë më tej angazhimin e tyre për Ballkanin Perëndimor, në mbështetje të përparimit të rajonit drejt integrimit evropian, thuhet në një deklaratë të përbashkët të Uashingtonit dhe Brukselit, që pason takimin e Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken me Përfaqësuesin e Lartë të BE për Politikën e Jashtme Josep Borrell. Ballkani Perëndimor, thekson deklarata, i përket Bashkimit Evropian dhe bën thirrje që bisedimet e antarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të fillojnë pa vonesë. Uashingtoni dhe Bruksli shprehin mbështetje të fortë për procesin e zgjerimit. Anëtarësimi në BE, një përparësi e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, thuhet më tej në deklaratë, do t’i ndihmojë këto vende të konsolidojnë institucionet demokratike, të mbrojnë të drejtat themelore dhe të zbatojnë shtetin ligjor. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, thuhet në deklaratë, mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli si mekanizmin kryesor për të arritur një zgjidhje për normalizimin e përgjithshëm të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Uashingtoni dhe Brukseli u bëjnë thirrje Serbisë dhe Kosovës të shmangin tensionet, si ato që u vunë re kohët e fundit në veri të Kosovës, që rrezikojnë stabilitetin. Deklarata shpreh mbështetje për angazhimin e Kosovës për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, si dhe dënon si të papranueshme dhunën ndaj civilëve, gazetarëve, policisë ose autoriteteve. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropan shprehin mbështetje të fortë për integritetin territorial të Bosnje Hercegovinës, për përpjekjet për reforma elektorale dhe kushtetore, si dhe për ruajtjen e funksionalitetit të institucioneve shtetërore në këtë vend. Deklarata i bën thirrje forcave politike në Mal të Zi të bashkëpunojnë për të ruajtur orientimin strategjik të vendit duke pasqyruar dëshirat e popullit për të realizuar reformat e duhura, që shpresat për anëtarësim në BE të bëhen realitet.
Progres-raporti, Xhaçka falënderon SHBA-në dhe BE-në
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka pas publikimit të progres-raportit për Shqipërinë, shprehu mirënjohje për mbështetjen e SHBA-ve dhe BE-së për integrimin e Shqipërisë. Sipas saj, ky është një hap që duhet ndërmarrë bazuar dhe në arritjen e reformave, gjë e cila u konfirmua dhe nga Komisioni Evropian. “Angazhimi i përbashkët i SHBA dhe BE në rajonin tonë është vendimtar në konsolidimin e stabilitetit, prosperitetit, shtetit të së drejtës dhe demokracisë. Mirënjohëse për mbështetjen në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian, në veçanti për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit për Shqipërinë. Ky është një hap që duhet ndërmarrë bazuar dhe në arritjen e reformave, gjë e cila u konfirmua dhe nga Komisioni Evropian.”, shkruan Xhaçka.
Tabaku: “Integrimi nuk është prioritet për qeverinë”
Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit, Jorida Tabaku, falënderoi BE për mbështetjen e vazhdueshme për Shqipërinë, por shprehu qëndrimin e opozitës se qeveria nuk ka punuar për të mundësuar nisjen e negociatave të anëtarësimit. Tabaku theksoi se raport progresi zbulon problemet e Shqipërisë përtej fasadës së krijuar nga qeveria. “Nëse e lexojmë korrekt këtë raport do të shohim që Shqipëria nuk është fshati Potemkin që na pikturohet. Raporti qartë dhe saktë na përshkruan një Shqipëri reale që e gjejmë në të gjitha raportet e tjera ndërkombëtare pa përjashtim. Jorida Tabaku renditi 9 tregues të përkeqësuar në raportin e fundit të progresit. Siipas saj, Integrimi Europian nuk është ndër prioritetet e kësaj qeverie, pasi ka shqetësime që lidhen me zgjedhjet dhe përdorimin e burimeve publike; dhe pandëshkueshmëria për krimet zgjedhore; transparencë e ulët në aktivitetin e qeverie dhe kjo shoqëruar me kufizimin e lirisë se medias është problem real për Shqipërinë. Me tej ajo ashtoi se Shqipëria ka treguesit më të këqij në zbatim te ligjit nga 2015 dhe akoma nuk po shohim rezultate në drejtësinë e re. “Ne ndërmorëm një reformë në drejtësi për të shmangur presionin mbi sistemin gjyqësor dhe të drejtësisë, por fatkeqësisht ende sot në raportet ndërkombëtare e gjejmë të përmendet. Korrupsioni, fatkeqësisht thotë raporti është i përhapur në të gjitha nivelet e jetës publike. Megjithëse opozita e madje edhe vetë personalisht kam dërguar dosje dhe raste të qarta korruptive në krijesën më të re të drejtësisë, SPAK, kemi vërejtur një heshtje deri në atrofizim të këtij institucioni për këto çështje që prekin temën e ditës edhe në BE; sundimin e ligjit dhe korrupsionin”, theksoi ajo. Ndryshe nga mazhoranca, opozita është dakord për integrimin e vendit, por kritikon qeverinë, duke këmbëngulur se në shumë aspekte vendi ka bërë pas, sidomos për çështjet e korrupsionit dhe mungesës së transparencës dhe konkurrueshmërisë në tendera. “Pak vite pasi Gjykata Europiane e Auditit deklaroi se 1 në 3 tendera jepen pa garë mjedisi dhe realiteti nuk ka ndryshuar. Konkurrenca nuk është rritur, proceset vazhdojnë të jenë të mbyllura dhe procedurat vazhdojnë të jenë sa për sy e faqe. Në praninë edhe të ambasadorit të BE dhe përfaqësuesve të qeverisë, Jorida Tabaku vlerësoi si shumë shqetësues për vendin raportimet serioze ndërkombëtare se Shqipëria është në nivelin e kapjes së shtetit dhe se qeveria ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të privuar lirinë e mediave”-tha Tabaku.